Presidentja Osmani në takim me kompanitë japoneze: Kosova e përkushtuar për investime japoneze në ICT, inovacion, infrastrukturë dhe projekte të mëdha inxhinierike

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, priti dje në takim përfaqësues të Organizatës Japoneze të Tregtisë së Jashtme (JETRO) së bashku me disa prej kompanive më të njohura japoneze. Gjatë takimit, Presidentja Osmani vuri në dukje potencialin e madh për thellimin e marrëdhënieve ekonomike ndërmjet Kosovës dhe Japonisë, duke theksuar se Kosova ofron një fuqi punëtore të re, të aftë dhe konkurruese, si dhe një pozitë strategjike të favorshme për qasje në tregjet evropiane. Në këtë kontekst, Presidentja Osmani prezantoi mundësitë e shumta për investime japoneze në sektorin e ICT-së, inovacionit, infrastrukturës, zhvillimit urban dhe projekteve të mëdha inxhinierike, ku bizneset japoneze mund të sjellin përvojën dhe teknologjinë e tyre të avancuar. Në këtë frymë, Presidentja Osmani ftoi JETRO-n dhe kompanitë japoneze të eksplorojnë mundësitë për krijimin e partneriteteve të qëndrueshme dhe afatgjata me sektorin privat në Kosovë.
Presidentja: Gjermania ka qenë dhe mbetet aleati ynë më i afërt në Evropë: në momentet më të vështira dhe në rrugën drejt institucioneve euroatlantike

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka pritur sot në takim Ministrin e Punëve të Jashtme të Gjermanisë, Johann Wadephul. Presidentja Osmani ka shkruar: Mirë se vini në Kosovë, Ministër Wadephul, një mik i vjetër, një partner i çmuar dhe një zë i rëndësishëm i Gjermanisë për vendin tonë! Gjermania ka qenë dhe mbetet aleati ynë më i afërt në Evropë: në momentet më të vështira dhe në rrugën drejt institucioneve euroatlantike. Sot riafirmuam partneritetin tonë strategjik dhe përkushtimin për ta thelluar tutje në shërbim të qytetarëve të të dyja shteteve tona.
Konferenca e përbashkët për media e Presidentes Vjosa Osmani dhe ministrit të Jashtëm të Gjermanisë, Johann Wadephul
Presidentja Vjosa Osmani priti në takim Komisionerin Parlamentar të Forcave të Armatosura të Gjermanisë, z. Henning Otte

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur sot në takim Komisionerin Parlamentar të Forcave të Armatosura të Gjermanisë, z. Henning Otte. Në takim, Presidentja theksoi mirënjohjen e thellë të Kosovës për mbështetjen e vazhdueshme të Gjermanisë dhe institucioneve të saj si, Bundestagu e Bundeswehri në ndërtimin dhe zhvillimin e kapaciteteve të Forcës së Sigurisë së Kosovës në kuadër të procesit të tranzicionit dhjetëvjeçar. Presidentja Osmani me z. Otte, përveç tjerash, diskutuan edhe për mundësitë e rritjes së bashkëpunimit në mes dy institucioneve tona të komisionerëve parlamentar te forcave tona respektive, me shkëmbimin e përvojave profesionale, gjithnjë në funksion të forcimit të mekanizmave të llogaridhënies dhe transparencë si dhe avancimin e standardeve demokratike në forcat e armatosura respektive. Në vazhdim Presidentja Osmani, ritheksoi se Gjermania ka qenë dhe mbetet partner strategjik i Kosovës në paqe, siguri, zhvillim e integrim në NATO dhe BE. Ajo rishprehu mirënjohjen e veçantë për të gjithë gratë e burrat ushtarakë të forcave të armatosura gjermane në KFOR e NALT që shërbyen e vazhdojnë të shërbejnë për paqen, sigurinë e stabilitetin e vendit tonë dhe rajonit në përgjithësi. Në fund Presidentja Osmani tha se edhe me themelimin e institucionit të Komisionerit parlamentar të FSK-së, dëshmojmë se, rruga jonë drejt NATO-s është e bazuar në standard, përgjegjësi dhe vlera demokratike. FSK do të vazhdojë të zhvillohet e avancohet me përkushtim për të qenë shembull i një force mbrojtëse profesionale, etike, dhe të përgjegjshme plotësisht në zbatimin e misionit kushtetues dhe kompetencave ligjore të saj, theksoi Presidentja.
Presidentja Osmani pranoi letrat kredenciale nga ambasadori i ri i Norvegjisë në Kosovë, Arne Sannes Bjørnstad

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, pranoi sot letrat kredenciale nga ambasadori i ri jorezident i Mbretërisë së Norvegjisë në Kosovë, z. Arne Sannes Bjørnstad. Me këtë rast, Presidentja e uroi ambasadorin për detyrën e re dhe shprehu përkushtimin e institucioneve të Kosovës për forcimin e mëtejmë të partneritetit ndërmjet dy shteteve tona në fusha me interes të përbashkët. Presidentja Osmani e vlerësoi Norvegjinë si një partner të rëndësishëm dhe afatgjatë të Kosovës, duke ritheksuar mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme që ky shtet i ka dhënë vendit tonë përmes programeve të ndryshme ndër vite, si dhe për përkrahjen e ofruar në proceset e anëtarësimit të Kosovës në organizata ndërkombëtare. Gjatë takimit u diskutua gjithashtu mbi zhvillimet e fundit në Kosovë, si dhe mbi mundësitë për zgjerimin dhe thellimin e bashkëpunimit ndërmjet Kosovës dhe Norvegjisë në fusha të ndryshme.
Presidentja Osmani dekoroi z. Harry Bajraktari me Urdhrin e Lirisë

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka dekoruar z. Harry Bajraktari me Urdhrin e Lirisë, si vlerësim për kontributin e tij të jashtëzakonshëm për lirinë, pavarësinë dhe shtetndërtimin e Republikës së Kosovës. Presidentja Osmani ka shkruar: Ishte nder i veçantë që sot i ndava Urdhrin e Lirisë, z. Harry Bajraktari, si vlerësim për kontributin e tij të jashtëzakonshëm për lirinë, pavarësinë dhe shtetndërtimin e Republikës së Kosovës. Për më shumë se tri dekada, z. Bajraktari ka qenë një nga zërat më të fuqishëm të Kosovës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Qysh në vitet e para, ai ka bashkëpunuar ngushtë me Presidentin historik Ibrahim Rugova, duke e përfaqësuar kauzën e Kosovës para institucioneve amerikane në një periudhë tepër të ndjeshme për vendin tonë. Gjithashtu, ai ka qenë mbështetës i palëkundur i luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, si dhe ka ngritur zërin e komunitetit shqiptaro-amerikan në arenën ndërkombëtare. Me përkushtim të pandalur, ai ka ndërtuar ura të rëndësishme bashkëpunimi me Shtëpinë e Bardhë, Kongresin amerikan dhe me udhëheqës të tjerë në SHBA, duke mbështetur Kosovën në momentet vendimtare dhe duke qëndruar krah popullit tonë. Z. Harry Bajraktari, faleminderit për gjithçka që keni bërë për Kosovën. Urime dhe mirënjohje e përjetshme.
Fjalimi i Presidentes Osmani para nxënësve nga mbarë Kosova, organizuar nga Këshilli Rinor i Kosovës

Shumë faleminderit dhe mirëmëngjes të gjithëve! I nderuar zoti Fetahu, Shumë të dashur anëtar të Këshillit Rinor nga mbarë Republika e Kosovës, Të nderuar zoti O’Malley dhe zonja Vashchenko, Shumë të dashur nxënës, Është vërtetë kënaqësi e veçantë që sot të jem në mesin tuaj, pikërisht në ditën ndërkombëtare të nxënësve. Në një konferencë që vendos nxënësit në qendër të bisedës për paqen dhe sigurinë, ashtu siç duhet të jetë, në fakt në secilin vend demokratik. Më gëzon jashtëzakonisht shumë fakti që kjo konferencë po i bashkon mbi 200 nxënës, nga shkollat e mesme, nga secili qytet e fshat dhe komunitet në Kosovë. Kjo larmi është fotografia më e bukur e vendit tonë. Një Kosovë gjithëpërfshirëse që ndërton ura, ku secili nxënës ndihet i mirëpritur dhe ku paqja fillon pikërisht aty ku formoheni ju, pikërisht në klasën tuaj dhe në ëndrrat tuaja për të ardhmen. Në historinë e vendit tonë, të rinjtë dhe nxënësit kanë qenë gjithmonë në ballë të proceseve jetike për vendin tonë. Në periudhat më të errëta, kur shtëpitë tona u shndërruan në shkolla, për shkak se shkollat u mbyllën me dhunë për ne dhe fëmijët helmoheshin në mënyrë sistematike nga regjimi gjenocidal i Millosheviçit, ishin studentët dhe të rinjtë tanë që bartën barrën më të rëndë, por ishin po ata që ngritën zërin për liri, për dinjitet dhe për të drejtën në arsim. Një të drejtë që ju sot e ushtroni lirshëm, të mendoni lirë, të mësoni të lirë dhe të kontribuoni për këtë shtet, i cili sot është i lirë falë shumë nxënësve e studentëve që sakrifikuan gjithçka, në mënyrë që sot ju dhe gjithë ne të frymojmë në liri. E pikërisht kjo histori na kujton se rinia kurrë nuk është thjesht dëshmitare e largët e proceseve, rinia është pikërisht forca që i ndryshon ato procese. Edhe sot, përgjegjësia për të ndërtuar një shoqëri të sigurt fillon pikërisht në shkolla. Shkolla duhet të jetë hapësira e sigurt e jetës tuaj, një vend ku respektoheni, ku dëgjoheni dhe ku nuk frikësoheni në asnjë moment për të qenë vetvetja juaj. Kjo nënkupton një ambient pa dhunë, pa bullizim, pa përjashtim dhe pa stigmatizim të askujt. Ndërtimi i një ambienti të tillë kërkon përkushtim të për çdoditshëm nga secili prej nesh dhe bashkëpunim të sinqertë mes nxënësve, mësuesve dhe institucioneve. E pjesë thelbësore e sigurisë është edhe shëndeti mendor. Shumë prej nxënësve, të rinjve tanë përballen me presione që shpesh nuk shihen nga jashtë, por ndihen thellë përbrenda. Prandaj, është e domosdoshme që secila shkollë të ofrojë mbështetje profesionale, e po ashtu edhe hapësira të sigurta, ku nxënësit mund të flasin për shqetësimet e tyre. Kërkimi i ndihmës asnjëherë nuk është dobësi, është guxim dhe askush nuk duhet të ndihet i vetmuar në këtë drejtim. E po aq e rëndësishme është edhe siguria në hapësirat digjitale. Një pjesë e madhe e jetës suaj zhvillohet online dhe ajo që ndodh në internet nuk mbetet vetëm në ekran. Gjuha e ligë, ngacmimi online apo shpërndarja e pamenduar e diçkaje që mund të dëmtojë dikë brenda sekondave, për këtë arsye është e rëndësishme që të ushtroni përgjegjësi dhe kujdes sa herë që komunikoni në rrjetet sociale. E po ashtu duhet të sigurohemi që institucionet tona të sigurisë ta mbrojnë çdo nxënës që mund të përballet me fenomene të tilla. Ju jeni brezi që mund të vendosë standarde të reja të sjelljes digjitale dhe të tregojë se respekti vlen njësoj si në jetën reale ashtu edhe në hapësirat virtuale. Të dashur nxënës, ju nuk jeni thjesht nxënës që mësoni në shkolla, ju jeni aktivist, jeni inovator, jeni krijues të ideve të reja dhe kontribuues të drejtpërdrejtë në paqen dhe sigurinë tuaj dhe në paqen dhe sigurinë e vendit tonë. Jo rastësisht në Forumin Ndërkombëtar për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, të mbajtur në qershor të këtij viti, kemi vendosur temë bosht mbrojtjen e fëmijëve dhe pjesëmarrjen aktive të të rinjve në jetën publike dhe të vendimmarrjes. Roli juaj i domosdoshëm në çdo hap, nga parandalimi i dhunës te ndërtimi i besimit mes bashkëmoshatarëve e deri te krijimi i një shoqërie të drejtë për të gjithë është i pazëvendësueshëm. Por, për këtë pjesëmarrja juaj duhet të jetë e vërtetë dhe e garantuar, shkollat duhen të jenë ambiente që ju motivojnë për mendimin kritik, ju motivojnë të ngrisni zërin dhe të jepni ide për zgjidhjet që ju i shihni çdo ditë. Potenciali juaj është i jashtëzakonshëm, jeni brezi i paqes dhe brezi i së ardhmes së ndritur të Kosovës, dhe sado që juve mund të ju duket e largët, ju siguroj që e ardhmja kur ju do të udhëhiqni këtë vend në çdo sektor vjen shumë, shumë shpejt. Dua t’iu siguroj se si gjithmonë, Presidenca do të jetë e hapur për ju, për idetë tuaja, por edhe për shqetësimet tuaja. Potenciali juaj siç e thashë është i madh dhe ne duhet të sigurohemi që ai të shfrytëzohet për ta shpier shtetin tonë përpara. Prandaj, ju ftoj të vazhdoni të punoni me përkushtim, të jeni kureshtarë, të mbroni njëri-tjetrin dhe të mbani në qendër të çdo veprimi tuaj të mirën e përbashkët e interesin e vendit tonë të dashur. Ju jeni ata që do të shkruani kapitujt e ardhshëm të historisë së shtetit tonë! Ju faleminderit dhe ju uroj shumë suksese në vazhdimin e kësaj konference!
Presidentja Osmani: Krenare me bashkëpunimin ushtarak me aleatët tanë

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka pritur sot gjeneralë, kolonelë e oficerë tjerë të lartë nga 16 shtete dhe mbi 30 akademi ushtarake nga Evropa, Amerika e Veriut, Azia, Afrika dhe më gjerë. Presidentja Osmani ka shkruar: Në mesin e gjeneralëve, kolonelëve e oficerëve tjerë të lartë nga 16 shtete dhe mbi 30 akademi ushtarake nga Evropa, Amerika e Veriut, Azia, Afrika dhe më gjerë. Ata po vizitojnë Kosovën me rastin e Simpoziumit Ndërkombëtar të Akademive Ushtarake (ISOMA) i cili mbahet për herë të parë në vendin tonë. Kjo shënon një moment të rëndësishëm për Kosovën dhe pasqyron jo vetëm sukseset e Akademisë së Mbrojtjes të FSK-së, por edhe rolin tonë në rritje në ngritjen e standardeve profesionale dhe në forcimin e bashkëpunimit ndërkombëtar. Krenare me FSK-në! Krenare me bashkëpunimin ushtarak me aleatët tanë!
Presidentja Osmani priti në takim Ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar, Jonathan Hargreaves

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, priti sot në takim Ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Jonathan Hargreaves. Në takim u diskutua për zhvillimet e fundit politike dhe të sigurisë në vend. Presidentja shprehu mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme të Mbretërisë së Bashkuar për Kosovën dhe popullin tonë. Presidentja gjithashtu diskutoi për mundësitë e thellimit të bashkëpunimit në fushën e drejtësisë tranzicionale, përfshirë mbështetjen për Institutin për Krimet e Kryera Gjatë Luftës në Kosovë, si një institucion kyç për dokumentimin e së vërtetës dhe promovimin e drejtësisë. Në përmbyllje, Presidentja Osmani rikonfirmoi përkushtimin e Republikës së Kosovës për avancimin e bashkëpunimit bilateral me Mbretërinë e Bashkuar, veçanërisht në fushën sigurisë, mbrojtjes, ekonomisë, tregtisë, si dhe të drejtave të njeriut. Në vazhdë të kësaj, u diskutua edhe për përgatitjet për të shtyrë përpara iniciativën e Presidentes për lidhjen e një marrëveshjeje strategjike me Mbretërinë e Bashkuar, siç është diskutuar me Sekretarin e Jashtëm të Mbretërisë së Bashkuar gjatë vizitës së tij në Kosovë.
Presidentja Osmani priti në takim përfaqësuesit e Institutit për Krimet e Kryera Gjatë Luftës në Kosovë

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur sot në takim drejtorin e Institutit për Krimet e Kryera Gjatë Luftës (IKKL), z.Atdhe Hetemin, me të cilin diskutoi mbi punën e deritanishme të institutit, sfidat, si dhe rëndësinë e vazhdimit të dokumentimit të krimeve të kryera gjatë luftës në Kosovë. Presidentja Osmani përgëzoi ekipin e IKKL-së për punën e tyre dyvjeçare dhe dorëzimin e raportit të dytë vjetor të institutit. Në takim u theksua se deri më sot, IKKL-ja ka grumbulluar rreth 400 metra linearë material fizik dhe mbi 20 terabajtë të dhëna digjitale, të siguruara nga 650 burime të ndryshme. Sipas Presidentes Osmani, dokumentimi, arkivimi dhe hulumtimi mbi krimet e kryera gjatë luftës së fundit në Kosovë janë thelbësore jo vetëm për të ruajtur kujtesën kolektive të popullit të Kosovës, por edhe për të hedhur dritë mbi të vërtetën e gjenocidit nga ana e Serbisë. “Nuk duhet të lejojmë që historia të harrohet, përkundrazi, duhet ta forcojmë thirrjen tonë të përbashkët që drejtësia të vihet në vend”, ka theksuar Presidentja Osmani. Në këtë kontekst, ajo nënvizoi nevojën për bashkëpunim të ngushtë ndërinstitucional, veçanërisht me Prokurorinë e Shtetit dhe Policinë e Kosovës, për të siguruar që çdo dëshmi të përdoret në funksion të drejtësisë. Presidentja Osmani, gjithashtu vuri në pah rëndësinë e bashkëpunimit të vazhdueshëm me qytetarët, ndaj ftoi ata që të kontribuojnë në punën e IKKL-së, duke ofruar materiale dhe dëshmi që ndihmojnë në ndriçimin e vuajtjeve të familjeve të tyre gjatë luftës.