Presidentja: Presidenti Rugova mbetet simbol i paqes dhe i lirisë

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani së bashku me familjen Rugova dhe me ambasadorët e akredituar në Kosovë, kanë bërë homazhe tek varri i Presidentit historik, Dr. Ibrahim Rugova. Presidentja Osmani ka shkruar: Nderim i përjetshëm për Presidentin historik, Dr. Ibrahim Rugova, atin themeltar të Republikës sonë, njeriun që udhëhoqi popullin e Kosovës në rrugën drejt lirisë dhe pavarësisë. Ai mbetet simbol i paqes dhe i lirisë, ndaj lavdia e tij është e përhershme.

Presidentja Osmani ftohet nga Presidenti Trump që ta përfaqësojë Kosovën në Bordin e Paqes

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka pranuar një ftesë nga Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, për ta përfaqësuar Republikën e Kosovës në Bordin e Paqes. Njoftimi i plotë i Presidentes: Jam thellësisht e nderuar nga ftesa personale e Presidentit Trump për të përfaqësuar Republikën e Kosovës në Bordin e Paqes, si anëtare themeluese, krah për krah me SHBA-të në misionin për një botë më të sigurt. Lidershipi i guximshëm nuk flet thjesht për paqe, ai e ndërton atë. Pikërisht këtë po e bën Presidenti Trump nëpërmjet kësaj iniciative historike. Ashtu si Amerika që solli paqe në Kosovë, sot Kosova qëndron si aleat i palëkundur i saj për ta çuar paqen më tej. Historia i mban mend ata që bëjnë hapa të guximshëm në ndërtimin e paqes – dhe ne jemi gati.

Në Washington, D.C., u nënshkrua marrëveshja për heqjen e ndërsjellë të vizave ndërmjet Kosovës dhe Bahamasit

Një lajm shumë i mirë për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës! Sot, në Washington, D.C., u nënshkrua marrëveshja për heqjen e ndërsjellë të vizave ndërmjet Kosovës dhe Bahamasit. Pas njohjes nga Bahamas dhe vendosjes së marrëdhënieve diplomatike në muajin dhjetor, Presidentja Osmani dhe Kryeministri Davis u dakorduan se ky do të ishte hapi i radhës. Ky hap dëshmon përkushtimin e përbashkët për forcimin e partneritetit ndërmjet Kosovës e Bahamas dhe, mbi të gjitha, për forcimin e lidhjeve mes qytetarëve tanë, duke i afruar ata edhe më shumë me njëri-tjetrin.

Presidentja Vjosa Osmani priti në takim ambasadoren greke Heleni Vakali

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur sot në takim Shefen e Zyrës Ndërlidhëse të Greqisë znj. Heleni Vakali, me të cilën diskutoi për zhvillimet e fundit politike dhe institucionale në Kosovë. Gjatë takimit u diskutua për marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Greqisë, bashkëpunimin rajonal si dhe perspektivën evropiane të Kosovës. Presidentja Osmani theksoi rëndësinë e thellimit të mëtejmë të bashkëpunimit me Greqinë në fusha të ndryshme të interesit të dyanshëm.

Presidentja: Gjaku i Jusufit, Bardhoshit dhe Kadriut është në themelet e lirisë dhe Republikës së Kosovës

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka thënë se sot kujtuam dhe nderuam Jusuf Gërvallën, Bardhosh Gërvallën dhe Kadri Zekën, tre patriotë që nuk u përkulën, tre zëra që nuk u shuan, tre flakadanë të lirisë sonë. Presidentja Osmani ka shkruar: Sot kujtuam dhe nderuam Jusuf Gërvallën, Bardhosh Gërvallën dhe Kadri Zekën, tre patriotë që nuk u përkulën, tre zëra që nuk u shuan, tre flakadanë të lirisë sonë. Plumbat e atentatit synuan t’i heshtnin, por i bënë të pavdekshëm. Ata ishin zëri i Kosovës së robëruar dhe kushtrimi i popullit që nuk pranonte nënshtrimin. Sot i nderojmë sepse gjaku i Jusufit, Bardhoshit dhe Kadriut është në themelet e lirisë dhe Republikës së Kosovës. Lavdi e përjetshme heronjve të fjalës, të idealit dhe të kombit!

Presidentja Osmani: Smajl Hajdaraj ishte zëri i guximit, fytyra e rezistencës dhe shpirti i një Kosove që nuk u përkul kurrë

Në këtë përvjetor përulemi me nderim para veprës së Smajl Hajdarajt, deputetit, aktivistit të palodhur politik dhe komandantit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, i cili u vra pabesisht në një pritë më 17 janar 2002. Smajli ishte zëri i guximit, fytyra e rezistencës dhe shpirti i një Kosove që nuk u përkul kurrë. Plumbat që e shuan jetën e tij nuk e shuan idealin, ndaj drejtësia për të është obligim. Lavdi jetës dhe veprës së Smajl Hajdarajt!

This site is registered on wpml.org as a development site.