Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani gjatë ditës së djeshme ka vizituar familjet Kamberi dhe Ismajli, të cilat janë të goditura rëndë nga humbja e familjarëve në Masakrën e Reçakut.
Presidentja Osmani ka shkruar:
Dje në Reçak, vizituam dy familje, te të cilat historia është plagë e hapur. Familja Kamberi dhe ajo Ismajli, janë të goditura rëndë nga humbja e familjarëve në Masakrën e Reçakut. Në këto vatra, dhimbja nuk është shuar, por është shndërruar në qëndresë.
Hazbi Kamberi, i plagosur 15-vjeçar, dhe babai i tij, i masakruar mizorisht sepse nuk e braktisi shtëpinë, shpërfaqin të vërtetën që nuk mund të fshihet asnjëherë. Ndërkaq Muhamet Ismajli, pësoi me 6 kushërinjtë e tij në Masakër, teksa fati i Sahides nga kjo familje ende mbetet i pazbardhur, ndonëse varri i saj është i hapur.
Reçaku jeton në secilën nga këto familje, në secilën derë që krimi nuk arriti ta mbyllë, në secilën zemër që refuzon harresën, në fëmijët e të rinjët që tregimin për Reçakun do ta përcjellin brez pas brezi.
Kosova qëndron mbi këtë sakrificë.
E vërteta e pamohueshme dhe e përhershme është themeli ynë.












