Presidentja Osmani: Presidenti i Bullgarisë, Rumen Radev, është një mik i Kosovës dhe mbështetës i fuqishëm i aspiratave tona euroatlantike

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, gjatë qëndrimit në Riad është takuar me Presidentin e Bullgarisë, Rumen Radev. Presidentja Osmani ka shkruar: Presidenti i Bullgarisë, Rumen Radev, është një mik i Kosovës dhe mbështetës i fuqishëm i aspiratave tona euroatlantike. Në takimin tonë në Riad, në qendër të bisedës ishin largimi i masave të padrejta ndaj Kosovës dhe avancimi i aplikacionit për statusin e vendit kandidat në Bashkimin Evropian, si pjesë e përpjekjeve tona të përbashkëta për të forcuar stabilitetin rajonal dhe për të thelluar bashkëpunimin ndërmjet vendeve tona në kuadër të partneritetit evropian dhe euroatlantik.

Presidentja Osmani takoi Presidentin e Mauritanisë, Mohamed Ould Cheikh El Ghazouani

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, gjatë qëndrimit në Riad është takuar me Presidentin e Mauritanisë, Mohamed Ould Cheikh El Ghazouani. Presidentja Osmani ka shkruar: Një takim shumë i mirë në Riad me Presidentin e Mauritanisë, Mohamed Ould Cheikh El Ghazouani. Biseduam për forcimin e marrëdhënieve miqësore ndërmjet Kosovës dhe Mauritanisë, gatishmërinë për të punuar së bashku në nivel ndërkombëtar, si dhe për angazhimin tonë të ndërsjellë në thellimin e bashkëpunimit bilateral.

Presidentja Osmani takoi Princin e Kurorës së Mbretërisë Hashemite të Jordanisë, Lartmadhërinë e Tij, Hussein bin Abdullah al-Hashimi

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani gjatë qëndrimit në Riad, është takuar me Princin e Kurorës së Mbretërisë Hashemite të Jordanisë, Lartmadhërinë e Tij, Hussein bin Abdullah al-Hashimi. Presidentja Osmani ka shkruar: Në Riad, zhvillova një takim shumë të frytshëm me Princin e Kurorës së Mbretërisë Hashemite të Jordanisë, Lartmadhërinë e Tij, Hussein bin Abdullah al-Hashimi. Kosova dhe Jordania gëzojnë marrëdhënie të shkëlqyera bilaterale, të ndërtuara mbi miqësi, mirëbesim dhe bashkëpunim të ndërsjellë. Gjatë takimit, konfirmuam gatishmërinë për thellimin e partneritetit dhe diskutuam mënyrat për të hapur kapituj të rinj bashkëpunimi në fusha me interes të përbashkët, përfshirë mbrojtjen, tregtinë dhe teknologjinë e informacionit (ICT).

Qendra Rajonale e Ekselencës për Gratë, Paqen dhe Sigurinë në Kosovë shënon 25-vjetorin e Rezolutës 1325 të OKB-së

Në muajin që shënon 25-vjetorin e miratimit të Rezolutës 1325 të Kombeve të Bashkuara për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, Qendra Rajonale e Ekselencës për Gratë, Paqen dhe Sigurinë në Kosovë organizoi dje një konferencë njëditore, në kuadër të së cilës u diskutuan kërcënimet e reja të shekullit XXI që po prekin gratë dhe vajzat në mbarë botën.   Diskutimet përfshinë tema si dhuna me bazë gjinore e lehtësuar nga teknologjia, siguria kibernetike, mbrojtja e të dhënave dhe sfida të tjera që përbëjnë forma të reja të rrezikut me të cilat përballen gratë dhe vajzat çdo ditë. Për t’iu përgjigjur këtyre sfidave, pjesëmarrësit nga vendet e rajonit diskutuan mënyrat për të forcuar bashkëpunimin rajonal me qëllim fuqizimin e rolit, lidershipit dhe vendimmarrjes së grave e vajzave, si në hapësirën digjitale, ashtu edhe në jetën publike e politike.   Pjesa e fundit e konferencës iu kushtua rrëfimeve personale të fëmijëve të luftës nga Kosova dhe Bosnja e Hercegovina, histori prekëse të individëve që kanë përballuar traumën ndërbrezore dhe e kanë shndërruar dhimbjen në forcë e sukses. Këto histori frymëzuese dëshmojnë se ndërtimi i sistemeve të qëndrueshme mbështetëse për të mbijetuarit e luftës është thelbësor për krijimin e shoqërive më gjithëpërfshirëse, demokratike dhe më të zhvilluara.

Presidentja Osmani u prit në takim nga Princi i Kurorës së Arabisë Saudite, Mohammed bin Salman

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani u prit sot në një takim zyrtar nga Princi i Kurorës së Mbretërisë së Arabisë Saudite, Lartëmadhëria e Tij Mbretërore Mohammed bin Salman. Në këtë takim të Presidentes Osmani, mori pjesë edhe Kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës, myftiu Naim Tërnava. Gjatë takimit, Presidentja Osmani shprehu mirënjohjen e thellë për miqësinë dhe mbështetjen e palëkundur që Mbretëria e Arabisë Saudite i ka dhënë popullit dhe shtetit të Kosovës ndër vite. Duke theksuar rëndësinë e thellimit të bashkëpunimit ekonomik dhe hapjes së kapitujve të rinj në marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve, Presidentja Osmani propozoi lehtësimin e lëvizjes së lirë për qytetarët e Kosovës përmes mundësisë së aplikimit për viza elektronike, një nismë që u mirëprit me interes të veçantë nga Lartmadhëria e Tij, Princi i Kurorës. Në takim u theksua përkushtimi i përbashkët i të dy shteteve për paqe, stabilitet dhe bashkëpunim rajonal e global, si dhe gatishmëria për t’i thelluar më tej marrëdhëniet dypalëshe nëpërmjet marrëveshjeve të reja dhe zgjerimit të horizonteve të bashkëpunimit në fusha me interes të ndërsjellë. Presidentja Osmani shprehu gatishmërinë për të zgjeruar bashkëpunimin me Arabinë Saudite në fushat e energjisë së rinovueshme, turizmit, bujqësisë dhe sigurisë ushqimore, arsimit, inovacionit digjital dhe zhvillimit të qëndrueshëm, duke hapur kapituj të rinj në marrëdhëniet në mes dy vendeve.

Presidentja Osmani: Si bashkëpunëtor i ngushtë i presidentit historik Dr. Ibrahim Rugova, Ukë Bytyçi dha gjithçka për qytetarët e tij dhe për të ardhmen e vendit

Ukë Bytyçi ishte një nga figurat më të shquara të Suharekës dhe një atdhetar i palodhur për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës. Si bashkëpunëtor i ngushtë i presidentit historik Dr. Ibrahim Rugova, Ukë Bytyçi dha gjithçka për qytetarët e tij dhe për të ardhmen e vendit. Guximi, urtësia dhe vendosmëria e tij e bënë një lider të besueshëm dhe vizionar, por jeta e tij u ndërpre para kohe, duke lënë bosh një angazhim të jashtëzakonshëm për Suharekën e për gjithë Kosovën. Qoftë i përjetshëm kujtimi për Ukë Bytyçin!

Presidentja Osmani dhe stafi i Presidencës u shprehin ngushëllimet më të sinqerta familjes Hoti, miqve dhe bashkëpunëtorëve për ndarjen nga jeta të Petrit Hotit

Presidenca e Republikës së Kosovës me pikëllim të thellë ka marrë lajmin për ndarjen nga jeta të Petrit Hotit, i cili ka shërbyer si zyrtar në kabinetin e Presidentes së Republikës, znj. Vjosa Osmani. Petrit Hoti u nda nga jeta pas një sëmundjeje të rëndë, duke lënë pas dhimbje të madhe tek familja, kolegët dhe të gjithë ata që e kanë njohur si njeri me virtyte të jashtëzakonshme, të ndershëm dhe të përkushtuar në punën e tij. Në këto momente të rënda, Presidentja Osmani dhe stafi i Presidencës u shprehin ngushëllimet më të sinqerta familjes Hoti, miqve dhe bashkëpunëtorëve të tij. Kujtimi për Petritin do të mbetet i paharruar në institucionin tonë dhe në zemrat e të gjithë atyre që patën fatin ta njohin. I qoftë i lehtë dheu i Kosovës!

Presidentja Osmani arrin për vizitë pune në Riad, pritet me nderime ushtarake

Presidentja Osmani ka arritur në Riad të Arabisë Saudite, me ftesë të Princit të Kurorës së Arabisë Saudite, Muhamed bin Salman, për të marrë pjesë në Future Investment Initiative (FII). Ky forum, i njohur si një nga ngjarjet më prestigjioze globale për investime dhe inovacion, mbledh udhëheqës botërorë, drejtues të korporatave më të mëdha ndërkombëtare, investitorë, dhe ekspertë të teknologjisë e politikave publike, për të diskutuar idetë dhe strategjitë që do të formësojnë ekonominë dhe shoqëritë e së ardhmes.

Presidentja: Në Berlin Global Dialogue për një sërë aktivitetesh të mbushura me diskutime frymëzuese, takime të vlefshme dhe partneritete të reja

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka thënë se ishte kënaqësi të rikthehem këtë vit në Berlin Global Dialogue për një sërë aktivitetesh të mbushura me diskutime frymëzuese, takime të vlefshme dhe partneritete të reja. Presidentja Osmani ka shkruar: Ishte kënaqësi të rikthehem këtë vit në Berlin Global Dialogue për një sërë aktivitetesh të mbushura me diskutime frymëzuese, takime të vlefshme dhe partneritete të reja – të gjitha me një qëllim të përbashkët: ta afrojnë Kosovën edhe më shumë me Bashkimin Evropian. Berlin Global Dialogue është një platformë që bashkon përfaqësues politik e biznesor për diskutime rreth rëndësisë së zgjidhjeve në politikëbërje që u shërbejnë qytetarëve, ekonomisë dhe të ardhmes.

Presidentja Osmani: Kosova është e hapur për investime dhe gati të integrohet në tregjet globale

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka prezantuar potencialin e Kosovës në një tryezë me drejtues biznesesh nga vende të ndryshme të botës, në kuadër të Berlin Global Dialogue. Presidentja Osmani ka shkruar: Në kuadër të Berlin Global Dialogue, prezentuam potencialin e Kosovës në një tryezë me drejtues biznesesh nga vende të ndryshme të botës. Kosova është e hapur për investime dhe gati të integrohet në tregjet globale. Sot, ne nuk jemi më vetëm destinacion me kosto të ulët, por ekonomi e bazuar në besim, parime dhe rritje strategjike.

This site is registered on wpml.org as a development site.