Faleminderit shumë,
Zonja dhe zotërinj!
Të nderuar përfaqësues të institucioneve të Republikës së Kosovës,
Të nderuara deputete,
Të nderuar ambasadorë, shkëlqesi ambasadorë,
Të nderuar miq dhe partnerë të Qendrës së Ekselencës nga Kosova dhe nga i gjithë rajoni,
Të nderuara gra përfaqësuese në institucionet tona të sigurisë,
Të nderuar të pranishëm,
Ishte 21 tetori 2022, kur në zyrën time prita delegacionin nga zyra e sekretarit Blinken, i cili kishte ardhur në Kosovë për të marrë pjesë në edicionin e parë të Forumit Ndërkombëtar për Gratë, Paqen dhe Sigurinë.
Ky delegacion, i udhëhequr nga Kat Fotovat, një mike tashmë jashtëzakonisht e afërt e vendit dhe popullit tonë, erdhi për të mësuar dhe kuptuar më shumë për punën që po bënte vendi ynë në drejtim të mbrojtjes së të drejtave të grave dhe, në veçanti, në avancimin e rolit të tyre në procese të paqes dhe të sigurisë.
Kabineti im kishte qenë në kontakt me të për muaj me radhë, pasi një nga zotimet tona kryesore, në kuadër të Samitit për Demokraci të Presidentit Biden, ishte pikërisht angazhimi i shtuar për barazi gjinore dhe për fuqizimin e grave në jetën publike, veçanërisht në proceset e paqes dhe të sigurisë.
Dhe pikërisht në këtë takim zonja Fotovat shpalosi idenë që Kosova, në qoftë se do të punonte sa duhet dhe si duhet, të shndërrohej në nikoqire të një prej qendrave rajonale të ekselencës që do të përzgjidhej nga ana e Departamentit të Shtetit si mekanizëm bashkëpunimi me vendet mike dhe i parashikuar edhe në vetë strategjinë nacionale të Shteteve të Bashkuara.
E fillova këtë fjalim duke e kujtuar atë takim, sepse është dëshmia më e qartë se si konsistenca, përkushtimi dhe partneriteti i sinqertë, gjithnjë çojnë drejt sukseseve dhe rezultateve konkrete.
Pas nënshkrimit të memorandumit të bashkëpunimit me Qeverinë amerikane në prill të këtij viti, në kuadër të edicionit të dytë të Forumit që organizuam, kam kënaqësinë e veçantë që sot të konfirmoj se po hedhim hapin e parë praktik me themelimin e Qendrës Rajonale të Ekselencës për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, e cila po themelohet në kuadër të Presidencës së Republikës dhe do të shërbejë si një ombrellë për punën e gjithë akterëve relevantë në Kosovë në rajon e përtej.
Këtë qendër nuk e shoh thjesht si një trup apo entitet shtesë, por si kulminacion të punës së grave të Kosovës ndër dekada, të cilat i kanë dëshmuar botës se nuk ka forcë që mund ta mposhtë shpirtin e tyre luftarak dhe etjen për drejtësi, barazi dhe dinjitet.
Është puna e grave dhe e heroinave tona ndër vite, qëndresa dhe vizioni i tyre i pashoq, që ka shndërruar gradualisht Kosovën në një pikë reference për arritje të shumta sa i përket fuqizimit të rolit të grave në paqe dhe në siguri.
Që nga lidershipi i dëshmuar në kohën e rezistencës dhe në kohën e luftës, e deri te procesi i shtetndërtimit e negociatat për paqe, e po ashtu, fakti që jemi vend lider sa i përket përfaqësimit të grave në institucionet publike dhe shembujt pozitivë të trajtimit institucional të të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës, Kosova, me të gjitha këto e më shumë, sot nuk shihet vetëm si një vend në hartë, por edhe si një shembull nga i cili edhe vendet e tjera të botës mund të nxjerrin mësime.
Natyrisht që puna jonë nuk ka përfunduar dhe akoma përballemi me sfida jashtëzakonisht të mëdha, me të cilat, në qoftë se punojmë bashkë dhe me njëri-tjetrin e me partnerë, natyrisht se do të dalim suksesshëm. Kosova ka shumë për të dhënë e ka shumë praktika për të ndarë me rajonin, por edhe me vende të tjera të botës, e njëkohësisht kemi shumë për të mësuar nga njëri-tjetri.
Andaj, përveç temës që trajton qendra, konsideroj se vetë natyra rajonale e kësaj qendre e bën të gjithë nismën edhe më të veçantë, sepse tregon që pavarësisht dallimeve që mund t’i kemi, kur është në pyetje agjenda për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, ne të gjithë i bashkojmë forcat.
Të nderuar të pranishëm,
Angazhimi ynë për Gratë, Paqen dhe Sigurinë është po aq i natyrshëm sa edhe një obligim. Është një angazhim i natyrshëm, sepse historia e grave dhe vajzave tona është vetë mishërim i kësaj agjende, por është edhe obligim për secilin nga ne, sepse pa përfshirjen e drejtpërdrejtë të grave dhe vajzave në proceset e paqes dhe të sigurisë, por edhe në jetën publike në përgjithësi, nuk mund të ketë asnjëherë paqe të qëndrueshme dhe po ashtu zhvillim të qëndrueshëm.
Ne po fillojmë sot me hapa të vegjël, për ta shndërruar këtë qendër pastaj në sinonim të angazhimit të koordinuar në dobi të avancimit të kësaj agjende për fuqizim të grave dhe vajzave dhe thellim e zgjerim të partneriteteve në nivel rajonal e global
Qendra e Ekselencës nuk do të jetë e Presidencës, por e juaja, e të gjithëve, sepse pa ju dhe pa angazhimin e secilit prej jush, nuk ka kuptim as vetë ekzistenca e kësaj qendre.
Prandaj, përveç amplifikimit të punës që ju bëni në mënyrë të jashtëzakonshme, do të jetë një mënyrë për t’i fuqizuar kapacitetet institucionale për edukim dhe trajnim të vazhdueshëm.
Kjo qendër do të jetë edhe shtëpia e historive të suksesit të grave dhe vajzave nga Kosova dhe nga i gjithë rajoni, si dhe shtëpia e kampionëve të kësaj agjende.
Në ndërkohë që Forumi Ndërkombëtar për Gratë, Paqen dhe Sigurinë do të mbetet një nga aktivitetet kryesore që do ta organizojë qendra jonë, ju ftoj të gjithëve që qendrën ta fuqizojmë dhe punën e saj ta pasurojmë së bashku për ta shndërruar atë në pasqyrën më reale të arritjeve tona të përbashkëta, siç e dimë nga përvoja jonë, sukseset kanë qenë të mundura vetëm kur ka pasur gjithëpërfshirje në angazhim!
Dhe pikërisht agjenda për paqen, gratë dhe sigurinë na ka bërë qe sa vite bashkë jo vetëm institucionet publike, por edhe në veçanti institucionet e sigurisë, cilat dua t’i përshëndes dhe t’i falënderoj për punën e jashtëzakonshme të çdoditshme që e mbajnë shtetin tonë të sigurt dhe qytetarët tanë të sigurt, partnerët tanë ndërkombëtarë dhe organizatat e shoqërisë civile, të cilat asnjëherë nuk janë ndalur pavarësisht sfidave, edhe në vitet e tetëdhjeta e nëntëdhjeta, edhe pas luftës, por edhe në ditët e sotme.
Prandaj edhe Kosova është përzgjedhur nga Zyra e sekretarit Blinken si vend i vetëm në Evropë në kontinentin evropian ku themelohet kjo qendër.
Para nesh kemi mundësi të pafundme për të amplifikuar mesazhe pozitive, por edhe aq shumë sfida, për të cilat duhet të punojmë me zell e pa u dorëzuar.
Besoj shumë në fuqinë e këtij partneriteti, sepse besoj në motivin primar të themelimit të saj: më shumë paqe, më shumë siguri, më shumë partneritete të ndërtuara mbi vlera të përbashkëta.
Prandaj, përtej avancimit të agjendës, e shoh këtë qendër edhe si një mekanizëm shtesë dhe të rëndësishëm për afrimin dhe inkurajimin e bashkëpunimit rajonal aq të dëshirueshëm, sidomos nga një vend paqësor siç është Kosova dhe po ashtu për të inkurajuar bashkëpunimin edhe me partnerë përtej rajonit tonë.
Por, për të konkretizuar atë që mund të pritet në ditët dhe muajt në vijim, ju do të shihni ftesa për trajnime dhe punëtori, kërkesa për plotësim të formularëve me informacione relevante, në mënyrë që ta shndërrojmë qendrën në një one-stop-shop mbi punën e përbashkët që të gjithë bëjmë në agjendën për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, pyetësorë për ta kuptuar situatën reale në terren për zbatimin e kësaj agjende apo pjesëve të caktuara të saj, ftesa për partneritete, ftesa për panele, diskutime, podcaste e ngjarje të shënuara, kërkesa drejtuar institucioneve tuaja për të ndarë me ne historitë e sukseseve, historitë e kampioneve të kësaj agjende, angazhim dhe koordinim për strategji, ligje, statistika, strategji nacionale, matje të arriturave tona të përbashkëta e shumë e shumë të tjera.
Por ju lutem mos harroni asnjëherë se kjo qendër do të jetë po aq e suksesshme, sa edhe angazhimi ynë i përbashkët për ta fuqizuar atë.
Prandaj sot dua t’ju falënderoj edhe një herë të gjithë juve që jeni të pranishëm dhe të tjerëve që nuk kanë arritur sot na bashkohen, por që e përcjellin këtë ngjarje, në veçanti partnerët tanë, Zyrën e Sekretarit Blinken për Çështjet Globale të Grave, Institutin për Gra, Paqe dhe Siguri të Institutit George Town, Ambasadën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ambasadat partnere që janë këtu prezentë, të gjitha organizatat e shoqërisë civile, pa përjashtim dhe partnerë të shumtë nga rajoni e përtej, që janë pjesë e rrjetit tonë të partnerëve, dhe çdo individ që ka punuar pa reshtur dhe me përkushtim të sinqertë për ta sjellë këtë qendër në jetë.
E në veçanti, një falënderim për kabinetin tim, të udhëhequr nga Learta për punën e palodhshme këto vite për ta sjellë këtë qendër në jetë dhe për ta avancuar në vazhdimësi partneritetin me secilin prej jush. Siç thuhet: Stay tuned, sepse ka edhe shumë, shumë, shumë punë përpara, ky është vetëm fillimi!
Na priftë e mbara!
Ju faleminderit!