Presidentja: Në Gjermani, në shtetin tonë mik dhe në shtetin ku e kemi mërgatën tonë më të madhe, për ta pranuar Çmimin M100

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka thënë se Çmimi M100, është inkurajim për vazhdimin e rrugës përpara, për perspektivën euroatlantike të Kosovës dhe për një të ardhme me të mirë për qytetarët tanë. Postimi i plotë i Presidentes Osmani: Në Gjermani, në shtetin tonë mik dhe në shtetin ku e kemi mërgatën tonë më të madhe, për ta pranuar Çmimin M100 për përkushtimin ndaj vlerave euroatlantike, lirisë e demokracisë. Ky çmim është inkurajim për vazhdimin e rrugës përpara, për perspektivën euroatlantike të Kosovës dhe për një të ardhme me të mirë për qytetarët tanë.

Presidentja Osmani udhëtoi për në Gjermani për ta pranuar çmimin e forumit M100 Sanssouci Colloquium

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka udhëtuar për në Gjermani për ta pranuar çmimin e forumit ndërkombëtar M100 Sanssouci Colloquium, i cili mbahet një herë në vit që nga viti 2005 në qytetin e Potsdam-it. Nominimi i Presidentes Osmani është bërë nga juria e Forumit me unanimitet të plotë nga të gjithë anëtarët e jurisë dhe është liderja e parë nga Ballkani që nderohet me këtë çmim. Në njoftimin e bërë nga Juria, thuhet se Presidentes Osmani i është dhënë Çmimi M100, për përkushtimin e saj ndaj vlerave euroatlantike dhe për punën e saj të palodhur në reforma, forcimin e demokracisë, kursin proevropian, luftën kundër korrupsionit, si dhe për barazinë dhe të drejtat e grave. Laudation për Presidenten Osmani do ta mbajë Rudolph Scharping, ish-ministër i mbrojtjes i Gjermanisë gjatë luftës në Kosovë. Ky çmimi u jepet personaliteteve që janë të përkushtuara për forcimin e demokracisë, sundimin e ligjit, të drejtave të njeriut dhe vlerave evropiane. Përpos Presidentes Osmani, laureat i këtij çmimi është edhe kryeministri i Polonisë, Donald Tusk, teksa në garë për këtë titull kanë qenë edhe personalitete të ndryshme evropiane, përfshirë presidentë dhe kryeministra. Ky forum ndërkombëtar udhëhiqet nga kryebashkiaku i qytetit të Potsdam-it Mike Schubert. Ndryshe, deri tashti me këtë çmim janë nderuar edhe personalitete të ndryshme evropiane, si: Hans-Dietrich Genscher, Bernard Kouchner, Mario Draghi, Vitali Klitschko, Alexei Naëalny, populli ukrainas dhe Lëvizja për Lirinë e Jetës së Grave Iraniane.

Presidentja Osmani bëri nderime tek Monumenti i Kryengritjes në Varshavë

Presidentja e Republikës së Kosovës,Vjosa Osmani ka bërë nderime tek Monumenti i Kryengritjes në Varshavë. “Dje, te Monumenti i Kryengritjes në Varshavë, nderuam guximin e popullit polak për një ndër pjesët më të rëndësishme të historisë së tyre. Fryma e rezistencës, e sakrificës dhe e shpresës, e cila udhëhoqi ata që u ngritën për lirinë e tyre është e njëjta frymë që na bashkon edhe sot”, ka shkruar Presidentja Osmani.

Presidentja Osmani mori pjesë në Samitin “Vital Voices”, në Varshavë

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka bashkëbiseduar me Ambasadoren Verveer në kuadër të Samitit “Vital Voices”, në Varshavë. Postimi i plotë i Presidentes Osmani: Si ta mbrojmë demokracinë nga autokracitë?! Për këtë dhe shumë më shumë rreth Kosovës si storje suksesi, sot në bashkëbisedim me Ambasadoren Verveer në kuadër të Samitit “Vital Voices”, në Varshavë.

Presidentja Osmani kujton 11 shtatorin: Në këtë ditë ne gjejmë forcën në unitet, duke qëndruar përkrah popullit amerikan, si gjithmonë, në mbrojtje të paqes, drejtësisë dhe një të ardhmeje më të mirë!

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka kujtuar 11 shtatorin e vitit 2001, e që sipas Presidentes Osmani, kjo ditë ndryshoi përgjithmonë rrjedhën e historisë dhe la gjurmë të pashlyeshme në zemrat e familjeve të viktimave dhe gjithë botës demokratike. Postimi i plotë i Presidentes Osmani:   11 shtatori- ditë dhimbjeje, kujtese dhe solidariteti të palëkundur Sot shënohet 23-vjetori i sulmeve tragjike të 11 shtatorit 2001, ditë, e cila ndryshoi përgjithmonë rrjedhën e historisë dhe la gjurmë të pashlyeshme në zemrat e familjeve të viktimave dhe gjithë botës demokratike. Tmerri dhe humbja e pakuptimtë e afër 3000 jetëve na kujtojnë brishtësinë e paqes dhe dhimbjen e thellë, të cilën e ka shkaktuar ky akt terrorist. Imazhet, pikëllimi dhe ankthi mbeten të gdhendura në kujtesën tonë kolektive. Në këtë ditë ne gjejmë forcën në unitet, duke qëndruar përkrah popullit amerikan, si gjithmonë, në mbrojtje të paqes, drejtësisë dhe një të ardhmeje më të mirë!  

Presidentja: Në përkrahje të peticionit qytetar për Projektligjin për Parandalim të Vetëvrasjes

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka thënë se dorëzimi i sotëm nga shoqëria civile i peticionit për Projektligjin për Parandalim të Vetëvrasjes, e me mbështetje të mbi 13000 qytetarëve, është hap i duhur në këtë drejtim, derisa i ka ftuar deputetët që këtë nismë ta trajtojnë me prioritet që në fillim të sesionit vjeshtor. Postimi i plotë i Presidentes Osmani: Në përkrahje të peticionit qytetar për Projektligjin për Parandalim të Vetëvrasjes Në Ditën Botërore të Parandalimit të Vetëvrasjes, ne të gjithë bashkërisht duhet ta rikujtojmë një të vërtetë të fuqishme: gjithmonë ka shpresë! Vetëm përmes përpjekjeve të përbashkëta, ne mund ta thyejmë heshtjen, ta çrrënjosim stigmën dhe të tregojmë se askush nuk duhet të ndihet i vetëm në çfarëdo sfide apo beteje. Dorëzimi i sotëm nga shoqëria civile i peticionit për Projektligjin për Parandalim të Vetëvrasjes, e me mbështetje të mbi 13000 qytetarëve, është hap i duhur në këtë drejtim. I ftoj të gjithë deputetët e Republikës që këtë nismë ta trajtojnë me prioritet që në fillim të sesionit vjeshtor. Pas miratimit të këtij ligji, Republika e Kosovës do ta ketë një kornizë ligjore e cila trajton këtë plagë të shoqërisë dhe shtetit tonë dhe do t’u ofrojë përkrahjen e nevojshme të gjithë atyre që janë duke u përballur në këtë betejë.

Presidentja Osmani e ftuar në samitin global “Vital Voices Summit” në Poloni

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka udhëtuar për në Poloni për të marrë pjesë në Samitin global “Vital Voices Summit. Në këtë Samit, Presidentja Osmani do të jetë folëse kryesore në një bashkëbisedim me temën për “Gratë për të drejta dhe demokraci”, nën moderimin e ambasadores Melanne Verveer, Drejtore Ekzekutive e Instituti Georgetown për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, njëherësh Ambasadorja e parë e SHBA-ve për Çështjet Globale të Grave dhe Bashkëthemeluese e Vital Voices. “Vital Voices”, që nga themelimi i saj në 1997, ka mbështetur drejtpërdrejt më shumë se 20,000 gra prijëse të ndryshimeve në 185 vende të botës dhe ka ndërtuar rrjetin më të fuqishëm global të grave lidere që angazhohen për një botë më të barabartë për të gjithë.

This site is registered on wpml.org as a development site.