Asambleja Parlamentare e NATO-s i ndanë Presidentes Osmani Çmimin për Gratë, Paqen dhe Sigurinë

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, është nderuar sot me Çmimin e Asamblesë Parlamentare të NATO-s për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, një vlerësim që nderon lidershipin, kontributin dhe angazhimin e grave që kanë avancuar paqen, sigurinë dhe demokracinë në vendet e tyre dhe në mbarë botën. Duke e pranuar këtë çmim, Presidentja Osmani u shpreh se ky është “një nder i veçantë dhe një çmim që i dedikohet popullit të Kosovës, e në veçanti të gjitha grave të Kosovës, atyre që me guxim, dinjitet e dashuri ndihmuan ndërtimin e paqes dhe arritjen e lirisë sonë”. “Paqja jonë është ndërtuar mbi sakrificën dhe guximin e tyre, ndërsa demokracia jonë është forcuar falë përkushtimit të grave që qëndruan të palëkundura në çdo hap të rrugëtimit tonë drejt lirisë e barazisë”, theksoi Presidentja Osmani. Mëtej Presidentja Osmani theksoi se vlerësimi nga Asambleja Parlamentare e NATO-s është edhe njohje për përpjekjet e Kosovës në avancimin e Agjendës për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, përmes Forumit Ndërkombëtar për Gratë, Paqen dhe Sigurinë dhe Qendrës Rajonale të Ekselencës, që tashmë Presidenca e Republikës i ka shndërruar në platforma të rëndësishme të bashkëpunimit rajonal e ndërkombëtar. Ky çmim i lartë ndërkombëtar, përveç që vlerëson lidershipin e Presidentes Osmani, e vendos Kosovën ndër vendet model në botë për përfshirjen e grave në ndërtimin e paqes, forcimin e institucioneve demokratike dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut. Presidentja Osmani është liderja e parë nga Evropa Juglindore që nderohet me këtë çmim.

Presidentja Osmani udhëton zyrtarisht në Slloveni, e ftuar speciale e Asamblesë Parlamentare të NATO-s

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka udhëtuar sot për në Slloveni, ku do të marrë pjesë në Asamblenë Parlamentare të NATO-s, që po mbahet në Lubjanë. Presidentja Osmani është e ftuar speciale në këtë sesion nga Presidenti i Asamblesë Parlamentare të NATO-s, Marcos Perestrello. Gjatë vizitës njëditore në Slloveni, Presidentja Osmani do të zhvillojë një takim bilateral me Presidenten e Republikës së Sllovenisë, Nataša Pirc Musar. Po ashtu, gjatë qëndrimit në Lubjanë, Presidentja Osmani do të marrë pjesë në pritjen zyrtare të organizuar për nder të sesionit të Asamblesë Parlamentare nga Kryetarja e Asamblesë Kombëtare të Sllovenisë, Urška Klakočar Zupančič. Presidentja Osmani do të zhvillojë edhe takime të tjera gjatë këtij sesioni të Asamblesë Parlamentare të NATO-s.

Presidentja: Kjo është dita kur zëri i qytetarëve bëhet forcë politike dhe përgjegjësi demokratike

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, në zgjedhjet lokale ka votuar në qendrën e votimit në Fakultetin Teknik, në Prishtinë. Presidentja Osmani ka shkruar: Sot Kosova voton! Kjo është dita kur zëri i qytetarëve bëhet forcë politike dhe përgjegjësi demokratike. Qytetarët tanë vendosin për kryetarët e komunave dhe anëtarët e kuvendeve komunale, njerëzit që do të udhëheqin zhvillimin, mirëqenien dhe jetën e përditshme në secilën komunë të Republikës së Kosovës. Demokracia jonë forcohet kur qytetarët e Kosovës flasin përmes votës!

Presidentja Osmani mandaton z. Albin Kurti për formimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, në mbështetje të kompetencave të saj kushtetuese, ka nënshkruar sot Dekretin, me të cilin mandaton z. Albin Kurti për formimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës. Ky vendim është marrë pas propozimit zyrtar të partisë Lëvizja Vetëvendosje, e cila ka fituar numrin më të madh të ulëseve në Kuvend nga rezultatet e zgjedhjeve të mbajtura me 9 shkurt të këtij viti. Sipas Kushtetutës, mandatari për formimin e Qeverisë, z. Kurti, është i obliguar që jo më vonë se pesëmbëdhjetë (15) ditë nga dita e dekretimit, t’i paraqesë Kuvendit të Republikës së Kosovës përbërjen dhe programin e Qeverisë për miratim. Presidentja i ka uruar suksese z.Kurti, kryeministër në detyrë, me shpresën që Republika e Kosovës sa më parë të ketë Qeveri me mandat të plotë kushtetues.

Presidentja Osmani mori pjesë në Festivalin dhe Panairin e Librit për Fëmijë

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka marrë pjesë në Festivalin dhe Panairin e Librit për Fëmijë. “Një ngjarje e mrekullueshme mes lexuesve të vegjël, në Festivalin dhe Panairin e Librit për Fëmijë, organizuar nga ETEA dhe botuesit e librave për fëmijë”, ka shkruar Presidentja Osmani.

Presidentja Osmani priti në takim Kryetarin e KQZ-së, Kreshnik Radoniqi

Në prag të zgjedhjeve lokale që do të mbahen këtë të diel në të gjitha komunat e Republikës së Kosovës, Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, priti në takim Kryetarin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, z. Kreshnik Radoniqi. Presidentja Osmani theksoi rëndësinë e zhvillimit të një procesi zgjedhor të qetë, të rregullt dhe me integritet të plotë, si themel i demokracisë dhe i besimit të qytetarëve në institucionet e vendit. Në këtë takim, Presidentja Osmani vuri theks të veçantë tek ndërhyrjet e drejtpërdrejta që po bën Serbia në zgjedhjet lokale, një dukuri e përsëritur ndër vite, e cila po manifestohet përmes blerjes së votës, ndërhyrjeve të jashtme, frikësimit dhe dhunës. Me këtë rast, Presidentja dënoi ashpër ndërhyrjet e Beogradit zyrtar, duke bërë thirrje për angazhim të plotë në mbrojtje të integritetit të procesit zgjedhor. Ajo gjithashtu u bëri apel të gjithë akterëve politikë dhe institucionalë, si dhe atyre ndërkombëtarë, që të kontribuojnë në mbrojtjen e votës së lirë dhe të dënojnë çdo akt të jashtëligjshëm që cenon vullnetin demokratik të qytetarëve të Republikës së Kosovës.

Presidentja: FSK-ja, Forcë që nderon flamurin dhe frymëzon kombin!

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka thënë se Forca e Sigurisë së Kosovës ka shkëlqyer në një nga garat më të vështira ushtarake në botë, “Cambrian Patrol” në Mbretërinë e Bashkuar. Presidentja Osmani ka shkruar: FSK-ja, Forcë që nderon flamurin dhe frymëzon kombin! Forca e Sigurisë së Kosovës ka shkëlqyer në një nga garat më të vështira ushtarake në botë, “Cambrian Patrol” në Mbretërinë e Bashkuar, duke u dekoruar me Medaljen e Argjendtë në mesin e 118 ekipeve nga mbarë bota. Ekipi ynë nga Regjimenti i Dytë i Këmbësorisë tregoi disiplinë, qëndrueshmëri dhe përkushtim shembullor, duke e vendosur emrin e Kosovës në piedestalin e nderit ndërkombëtar. Me FSK-në, Kosova e fortë dhe krenare gjithnjë!

Presidentja Osmani priti në takim të ngarkuarën me punë të SHBA-ve, Anu Prattipati

Presidentja Vjosa Osmani priti në takim të ngarkuarën me punë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, znj. Anu Prattipati. Në takim u diskutua për zhvillimet e fundit në vend, për aspekte të ndryshme të bashkëpunimit dypalësh, si dhe për pritshmëritë rreth funksionalizimit të plotë të institucioneve, pas Aktgjykimit të fundit të Gjykatës Kushtetuese. Presidentja Osmani dhe znj. Prattipati diskutuan gjithashtu për takimet dhe bisedat e zhvilluara me Presidentin e SHBA-ve, Donald J. Trump, dhe me zyrtarë të tjerë të lartë amerikanë gjatë Javës së Nivelit të Lartë të Kombeve të Bashkuara, që u mbajt në Nju Jork.

Presidentja: President Gianni Infantino, Kosova do ta kujtojë gjithmonë që qëndruat përkrah nesh në kohë vendimtare

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka thënë se Kosova do ta kujtojë gjithmonë faktin që Presidenti Gianni Infantino qëndroi përkrah nesh në kohë vendimtare. Presidentja Osmani ka shkruar: President Gianni Infantino, Kosova do ta kujtojë gjithmonë që qëndruat përkrah nesh në kohë vendimtare. Ju besuat në potencialin tonë dhe në fuqinë bashkuese të sportit, në një kohë kur vetë besimi kërkonte guxim! Një mik i vërtetë i futbollit. Një mik i vërtetë i Kosovës.

This site is registered on wpml.org as a development site.