Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka thënë se dorëzimi i sotëm nga shoqëria civile i peticionit për Projektligjin për Parandalim të Vetëvrasjes, e me mbështetje të mbi 13000 qytetarëve, është hap i duhur në këtë drejtim, derisa i ka ftuar deputetët që këtë nismë ta trajtojnë me prioritet që në fillim të sesionit vjeshtor.
Postimi i plotë i Presidentes Osmani:
Në përkrahje të peticionit qytetar për Projektligjin për Parandalim të Vetëvrasjes
Në Ditën Botërore të Parandalimit të Vetëvrasjes, ne të gjithë bashkërisht duhet ta rikujtojmë një të vërtetë të fuqishme: gjithmonë ka shpresë! Vetëm përmes përpjekjeve të përbashkëta, ne mund ta thyejmë heshtjen, ta çrrënjosim stigmën dhe të tregojmë se askush nuk duhet të ndihet i vetëm në çfarëdo sfide apo beteje.
Dorëzimi i sotëm nga shoqëria civile i peticionit për Projektligjin për Parandalim të Vetëvrasjes, e me mbështetje të mbi 13000 qytetarëve, është hap i duhur në këtë drejtim.
I ftoj të gjithë deputetët e Republikës që këtë nismë ta trajtojnë me prioritet që në fillim të sesionit vjeshtor. Pas miratimit të këtij ligji, Republika e Kosovës do ta ketë një kornizë ligjore e cila trajton këtë plagë të shoqërisë dhe shtetit tonë dhe do t’u ofrojë përkrahjen e nevojshme të gjithë atyre që janë duke u përballur në këtë betejë.