Presidentja Osmani priti në takim kryetarin e TİKA-s, Abdullah Eren

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur sot në takim kryetarin e Agjencisë Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TİKA), z. Abdullah Eren, me të cilin ka diskutuar për thellimin e bashkëpunimit ndërmjet Kosovës dhe Turqisë në fusha të ndryshme zhvillimore. Presidentja Osmani shprehu mirënjohje të thellë për kontributin e TİKA-s në zhvillimin e Kosovës për më shumë se dy dekada, duke theksuar se projektet e kësaj agjencie kanë ndikuar në mënyrë të ndjeshme në përmirësimin e infrastrukturës kulturore, arsimit dhe shëndetësisë në vend, duke falënderuar posaçërisht për mbështetjen në ndërtimin e Qendrës për fëmijë me sindromën Down dhe Autizëm në Prishtinë. Në këtë kontekst, Presidentja Osmani e vlerësoi Turqinë si mike dhe partnere strategjike të Kosovës, një shtet që ka qëndruar pranë popullit tonë në çdo fazë, nga periudha pas luftës e deri më sot. Ajo theksoi se miqësia ndërmjet dy popujve është e qëndrueshme dhe e ndërtuar mbi respekt, ndihmë reciproke dhe vlera të përbashkëta. Presidentja Osmani e përgëzoi z. Abdullah Eren për emërimin e tij në krye të TİKA-s, duke i uruar suksese në detyrën e re dhe shprehur dëshirën për një vazhdim të frytshëm të bashkëpunimit dypalësh në të gjitha fushat me interes të ndërsjellë. Gjatë takimit, Presidentja Osmani falënderoi TİKA-n për ndihmën humanitare dhe infrastrukturore të dhënë menjëherë pas luftës, kur Kosova po rindërtohej nga shkatërrimi, si dhe për restaurimin e objekteve me vlerë historike, që kontribuojnë në ruajtjen e trashëgimisë shumëkulturore të vendit. Në përmbyllje, Presidentja theksoi rëndësinë e mbështetjes së iniciativave që lidhen me fëmijët me nevoja të veçanta, ata pa përkujdes prindëror, grupet e margjinalizuara dhe ata që kanë nevojë për përkrahje.
Presidentja Osmani dekretoi 20 gjyqtarë me mandat fillestar

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, dekretoi sot 20 gjyqtarë me mandat fillestar, në bazë të propozimit të Këshillit Gjyqësor të Kosovës. Gjatë ceremonisë së betimit para Presidentes Osmani, gjyqtarët e rinj u zotuan se do t’i qëndrojnë besnik Kushtetutës dhe ligjeve të Republikës së Kosovës, do të respektojnë etikën profesionale dhe do ta kryejnë detyrën e tyre me integritet, profesionalizëm dhe paanshmëri. Presidentja Osmani theksoi se drejtësia e pavarur mbetet themeli i çdo shteti demokratik dhe garant i zhvillimit të tij institucional e shoqëror. Ajo shtoi se gjyqtarët me integritet dhe profesionalizëm janë themeli mbi të cilin ndërtohet besimi i qytetarëve në drejtësi dhe garantohen të drejtat e barabarta për të gjithë.
Presidentja Osmani pranoi letrat kredenciale nga ambasadori i ri i Bangladeshit, z. Muhammad Zulqar Nain

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, pranoi sot letrat kredenciale të ambasadorit të ri jorezident të Republikës Popullore të Bangladeshit në Republikën e Kosovës, z. Muhammad Zulqar Nain. Gjatë takimit, Presidentja Osmani i uroi mirëseardhje ambasadorit Nain dhe e falënderoi për mbështetjen e vazhdueshme që Bangladeshi i ka dhënë Republikës së Kosovës në arenën ndërkombëtare. Në këtë drejtim, ajo përmendi takimin me Kryeministrin e Bangladeshit gjatë Javës së Nivelit të Lartë të KB-së në New York, Muhammad Yunus, ku u ritheksua përkushtimi i përbashkët për forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve bilaterale ndërmjet dy vendeve, në frymën e miqësisë, bashkëpunimit dhe respektit të ndërsjellë ndërmjet dy popujve. Nga ana e tij, ambasadori Nain shprehu vullnetin e Bangladeshit për të forcuar më tej marrëdhëniet diplomatike dhe për të ndërtuar ura bashkëpunimi midis dy vendeve. Ai përcolli urimet e përzemërta të udhëheqjes së Bangladeshit për popullin e Kosovës, duke shprehur bindjen se raportet ndërmjet dy shteteve do të thellohen edhe më shumë në të ardhmen.
Fjalimi i Presidentes Vjosa Osmani në forumin e organizuar nga EULEX dhe Shoqata e Grave të Policisë së Kosovës, me temën: “Nga rezoluta në veprim: 25 vjet nga kur gratë transformojnë paqen dhe sigurinë në Kosovë”

Mirëmëngjesi të gjithëve! I nderuar Shef i Misionit të EULEX-it, Gjeneral Barbano, I nderuar Drejtor i Përgjithshëm i Policisë, z. Hoxha, I nderuar Drejtor i Përgjithshëm i Shërbimit Korrektues, z. Dibrani, Të nderuar përfaqësues të institucioneve, Të dashur të pranishëm, ju që punoni pa reshtur mbi parimet e Agjendës për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, Ambasadorë, Zonja dhe zotërinj, Është gjithmonë kënaqësi e veçantë që të rikthehem në ngjarjen vjetore të organizuar nga ju, sidomos kur në fokus të diskutimit është një agjendë kaq e rëndësishme si ajo për Gratë, Paqen dhe Sigurinë. Kosova ka dëshmuar përgjatë viteve se mund të japë shumë në këtë fushë. Pavarësisht periudhave të vështira dhe të errëta që përjetoi populli ynë gjatë luftës ne arritëm që të ringrihemi dhe të ndërtojmë lirinë falë forcës, guximit dhe përkushtimit të grave dhe burrave tanë. Kjo histori qëndrese dhe bashkëpunimi tashmë po shndërrohet në një shembull frymëzimi, të cilin Kosova çdo ditë e ndan me gjithë botën. Në këtë vit jubilar, që shënon 25 vjetorin e Agjendës për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, ne kujtojmë jo vetëm arritjet tona të përbashkëta në kauzën për barazi, por po ashtu reflektojmë mbi përpjekjet e pandërprera për ta çuar përpara këtë mision në Kosovë dhe kudo përtej Kosovës. Ky përvjetor për ne nuk është thjesht një shënim kronologjik, por dëshmi e një kapitulli të tërë të rezistencës, të vizionit dhe të transformimit të një sistemi të tërë vlerash në sektorin që ndërlidh gratë me vlerat e paqes dhe misionin për forcimin dhe garantimin e sigurisë. Republika e Kosovës tashmë është shndërruar në sinonim të Agjendës për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, si pjesë e angazhimit të vazhdueshëm tonë shtetëror. Sot me krenari shohim pjesëmarrjen gjithnjë në rritje të grave tona në strukturat e sigurisë, gjersa kujtojmë kontributin e tyre të jashtëzakonshëm në rrugëtimin e lirisë dhe shtetformimit e shtetndërtimit, e fuqizimit të institucioneve tona në vazhdimësi. Sot dua të nderoj secilën grua, që jo vetëm ka sakrifikuar gjithçka për Kosovën, por po ashtu që edhe sot ka zgjedhur të shërbejë në Republikën tonë, në Forcën e Sigurisë, në Policinë e Kosovës, në Shërbimin Korrektues, në diplomaci, në ekonomi dhe në çdo sektor ku mbrohen paqja dhe ligji, aty ku forcohen edhe vetë themelet e shtetit tonë. Të nderuar pjesëmarrës, Barazia dhe të drejtat e njeriut janë shtyllat themelore të Republikës së Kosovës dhe njëkohësisht parimet udhëheqëse në zbatimin e kësaj agjende. Këto janë gjithashtu vlerat mbi të cilat funksionon edhe Qendra Rajonale e Ekselencës për Gratë, Paqen dhe Sigurinë në Kosovë e themeluar në kuadër të Presidencës dhe e vetmja e këtij lloji në tërë kontinentin e Evropës. Përmes punës së saj, Qendra promovon çdo ditë rolin e grave dhe vajzave në proceset e paqes dhe sigurisë. Falë angazhimit të Qendrës, Kosova edhe këtë vit ishte vendtakim i liderëve, aktivistëve, akterë të tjerë botërorë për të trajtuar sfidat aktuale për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, duke vendosur në qendër të vëmendjes, jo vetëm perspektivën e grave ndaj situatës së sigurisë, por edhe të brezave të ardhshëm, të cilët meritojnë një të ardhme më të sigurt e më paqësore. Megjithatë, progresi i arritur nuk duhet të na përmbushë, meqenëse sfidat akoma mbeten prezente, sidomos në arritjen e përfaqësimit të barabartë në pozita të larta menaxheriale. Ju besoj e vërejtët, që në fillim gati se të gjithë që i përshëndeta në krye të institucioneve ishin burra. Do të punojmë së bashku që edhe kjo të ndryshojë. Duke njohur gjithnjë progresin e jashtëzakonshëm që gratë japin në çdo institucion të sigurisë, duhet të vazhdojmë t’i fuqizojmë gratë në këto sektore, të bëjmë ato më atraktive për pjesëmarrje më të madhe, por edhe më e rëndësishme, t’u japim grave rolin e merituar, të merituar, në vendimmarrje, rol që e kanë merituar tashmë që një kohë të gjatë. Vetëm duke eliminuar barrierat e imponuara ndaj grave, do të mund ta avancojmë përfaqësimin e tyre në çdo institucion që merret me paqe dhe siguri, duke siguruar që kuadrot profesionale të tyre të mbeten dhe të zhvillohen brenda këtyre institucioneve bazuar në parimet e meritokracisë. Është thelbësore, prandaj, që të promovojmë shembujt e suksesshëm të grave në pozita vendimmarrëse dhe t’i inkurajojmë ato që të marrin përgjegjësi më shumë, në mënyrë që perspektiva gjinore të jetë pjesë e çdo vendimi që marrim si shoqëri. Siç e dini, sivjet për shkak të kontributit të grave në Kosovë, vendi ynë u nderua edhe me çmimin e Asamblesë Parlamentare të NATO-s, çmimin vjetor pra, për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, që është një vlerësim historik për shtetin dhe për popullin tonë e në veçanti për gratë që për dekada të tëra kanë dhënë gjithçka për këtë vend. Do të vazhdojmë të punojmë edhe më shumë, në mënyrë që pjesëmarrja e grave në çdo sektor, e në veçanti në sektorin e sigurisë të jetë çdo ditë më me ndikim, çdo ditë më me kompetencë dhe me përfaqësim gjithnjë e në rritje. Pa gratë në tavolinat ku merren vendimet, siguria nuk është gjithëpërfshirëse, sepse gratë e Kosovës, përveç që janë pjesë e historisë sonë të lavdishme, ato po ashtu janë forca që po shkruajnë çdo ditë të ardhmen më të mirë të Republikës sonë. Ju faleminderit shumë dhe ju dëshiroj shumë suksese në diskutimet e sotme!
Presidentja Osmani nderoi ushtarët britanikë në Ditën e Përkujtimit të Mbretërisë së Bashkuar

Në Ditën e Përkujtimit të Mbretërisë së Bashkuar, Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, së bashku me ambasadorin britanik Jonathan Hargreaves dhe përfaqësues vendorë e ndërkombëtarë, bën homazhe për t’i nderuar pjesëtarët e Forcave të Armatosura Britanike që humbën jetën gjatë shërbimit me forcat e NATO-s në Kosovë (KFOR). Katërmbëdhjetë ushtarët britanikë që sakrifikuan jetën gjatë misionit në Kosovë, u vlerësuan si urë e fortë lidhjeje dhe dëshmi e miqësisë së përhershme ndërmjet Kosovës dhe Mbretërisë së Bashkuar. Presidentja Osmani theksoi se ata do të nderohen në çdo përvjetor, si kujtesë e rrugës së vështirë drejt lirisë dhe gjithashtu në shenjë falënderimi për rolin vendimtar të Mbretërisë së Bashkuar, në rrugën tonë drejt lirisë, pavarësisë dhe shtetndërtimit.
Deklarimi i sotëm për media i Presidentes Vjosa Osmani
Presidentja: Sot qytetarët vendosin për punën, për përkushtimin dhe për vizionin që duan ta shohin në komunat tona

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, në zgjedhjet lokale (balotazh), ka votuar në qendrën e votimit në Fakultetin Teknik, në Prishtinë. Presidentja Osmani ka shkruar: Sot qytetarët vendosin për punën, për përkushtimin dhe për vizionin që duan ta shohin në komunat tona. Le ta shfrytëzojmë këtë ditë me vendosmëri. Të dalim sa më shumë, e të votojmë për katër vjet më të mira, për komuna më të fuqishme, për demokracinë tonë, për Kosovën tonë!
Presidentja Osmani ka pritur dje në takim të ngarkuarën me punë të Ambasadës së SHBA-ve, Anu Pratipati

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, priti dje në takim të ngarkuarën me punë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, znj. Anu Pratipati. Gjatë takimit u diskutua për zhvillimet e fundit në vend, përfshirë edhe çështje që kanë të bëjnë me sigurinë. Si gjithnjë, Presidentja Osmani rikonfirmoi përkushtimin e Kosovës për avancimin e mëtejshëm të bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve duke e vlerësuar partneritetin me SHBA-të si strategjik e thelbësor për suksesin e Kosovës.
Presidentja Osmani ka mandatuar z. Glauk Konjufca, mandatar për formimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës

Sot, në përputhje me nenin 95, paragrafin 4 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, Presidentja Vjosa Osmani ka mandatuar z. Glauk Konjufca, mandatar për formimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës. Presidentja Osmani i ka uruar suksese z. Konjufca.
Konferenca për media e Presidentes Osmani