Faleminderit shumë për këtë mikpritje kaq të ngrohtë që gjithmonë e gjejmë në Suharekë, gjithmonë e gjejmë në Therandë të dashur qytetarë.
Dhe, nuk ka pamje më të bukur sesa atë që e krijojnë fëmijët që i kemi këtu ulur në radhën e parë!
Urime të gjithëve!
Urime të dashur qytetarë të Suharekës dhe të gjithë Kosovës kjo shtëpi e kulturës që pajtohem me kryetarin e Komunës, është edhe dëshmi e gjërave të bukura që arrihen kur të gjithë i bashkojmë forcat.
I nderuar kryeministër Kurti,
I nderuar kryetar Muharremaj,
E nderuar zonja Bytyçi, e dashur Kimete dhe gjithë ju familjarë të luftëtarit të lirisë, luftëtarit të pavarësisë, ish-kryetarit të Komunës, Ukë Bytyçi, vërtet emër i merituar, vërtet emër i merituar!
E, çfarë krenarie ta shohim nipin e tij, Ukë Bytyçin e ri sot këtu në mesin tonë, për ta vazhduar rrugën e gjyshit së bashku me të gjithë ju!
I nderuar ish-kryeministër Haradinaj,
Kryetarë të komunave nga Shqipëria, kryetare e Preshevës,
Përfaqësues të Qeverisë, natyrisht ministër Çeku,
Deputetë,
Nënkryetarë komunash,
Ish-kryetarë të Suharekës,
Shumë të dashur qytetarë,
Jam vërtet shumë e lumtur që sot në Suharekë po na bën bashkë një projekt kaq madhështor, një projekt që i dedikohet kulturës.
Sepse kultura vërtet është pasqyra e një kombi. Ajo e pasqyron më së miri të kaluarën tonë, tregon historinë, por mbi të gjitha, e formëson të ardhmen.
Nëpërmjet artit, muzikës, teatrit, letërsisë, sportit, kultura gjithnjë ka fuqinë që të na bashkojë, por edhe ta promovojë shtetin tonë përtej kufijve.
Për Kosovën, roli i kulturës ka qenë gjithnjë jetik. Në kohën e robërisë ju e dini se si kultura e arti e sporti na kanë mbajtur gjallë. Në kohën e luftës na ka dhënë motiv, ndërkaq pas luftës na ka dhënë ndjenjën e identitetit shtetëror.
Sot kur jemi shtet i pavarur e sovran, krahas sportit, kultura është ambasadori ynë më i mirë në botë.
Ajo flet me gjuhën universale të njerëzimit – një gjuhë që vërtet nuk ka nevojë për përkthim, siç nuk pati nevojë për përkthim as zëri i jashtëzakonshëm i vajzave që i dëgjuam sot duke kënduar.
Sot kultura flet me një gjuhë universale dhe e tregon potencialin e jashtëzakonshëm të të rinjve tanë. Ndaj, në këtë objekt të mrekullueshëm, që e tregon edhe bashkëpunimin ndërmjet nivelit qendror dhe lokal, do të rriten edhe mundësitë për aktivitete kulturore jo vetëm të Komunës së Suharekës, por të gjithë Kosovës.
Çfarëdo që investojmë sot në kulturë, respektivisht edhe në përmirësimin e infrastrukturës, do t`u kthehet të nesërmen komunave dhe shtetit tonë si një dobi në të ardhmen e afërt.
Prandaj, edhe hapja e shtëpisë së kulturës, që e mban emrin e luftëtarit të lirisë dhe pavarësisë, kryetarit të parë të Suharekës pas luftës, Ukë Bytyçit, shënon fillimin e një rrugëtimi transformues për komunën tuaj.
Në këtë shtëpi kulture, e kaluara jonë, e cila personifikohet me vetë jetën dhe veprën e Ukë Bytyçit, do të gërshetohet mrekullisht me të tashmen dhe të ardhmen tonë që e përfaqësojnë këta fëmijë të jashtëzakonshëm që janë ulur sot në rreshtin e parë.
Por, kjo shtëpi e Kulturës nuk do të jetë vetëm qendër për aktivitete kulturore, e për arte, por edhe vend ku prodhohen artistët e së nesërmes, artistët që do të vazhdojnë t’ia zbardhin fytyrën Kosovës, siç kanë bërë shumë e shumë ambasadorë të artit e kulturës deri tani.
Këtu do të nxitet krijimtaria, do të prodhohen talentë, do të frymëzohen të gjitha komunitetet dhe do ta promovojnë së bashku Kosovën tonë në skenën globale.
E ardhmja e Kosovës vërtet është e ndritshme kur përkrahen projekte të tilla, dhe potenciali për sukses është i jashtëzakonshëm, e ai qëndron te secili artist i shtetit tonë.
Me këtë shtëpi kulture, janë krijuar kushte të duhura për një brez artistësh që jo vetëm do ta lartësojnë shtetin tonë, por do t`i frymëzojnë edhe gjeneratat e ardhshme.
Kosova tashmë ka zënë vend në hartën kulturore globale, prandaj çelësi janë pikërisht qendrat sikur kjo.
Duke hapur dyert e shtëpive të tilla kulturore, duke prezantuar kulturën e sportin dhe duke e shfaqur atë anekënd botës, ne jo vetëm që e mbajmë atë gjallë, por edhe e afirmojmë shtetin tonë dhe potencialin e rinisë sonë të jashtëzakonshme.
Prandaj, le të vazhdojnë investimet e përbashkëta në qendrat tona kulturore e përtej, duke i fuqizuar ato për ta promovuar kulturën e Kosovës, për ta sjellë botën më afër nesh, sikurse edhe vlerat tona kulturore më afër botës!
Suharekë, Kosovë, e gëzofshim së bashku Shtëpinë e re të Kulturës!
Ju priftë e mbara, paçi vetëm suksese!
Faleminderit!
