Presidentja Osmani: Darka e Lamës është festë e falënderimit dhe mirënjohjes

Nën organizimin e Presidentes së Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, mbrëmë u mbajt Darka tradicionale e Lamës, në prani të ambasadorëve të vendeve mike, si dhe përfaqësuesve të institucioneve shtetërore dhe të jetës shoqërore. Në fjalën e saj para të pranishmëve, Presidentja Osmani theksoi se toka është rrënja që mban çdo komb të bashkuar dhe dëshmia më e qartë se puna dhe përkushtimi sjellin begatinë dhe suksesin. Presidentja Osmani kujtoi se kjo Darkë është nismë e Presidentit historik, Dr. Ibrahim Rugova, dhe njëkohësisht shprehje e urtësisë së tij se kombi forcohet me punë, dije dhe dashuri ndaj tokës që na ushqen. Më tej, Presidentja Osmani vuri në pah sukseset e prodhimeve vendore që tashmë njihen edhe jashtë Kosovës, si ajvari i grave të Krushës, verërat e Rahovecit e Suharekës, si dhe rrushi, mjalti, frutat, çajrat, e shumë produkte të tjera, duke theksuar se këto produkte nuk janë vetëm mallra ekonomike, por edhe tregim i punës, pasionit dhe përkushtimit të njerëzve të Kosovës. Në përmbyllje, Presidentja theksoi se Darka e Lamës është më shumë se një festë e bereqetit është një moment reflektimi dhe falënderimi për punën, bashkimin dhe shpirtin e mirënjohjes që e karakterizon popullin e Kosovës. Ajo shprehi mirënjohje për aleatët që qëndruan gjithnjë pranë nesh, për institucionet e sigurisë që mbrojnë sovranitetin e vendit dhe sigurinë e qytetarëve, për punonjësit shëndetësor e arsimor, organizatat e të drejtave të njeriut dhe shume përfaqësues të tjerë të cilët u mblodhën për ta festuar këtë traditë të lashtë të popullit tonë. “Darka e Lamës është një festë e mirënjohjes ndaj: punëtorit, fermerit, ndaj begatisë, ndaj natyrës që na fal, dhe ndaj Zotit që na jep bekim. Është moment për të kujtuar se fuqia e një kombi nuk matet vetëm me numrat në ekonomi, por me lidhjen shpirtërore që ai ka me tokën e vet dhe me traditën”, ka theksuar Presidentja Osmani.
Presidentja: Tetori rozë është muaji kur kujtojmë se çdo betejë e jetës mund të fitohet me dashuri, kujdes dhe qëndresë

Nën patronatin e Presidentes së Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, në kuadër të Muajit Ndërkombëtarë të Luftës Kundër Kancerit të Gjirit, së bashku me Qendrën Kosovare për Luftimin e Kancerit të Gjirit “JETA/VITA”, u mbajt manifestimi tradicional informativo-kulturor me moton “ZBULIMI I HERSHËM – MBIJETESË”. Presidentja Osmani ka shkruar: Bashkë me gratë e burrat që kanë mbijetuar kancerin, me aktivistet, mjekët dhe infermierët që kujdesen çdo ditë për ta, u bëmë bashkë sot në marshin për Tetorin Rozë 🎀 për të treguar se përbashkimi shndërrohet në shpresë. Tetori rozë është muaji kur kujtojmë se çdo betejë e jetës mund të fitohet me dashuri, kujdes dhe qëndresë. Sot, sikur çdo vjet, jemi bashkuar për ta dërguar një mesazh të fuqishëm: le ta mbështesim çdo grua e burrë dhe të mos ndalemi kurrë derisa çdo betejë me kancerin të shndërrohet në histori suksesi.
Presidentja Osmani priti në takim Kryemyftiun e Kosovës, Naim Tërnava

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, priti sot në takim Kryemyftiun e Bashkësisë Islame të Kosovës, Naim Tërnava, me të cilin diskutoi për angazhimin e BIK-ut në forcimin e pozitës ndërkombëtare të shtetit, traditën e tolerancës ndërfetare dhe nevojën për vazhdimin e kultivimit të saj. Presidentja Osmani vlerësoi lart kontributin e Bashkësisë Islame të Kosovës në kultivimin e harmonisë ndërfetare, e cila përbën një nga vlerat më të çmuara të shoqërisë kosovare dhe një model i dallueshëm në rajon. Ajo theksoi se bashkëpunimi ndërmjet institucioneve shtetërore dhe bashkësive fetare është thelbësor për një shoqërie të drejtë dhe gjithëpërfshirëse.
Presidentja: Në Klinikën e Onkologjisë, për të katërtin vit me radhë, i dhuruam pakot onkologjike për gratë që janë përballur në betejën me kancerin e gjirit

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani për të katërtin vit me radhë, ka dhuruar pakot onkologjike për gratë që janë përballur në betejën me kancerin e gjirit. Presidentja Osmani ka shkruar: Nga dhimbja drejt forcës, nga frika drejt shpresës! Në Klinikën e Onkologjisë, për të katërtin vit me radhë, i dhuruam pakot onkologjike për gratë që janë përballur në betejën me kancerin e gjirit. Ky donacion prej 640 pakosh është një mbështetje dhe inkurajim për secilën grua që ka luftuar me dinjitet, e një kujtesë se pas çdo plage ka jetë, shpresë dhe rifillim. Mbështetja për gratë e prekura nga kanceri nuk është veprim i një dite, por një angazhim i përhershëm për dinjitetin, barazinë dhe shëndetin e tyre! Në këtë kauzë, bashkëpunojmë çdo ditë me shoqatën Jeta/Vita dhe Zonjën Nafije, si dhe me gjithë personelin shëndetësor të cilët po bëjnë një punë të jashtëzakonshme. Në çdo pako onkologjike ka një mesazh të qartë: Ti nuk je vetëm! Ti je e fortë! Ti mundesh!
Presidentja Osmani pranoi letrat kredenciale nga ambasadori i ri i Gjermanisë, Rainer Rudolph

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, pranoi sot letrat kredenciale nga ambasadori i ri i Republikës Federale të Gjermanisë, Rainer Rudolph. Presidentja Osmani i uroi ambasadorit Rudolph mirëseardhje dhe suksese në angazhimin e tij diplomatik në Kosovë, duke shprehur mirënjohjen e thellë të popullit të Kosovës për mbështetjen e pandërprerë të Gjermanisë në të gjitha fazat e shtetndërtimit dhe forcimit të pozitës ndërkombëtare të vendit tonë. Në këtë kontekst, Presidentja Osmani theksoi se Gjermania ka qenë dhe mbetet një aleate e fuqishme e Kosovës dhe një mbështetëse e palëkundur në procesin e anëtarësimit të Kosovës në Bashkimin Evropian dhe në NATO. Gjatë takimit, u theksua rëndësia e forcimit të mëtejshëm të bashkëpunimit ekonomik, si dhe kontributi i çmuar i mërgatës sonë në Gjermani, e cila përmes angazhimit dhe investimeve të saj po forcon lidhjet mes dy vendeve dhe popujve tanë. Presidentja Osmani shprehu bindjen se partneriteti i ngushtë ndërmjet dy vendeve do të vazhdojë të thellohet në fusha të ndryshme me interes të ndërsjellë gjatë mandatit të ambasadorit.
Presidentja Osmani priti në takim Presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, priti sot në takim Presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen. Gjatë takimit, Presidentja Osmani theksoi përkushtimin e Republikës së Kosovës ndaj agjendës së reformave në kuadër të Planit të Rritjes, duke nënvizuar rëndësinë e zbatimit të tyre dhe bashkëpunimit të ngushtë me Bashkimin Evropian në këtë proces. Tani që Kuvendi është konstituuar, Presidentja shprehi pritjet e saj që miratimi i Planit të Rritjes të jetë ndër vendimet e para të Kuvendit. Presidentja Osmani theksoi se reformat e suksesshme dhe përparimi i vazhdueshëm i Kosovës në indekset ndërkombëtare të demokracisë dhe sundimit të ligjit janë dëshmi e qartë e përkushtimit të vendit tonë ndaj integrimit evropian. Në këtë kontekst, ajo ritheksoi rëndësinë që Kosovës t’i jepet statusi i vendit kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian, duke gjetur mënyra për thyerjen e bllokadës aktuale që ekziston në BE. Në takim, Presidentja Osmani po ashtu theksoi domosdoshmërinë e heqjes së masave të padrejta ndaj Kosovës, duke rikujtuar se edhe vetë Komisioni Evropian ka konfirmuar se këto masa duhet të hiqen, që nga propozimi i Përfaqësuesit të Lartë të BE-së në qershor 2024. Duke folur për përpjekjet e Kosovës drejt përafrimit me Bashkimin Evropian, Presidentja Osmani theksoi se mbështetja e Komisionit Evropian në këtë proces mbetet thelbësore. Ajo ritheksoi përkushtimin e popullit të Kosovës, popullit më pro-evropian në botë, për të ardhmen evropiane të vendit tonë. Përveç kësaj, Presidentja ngriti gjithashtu çështjen e rritjes së bashkëpunimit me BE-në për të mbështetur sektorin e shëndetësisë në Kosovë, si një domosdoshmëri për zhvillimin e vendit dhe ngritjen e cilësisë së jetës për të gjithë qytetarët e Kosovës. Përgjatë takimit u diskutua për procesin e formimit të qeverisë pas konstituimit të Kuvendit, si dhe për zhvillimin e zgjedhjeve lokale, një ushtrim i rëndësishëm demokratik që edhe një herë dëshmoi profesionalizmin e institucioneve tona dhe përkushtimin e qytetarëve ndaj demokracisë. Ajo gjithashtu shprehu shqetësimin për ndërhyrjet e vazhdueshme dhe të paligjshme të Serbisë në proceset zgjedhore në Kosovë, janë veprime destabilizuese që bien ndesh me të drejtën ndërkombëtare.
Presidentja Osmani takoi dje Presidentin e Asamblesë Parlamentare të NATO-s, z. Marcos Perestrello

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani është takuar dje me Presidentin e Asamblesë Parlamentare të NATO-s, z. Marcos Perestrello. Presidentja Osmani ka shkruar: Dje takova Presidentin e Asamblesë Parlamentare të NATO-s, z. Marcos Perestrello. E falënderova për nominimin e tij për Çmimin per ‘Gratë, Paqen dhe Sigurinë’ si dhe vendimin e Asamblesë Parlamentare që të më ndajë këtë vlerësim, i cili njëkohësisht është edhe vlerësim për të gjitha gratë e Kosovës. Diskutuam për rolin në rritje të Kosovës në Asamblenë Parlamentare të NATO-s, pas vendimit për avancimin e statusit tonë në anëtare të asociuar – një hap i rëndësishëm përpara në rrugëtimin tonë euroatlantik. Rikonfirmova se Kosova do të shfrytëzojë plotësisht këtë mundësi si pjesë e aspiratës sonë më të gjerë për anëtarësim në NATO, që mbetet njëkohësisht prioritet i politikës sonë të jashtme dhe çështje e rëndësisë së veçantë për sigurinë kombëtare.
Presidentja Osmani u prit në takim zyrtar nga Presidentja e Sllovenisë, Nataša Pirc Musar

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, u prit në një takim zyrtar nga Presidentja e Sllovenisë, Nataša Pirc Musar, gjatë vizitës së saj njëditore në Lubjanë. Gjatë takimit, u diskutua për marrëdhëniet e shkëlqyera ndërmjet Kosovës dhe Sllovenisë, si dhe për mundësitë e thellimit të bashkëpunimit në fushat me interes të përbashkët, me theks të veçantë në rrugëtimin euroatlantik të Kosovës. Presidentja Osmani shprehu mirënjohjen e thellë të popullit të Kosovës për mbështetjen e vazhdueshme të Sllovenisë ndaj vendit tonë dhe për kontributin e saj në forcimin e paqes dhe sigurisë në rajon.
Fjalimi i sotëm i Presidentes Osmani pas pranimit të Çmimit për Gratë, Paqen dhe Sigurinë nga Asambleja Parlamentare e NATO-s në Lubjanë

Asambleja Parlamentare e NATO-s i ndanë Presidentes Osmani Çmimin për Gratë, Paqen dhe Sigurinë

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, është nderuar sot me Çmimin e Asamblesë Parlamentare të NATO-s për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, një vlerësim që nderon lidershipin, kontributin dhe angazhimin e grave që kanë avancuar paqen, sigurinë dhe demokracinë në vendet e tyre dhe në mbarë botën. Duke e pranuar këtë çmim, Presidentja Osmani u shpreh se ky është “një nder i veçantë dhe një çmim që i dedikohet popullit të Kosovës, e në veçanti të gjitha grave të Kosovës, atyre që me guxim, dinjitet e dashuri ndihmuan ndërtimin e paqes dhe arritjen e lirisë sonë”. “Paqja jonë është ndërtuar mbi sakrificën dhe guximin e tyre, ndërsa demokracia jonë është forcuar falë përkushtimit të grave që qëndruan të palëkundura në çdo hap të rrugëtimit tonë drejt lirisë e barazisë”, theksoi Presidentja Osmani. Mëtej Presidentja Osmani theksoi se vlerësimi nga Asambleja Parlamentare e NATO-s është edhe njohje për përpjekjet e Kosovës në avancimin e Agjendës për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, përmes Forumit Ndërkombëtar për Gratë, Paqen dhe Sigurinë dhe Qendrës Rajonale të Ekselencës, që tashmë Presidenca e Republikës i ka shndërruar në platforma të rëndësishme të bashkëpunimit rajonal e ndërkombëtar. Ky çmim i lartë ndërkombëtar, përveç që vlerëson lidershipin e Presidentes Osmani, e vendos Kosovën ndër vendet model në botë për përfshirjen e grave në ndërtimin e paqes, forcimin e institucioneve demokratike dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut. Presidentja Osmani është liderja e parë nga Evropa Juglindore që nderohet me këtë çmim.