Presidentja: Nder i veçantë që sot, në emër të popullit të Kosovës, ta nderoj me Medalje Presidenciale të Meritave Presidentin e FIFA-s, Gianni Infantino

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, në një ceremoni të veçantë e ka dekoruar me Medaljen Presidenciale të Meritave, Presidentin e FIFA-s, Gianni Infantino. Presidentja Osmani ka shkruar: Nder i veçantë që sot, në emër të popullit të Kosovës, ta nderoj me Medalje Presidenciale të Meritave Presidentin e FIFA-s, Gianni Infantino, një mik i vërtetë i vendit tonë dhe i futbollit që bashkon njerëzit përtej kufijve. Faleminderit, President Infantino, që qëndruat me ne si në triumfe, ashtu edhe në sfida. Kosova do të jetë përherë mirënjohëse!
Ceremonia e dekorimit të Presidentit të FIFA-s, Gianni Infantino
Presidentja Vjosa Osmani priti në takim komandantin e ri të KFOR-it, gjeneralmajor Özkan Ulutaş

Pas marrjes së detyrës së komandantit të KFOR-it, Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur dje në takim gjeneralmajor Özkan Ulutaş. Me këtë rast, Presidentja Osmani e uroi për marrjen e detyrës së komandantit të KFOR-it dhe për rikthimin e tij në Kosovë duke shprehur besimin e plotë për vazhdim të bashkëpunim të ngushtë në funksion të përmbushjes së synimeve të përbashkëta për paqen dhe sigurinë në Kosovë dhe rajon. Në këtë frymë, ajo ritheksoi mirënjohjen e saj për angazhimin dhe përkushtimin e të gjithë ushtarakëve që shërbejnë në kuadër të KFOR-it. Duke diskutuar për zhvillimet në fushën e sigurisë, si dhe kërcënimet që vijnë nga Serbia, përfshirë kërcënimet me fokus të veçantë te përdorimi i dronëve, Presidentja potencoi rëndësinë e koordinimit dhe bashkëpunimit të KFOR-it me institucionet tona të sigurisë me qëllim të parandalimit të taktikave destabilizuese të Serbisë.
Presidentja Osmani priti në takim Ministren e Drejtësisë të Belgjikës, znj. Annelies Verlinden, dhe Ministren e Azilit dhe Migrimit, znj. Anneleen Van Bossuyt

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur sot në takim Ministren e Drejtësisë të Belgjikës, znj. Annelies Verlinden, dhe Ministren e Azilit dhe Migrimit, znj. Anneleen Van Bossuyt. Në takim u diskutua për marrëdhëniet e shkëlqyera dypalëshe ndërmjet Kosovës dhe Belgjikës, për bashkëpunimin në fushën e drejtësisë, sigurisë, sundimit të ligjit, si dhe për procesin e integrimit evropian dhe bashkëpunimin në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes. Presidentja Osmani shprehu mirënjohjen e thellë për mbështetjen e vazhdueshme të Belgjikës ndaj Kosovës dhe theksoi se Belgjika mbetet një nga partneret më të besueshme dhe më parimore të Kosovës në rrugën drejt Bashkimit Evropian dhe NATO-s. Në këtë kontekst, Presidentja Osmani theksoi rëndësinë e përshpejtimit të procesit të integrimit evropian të Kosovës, duke nënvizuar se institucionet e vendit janë plotësisht të përkushtuara në zbatimin e reformave që forcojnë demokracinë, sundimin e ligjit dhe llogaridhënien. Ajo theksoi se qytetarët e Kosovës janë ndër më proevropianët në kontinent dhe se heqja e masave të BE-duhet të ndodh sa më shpejtë dhe se do të ishte një hap i drejtë për rimëkëmbjen e besimit dhe avancimin e agjendës evropiane të vendit. Në këtë kontekst, në raport me rrugën e Kosovës për integrim në BE, Presidentja Osmani shtroi nevojën që Belgjika ta marrë rolin udhëheqës për ta shtyrë përpara aplikimin e Kosovës në BE. Presidentja Osmani vuri në pah rezultatet e prekshme në fushën e sundimit të ligjit dhe drejtësisë, përfshirë luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar, që janë vlerësuar pozitivisht nga partnerët ndërkombëtarë. Sipas Presidentes Osmani, bashkëpunimi i ngushtë në mes Kosovës dhe Belgjikës në drejtësi, siguri dhe mbrojtje është model i partneritetit evropian që forcon paqen, stabilitetin dhe perspektivën e përbashkët.
Presidentja Osmani priti në takim Ministren Federale të Austrisë për Evropë, Integrim dhe Familje, znj. Claudia Plakolm, dhe Sekretaren e Shtetit të Sllovenisë për Çështje Evropiane, znj. Neva Grašič

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, priti sot në takim Ministren Federale të Austrisë për Evropë, Integrim dhe Familje, znj. Claudia Plakolm, si dhe Sekretaren e Shtetit të Sllovenisë për Çështje Evropiane, znj. Neva Grašič. Në takim u diskutua për marrëdhëniet e shkëlqyera të Kosovës me Austrinë dhe Slloveninë. Presidentja Osmani i falënderoi për mbështetjen ndaj Kosovës, si dhe për angazhimin në promovimin e stabilitetit rajonal. Më tej, Presidentja Osmani theksoi progresin e Kosovës në zbatimin e reformave evropiane dhe kërkoi përkrahjen e Austrisë dhe Sllovenisë për heqjen e masave kufizuese të BE-së, duke i cilësuar ato të pajustifikuara në raport me arritjet e vendit. Po ashtu, Presidentja Osmani tha se shpreson se këto dy vende mike do të jenë ndër zërat më të fuqishëm për të shtyrë përpara aplikimin e Kosovës për shtet kandidat të BE-së, ashtu siç e kanë vepruar me disa shtete të rajonit më parë. Në fund, Presidentja Osmani nënvizoi se Kosova mbetet plotësisht e përkushtuar ndaj vlerave evropiane të demokracisë, barazisë dhe të drejtave të njeriut, ndërsa miqësia dhe partneriteti me Austrinë dhe Slloveninë janë shtylla të rëndësishme të politikës së jashtme të vendit.
Presidentja: Republika e Kosovës, në mesin e shteteve të rajonit, e palëkundur në përkushtimin për integrim euro-atlantik

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka marrë pjesë sot në Samitin e Bërdo- Brijunit, në Shqipëri. “Samiti i Bërdo- Brijunit, sot në Shqipëri. Republika e Kosovës, në mesin e shteteve të rajonit, e palëkundur në përkushtimin për integrim euro-atlantik”, ka shkruar Presidentja Osmani.
Presidentja Osmani merr pjesë në Samitin e liderëve të rajonit Brdo- Brijuni në Durrës

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka udhëtuar për në Shqipëri, për të marrë pjesë në Samitin e liderëve të rajonit në Durrës, në kuadër të Iniciativës Brdo-Brijuni. Samiti Brdo-Brijuni organizohet nga presidentët e Sllovenisë dhe Kroacisë, Nataša Pirc Musar dhe Zoran Milanović, ndërkaq do të drejtohet nga presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, si nikoqir i takimit në Durrës. Me temë: “Interesa të përbashkëta, angazhim i përbashkët për një të ardhme të përbashkët: Së bashku drejt BE-së”, takimi i këtij viti do të fokusohet në perspektivën evropiane të vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe në forcimin e bashkëpunimit rajonal, me fokus në Planin e Rritjes së Rajonit të propozuar nga Bashkimi Evropian. Iniciativa Brdo-Brijuni, synon të nxisë bashkëpunimin rajonal dhe t`i lehtësojë përpjekjet e vendeve të rajonit në rrugën e tyre drejt Bashkimit Evropian.
Fjalimi i Presidentes Osmani në ceremoninë e ndërrimit të Komandës së KFOR-it
Qendra Rajonale e Ekselencës për Gratë, Paqen dhe Sigurinë në Kosovë mirëpret në takim organizatën me seli në SHBA, Our Secure Future

Qendra Rajonale e Ekselencës për Gratë, Paqen dhe Sigurinë në Kosovë zhvilloi takim me organizatën amerikane, Our Secure Future. Këshilltarja e Presidentes Osmani, njëherazi koordinatore e Qendrës së Ekselencës, Dora Musa, dhe ekspertja e jashtme, Adelina Hasani, diskutuan për progresin dhe sfidat mbi Agjendën për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, krahas punës që Qendra po zhvillon në vazhdimësi. Organizata Our Secure Future, e përfaqësuar nga nënkryetarja Sahana Dharmapuri, dhe zyrtarë të tjerë të organizatës në fjalë, prezantuan punën dhe arritjet e tyre anë e mbanë botës. Duke konsideruar situatën aktuale të sigurisë, palët shkëmbyen ide mbi veprimet e nevojshme globale për avancim efektiv të Agjendës për Gratë, Paqen dhe Sigurinë.
Presidentja Osmani priti në takim Admiralin Stuart B. Munsch, Komandant i Komandës së Forcave të Përbashkëta Aleate të NATO-s në Napoli

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka zhvilluar sot një takim me Admiral Stuart B. Munsch, Komandant i Komandës së Forcave të Përbashkëta Aleate të NATO-s në Napoli. Gjatë takimit, Presidentja Osmani vlerësoi lartë rolin e KFOR-it dhe angazhimin e parreshtur për garantim të paqes dhe sigurisë për qytetarët e Kosovës, ndaj në këtë kontekst, ritheksoi se marrëdhënia ndërmjet institucioneve të sigurisë së Kosovës dhe KFOR-it është jetike për misionin e përbashkët të stabilitetit dhe sigurisë në vend. Presidentja theksoi gjithashtu se Kosova mbetet plotësisht e përkushtuar në rrugën e saj euroatlantike, duke ndërtuar Forcën e Sigurisë së Kosovës sipas standardeve të NATO-s dhe duke përmbushur të gjitha zotimet ndaj Aleancës. Në takim, Presidentja Osmani vuri në pah sfidat e sigurisë në veri të vendit dhe kërcënimet e vazhdueshme nga Serbia, duke theksuar rëndësinë e rolit të KFOR-it si faktor i rëndësishëm për parandalimin e eskalimeve dhe ruajtjen e paqes. Presidentja Osmani shprehu mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme të NATO-s dhe vendosmërinë e Kosovës për të qenë një partner i besueshëm dhe aktiv i botës demokratike.