Presidentja: Aleanca me Shtetet e Bashkuara, në vepër, Qendra Rajonale e Ekselencës për Gratë, Paqen dhe Sigurinë nga sot është realitet!

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka lansuar Qendrën Rajonale të Ekselencës për Gratë, Paqen dhe Sigurinë. Postimi i plotë i Presidentes Osmani: Aleanca me Shtetet e Bashkuara, në vepër! Qendra Rajonale e Ekselencës për Gratë, Paqen dhe Sigurinë nga sot është realitet! Në koordinim të ngushtë me Zyrën e Sekretarit Blinken, Kosova tashmë udhëheqë përpjekjet e të gjithë rajonit për zbatimin e agjendës për Gratë, Paqen dhe Sigurinë – një njohje ndërkombëtare e punës së palodhur të Presidencës së Republikës dhe partnerëve tanë nga të gjithë sektorët.

Presidentja Osmani vizitoi dje kompaninë kosovaro-zvicerane “Happy Chicken

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka vizituar dje kompaninë kosovaro-zvicerane “Happy Chicken, në Korishë. Postimi i plotë i Presidentes Osmani: Dje në Korishën mahnitëse, kisha kënaqësinë që të vizitojë punëtorët dhe stafin e jashtëzakonshëm të kompanisë kosovaro-zvicerane “Happy Chicken”, të cilët sapo kanë plasuar produktet në tregun kosovar. Ky investim i rëndësishëm padyshim se do të ndikojë në zhvillimin ekonomik të vendit, në rritjen e vendeve të punës, si dhe në uljen e importit nga jashtë për produktet ushqimore.

Presidentja Osmani mori pjesë në përurimin e Shtëpisë së Kulturës “Ukë Bytyçi”, në Suharekë

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka marrë pjesë sot në përurimin e Shtëpisë së Kulturës “Ukë Bytyçi”, në Suharekë. Postimi i plotë i Presidentes Osmani: Sot në Suharekë, për ta përuruar Shtëpinë e Kulturës! Në këtë vend, e kaluara jonë, e cila personifikohet me jetën dhe veprën e Ukë Bytçqit, do të gërshetohet mrekullisht me të tashmen dhe të ardhmen e të rinjve tanë! Tashmë, të rinjtë tanë do të kenë mundësi më të madhe për ta zhvilluar talentin e tyre, duke nderuar komunën, shtetin dhe flamurin e Kosovës!

Fjalimi i Presidentes Vjosa Osmani në ceremoninë e përurimit të Shtëpisë së Kulturës “Ukë Bytyçi” në Suharekë

  Faleminderit shumë për këtë mikpritje kaq të ngrohtë që gjithmonë e gjejmë në Suharekë, gjithmonë e gjejmë në Therandë të dashur qytetarë. Dhe, nuk ka pamje më të bukur sesa atë që e krijojnë fëmijët që i kemi këtu ulur në radhën e parë! Urime të gjithëve!   Urime të dashur qytetarë të Suharekës dhe të gjithë Kosovës kjo shtëpi e kulturës që pajtohem me kryetarin e Komunës,  është edhe dëshmi e gjërave të bukura që arrihen kur të gjithë i bashkojmë forcat.   I nderuar kryeministër Kurti, I nderuar kryetar Muharremaj, E nderuar zonja Bytyçi, e dashur Kimete dhe gjithë ju familjarë të  luftëtarit të lirisë, luftëtarit të pavarësisë, ish-kryetarit të Komunës, Ukë Bytyçi, vërtet emër i merituar, vërtet emër i merituar!   E, çfarë krenarie ta shohim nipin e tij, Ukë Bytyçin e ri sot këtu në mesin tonë, për ta vazhduar rrugën e gjyshit së bashku me të gjithë ju! I nderuar ish-kryeministër Haradinaj, Kryetarë të komunave nga Shqipëria, kryetare e Preshevës, Përfaqësues të Qeverisë, natyrisht ministër Çeku, Deputetë, Nënkryetarë komunash, Ish-kryetarë të Suharekës, Shumë të dashur qytetarë,   Jam vërtet shumë e lumtur që sot në Suharekë po na bën bashkë një projekt kaq madhështor, një projekt që i dedikohet kulturës. Sepse kultura vërtet është pasqyra e një kombi. Ajo e pasqyron më së miri të kaluarën tonë, tregon historinë, por mbi të gjitha, e formëson të ardhmen. Nëpërmjet artit, muzikës, teatrit, letërsisë, sportit, kultura gjithnjë ka fuqinë që të na bashkojë, por edhe ta promovojë shtetin tonë përtej kufijve. Për Kosovën, roli i kulturës ka qenë gjithnjë jetik. Në kohën e robërisë ju e dini se si kultura e arti e sporti na kanë mbajtur gjallë. Në kohën e luftës na ka dhënë motiv, ndërkaq pas luftës na ka dhënë ndjenjën e identitetit shtetëror. Sot kur jemi shtet i pavarur e sovran, krahas sportit, kultura është ambasadori ynë më i mirë në botë. Ajo flet me gjuhën  universale të njerëzimit – një gjuhë që vërtet nuk ka nevojë për përkthim, siç nuk pati nevojë për përkthim as zëri i jashtëzakonshëm i vajzave që i dëgjuam sot duke kënduar. Sot kultura flet me një gjuhë universale dhe e tregon potencialin e jashtëzakonshëm të të rinjve tanë. Ndaj, në këtë objekt të mrekullueshëm,  që e tregon edhe bashkëpunimin ndërmjet nivelit qendror dhe lokal, do të rriten edhe mundësitë për aktivitete kulturore jo vetëm të Komunës së Suharekës, por të gjithë Kosovës. Çfarëdo që investojmë sot në kulturë, respektivisht edhe në përmirësimin e  infrastrukturës, do t`u kthehet të nesërmen komunave dhe shtetit tonë si një dobi në të ardhmen e afërt.   Prandaj, edhe hapja e shtëpisë së kulturës, që e mban emrin e luftëtarit të lirisë dhe pavarësisë, kryetarit  të  parë të Suharekës pas luftës, Ukë Bytyçit, shënon fillimin e një rrugëtimi transformues për komunën tuaj. Në këtë shtëpi kulture, e kaluara jonë, e cila personifikohet me vetë jetën dhe veprën e Ukë Bytyçit, do të gërshetohet mrekullisht me të tashmen dhe të ardhmen tonë që e përfaqësojnë këta fëmijë të jashtëzakonshëm që janë ulur sot në rreshtin e parë. Por, kjo shtëpi e Kulturës nuk do të jetë vetëm qendër për aktivitete kulturore, e për arte, por edhe vend ku prodhohen artistët e së nesërmes, artistët që do të vazhdojnë t’ia zbardhin fytyrën Kosovës, siç kanë bërë shumë  e shumë ambasadorë të artit e kulturës deri tani. Këtu do të nxitet krijimtaria, do të prodhohen talentë, do të frymëzohen të gjitha komunitetet dhe do ta promovojnë së bashku Kosovën tonë në skenën globale. E ardhmja e Kosovës vërtet është e ndritshme kur përkrahen projekte të tilla,  dhe potenciali për sukses është i jashtëzakonshëm, e ai qëndron te secili artist i shtetit tonë. Me këtë shtëpi kulture, janë krijuar kushte të duhura për një brez artistësh që jo vetëm do ta lartësojnë shtetin tonë, por do t`i frymëzojnë edhe  gjeneratat e ardhshme. Kosova tashmë ka zënë vend në hartën kulturore globale, prandaj çelësi janë pikërisht qendrat sikur kjo. Duke hapur dyert e shtëpive të tilla kulturore, duke prezantuar kulturën e sportin dhe duke e shfaqur atë anekënd botës, ne jo vetëm që e mbajmë atë  gjallë, por edhe e afirmojmë shtetin tonë dhe potencialin e rinisë sonë të jashtëzakonshme. Prandaj, le të vazhdojnë investimet e përbashkëta në qendrat tona kulturore e përtej, duke i fuqizuar ato për ta promovuar kulturën e Kosovës, për ta sjellë botën më afër nesh, sikurse edhe vlerat tona kulturore më afër botës! Suharekë, Kosovë, e gëzofshim së bashku Shtëpinë e re të Kulturës! Ju priftë e mbara, paçi vetëm suksese!   Faleminderit! 

Presidentja Osmani takoi Ministren gjermane të Shtetit, Anna Lührmann

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani priti sot në takim Ministren e Shtetit për Evropë dhe Klimë të Republikës Federale të Gjermanisë znj. Anna Lührmann. Në takim u diskutua për tejkalimin e sfidave të përbashkëta, rëndësinë e bashkëpunimit Kosovë-Gjermani, si dhe mbështetjen gjermane për integrimin euroatlantik të vendit tonë. Presidentja Osmani ka theksuar rëndësinë e heqjes së masave të BE-së ndaj Kosovës, të cilat padrejtësisht po prekin më së shumti qytetarët e vendit. Po ashtu, në takim u diskutua edhe për Procesin e Berlinit, me ç’rast Presidentja Osmani ka ritheksuar mbështetjen e plotë për marrëveshjet e dalura nga ky proces. Presidentja Osmani, në prag të lansimit zyrtar të Qendrës Rajonale për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, ka shprehur rendësin e rritjes së partneritetit me Gjermaninë për iniciativa të përbashkëta të cilat kanë për qëllim avancimin tutje të Agjendës për Gratë, Paqen dhe Sigurinë.

Presidentja Osmani priti në takim kreun e Bashkësisë Islame të Kosovës, Naim Tërnava

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka pritur në takim kreun e Bashkësisë Islame të Kosovës, Naim Tërnava. Në takim është diskutuar për angazhimin e Bashkësisë Islame në forcimin e pozitës ndërkombëtare të Kosovës, traditën e tolerancës ndërfetare dhe nevojës për vazhdimin e kultivimit të saj. Presidentja Osmani shprehu vlerësimin e thellë për përpjekjet e Bashkësisë Islame të Kosovës (BIK) për dialog, mirëkuptim dhe unitet ndërmjet të gjithë komuniteteve fetare në Kosovë. “Në një kohë ku paqja dhe mirëkuptimi global janë më të rëndësishme se kurrë, Kosova është krenare që vazhdon ta mbajë lart nivelin e tolerancës dhe harmonisë ndërfetare”, ka theksuar Presidentja Osmani. Në takim u potencua roli jetik i të gjitha bashkësive fetare dhe nevoja e një angazhimi të përbashkët kundër gjuhës së urrejtjes dhe në favor të tolerancës, mirëkuptimit dhe respektit të ndërsjellë.

Presidentja Osmani priti në takim ambasadorin francez Olivier Guérot

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur sot në takim ambasadorin e Republikës Franceze në Kosovë, Olivier Guérot. Në takim u diskutua për zhvillimet e fundit në fushën e sigurisë në vend, për bashkëpunimin bilateral në fusha të ndryshme të interesit të përbashkët në mes të Kosovës dhe Francës, si dhe prezencën e Kosovës në mekanizma ndërkombëtarë.

Presidentja Osmani pas pranimit të Çmimit M100: Demokracia, sundimi i ligjit dhe integrimi në strukturat euroatlantike janë udhërrëfyes në rrugën përpara

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka pranuar çmimin e forumit ndërkombëtar M100 Sanssouci Colloquium. Postimi i plotë i Presidentes Osmani: Nder dhe mirënjohje. Demokracia, sundimi i ligjit, integrimi i Republikës së Kosovës në strukturat euroatlantike, janë dhe do të jenë gjithnjë udhërrëfyes në rrugën përpara. Për popullin e Kosovës, gjithmonë!

Fjalimi i Presidentes Osmani me rastin e pranimit të Çmimit M100 për përkushtimin ndaj vlerave euroatlantike, lirisë e demokracisë

Faleminderit shumë, çfarë nderi! Çfarë nderi për popullin e Kosovës, mbi të gjitha. I nderuar Kryetar i Bashkisë së Potsdamit, Mike Schubert, faleminderit që na pritët; I nderuar Drejtor i M100, Moritz van Dülmen; I nderuar Ministër Bodnar; I nderuar Ish-President i Republikës Federale të Gjermanisë, zoti Joachim Gauck; I nderuar Ministër Scharping, faleminderit shumë për nderin e madh përmes prezantimit tuaj shumë, shumë të dashur; Të nderuar Anëtarë të Jurisë së Çmimit M100 Media, Gazetarë dhe përfaqësues të mediave, Anëtarë të shoqërisë civile, Të nderuar mysafirë, Zonja dhe zotërinj, Guten Abend und vielen herzlichen Dank! Më vjen shumë keq që nuk mund ta mbaj fjalimin tim në gjermanisht, por premtoj se do të përpiqem. Duke qenë Presidente, mësimi i gjuhëve të huaja, për fat të keq, është pak e vështirë në këtë kohë. Duke qëndruar para jush sot – dhe duke parë kaq shumë kampionë të demokracisë në këtë qytet historik të Potsdamit është një nder i thellë; një nder që më përul thellësisht. Kështu që faleminderit nga zemra, edhe një herë. Mbrëmë, lexova një rresht nga një libër që mora si dhuratë dje në Varshavë. Thoshte: “Çdo brez fëmijësh, ofron njerëzimit mundësinë e rinovimit të botës së tij të shkatërruar.” Më kujtoi që brezi aktual i fëmijëve në Kosovë, fëmijët e mi, fëmijët tanë, janë brezi i parë në historinë e kombit tonë që rritet pa një luftë. Brezi i parë. Dhe ne duhet të sigurohemi, ne duhet të sigurohemi së bashku, që ata të mos e njohin kurrë të kundërtën e paqes, që ata të mos e njohin kurrë të kundërtën e demokracisë. Ne duhet të sigurojmë që ata të mos kalojnë kurrë atë që ne kemi kaluar. Vetëm dy vjet më parë, isha në audiencën e ceremonisë së çmimit M100, duke parë se si ju e ndanit çmimin M100 për popullin e Ukrainës. Para kësaj, u shfaq një video. Një video që paraqiste dhimbjen, vuajtjen, shkatërrimin e njerëzve të pafajshëm dhe shkatërrimin e shtëpive të tyre të trashëguara, por gjithashtu tregonte guximin, vendosmërinë dhe qëndrueshmërinë e ukrainasve për të luftuar për lirinë dhe demokracinë e tyre, me çfarëdo që të jetë. Por, si ndodh me të gjithë ata që vijnë nga Kosova, kur shohim këto video nga Ukraina, apo nga vende të tjera ku ka konflikt, nuk është thjesht një ndjesi e largët ose një koncept i disa normave të së drejtës ndërkombëtare dhe nevojës për t’i mbrojtur ato. Është shumë më tepër se kaq. Për ne, është një tmerr që ripërjetohet, një dhimbje e përjetuar vazhdimisht, një plagë shumë e thellë, por që nuk na ka ndaluar kurrë të bëhemi të mbijetuar që lulëzojmë. Ishim në vendin e tyre, ishim në këpucët e tyre, pamë shkatërrimin dhe jetuam vuajtjet, dhe pamë se çfarë sjell e kundërta e demokracisë, dhe për këtë arsye sot jemi kaq të angazhuar, kaq të palëkundur dhe kaq të vendosur për të luftuar çdo betejë dhe për të paguar çdo çmim për të siguruar mbijetesën e demokracisë dhe suksesin e saj. Populli i Kosovës do të jetë gjithmonë kampion i demokracisë — sepse ne e dimë shumë mirë se çfarë do të thotë të jetosh pa të. Dhe kjo nuk është bota që ne dëshirojmë. Misioni ynë, në këtë jetë, është të sigurojmë që ajo të mos jetë bota që fëmijët tanë do të trashëgojnë. Pra, qëndroj para jush sot, për t’ju kërkuar që të punojmë krah për krah për të siguruar që ky brez fëmijësh në Kosovë do të jetojë premtimin e paqes; premtimin e paqes dhe demokracisë dhe të synojë një botë më të mirë për të gjithë ne. Në këtë përpjekje, vlera e aleatëve dhe partnerëve tanë më të afërt është thelbësore. Kosova ka mësuar nga përvoja fuqinë transformuese dhe ekzistenciale të aleancave të forta të ndërtuara mbi vlera. Ne jemi ata që jemi sot sepse, në vitin 1999, Gjermania, përkrah aleatëve të tjerë të NATO-s, u bashkua për të mbështetur luftën tonë për çlirimin për të përfunduar regjimin gjenocidal të Millosheviçit. Më 24 Mars 1999, avionët e Bundeswehr u bashkuan me NATO-n për të ndaluar vuajtjet dhe shkatërrimin që po zhvillohej atëherë në Kosovë. Ministër Scharping, çfarë tjetër mund të paraqesë më mirë atë që po kalonim, sesa fjalët në librin tuaj: “Wir dürfen nicht vergessen” – “Ne nuk duhet të harrojmë”. Dhe ne nuk do ta harrojmë kurrë. Ne do të kujtojmë gjithmonë, sepse si mund të mos e bëjmë? Si mund të mos e bëjmë? Ne jemi një brez fëmijësh që u rrit në një sistem si aparteid që kaloi në një luftë gjenocidale kundër ekzistencës tonë. Kështu që ai vendim në vitin 1999, nga njerëz si ju dhe për shkak të gazetarëve guximtarë si shumë nga ju, që guxuan të thonin dhe të mbronin të vërtetën; ai vendim shënoi një pikë kyçe në politikën e jashtme të Gjermanisë, por gjithashtu ishte një pikë kyçe në historinë e vetë Aleancës Veri-Atlantike. Por për ne, për ata që ishim në tokë/për tokë, duke ju parë nga lart, duke ardhur për të shpëtuar jetët tona; për ne kishte shumë më tepër kuptim, do të thoshte se ne po shpëtoheshim, do të thoshte se më në fund mund të ekzistonim. Sot, në atë frymë, ushtarët gjermanë vazhdojnë të shërbejnë në Kosovë duke e mbajtur me krenari trashëgiminë e veprimit të bashkuar në mbrojtje të paqes dhe sigurisë së qëndrueshme. Për këtë, dua të falënderoj, në emër të gjithë popullit të Kosovës, mbi 50.000 ushtarë gjermanë që kanë shërbyer në Kosovë që nga viti 1999, përfshirë dhe Kryetarin tonë të nderuar të Bashkisë së Potsdamit, zoti Schubert, që erdhi për të shërbyer për paqe dhe siguri dhe për të siguruar që ne të mos i kthehemi më kurrë. Keni vënë jetën tuaj në rrezik për të mbrojtur atë që kemi arritur së bashku. Keni rrezikuar gjithçka që në fund të mund të kemi një mundësi për paqe, ndaj ju falënderojmë me përulësi për shërbimin tuaj. Ky angazhim nuk është vetëm i rëndësishëm për Kosovën dhe për paqen në

This site is registered on wpml.org as a development site.