...

Fjalimi i Presidentes Osmani në Mbledhjen Komemorative për ish-Kryeparlamentarin e Republikës së Kosovës, akademikun dhe profesorin, Nexhat Daci

Shumë e nderuar familje e Akademik Nexhat Dacit,

I nderuar kryetar i Kuvendit,

Kryeministër i vendit,

President Sejdiu,

Të nderuar përfaqësues të institucioneve, liderë të partive politike, ministra, deputetë, familjarë të Akademik Nexhat Dacit, akademikë, kolegë, miq dhe bashkëqytetarë,

Sot jemi mbledhur për ta nderuar jetën dhe veprën e një njeriu që i përket kategorisë së njerëzve për të cilët historia flet me respekt të jashtëzakonshëm. Jemi mbledhur për t`ia dhënë lamtumirën Akademik Nexhat Dacit, burrështetas, dijetar dhe intelektual i përkushtuar.

Me dije të thellë, integritet personal dhe përkushtim të palëkundur, ai i shërbeu Kosovës si Kryetar i Kuvendit, ushtrues detyre i Presidentit, deputet, akademik dhe drejtues i institucioneve shkencore, duke lënë gjurmë të pashlyeshme në ndërtimin e institucioneve demokratike dhe në zhvillimin e mendimit shkencor në vendin tonë.

Në historinë e kombeve, ka njerëz që shfaqen në kohë të qeta dhe ka njerëz që formësohen në kohë të vështira. Akademik Nexhat Daci i përkiste kësaj të dytës. Në periudhat më të rënda për popullin tonë, ai u rreshtua me vendosmëri në shërbim të kauzës për liri dhe pavarësi, duke qenë bashkëpunëtor i afërt i Presidentit historik, Dr. Ibrahim Rugova në këtë kauzë. Në atë epokë kur mençuria ishte po aq e nevojshme sa edhe guximi, ai zgjodhi rrugën e urtësisë, të vizionit afatgjatë dhe të përgjegjësisë shtetërore. Nuk e shihte politikën si përplasje të përditshme, por si proces të ndërtimit të themeleve të shtetit me durim.

Kontributi i tij në formimin e institucioneve të Kosovës ishte i qetë, por i thellë. Si Kryetar Kuvendi, ai e kuptonte se demokracia nuk ishte vetëm procedurë, por ishte edhe kulturë, nuk ishte vetëm rregull, por edhe respekt. Ai besonte në dialog, në ligj, në argument dhe në forcën e institucioneve që e mbijetojnë secilin individ. Kjo ishte filozofia e tij shtetformuese.

Si një qëndrestar i vërtetë që ishte, ai asnjëherë në angazhimin e tij nuk pranoi kompromise në dëm të Kosovës. Akademik Nexhat Daci nuk ishte vetëm një burrështetas. Ai ishte edhe një mendje akademike e pashoq, një njeri i dijes që e shihte shkencën si urë ndërmjet kulturave e si hapësirë bashkëpunimi. Profili i tij ishte thellësisht i hapur ndaj ideve, respektues gjithnjë ndaj dallimeve dhe i bindur se shoqëritë përparojnë kur dija nuk njeh as kufij qoftë gjuhësorë, as ideologjikë e as etnikë. Ai e kuptonte se Kosova, për të qenë e fortë, duhet të jetë e ditur, e hapur dhe e lidhur me botën e me miq.

Në kohën kur politika nuk ishte thjesht garë pushteti, por mjeti i vetëm nëpërmjet të cilit luftohej për të drejta, për liri dhe për vetë ekzistencën tonë si shtet e si popull, roli i intelektualit merrte një peshë të jashtëzakonshme historike.

Akademik Nexhat Daci i përkiste atij brezi mendimtarësh që e kuptuan se heshtja e dijes në momente vendimtare është një formë dorëzimi. Prandaj, ai asnjëherë nuk heshti. Ai e solli mendjen e akademikut në politikë jo për ta politizuar dijen, por për ta fisnikëruar politikën. Dhe, pikërisht këtë e arriti nëpërmjet angazhimit të tij fisnik në politikë.

Në procesin e rezistencës paqësore, të arritjes së lirisë dhe shtetndërtimit, ai dëshmoi se intelektuali ka për detyrë të mos qëndrojë në distancë komode nga realiteti, por të marrë përgjegjësi dhe ta vërë autoritetin e tij në shërbim të interesit të përgjithshëm.

Akademik Daci e bashkëdyzoi profilin e tij poliedrik, si profesor, shkencëtar, akademik dhe burrë shteti, duke e vënë secilin dimension të tij në funksion të dobisë për popullin dhe për shtetin.

Ai dëshmoi se kur dija udhëhiqet nga ndërgjegjja dhe pushteti nga arsyeja, politika mund të bëhet akt shërbimi dhe jo dominimi. Kjo është trashëgimia e tij më e thellë dhe dëshmi se liria nuk fitohet pa mendje të kthjellëta dhe se shteti ndërtohet edhe me dije, dhe se populli mbrohet më mirë kur fati i tij udhëhiqet nga njerëz që dinë të mendojnë përtej ditës e përtej vetvetes.

Në këtë kuptim, e gjithë jeta e tij ishte një shembull i vërtetë, ngase madhështia e njeriut gjithnjë matet me gjurmët që lëmë pas.

Akademiku ynë iku në përjetësi, por la gjurmë të pashlyeshme në krijimin e institucioneve tona të lira e demokratike, në mendimin shkencor që e kultivoi, në kulturën politike të cilën e përfaqësoi dhe mbi të gjitha në shembullin njerëzor që e la pas.

Sot, kur e përcjellim në amshim, nuk po i themi lamtumirë vetëm një njeriu, por një epoke të maturisë, të dijes dhe të përgjegjësisë publike, të cilën na la pas si shembull për ta ndjekur.

Dhimbja është e madhe për familjen, për miqtë dhe për bashkëpunëtorët, por po aq sa është i madh edhe obligimi ynë që ta ruajmë dhe ta vazhdojmë trashëgiminë e tij, trashëgiminë e shtetit ligjor, të mendimit të lirë si dhe të respektit për dijen me besimin se Kosova forcohet gjithnjë e më shumë me punë dhe me vizion afatgjatë.

U prehtë në paqe në dheun e Kosovës së lirë dhe qoftë i përjetshëm kujtimi për Akademik Nexhat Dacin!

Ju faleminderit!

Ky postim është gjithashtu i disponueshëm në gjuhë: EN SR

This site is registered on wpml.org as a development site.