...

Fjalimi i Presidentes Osmani në pritjen e organizuar në Katedralen Shën Nënë Tereza në Prishtinë me rastin e Festës së Krishtlindjes

I nderuar Ipeshkëv i Kosovës, Imzot Dodë Gjergji, gëzuar edhe një herë për ju dhe gjithë të pranishmit,

Të nderuar përfaqësues të institucioneve,

Shumë të dashur të pranishëm,

Jam e lumtur që sonte, në natën e Krishtlindjes, në këtë festë dashurie, bashkimi dhe shprese jemi bërë bashkë në shtëpinë shpirtërore që mban emrin e shenjtores tonë, Nënë Terezës.

Në këtë natë festive rikujtojmë shembullin tonë më të madh të mirësisë, Gonxhen tonë, Nënë Terezën.

Nëna jonë e madhe iu kushtua njerëzimit, më të varfërve dhe mbi vuajtjet e tyre ndërtoi shëmbëlltyrën e shpresës, të dashurisë dhe të ndihmës së pakursyer.

Sonte, sipas shembullit të saj, ne nuk mjaftohemi vetëm duke uruar njëri-tjetrin për Krishtlindje, por reflektojmë thellë mbi atë që e bën këtë festë kaq të veçantë. Përtej dritave që vezullojnë dhe simbolizojnë shpresën, reflektojmë mbi bujarinë, solidaritetin dhe bashkimin tonë si komb dhe si shoqëri.

Krishtlindja është frymëzim që na kujton se edhe përballë sfidave duhet të triumfojë shpresa. Kjo festë na fton për respekt të ndërsjellë, ndaj familjes që na do pa kushte, ndaj miqve që na qëndrojnë pranë dhe bashkëkombësve tanë, me të cilët na lidhë gjuha, gjaku dhe shpresa e përbashkët.

Magjia e Krishtlindjes na bën sonte ta kthejmë vëmendjen edhe drejt atyre që janë larg, në shërbim, por mbi të gjitha drejt atyre që kanë më së shumti nevojë për kujdesin tonë. Prandaj, sipas shembullit të Shën Terezës, le të kujdesemi jo vetëm sonte, por gjatë gjithë vitit që vjen, për ata që presin ndihmën tonë dhe kanë nevojë për ngrohtësinë njerëzore.

Një buzëqeshje e sinqertë, një gjest dashurie, mund ta ndriçojë botën e dikujt dhe ta bëjë më të bukur edhe botën tonë.

Krishtlindja na kujton se drita gjithmonë e gjen rrugën përballë errësirës dhe se dashuria ka fuqinë që t`i transformojë njerëzit.

Kjo natë ka një domethënie edhe më të gjerë shpirtërore, por edhe historike për ne. Historia jonë e pasur është e gërshetuar me traditën tonë shpirtërore, ndër shekuj. Ndaj, sonte kujtojmë edhe Letrën që Apostulli Pal, u kishte drejtuar Romakëve ku shkruan se Ungjilli u shpall “nga Jerusalemi e deri në Iliri”, duke dëshmuar se këto troje kanë qenë pjesë e hershme e historisë së krishterimit.

Në këtë vazhdimësi historike qëndrojnë edhe figura madhore ilire sikurse Konstandini i Madh dhe Justiniani I, që të dy dardan, të cilët transformuan duke përqafuar krishterimin dhe duke i vendosur parimet e tij në të drejtën romake.

Pastaj, Shën Jeronimi ilir, përkthimi i të cilit i Shkrimeve të Shenjta i dha botës Biblën e Shenjtë. Papa Klementi, i njohur po ashtu si Papa Albani, trashëgimia e të cilit formësoi jo vetëm identitetin shpirtëror të Evropës, por edhe arkitekturën morale dhe juridike të qytetërimit perëndimor.

Në këtë natë të Krishtlindjes, s`ka si të mos i kujtojmë edhe martirët e parë katolikë, shenjtorët tanë Florin dhe Laurin nga Ulpiana. Me aktin e flijimit, ata dëshmuan besimin dhe lanë një trashëgimi që vazhdon të frymëzojë brezat.

Lidhja jonë e hershme me vlerat perëndimore na shpie tek kujtimi i kryetrimit “Atletit të Krishtit dhe Mbrojtësit të Krishterimit” – Princit të Arbërisë, Gjergj Kastrioti Skënderbeu, i cili me guxim dhe sakrificë mbrojti këto vlera që formësuan trashëgiminë tonë shpirtërore. Ky frymëzim historik gjen vazhdimësinë tek Presidenti historik Dr. Ibrahim Rugova, i cili në gusht të vitit 2005, gjatë vendosjes së gurthemelit të Katedrales, theksoi se kjo katedrale “do të jetë një shenjë e paqes, e dialogut dhe e respektit ndërmjet të gjithë qytetarëve tanë, duke shërbyer si një urë mes besimeve dhe kulturave tona”. Të dy figurat, ndonëse në kohë të ndryshme, janë të lidhur ngushtë me vlerat perëndimore, ndaj janë udhërrëfyes në vizionin tonë euroatlantik.

Trashëgimia e tyre dhe vizioni i tyre, së bashku me përkushtimin e vazhdueshëm ndaj njerëzimit, na frymëzojnë të ruajmë dhe të përforcojmë lidhjet shpirtërore, kulturore dhe diplomatike, duke ndërtuar një të ardhme ku paqja, drejtësia dhe solidariteti do të jenë vlera që na bashkojnë.

Në këtë vazhdimësi historike dhe shpirtërore, kam pasur nderin të pritem ditë më parë në audiencë private nga Shenjtëria e Tij, Papa Leoni XIV. Gjatë këtij takimi, i përcolla sërish urimet më të përzemërta për fillimin e misionit të tij dhe ftesën e përzemërt për një vizitë në Republikën e Kosovës. Në këtë frymë, biseduam edhe për rolin e Kosovës, tokës sonë dardane, si një vend që ka ndërtuar paqe dhe harmoni ndërfetare mbi përvojën historike të qëndresës, sakrificës dhe mbijetesës sonë.

Kosova mbetet e përkushtuar për t’i forcuar marrëdhëniet me Selinë e Shenjtë dhe për ta avancuar miqësinë tonë historike, duke u udhëhequr nga vlerat që na bashkojnë: paqja, dinjiteti njerëzor, solidariteti dhe respekti i ndërsjellë.

Të dashur miq,

Në këtë natë Krishtlindjeje, le të kujtojmë se drita e shpresës dhe dashuria për të tjerët janë ato që mund të transformojnë botën përreth nesh. Le t`i hapim zemrat dhe shtëpitë tona, jo vetëm për gëzim dhe festë, por edhe për mirësi, përkujdesje dhe solidaritet.

Le të marrim frymëzim nga shembulli i Nënë Terezës dhe të gjitha figurave tona historike, duke e përhapur dashurinë dhe shpresën tek të tjerët, duke i mbajtur të gjalla traditat dhe vlerat tona.

Qofshin ditët tuaja të mbushura me paqe, shëndet, gëzim dhe dashuri të pakufishme.!

Për shumë mot, gëzuar Krishtlindjen dhe një Vit të Ri plot bekime për të gjithë!

Ky postim është gjithashtu i disponueshëm në gjuhë: EN SR

This site is registered on wpml.org as a development site.