DR. VJOSA OSMANI SADRIU
PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
...

Fjalimi i Presidentes Osmani me rastin e pranimit të Çmimit M100 për përkushtimin ndaj vlerave euroatlantike, lirisë e demokracisë

Faleminderit shumë, çfarë nderi! Çfarë nderi për popullin e Kosovës, mbi të gjitha.

I nderuar Kryetar i Bashkisë së Potsdamit, Mike Schubert, faleminderit që na pritët;
I nderuar Drejtor i M100, Moritz van Dülmen;
I nderuar Ministër Bodnar;
I nderuar Ish-President i Republikës Federale të Gjermanisë, zoti Joachim Gauck;
I nderuar Ministër Scharping, faleminderit shumë për nderin e madh përmes prezantimit tuaj shumë, shumë të dashur;
Të nderuar Anëtarë të Jurisë së Çmimit M100 Media,
Gazetarë dhe përfaqësues të mediave,
Anëtarë të shoqërisë civile,
Të nderuar mysafirë,

Zonja dhe zotërinj,

Guten Abend und vielen herzlichen Dank!

Më vjen shumë keq që nuk mund ta mbaj fjalimin tim në gjermanisht, por premtoj se do të përpiqem. Duke qenë Presidente, mësimi i gjuhëve të huaja, për fat të keq, është pak e vështirë në këtë kohë.

Duke qëndruar para jush sot – dhe duke parë kaq shumë kampionë të demokracisë në këtë qytet historik të Potsdamit është një nder i thellë; një nder që më përul thellësisht. Kështu që faleminderit nga zemra, edhe një herë.

Mbrëmë, lexova një rresht nga një libër që mora si dhuratë dje në Varshavë. Thoshte: “Çdo brez fëmijësh, ofron njerëzimit mundësinë e rinovimit të botës së tij të shkatërruar.” Më kujtoi që brezi aktual i fëmijëve në Kosovë, fëmijët e mi, fëmijët tanë, janë brezi i parë në historinë e kombit tonë që rritet pa një luftë. Brezi i parë. Dhe ne duhet të sigurohemi, ne duhet të sigurohemi së bashku, që ata të mos e njohin kurrë të kundërtën e paqes, që ata të mos e njohin kurrë të kundërtën e demokracisë. Ne duhet të sigurojmë që ata të mos kalojnë kurrë atë që ne kemi kaluar.

Vetëm dy vjet më parë, isha në audiencën e ceremonisë së çmimit M100, duke parë se si ju e ndanit çmimin M100 për popullin e Ukrainës. Para kësaj, u shfaq një video. Një video që paraqiste dhimbjen, vuajtjen, shkatërrimin e njerëzve të pafajshëm dhe shkatërrimin e shtëpive të tyre të trashëguara, por gjithashtu tregonte guximin, vendosmërinë dhe qëndrueshmërinë e ukrainasve për të luftuar për lirinë dhe demokracinë e tyre, me çfarëdo që të jetë. Por, si ndodh me të gjithë ata që vijnë nga Kosova, kur shohim këto video nga Ukraina, apo nga vende të tjera ku ka konflikt, nuk është thjesht një ndjesi e largët ose një koncept i disa normave të së drejtës ndërkombëtare dhe nevojës për t’i mbrojtur ato. Është shumë më tepër se kaq. Për ne, është një tmerr që ripërjetohet, një dhimbje e përjetuar vazhdimisht, një plagë shumë e thellë, por që nuk na ka ndaluar kurrë të bëhemi të mbijetuar që lulëzojmë. Ishim në vendin e tyre, ishim në këpucët e tyre, pamë shkatërrimin dhe jetuam vuajtjet, dhe pamë se çfarë sjell e kundërta e demokracisë, dhe për këtë arsye sot jemi kaq të angazhuar, kaq të palëkundur dhe kaq të vendosur për të luftuar çdo betejë dhe për të paguar çdo çmim për të siguruar mbijetesën e demokracisë dhe suksesin e saj.

Populli i Kosovës do të jetë gjithmonë kampion i demokracisë — sepse ne e dimë shumë mirë se çfarë do të thotë të jetosh pa të. Dhe kjo nuk është bota që ne dëshirojmë. Misioni ynë, në këtë jetë, është të sigurojmë që ajo të mos jetë bota që fëmijët tanë do të trashëgojnë.

Pra, qëndroj para jush sot, për t’ju kërkuar që të punojmë krah për krah për të siguruar që ky brez fëmijësh në Kosovë do të jetojë premtimin e paqes; premtimin e paqes dhe demokracisë dhe të synojë një botë më të mirë për të gjithë ne.

Në këtë përpjekje, vlera e aleatëve dhe partnerëve tanë më të afërt është thelbësore. Kosova ka mësuar nga përvoja fuqinë transformuese dhe ekzistenciale të aleancave të forta të ndërtuara mbi vlera. Ne jemi ata që jemi sot sepse, në vitin 1999, Gjermania, përkrah aleatëve të tjerë të NATO-s, u bashkua për të mbështetur luftën tonë për çlirimin për të përfunduar regjimin gjenocidal të Millosheviçit.

Më 24 Mars 1999, avionët e Bundeswehr u bashkuan me NATO-n për të ndaluar vuajtjet dhe shkatërrimin që po zhvillohej atëherë në Kosovë.

Ministër Scharping, çfarë tjetër mund të paraqesë më mirë atë që po kalonim, sesa fjalët në librin tuaj: “Wir dürfen nicht vergessen” – “Ne nuk duhet të harrojmë”. Dhe ne nuk do ta harrojmë kurrë. Ne do të kujtojmë gjithmonë, sepse si mund të mos e bëjmë? Si mund të mos e bëjmë? Ne jemi një brez fëmijësh që u rrit në një sistem si aparteid që kaloi në një luftë gjenocidale kundër ekzistencës tonë.

Kështu që ai vendim në vitin 1999, nga njerëz si ju dhe për shkak të gazetarëve guximtarë si shumë nga ju, që guxuan të thonin dhe të mbronin të vërtetën; ai vendim shënoi një pikë kyçe në politikën e jashtme të Gjermanisë, por gjithashtu ishte një pikë kyçe në historinë e vetë Aleancës Veri-Atlantike. Por për ne, për ata që ishim në tokë/për tokë, duke ju parë nga lart, duke ardhur për të shpëtuar jetët tona; për ne kishte shumë më tepër kuptim, do të thoshte se ne po shpëtoheshim, do të thoshte se më në fund mund të ekzistonim.

Sot, në atë frymë, ushtarët gjermanë vazhdojnë të shërbejnë në Kosovë duke e mbajtur me krenari trashëgiminë e veprimit të bashkuar në mbrojtje të paqes dhe sigurisë së qëndrueshme. Për këtë, dua të falënderoj, në emër të gjithë popullit të Kosovës, mbi 50.000 ushtarë gjermanë që kanë shërbyer në Kosovë që nga viti 1999, përfshirë dhe Kryetarin tonë të nderuar të Bashkisë së Potsdamit, zoti Schubert, që erdhi për të shërbyer për paqe dhe siguri dhe për të siguruar që ne të mos i kthehemi më kurrë. Keni vënë jetën tuaj në rrezik për të mbrojtur atë që kemi arritur së bashku. Keni rrezikuar gjithçka që në fund të mund të kemi një mundësi për paqe, ndaj ju falënderojmë me përulësi për shërbimin tuaj.

Ky angazhim nuk është vetëm i rëndësishëm për Kosovën dhe për paqen në rajonin tonë; është po aq strategjik për kontinentin evropian dhe për komunitetin global demokratik në tërësi.

Pra, kur flas për ambiciet e Kosovës për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian dhe NATO, shoh një mundësi për të ndërtuar një Kosovë më të fortë, më të qëndrueshme dhe më të sigurtë dhe të mbrojtur si një anëtar i barabartë i familjes euro-atlantike. Por më shumë se kaq, shoh një Kosovë që është e aftë dhe e gatshme të japë, që në fund të mund të kemi një mundësi për të dhënë.

Siç e themi shpesh në vendin tonë, forca e një kombi nuk duhet të përcaktohet nga madhësia e tij, por nga historia që ka për të treguar.

Zonja dhe zotërinj, ndërsa bota përjeton transformime tektonike, ne në Kosovë zgjodhëm të ruajmë themelet e demokracive dhe t’i mbrojmë parimet e shoqërive të emancipuara duke vendosur sundimin e ligjit dhe përparimin e lirive demokratike.

Në këtë ambient që ndryshon me shpejtësi ndryshimi, ne kërkojmë vazhdimisht kërkojmë një orientim. Pikërisht këto vlera demokratike kanë qenë orientimi ynë moral i vazhdueshëm në gjithçka për çfarë synojmë dhe gjithçka që bëjmë.

Me zhvillim e inteligjencës artificiale, transformimin e teknologjisë, tranzicionin digjital, sfidën globale klimatike, si dhe lëvizjet e tjera të mëdha të shoqërisë, disponibiliteti i informacionit bëhet thelbësor.

Informimi është një mjet i fuqishëm — një që formëson shoqëritë, ndikon në politikat dhe i përcakton rrjedhën e historisë. Kjo është arsyeja pse misioni i ofrimit të informacionit të saktë dhe të ndershëm mund të jetë ndoshta misioni më i shenjtë i kohës sonë.

Sepse siç e dimë, nuk jetojmë më në një botë të luftërave klasike. Betejat nuk luftohen më vetëm me bomba dhe raketa. Edhe fjalët janë bërë një armë. Lufta e Rusisë kundër Ukrainës ka theksuar fuqinë shkatërruese dhe të rrezikshme të propagandës.

Kjo është arsyeja pse raportimi i saktë, verifikimi i fakteve, besueshmëria e burimeve, transparenca dhe llogaridhënia duhet të jenë shtyllat e epokës sonë moderne. Dezinformatat paraqesin kërcënimin më të madh për themelet e lirisë së mediave dhe për rolin kritik që mediat luajnë në shoqëritë tona.

Prandaj, siç e dëgjojmë shpesh, liria e medias dhe lufta kundër dezinformatave nuk janë forca të kundërta — përkundrazi, ato janë dy anë të së njëjtës monedhë. Kur bashkohen, ato na ndihmojnë të ruajmë integritetin e informacionit. Më e rëndësishmja, na ndihmon të mbrojmë demokracinë, demokracinë tonë të fituar me shumë mund.

Nëse nuk qëndrojmë të fortë në këtë angazhim, do të jemi dëshmitarë të një bote që polarizohet gjithnjë e më shumë, duke zvogëluar mirëkuptimin mes nesh dhe duke rritur pasigurinë që lind nga rrëfime konkurruese.

Ky nuk është një moment për t’u tërhequr ose për të dorëzuar. Kjo është arsyeja pse mbledhjet si kjo e sonte janë më shumë se një bashkim i bukur — janë një dëshmi e vendosmërisë sonë të palëkundur për të ecur përpara. Sepse besoj se lufta kundër dezinformatave dhe propagandës, ashtu si lufta për të mbrojtur demokracinë, nuk është vetëm një detyrë për sot, por detyra e jetës sonë – është rruga jonë drejt prosperitetit dhe paqes.

Dhe një demokraci e begatë, zonja dhe zotërinj, është ajo që është ndërtuar gjithashtu mbi premisën e barazisë gjinore. Asgjë nga ajo që kam thënë deri tani nuk ka mundësi përballë pabarazisë së mundësive. Duhet të kuptojmë, se me ngritjen e grave do të shohim gjithashtu ngritjen e botës.

Kur gratë përparojnë, ato nuk ngrisin vetëm veten; ato ngrisin kombet e tëra. Ato thyejnë tavane të qelqit, shembin barriera dhe sfidojnë status quo-në. Zërat e tyre kërkojnë të dëgjohen, fuqia e tyre formëson botën, dhe guximi i tyre ndez ndryshime pozitive.

Nuk ka dyshim se ngritja e grave është ngritja e njerëzimit. Duke sjellë dimensionin njerëzor në politikë. Që është kaq e rëndësishme në përpjekjet aktuale për të na ndarë.

Dhe, sonte, ndërsa qëndroj para jush, mendoj gjithashtu për të gjitha vajzat dhe gratë në vendin tonë. Dhe u them atyre se është në ngritjen e të gjithëve ju që ne gjejmë forcën për të bërë histori, për të kërkuar drejtësi, për të vazhduar të luftojmë për sundimin e ligjit dhe të transformojmë të ardhmen tonë. Me ju dhe përmes jush, qëndrojmë më të fortë, më krenarë dhe më të lartë çdo ditë.

Zonja dhe zotërinj, historia e Kosovës është një besim në demokraci, me çdo çmim. Pa marrë parasysh se sa e brishtë ndonjëherë, demokracia është gjithmonë e vlefshme për të luftuar për të. Por, më konkretisht, nuk duhet të merret për të mirëqenë.

Nëse e harrojmë këtë, nëse lejojmë që të bëhemi të kënaqur, ne lëmë një boshllëk. Dhe në atë boshllëk, diçka më e errët mund të rritet.

Kjo është arsyeja pse duhet të kujtojmë se lufta për demokraci nuk është kurrë një luftë individuale. Është përpjekja jonë e përbashkët. I përket secilit prej nesh. Dhe nëse heshtim, nëse tërhiqemi, ndihmojmë të mbillnim farat e ndarjes që kërkojnë të shembin gjithçka që kemi arritur së bashku. Por ne thjesht nuk do ta lejojmë këtë, nuk do ta lejojmë, pasi çdo boshllëk në demokracinë tonë është një mundësi e rinovuar për tirani dhe autokraci. Dhe kjo nuk është ajo që jemi.

Ne qëndrojmë për lirinë, për dinjitetin, për premtimin e një bote ku fuqia e një vendi nuk bazohet në madhësinë e tij, ose në sasinë e armëve të tij, por në aftësinë e tij për të qëndruar në anën e duhur të historisë dhe në aftësinë e tij për të mbrojtur demokracinë.

Sa më shumë të mendoj për këtë, aq më shumë jam e bindur se ky çmim nuk është për mua; në fakt është për atë që përfaqësoj. Përfaqësoj një popull që ka luftuar për shekuj — dhe që vazhdon të luftojë me një vendosmëri të patundur për të mbrojtur liritë tona të fituara me shumë mund. Përfaqësoj një Republikë që është bërë një shembull ndriçues i asaj që mund të arrijë demokracia. Dhe kjo më bën të ndihem jashtëzakonisht krenare.

Në këtë frymë, ia dedikoj këtë çmim atyre që erdhën para nesh: qytetarëve të dinjitetshëm, të qëndrueshëm dhe të përkushtuar të vendit tim; si dhe atyre që do të mbajnë pishtarin drejtë në një të nesërme më të ndritur dhe më shpresëdhënëse.

Me këtë rast, dua gjithashtu të shfrytëzoj këtë moment për të shprehur urimet e mia më të sinqerta për Kryeministrin Tusk, një mik të mirë të vendit tonë, për ndarjen e këtij nderi me mua. Polonia dhe Kosova ndajnë një të kaluar shumë të dhimbshme, një të kaluar të dhimbshme të transformuar në një qëndrueshmëri të papërshkrueshme, guxim dhe angazhim të patundur për vlerat demokratike. Këto, këto janë historitë që duhet të vazhdojmë t’i ndajmë me botën sepse suksesin e demokracisë kudo në botë është dështimi i tiranisë dhe autokracisë në ndonjë vend tjetër.

Më lejoni të përfundoj duke ju falënderuar të gjithëve për atë që bëni në punën tuaj të përditshme. Faleminderit Bordit të M100 që më nderuat mua, dhe përmes meje popullin e Kosovës, me këtë çmim prestigjioz. Dhe faleminderit, Kryetar Schubert, për të qenë një kampion i jashtëzakonshëm i demokracisë në Kosovë, në Gjermani dhe në vende të tjera në botë.

Prania jonë këtu sonte është një dëshmi e sinqertë e qëndrueshmërisë dhe triumfit, triumfi i demokracive; dhe shpresoj që së bashku me të gjithë ju mund t’a kthejmë në një trashëgimi për të cilën vlen respekti dhe vlerësimi i brezave që vijnë pas nesh.

Faleminderit! Vielen dank! Thank you!

Ky postim është gjithashtu i disponueshëm në gjuhë: EN SR

This site is registered on wpml.org as a development site.