Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani me ftesë të nënës së re, Fjolla Ibrahimi Starabaja, dje ka vizituar në spital trenjakët e ardhur në jetë në ndërrimin e motmoteve.
Presidentja Osmani ka shkruar:
Me ftesë të nënës së re, Fjolla Ibrahimi Starabaja, dje vizituam në spital trenjakët e ardhur në jetë në ndërrimin e motmoteve, një bekim i rrallë dhe një fillim simbolik i vitit të ri, plot shpresë e jetë.
Në atë dhomë kishte dashuri, forcë dhe përkushtim. Përveç trenjakëve, aty ndodheshin edhe dy foshnja të tjera, nënat e të cilave kishin lindur për herë të tretë, duke dëshmuar se familja mbetet vlera më e fortë e shoqërisë sonë.
Trenjakët po rriten të rrethuar nga dashuria e pakushtëzuar e nënës dhe familjes, si dhe nga përkujdesja maksimale dhe profesionale e personelit mjekësor, të cilët çdo ditë japin më të mirën për jetët më të reja mes nesh.
Çdo lindje është një investim për të ardhmen tonë të përbashkët. Prandaj, është me rëndësi që mbështetja për nënat, fëmijët dhe familjet të vazhdojë. Uroj që këta fëmijë të rriten me shëndet, dashuri dhe siguri, e që çdo nënë të ndihet e mbështetur, e respektuar dhe e vlerësuar.















