Presidentja Osmani: Kosova është dëshmi se edhe një vend i vogël mund të ndryshojë ndërgjegjen e botës, kur qëndron në anën e drejtësisë

Fjalimi i plotë i Presidentes Osmani në sesionin e liderëve të Berlin Global Dialogue
Presidentja Osmani takoi Ministrin e Ekonomisë dhe Planifikimit të Arabisë Saudite, Faisal bin Fadhil Alibrahim

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani është takuar me Ministrin e Ekonomisë dhe Planifikimit të Arabisë Saudite, Faisal bin Fadhil Alibrahim, në kuadër të Berlin Global Dialogue. Presidentja Osmani ka shkruar: Në kuadër të Berlin Global Dialogue, pata kënaqësinë të takoj Ministrin e Ekonomisë dhe Planifikimit të Arabisë Saudite, Faisal bin Fadhil Alibrahim. E falënderova për mbështetjen që Arabia Saudite i ka dhënë Kosovës ndër vite dhe theksova rëndësinë e hapjes së kapitujve të rinj të bashkëpunimit ekonomik mes dy vendeve. Në prag të Future Investment Initiative që do të mbahet në Riad, diskutuam për mundësitë që kjo platformë ofron për Kosovën për të tërhequr investime të reja dhe për të forcuar lidhjet me tregjet globale.
Presidentja Osmani në takime të ndara me deputetët gjermanë Johannes Volkmann dhe Roderich Kiesewetter, si dhe me Mark Speich, Sekretarin e Përgjithshëm të Konrad Adenauer Stiftung

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, gjatë qëndrimit në Berlin ka zhvilluar takime të ndara me deputetët gjermanë Johannes Volkmann dhe Roderich Kiesewetter, si dhe me Mark Speich, Sekretarin e Përgjithshëm të Konrad Adenauer Stiftung. Presidentja Osmani ka shkruar: Në Berlin, në takime të ndara me deputetët gjermanë Johannes Volkmann dhe Roderich Kiesewetter, si dhe me Mark Speich, Sekretarin e Përgjithshëm të Konrad Adenauer Stiftung, zhvilluam biseda të rëndësishme për bashkëpunimin dypalësh. Ritheksova përkushtimin e Kosovës për partneritet edhe më të ngushtë me Gjermaninë, nga siguria dhe mbrojtja, te zhvillimi ekonomik e inovacioni. Për këto dhe zhvillimet më të fundit në vend e më gjerë, fola edhe në intervistat e realizuara sot me Politico dhe Deutsche Welle.
Presidentja Osmani ia dorëzoi Medaljen Presidenciale të Meritave znj. Marieluise Beck

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani është takuar me mërgatën tonë në Berlin. Presidentja Osmani ka shkruar: Në Berlin, së bashku me mërgatën tonë të jashtëzakonshme, kaluam një mbrëmje plot emocion e mirënjohje. 🇽🇰🇩🇪 Pata nderin t’i dorëzoj Medaljen Presidenciale të Meritave znj. Marieluise Beck për mbështetjen e saj të palëkundur ndaj popullit të Kosovës – një grua që e bëri kauzën e Kosovës pjesë të ndërgjegjes evropiane.
Presidentja Osmani në Berlin: Kosova, dëshmi e gjallë se besimi, qëndrueshmëria dhe forca e qytetarëve mund të ndërtojnë dritë edhe nga plagët e luftës

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani në kuadër të “The Humboldt Speeches on Europe”, ka folur për Kosovën, jo thjesht si një shtet të ri, por si një dëshmi e gjallë se besimi, qëndrueshmëria dhe forca e qytetarëve mund të ndërtojnë dritë edhe nga plagët e luftës. Presidentja Osmani ka shkruar: Ishte nder të flas sot në kuadër të “The Humboldt Speeches on Europe”, një forum prestigjioz për krerë shtetesh nga Evropa, ku fola për Kosovën tonë – jo thjesht si një shtet të ri, por si një dëshmi e gjallë se besimi, qëndrueshmëria dhe forca e qytetarëve mund të ndërtojnë dritë edhe nga plagët e luftës. Në këtë ndërtesë historike, në zemër të Berlinit, Kosova u paraqit si një histori e demokracisë që triumfon, e vlerave që bashkojnë dhe e shpresës që e bën Evropën më të fortë, më humane dhe më të bashkuar.
Presidentja Osmani në Aspen Institute në Berlin: E ardhmja e Kosovës është në NATO dhe në Bashkimin Evropian

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani në Aspen Institute në Berlin, ka thënë se e ardhmja e Kosovës është në NATO dhe në Bashkimin Evropian. Sipas Presidentes Osmani, kjo nuk është vetëm një aspiratë e paluhatur e jona, por një interes strategjik për të gjithë rajonin dhe për vetë aleancën euroatlantike. Presidentja Osmani ka shkruar: E ardhmja e Kosovës është e rrënjosur në demokraci, e ndërtuar me miq, dhe e udhëhequr nga vlerat euroatlantike. Në Aspen Institute në Berlin, fola për Kosovën tonë si një shtet që, në vetë thelbin e ndërtimit të së ardhmes, ka përqafuar reformën dhe zbatimin e saj si rrugën e vetme drejt zhvillimit dhe konsolidimit demokratik. Por një gjë mbetet e palëkundur: e ardhmja e Kosovës është në NATO dhe në Bashkimin Evropian. Kjo nuk është vetëm një aspiratë e paluhatur e jona, por një interes strategjik për të gjithë rajonin dhe për vetë aleancën euroatlantike.
Video mesazhi i Presidentes Vjosa Osmani në ceremoninë hapëse të Festivalit të Teknologjisë DOKUTECH 2025
Presidentja Osmani mirëpriti delegacionin e Bordit Këshillues të Qeverisë britaneze të Iniciativës për Parandalim të Dhunës Seksuale gjatë luftës

Në muajin tetor, përderisa shënojmë 25 vjetorin e Agjendës për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, ku pjesë integrale është mbrojtja dhe fuqizimi i të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës dhe konfliktit, Presidentja Osmani mirëpriti në Prishtinë delegacionin e Bordit Këshillues të Qeverisë britaneze të Iniciativës për Parandalim të Dhunës Seksuale gjatë luftës. Në këtë delegacion kishte të mbijetuar nga vende të ndryshme të botës. Storjet mbi dhimbjen, gjetjen e forcës për ta tejkaluar atë dhe sukseset e të mbijetuarve të pranishëm, po aq sa na frymëzuan, krijuan diskutime dhe shkëmbim të ideve të reja për bashkëpunim. Zëri i të mbijetuarve të dhunës seksuale është jetik për dizajnim të politikave të qëndrueshme dhe efektive, në mënyrë që të sigurojmë mirëqenie të plotë për të gjithë dhe hapa konkret drejt realizimit të drejtësisë. Ky takim, i mbajtur në kuadër të punës së Qendrës Rajonale të Ekselencës për Gratë, Paqen dhe Sigurinë në Kosovë, është një nga aktivitetet e shumta që do të organizohen në vazhdimësi me fokus tek të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës dhe konfliktit.
Fjalimi i Presidentes Vjosa Osmani në manifestimin tradicional “ZBULIMI I HERSHËM – MBIJETESË”

Shumë të dashura gra, të cilat keni kaluar apo po kaloni betejën tuaj me kancerin e gjirit, I nderuar kryetar i Kuvendit, z. Basha, E nderuara nënkryetare, Të nderuar përfaqësues të institucioneve, Ambasadorë dhe përfaqësues të vendeve mike, Të dashur mjekë, infermierë dhe punonjës të kujdesit shëndetësor, Shumë e dashura, znj. Nafije Latifi, Motra e vëllezër, Tetori është muaji kur forca e grave vishet me ngjyrën e shpresës, me ngjyrën rozë. Është muaji kur kujtojmë, se çdo betejë e jetës mund të fitohet me dashuri, me kujdes dhe qëndresë. Në këtë muaj ne nuk flasim më vetëm për dhimbje, por flasim mbi të gjitha për guxim. Nuk flasim për sëmundje, por flasim për jetë. Sot jemi këtu për të nderuar kauzën dhe frymën. Frymën e grave që nuk u dorëzuan, që u përballën me frikën dhe e kthyen atë në forcë. Grave, që edhe në momentet më të vështira frymëzuan shpresë për veten, për familjet e tyre dhe për të gjitha gratë e Kosovës. Dua të filloj duke shprehur mirënjohjen tonë të thellë për shoqatën “Jeta Vita”, të udhëhequr nga znj. Nafije Latifi, për një punë të jashtëzakonshme që e kanë bërë për dekada të tëra, duke i dhënë zë grave anekënd Kosovës dhe duke e ngritur vetëdijen dhe rrjedhimisht edhe forcën tonë përballë kësaj sëmundjeje. Dua po ashtu të shpreh mirënjohjen më të thellë për mjekët, infermierët dhe të gjithë profesionistët shëndetësorë, që çdo ditë kujdesen me përkushtim për pacientët me kancer. Ju jeni mburoja e parë e shpresës së tyre, ndaj falë punës suaj të palodhur shumë gra sot janë histori suksesi. Prej kohës kur kam qenë Kryetare Kuvendi e sot edhe si Presidente kam pasur nderin që të punoj për së afërmi me secilin prej jush, në mënyrë që të bashkojmë forcat në përballjen me këtë sëmundje të qytetarëve tanë. Në çdo takim me gratë kemi mësuar diçka të re për forcën njerëzore, për besimin dhe për kuptimin e jetës. Prandaj, si Presidente e kam konsideruar detyrim moral e institucional të mbështesim çdo nismë që sjell lehtësim dhe shpresë për to. Kjo është pjesë e përkushtimit tonë të vazhdueshëm dhe mbështetje që e kemi nisur vite më parë e që nuk duhet të ndalet. Sepse, për çdo grua e çdo burrë që përballet me këtë sfidë ne duhet të jemi pranë jo vetëm me fjalë, por edhe me vepra konkrete. Sot më shumë se kurrë duhet ta ritheksojmë rëndësinë e diagnostikimit të hershëm. Çdo kontroll, çdo ekzaminim i rregullt është një mundësi për jetë. Sa më herët që të ndodh diagnostifikimi, aq më e madhe është shpresa për jetë. Kjo është arsyeja pse sërish dua t’i inkurajoj secilën grua, që mos të ketë frikë nga kontrolli. Sepse, nuk është frika ajo që shpëton jetën, por kontrolli mund të shpëtojë jetën kur ai ndodh herët. E di që kjo rrugë nuk është e lehtë. Kjo sëmundje kërkon guxim, kërkon përballje, kërkon përkrahje nga të gjithë që i kemi përreth dhe kërkon shumë dashuri. Por, dua të them sot me bindje të plotë: kanceri i gjirit nuk është fundi. Ai mund të jetë vetëm fillimi i një kapitulli shumë sfidues, por një kapitull që ju bën më të fortë dhe më të vetëdijshëm për jetën. Në çdo histori gruaja apo burri që ka kaluar betejën me kancer, ne shohim një shembull të jashtëzakonshëm të forcës njerëzore. Ato janë heroinat dhe heronjtë e heshtur të shoqërisë sonë. Është detyrë e jonë që zëri i tyre të dëgjohet, shembull i tyre të nderohet dhe përpjekja e tyre të mbështetet çdo ditë. Të nderuar të pranishëm, Tetori rozë nuk është vetëm një muaj për ndërgjegjësim, por një kujtesë për gjithë vitin, në mënyrë që asnjë grua të mos mbetet e vetme në këtë rrugëtim. Le ta kthejmë kujdesin për shëndetin e gjithë qytetarëve tanë në prioritet kombëtar. Le ta kthejmë dashurinë dhe solidaritetin në fuqi që shpëton jetë. Në fund dua t’ju them me zemër, të gjitha grave që po luftojnë: Ju nuk jeni vetëm! Ju keni një vend të veçantë, në zemrën e këtij vendi. Përderisa ka njerëz që kujdesen, institucione që mbështesin dhe shoqëri që bashkohet rreth kësaj kauze ka shpresë, ka jetë dhe ka fitore. Prandaj, në këtë Tetor Rozë le të jemi një zë, një zemër dhe një premtim. Se do të vazhdojmë të kujdesemi për veten, të diagnostikojmë herët, të mbështesim çdo grua e çdo burrë që përballet me këto sëmundje dhe të mos ndalemi kurrë, derisa secila betejë me kancerin të kthehet në histori suksesi. Le të vishemi me ngjyrën e shpresës, rozën jo vetëm në tetor, por edhe në ditë të tjera. Sepse, çdo ditë që jetojmë me dashuri, guxim dhe kujdes ndaj njëri-tjetrit është një ditë e fituar. Zoti i bekoftë të gjitha gratë që luftojnë, të gjitha nënat, motrat dhe bijat tona! Ju faleminderit!
Fjalimi i Presidentes Vjosa Osmani në Darkën e Lamës

I nderuar Kryetar i Kuvendit, E nderuara Nënkryetare, Shumë të nderuar ambasadorë të vendeve mike, Përfaqësues të institucioneve të sigurisë, të shoqërisë civile, të shoqatave të ndryshme, Mjekë, Sportistë, Shoqatat e familjeve të pagjeturve dhe organizata partnere, Miq të tokës, të traditës dhe të bereqetit, Nga toka fillon gjithçka: jeta, bereqeti dhe begatia. Toka ushqen çdo familje. Toka është rrënja që na mban të bashkuar çdo komb, dhe si e tillë është dëshmia më e qartë se puna dhe përkushtimi sjellin begatinë dhe suksesin. Sonte në këtë Darkë të Lamës, festën tonë tradicionale, ne nuk po festojmë thjesht fundin e një sezoni të punës, por njëkohësisht po nderojmë edhe vetë filozofinë jetësore të njeriut që jeton me tokën, që e punon tokën, që gëzon kur ajo jep fryt dhe që e falënderon Zotin për këtë fryt. Kjo Darkë e Lamës, e cila është nismë e Presidentit historik, dr. Ibrahim Rugova është ngjarje kulturore dhe kujtesë e lidhjes sonë me rrënjët tona, me dheun që na mban, me traditën që na mëson të jemi mirënjohës. Prandaj, sonte ne kujtojmë sërish urtësinë e Presidentit Rugova, i cili besonte se kombi forcohet me punë, me dije dhe me dashuri ndaj tokës që na ushqen. Në traditën tonë kulturore shprehje e çdoditshme është: Zoti ju dhashtë bereqet! Ky urim personifikon filozofinë e jetës dhe përmbledh në vete shpresën, mirënjohjen dhe lidhjen ndërmjet njeriut dhe natyrës. Është shprehja që ka kaluar brez pas brezi nga sofrat e fshatrave e qyteteve tona, tek oborret ku ruhej fara për vitin tjetër. Ashtu sikurse festa “Thanksgiving” në disa prej shteteve mike aleate, “Dita e Falënderimeve” pra, e cila kremtohet ndër të tjera edhe për të falënderuar për të korrat dhe begatinë, por edhe për gjithçka që jemi falënderues në jetën tonë. Edhe ne sonte në mënyrën tonë, me kulturën dhe shpirtin tonë, falënderojmë për bereqetin e këtij viti, për tokën tonë të bekuar që na mbushi hambaret dhe për duart e fermerëve tanë, që kanë punuar për bukën e vendit të tyre. Në shumë tregje evropiane ajvari i Grave të Krushës tashmë njihet si sinonim i shijes dhe i cilësisë së lartë. Verërat e Rahovecit apo Suharekës garojnë denjësisht me verërat e rajoneve më të njohura të Evropës. Rrushi, mjalti, shafrani, mollët, çajrat, frutat e maleve e shumë e shumë produkte tjera janë bërë ambasadorë të Kosovës dhe dëshmi e tokës sonë pjellore, mjeshtërisë së fermerëve tanë, si dhe përkushtimit për të kultivuar me dashuri dhe pasion. Këto produkte, përveçse mallra ekonomike janë tregim, një tregim për popullin tonë punëtor, i cili mundin e kthen në begati, e djersën në krenari! Të dashur miq, Bujqësia është një nga shtyllat e fuqizimit të shtetit. Çdo rendiment, çdo fermë, çdo prodhim bio që mbërrin në tregun tonë është një hap drejt pavarësisë sonë ekonomike. Sot, produktet bio nuk janë vetëm krenari e shtetit tonë, por një standard që po fiton gjithnjë e më shumë hapësirë e gjithnjë e më shumë respekt edhe në tregjet e tjera nëpër botë dhe në jetën e qytetarëve që zgjedhin të jetojnë shëndetshëm. Por, qytetarët tanë punëtorë nuk po dëshmohen vetëm me bujqësi e vetëm me zotësitë e tyre në këtë sektor. Në fakt, Kosova ka njerëz të vyeshëm në secilin sektor, të cilët me kontributin e tyre e bëjnë shtetin gjithnjë e më të fortë, gjithnjë e më të qëndrueshëm. Prandaj, në këtë Darkë të Lamës dua njëkohësisht të shpreh falënderimin dhe mirënjohjen time të thellë për secilin prej atyre, që e mbajnë këtë vend gjallë e krenar çdo ditë. Faleminderit nga zemra për të gjithë aleatët e Kosovës, që edhe sonte na janë bashkuar në këtë Darkë të Lamës, e të cilët qëndrojnë përherë pranë nesh në çdo sfidë. Respekt të pakufishëm për Policinë e Republikës së Kosovës, që me profesionalizëm e përkushtim ruan sigurinë e qytetarëve tanë. Për Forcën e Sigurisë së Kosovës, që me disiplinë e sakrificë është gardiane e Republikës sonë dhe pasqyra më e pastër e patriotizmit modern. Mirënjohje për zjarrfikësit tanë, që përballen me rrezikun për të shpëtuar jetë, por edhe për të shpëtuar tokën tonë. Për mjekët dhe infermierët, që na janë bashkuar sonte dhe shumë e shumë të tjerë, që po punojnë në shpëtim të jetës, të cilët çdo ditë mbajnë gjallë shpresën dhe kujdesin për shëndetin e njerëzve tanë. Falënderim me zemër për të gjitha shoqatat e dala nga lufta, për të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës, për shoqatat që ato i mbështesin çdo ditë dhe për guximin e dinjitetin me të cilin e kanë kthyer plagët në forcë. Për organizatat që mbrojnë të drejtat e grave, të drejtat e pacientëve, të drejtat e fëmijëve dhe në përgjithësi organizatat, që çdo ditë janë kampione për të drejtat e njeriut, e na kujtojnë se barazia është themel i lirisë. Nderim për sportistët tanë të suksesshëm, që e lartësojnë flamurin tonë në arenën ndërkombëtare. Për shoqatat, të cilat punojnë çdo ditë me ne që Kosova të ecën përpara. Për institucionet tona, që çdo ditë e mbrojnë demokracinë. Dhe po ashtu, siç e përmenda më herët, shoqatat e dala nga lufta e UÇK-së, të cilat ruajnë kujtesën e sakrificës dhe për shoqatat e familjeve të të zhdukurve me dhunë, që nuk ndalen kurrë në kërkim të drejtësisë. Një falënderim të veçantë edhe për shoqatat që merren me të drejtat e fëmijëve dhe shoqatat që merren me personat me nevoja të veçanta. Kemi këtu shoqatën Down Syndrome, shoqatat e Autizmit dhe shumë e shumë të tjera, që çdo ditë na kujtojnë se dashuria, përkushtimi dhe dinjiteti nuk njohin kufij. Sepse një shoqëri e fortë matet me mënyrën se si kujdeset për secilin prej anëtarëve të saj. Faleminderit për mësuesit, që çdo ditë sigurohen që sistemi ynë arsimor të ecën përpara, përfshirë për mësuesen time të parë, e cila na është bashkuar sonte këtu. Secili prej jush, secili prej jush është dëshmi e gjallë se Kosova është frymë që nuk dorëzohet. Dhe ky mosdorëzim reflektohet më së miri në fëmijët që sonte i kemi ftuar, të cilët janë