Presidentja: Një ditë e paharruar në West Point

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani është pritur nga ushtria amerikane në akademinë ushtarake West Point. Postimi i plotë i Presidentes Osmani: Një ditë e paharruar në West Point, akademinë ushtarake ku gjenerata të tëra liderësh ushtarakë amerikanë e nga Kosova janë arsimuar për të shërbyer me integritet, vetmohim dhe sakrificë! Faleminderit që nderuat Republikën e Kosovës!

Presidentja Osmani takoi artistin Petrit Halilaj dhe vizitoi ekspozitën me titullin “Abetare”

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka takuar artistin Petrit Halilaj dhe ka vizituar ekspozitën me titullin “Abetare”. Postimi i plotë i Presidentes Osmani: Kënaqësi e veçantë ta takoj artistin tonë Petrit Halilaj dhe ta vizitoj ekspozitën me titullin “Abetare”, në një ndër muzetë me prestigjoze në botë, Metropolitan Museum of Art në New York. Ekspozita e Petritit është një pjesë e historisë sonë të dhimbshme që na kujton kohën e robërisë, qëndrueshmërisë dhe triumfit.

Presidentja: Himni i Republikës së Kosovës në akademinë më me ndikim të ushtrisë amerikane “West Point”

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani është pritur nga ushtria amerikane në akademinë ushtarake West Point. “Himni i Republikës së Kosovës në akademinë më me ndikim të ushtrisë amerikane “West Point”—vendi ku shumë ushtarë nga Kosova janë shkolluar për ta mbajtur Republikën tonë më të sigurtë për të gjithë!”, ka shkruar Presidentja Osmani.   

Presidentja Vjosa Osmani ka udhëtuar në New York për takime me liderë botërorë, organizata ndërkombëtare, si dhe aktivitete të tjera në kuadër të Javës së Nivelit të Lartë të OKB-së

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka udhëtuar për në New York, ku në kuadër të Javës së Nivelit të Lartë të sesionit të 79-të të Asamblesë së Kombeve të Bashkuara do të zhvillojë takime me liderë botërorë, organizata ndërkombëtare, si dhe aktivitete tjera zyrtare. Përgjatë kësaj vizite, Presidentja në takime me homologët e saj do të diskutojë për zhvillimet e fundit në Kosovë, përkushtimin e Republikës së Kosovës për ta forcuar pozitën ndërkombëtare të saj, si dhe thellimin e raporteve me shtete të tjera në përfitim të qytetarëve tanë. Ajo poashtu do të marrë pjesë edhe në aktivitete e diskutime të shumta të organizuara nga shtetet aleate. Në agjendën e Presidentes Osmani do të jenë edhe një sërë aktivitetesh të përbashkëta me mërgatën shqiptare në Amerikë si dhe disa nga shoqatat të cilat e zhvillojnë aktivitet në SHBA.

Presidentja Osmani ngushëllon familjen për ndarjen e parakohshme nga jeta të ish-deputetit demokrat dhe aktivistit të Partisë Demokratike, Gerti Bogdani

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka ngushëlluar familjen Bogdani për ndarjen e parakohshme nga jeta të mikut, ish-deputetit demokrat dhe aktivistit të Partisë Demokratike, Gerti Bogdani. Telegrami i ngushëllimit i Presidentes Osmani: Prishtinë, 18.9.2024 Me dhimbje të thellë e pranuam lajmin për ndarjen e parakohshme nga jeta të mikut, ish-deputetit demokrat dhe aktivistit të Partisë Demokratike, Gerti Bogdani. Ky lajm i hidhur preku zemrat, jo vetëm të familjes së tij, por të të gjithëve që e njohën, përfshirë edhe mua për më shumë se dy dekada. Gjatë gjithë këtyre viteve të angazhimit të tij politik, Gerti nuk ishte thjesht një deputet e aktivist politik i përkushtuar, por një përkrahës i palëkundur i Kosovës. Në çdo rol që mbante dhe në çdo mundësi që iu dha, ai e mbështeti Kosovën me përkushtim dhe pasion. Përkushtimi i tij i palëkundur dhe përpjekjet e tij të palodhura për ta afirmuar Kosovën dhe shqiptarët nuk do të harrohen kurrë. Gjithmonë do ta kujtoj Gertin, jo vetëm si një koleg, por si një mik të vërtetë, një njeri me integritet, bujari dhe besnikëri. Ikja e parakohshme e tij është humbje jo vetëm për familjen, të afërmit, e miqtë, por edhe për politikën dhe parlamentarizmin shqiptar. Humbja e tij është e pamatshme, ndërkaq dhimbja ime është me familjen, në këtë kohë të vështirë. Gerti iku, por pas la shëmbëlltyrën e profesionistit, politikanit dhe mbi të gjitha të njeriut të mirë! Në këto çaste të rënda për familjen, bashkëndjej me ju dhe ju inkurajoj që të gjeni forcë në përballimin e dhimbjes. I përhershëm qoftë kujtimi për Gerti Bogdanin!  

Presidentja Osmani në shënimin e përvjetorit të punës së NDI në Kosovë: Një çerek shekulli i mbështetjes dhe partneritetit të Kosovës me SHBA

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka marrë pjesë mbrëmë në shënimin e përvjetorit të punës së NDI në Kosovë. “Mbrëmë, në shënimin e përvjetorit të punës së NDI në Kosovë—një çerek shekulli i mbështetjes dhe partneritetit të Kosovës me SHBA, për forcimin e demokracisë, për mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe për fuqizimin e grave dhe vajzave”, ka shkruar Presidentja Osmani.

Fjalimi i Presidentes Vjosa Osmani në Lansimin e Qendrës Rajonale të Ekselencës për Gratë, Paqen dhe Sigurinë në Kosovë

  Faleminderit shumë, Zonja dhe zotërinj! Të nderuar përfaqësues të institucioneve të Republikës së Kosovës, Të nderuara deputete, Të nderuar ambasadorë, shkëlqesi ambasadorë, Të nderuar miq dhe partnerë të Qendrës së Ekselencës nga Kosova dhe nga i gjithë rajoni, Të nderuara gra përfaqësuese në institucionet tona të sigurisë, Të nderuar të pranishëm,   Ishte 21 tetori 2022, kur në zyrën time prita delegacionin nga zyra e sekretarit Blinken, i cili kishte ardhur në Kosovë për të marrë pjesë në edicionin e parë të Forumit Ndërkombëtar për Gratë, Paqen dhe Sigurinë. Ky delegacion, i udhëhequr nga Kat Fotovat, një mike tashmë jashtëzakonisht e afërt e vendit dhe popullit tonë, erdhi për të mësuar dhe kuptuar më shumë për punën që po bënte vendi ynë në drejtim të mbrojtjes së të drejtave të grave dhe, në veçanti, në avancimin e rolit të tyre në procese të paqes dhe të sigurisë. Kabineti im kishte qenë në kontakt me të për muaj me radhë, pasi një nga zotimet tona kryesore, në kuadër të Samitit për Demokraci të Presidentit Biden, ishte pikërisht angazhimi i shtuar për barazi gjinore dhe për fuqizimin e grave në jetën publike, veçanërisht në proceset e paqes dhe të sigurisë. Dhe pikërisht në këtë takim zonja Fotovat shpalosi idenë që Kosova, në qoftë se do të punonte sa duhet dhe si duhet, të shndërrohej në  nikoqire të një prej qendrave rajonale të ekselencës që do të përzgjidhej nga ana e Departamentit të Shtetit si mekanizëm bashkëpunimi me vendet mike dhe i parashikuar edhe në vetë strategjinë nacionale të Shteteve të Bashkuara. E fillova këtë fjalim duke e kujtuar atë takim, sepse është dëshmia më e qartë se si konsistenca, përkushtimi dhe partneriteti i sinqertë, gjithnjë çojnë drejt sukseseve dhe rezultateve konkrete. Pas nënshkrimit të memorandumit të bashkëpunimit me Qeverinë amerikane në prill të këtij viti, në kuadër të edicionit të dytë të Forumit që organizuam, kam kënaqësinë e veçantë që sot të konfirmoj se po hedhim hapin e parë praktik me themelimin e Qendrës Rajonale të Ekselencës për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, e cila po themelohet në kuadër të Presidencës së Republikës dhe do të shërbejë si një ombrellë për punën e gjithë akterëve relevantë në Kosovë në rajon e përtej. Këtë qendër nuk e shoh thjesht si një trup apo entitet shtesë, por si kulminacion të punës së grave të Kosovës ndër dekada, të cilat i kanë dëshmuar botës se nuk ka forcë që mund ta mposhtë shpirtin e tyre luftarak dhe etjen për drejtësi, barazi dhe dinjitet. Është puna e grave dhe e heroinave tona ndër vite, qëndresa dhe vizioni i tyre i pashoq, që ka shndërruar gradualisht Kosovën në një pikë reference për arritje të shumta sa i përket fuqizimit të rolit të grave në paqe dhe në siguri. Që nga lidershipi i dëshmuar në kohën e rezistencës dhe në kohën e luftës, e deri te procesi i shtetndërtimit e negociatat për paqe, e po ashtu, fakti që jemi vend lider sa i përket përfaqësimit të grave në institucionet publike dhe shembujt pozitivë të trajtimit institucional të të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës, Kosova, me të gjitha këto e më shumë, sot nuk shihet vetëm si një vend në hartë, por edhe si një shembull nga i cili edhe vendet e tjera të botës mund të nxjerrin mësime. Natyrisht që puna jonë nuk ka përfunduar dhe akoma përballemi me sfida jashtëzakonisht të mëdha, me të cilat, në qoftë se punojmë bashkë dhe me njëri-tjetrin e me partnerë, natyrisht se do të dalim suksesshëm. Kosova ka shumë për të dhënë e ka shumë praktika për të ndarë me rajonin, por edhe me vende të tjera të botës, e njëkohësisht kemi shumë për të mësuar nga njëri-tjetri. Andaj, përveç temës që trajton qendra, konsideroj se vetë natyra rajonale e kësaj qendre e bën të gjithë nismën edhe më të veçantë, sepse tregon që pavarësisht dallimeve që mund t’i kemi, kur është në pyetje agjenda për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, ne të gjithë i bashkojmë forcat. Të nderuar të pranishëm, Angazhimi ynë për Gratë, Paqen dhe Sigurinë është po aq i natyrshëm sa edhe një obligim. Është një angazhim i natyrshëm, sepse historia e grave dhe vajzave tona është vetë mishërim i kësaj agjende, por është edhe obligim për secilin nga ne, sepse pa përfshirjen e drejtpërdrejtë të grave dhe vajzave në proceset e paqes dhe të sigurisë, por edhe në jetën publike në përgjithësi, nuk mund të ketë asnjëherë paqe të qëndrueshme dhe po ashtu zhvillim të qëndrueshëm. Ne po fillojmë sot me hapa të vegjël, për ta shndërruar këtë qendër pastaj në sinonim të angazhimit të koordinuar në dobi të avancimit të kësaj agjende për fuqizim të grave dhe vajzave dhe thellim e zgjerim të partneriteteve në nivel rajonal e global Qendra e Ekselencës nuk do të jetë e Presidencës, por e juaja, e të gjithëve, sepse pa ju dhe pa angazhimin e secilit prej jush, nuk ka kuptim as vetë ekzistenca e kësaj qendre. Prandaj, përveç amplifikimit të punës që ju bëni në mënyrë të jashtëzakonshme, do të jetë një mënyrë për t’i fuqizuar kapacitetet institucionale për edukim dhe trajnim të vazhdueshëm. Kjo qendër do të jetë edhe shtëpia e historive të suksesit të grave dhe vajzave nga Kosova dhe nga i gjithë rajoni, si dhe shtëpia e kampionëve të kësaj agjende. Në ndërkohë që Forumi Ndërkombëtar për Gratë, Paqen dhe Sigurinë do të mbetet një nga aktivitetet kryesore që do ta organizojë qendra jonë, ju ftoj të gjithëve që qendrën ta fuqizojmë dhe punën e saj ta pasurojmë së bashku për ta shndërruar atë në pasqyrën më reale të arritjeve tona të përbashkëta, siç e dimë nga përvoja jonë, sukseset kanë qenë të mundura vetëm kur ka pasur gjithëpërfshirje në angazhim! Dhe pikërisht agjenda për paqen, gratë dhe sigurinë na ka bërë qe sa vite bashkë jo vetëm institucionet publike, por edhe në veçanti institucionet e sigurisë, cilat dua t’i përshëndes dhe t’i falënderoj për punën e jashtëzakonshme të çdoditshme që e mbajnë shtetin tonë

This site is registered on wpml.org as a development site.