Presidentja Osmani priti në takim ambasadorin e BE-së, Aivo Orav dhe pranoi Raportin për Kosovën 2025 nga Komisioni Evropian

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, priti sot në takim Shefin e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Ambasadorin Aivo Orav, i cili i dorëzoi Raportin për Kosovën 2025 të Komisionit Evropian. Gjatë takimit u diskutua mbi gjetjet e raportit, i cili vlerëson pozitivisht progresin e Kosovës në disa fusha, por njëkohësisht evidenton edhe sfidat që mbeten për t’u adresuar. Presidentja Osmani theksoi se këto gjetje duhet të trajtohen me prioritet, me qëllim që Kosova të vazhdojë me hapa të vendosur dhe në ballë të reformave drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Ajo falënderoi Ambasadorin Orav për mbështetjen e vazhdueshme të BE-së, duke ritheksuar përkushtimin e palëkundur të popullit të Kosovës për integrim në familjen evropiane. Presidentja theksoi se ky proces kontribuon jo vetëm në prosperitetin dhe zhvillimin e qëndrueshëm të vendit, por edhe në paqen dhe sigurinë afatgjatë në rajon e më gjerë.

Presidentja: Njësia e Operacioneve Speciale e FSK-së, krenaria, nderi dhe zemra e pathyeshme e Kosovës

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani gjatë ditës së sotme ka vizituar Njësinë e Operacioneve Speciale të FSK-së. Presidentja Osmani ka shkruar: E stërvitur dhe e përgatitur sipas doktrinës së ushtrisë së Shteteve të Bashkuara, për ta mbrojtur atdheun në çdo moment dhe në çdo pëllëmbë të vendit, kjo është Njësia e Operacioneve Speciale e FSK-së: krenaria, nderi dhe zemra e pathyeshme e Kosovës. Ata nuk mbajnë vetëm uniformën e shtetit, por edhe amanetin e lirisë sonë!

Presidentja Osmani i shprehë ngushëllime familjes dhe bashkëpunëtorëve për ndarjen nga jeta të ish-Kryeministrit të Shqipërisë, Fatos Nano

Ai ishte një prej figurave të tranzicionit demokratik në Shqipëri dhe luajti rol në transformimin politik pas viteve ’90. Si themelues dhe udhëheqës i Partisë Socialiste, Fatos Nano pati rol transformues në drejtimin e saj, duke e shndërruar në një forcë moderne, evropiane dhe të përkushtuar ndaj dialogut politik. Përmes vizionit të tij, ai kontribuoi në ndërtimin e një kulture më paqësore dhe më bashkëpunuese në jetën politike shqiptare. Në këtë ditë të dhimbjes, shpreh ngushëllimet më të sinqerta për familjen Nano, të afërmit, Partinë Socialiste dhe bashkëpunëtorët.

Presidentja Osmani priti në takim Kryesuesin e KQZ-së, z. Kreshnik Radoniqi

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur sot në takim Kryesuesin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), z. Kreshnik Radoniqi. Gjatë takimit, Presidentja Osmani është njoftuar nga z. Radoniqi lidhur me procesin e administrimit të zgjedhjeve lokale si dhe me përgatitjet që KQZ-ja po bën për mbajtjen e balotazhit më 9 nëntor. Në këtë kontekst, u diskutua edhe për funksionimin e përgjithshëm të KQZ-së, si dhe për punën që po bëhet për përmirësimin vazhdueshëm të proceseve zgjedhore në përputhje me standardet më të larta të transparencës dhe profesionalizmit.

25 vjet nga Rezoluta 1325 – pika që ndryshoi historinë e grave në paqe, siguri e më gjerë

Në vetëm tre vite, Kosova është shndërruar në qendër botërore të kësaj agjende përmes Qendrës së Ekselencës dhe Forumit Ndërkombëtar në Prishtinë, ku zëra nga mbarë bota janë bashkuar për drejtësi e barazi. Nga fuqizimi ekonomik te përfaqësimi në politikë e në ushtri, Kosova ka dëshmuar se gratë janë forca e paqes. Dhe për këtë arsye, pikërisht në tetor, në përvjetorin e Rezolutës, Presidentja Vjosa Osmani u nderua me Çmimin për Gratë, Paqen dhe Sigurinë nga Asambleja Parlamentare e NATO-s. Përmes këtij vlerësimi, u nderua puna, mundi dhe sakrifica e grave të Kosovës. Një vlerësim që, përveç nderit, vulos edhe një të vërtetë: përmes kësaj agjende dhe këtij forumi, Kosova jo vetëm që është bërë pjesë e hartës globale të ngjarjeve të mëdha, por edhe ka arritur suksese të rëndësishme diplomatike.

Përmbledhje e vizitës zyrtare të Presidentes Osmani në Mbretërinë e Arabisë Saudite

Gjatë vizitës së saj në Mbretërinë e Arabisë Saudite, Presidentja Vjosa Osmani realizoi një sërë takimesh bilaterale dhe multilaterale të rëndësishme, të cilat shënuan një moment të jashtëzakonshëm për forcimin e marrëdhënieve dypalëshe dhe hapjen e perspektivave të reja për integrimin ndërkombëtar të Republikës së Kosovës. Kjo vizitë kulmoi me njohjen e Republikës së Kosovës nga Siria, me ndërmjetësimin dhe mbështetjen e aleatëve. Respektivisht, Presidentja Osmani ka realizuar takime bilaterale me: • Lartësia e Tij Mbretërore Mohammed bin Salman, Princin e Kurorës së Mbretërisë së Arabisë Saudite, ku u ritheksua mirënjohja e Kosovës për përkrahjen e vazhdueshme dhe u diskutua hapja e kapitujve të rinj bashkëpunimi në fushat e energjisë së rinovueshme, turizmit, bujqësisë, sigurisë ushqimore, arsimit, inovacionit digjital dhe zhvillimit të qëndrueshëm. • Shkelqësia e Tij Mohamed Ould Cheikh El Ghazouani, Presidentin e Republikës Islamike të Mauritanisë, me të cilin Presidentja Osmani diskutoi avancimin e marrëdhënieve miqësore dhe rritjen e bashkëpunimit në skenën ndërkombëtare. • Shkelqësia e Tij Rumen Radev, Presidentin e Republikës së Bullgarisë, ku u fol për heqjen e masave të padrejta ndaj Kosovës dhe për përparimin e aplikimit të saj për statusin e vendit kandidat në Bashkimin Evropian. • Lartësia e Tij Mbretërore Hussein bin Abdullah al-Hashimi, Princin e Kurorës së Mbretërisë Haxhemite të Jordanisë, me të cilin u konstatua gatishmëria për të thelluar bashkëpunimin në fushat e mbrojtjes, tregtisë dhe teknologjisë së informacionit dhe komunikimit (ICT). • Yasir Al-Rumayyan, Guvernatorin e Public Investment Fund (PIF) të Arabisë Saudite, me të cilin u diskutua për investime strategjike dhe mundësitë për përfshirjen e Kosovës në projekte zhvillimore. • Talal Almarri, Drejtorin Ekzekutiv të Expo 2030 Riyadh, ku u konfirmua pjesëmarrja e Kosovës dhe mundësia e veçantë për të shfaqur potencialin e saj inovativ dhe teknologjik në kuadër të Expo 2030 në Riad. Gjithashtu, Presidentja Osmani pati rastin të bisedojë me: • Shkelqësia e Tij Paul Kagame, Presidentin e Republikës së Ruandës, • Shkelqësia e Tij Mohamed Irfaan Ali, Presidentin e Republikës së Guajanës, • Shkelqësia e Tij Cevdet Yılmaz, Zëvendëspresidentin e Republikës së Turqisë, • Shkelqësia e Tij Edi Rama, Kryeministrin e Republikës së Shqipërisë, • Gianni Infantino, Presidentin e FIFA-s, • dhe Donald Trump Jr., biznesmenin amerikan dhe djalin e Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump. Një moment kyç i kësaj vizite ishte takimi trilateral mes Princit të Kurorës, Mohammed bin Salman, Presidentes Osmani dhe Shkelqësisë së Tij Ahmad al-Sharaa, Presidentit të Sirisë, në të cilin u finalizua njohja e Republikës së Kosovës nga Siria — një hap historik për konsolidimin ndërkombëtar të vendit. Në kuadër të Future Investment Initiative (FII), Presidentja Osmani ishte e ftuar në tryezën e liderëve, ku diskutimi kryesor u përqendrua në temën: “Cila është kostoja e sigurisë ekonomike?” — një debat me rëndësi të veçantë për vendet që synojnë rritje të qëndrueshme ekonomike përmes dialogut, inovacionit dhe investimeve në infrastrukturë, transformim digjital dhe inteligjencë artificiale. Presidentja Osmani ishte gjithashtu e ftuar në darkën zyrtare të shtruar nga Princi i Kurorës, Mohammed bin Salman, për të ftuarit e FII, dhe u prit me nderime ushtarake menjëherë pas mbërritjes në Riad. Për mbarëvajtjen e vizitës, zhvillimet më të fundit globale dhe planet për bashkëpunim të ardhshëm ndërmjet Kosovës dhe Arabisë Saudite, Presidentja Osmani dha dy intervista ekskluzive për Al Arabiya dhe Arab News.

Presidentja Osmani: Siria njeh Republikën e Kosovës

Në një takim trilateral ndërmjet Lartësisë së Tij Mbretërore, Princit të Kurorës së Arabisë Saudite, Mohammed bin Salman Al Saud, Presidentes së Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, dhe Presidentit të Republikës Arabe të Sirisë, Ahmed Al-Sharaa, është arritur marrëveshja përmes së cilës Siria njeh Republikën e Kosovës, ndërsa të dy shtetet janë pajtuar të vendosin marrëdhënie diplomatike. Presidentja Osmani është angazhuar prej kohësh që të arrihet kjo njohje dhe do të vazhdojë të punojë ngushtë me aleatët dhe partnerët e Kosovës, në mënyrë që numri i njohjeve të rritet në vijimësi dhe që të forcohet pozita ndërkombëtare e Republikës së Kosovës. Më poshtë gjeni deklaratën e plotë të publikuar sot nga Presidentja Osmani: Republika e Kosovës e mirëpret përzemërsisht njohjen nga Siria dhe deklaratën e Mbretërisë së Arabisë Saudite lidhur me njohjen e pavarësisë së Kosovës nga Republika Arabe e Sirisë. Republika e Kosovës shpreh mirënjohjen e saj të thellë për vendimin e Republikës Arabe të Sirisë për të njohur pavarësinë e Kosovës dhe i shpreh falenderimet e saj Presidentit Ahmed al-Sharaa për lidershipin e tij dhe mbështetjen për popullin e Kosovës. Ky është vërtet një vendim me rëndësi historike për të dy shtetet, Kosovën dhe Sirinë, i bazuar në respektin e ndërsjellë për luftën e gjatë për liri, në njohjen reciproke të sovranitetit, integritetit territorial dhe përkushtimit për bashkëpunim dypalësh dhe vendosjen e marrëdhënieve diplomatike. Republika e Kosovës është thellësisht mirënjohëse për mbështetjen e Lartësisë së Tij Mbretërore, Princit të Kurorës dhe Kryeministrit të Mbretërisë së Arabisë Saudite, Mohammed bin Salman Al Saud. Lidershipi dhe vizioni i tij e kanë bërë rezultatin e këtij takimi trepalësh një moment historik për popullin e Kosovës dhe për popullin e Sirisë. Kjo marrëveshje e arritur sot në Riad, Mbretërinë e Arabisë Saudite, me mbështetjen dhe udhëheqjen e Lartësisë së Tij Mbretërore, Princit të Kurorës dhe Kryeministrit të Mbretërisë së Arabisë Saudite, Mohammed bin Salman Al Saud, është poashtu një njohje e vuajtjeve dhe sakrificës së popujve tanë për liri, si dhe shenjë e përkushtimit më të lartë për të mbështetur njëri-tjetrin në arenën ndërkombëtare dhe përmes marrëdhënieve dypalëshe.

Presidentja Osmani takoi Guvernatorin e Fondit të Investimeve Publike të Arabisë Saudite, Yasir Al-Rumayyan, si dhe Kryeshefin Ekzekutiv të EXPO 2030 Riad, Talal Almarri

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, gjatë qëndrimit në Riad është takuar me Guvernatorin e Fondit të Investimeve Publike të Arabisë Saudite, Yasir Al-Rumayyan, si dhe Kryeshefin Ekzekutiv të EXPO 2030 Riad, Talal Almarri. Presidentja Osmani ka shkruar: Gjatë vizitës në Riad, kam takuar Guvernatorin e Fondit të Investimeve Publike të Arabisë Saudite, Yasir Al-Rumayyan, si dhe Kryeshefin Ekzekutiv të EXPO 2030 Riad, Talal Almarri. Në këto takime të ndara, diskutuam për investime strategjike, projekte zhvillimore dhe pjesëmarrjen e Kosovës në EXPO 2030 që do të mbahet në Riad, ku vendi ynë do ta ketë mundësinë ta prezantojë potencialin e jashtëzakonshëm në fushën e inovacionit dhe teknologjisë.

This site is registered on wpml.org as a development site.