...

Fjalimi i Presidentes Vjosa Osmani në hapjen e ekspozitës “E vërteta, kujtesa, drejtësia” e organizuar nga Presidenca e Republikës nëpërmjet Qendrës Rajonale të Ekselencës për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, si dhe në bashkëpunim me Institutin e Krimeve të Kryera gjatë Luftës në Kosovë (IKKL)

Kryetar i Kuvendit,

Kryeministër,

Përfaqësues të institucioneve,

Ambasadorë të vendeve mike,

Jemi sot këtu së bashku në Ekspozitën “E vërteta, kujtesa, drejtësia”, jo vetëm si institucione por bashkë me shumë aktivistë e aktiviste të të drejtave të njeriut, bashkë me shumë përfaqësues të organizatave, të familjeve të cilat kaluan nëpër kohët më të errëta të historisë sonë, bashkë me shumë nëna të forta të cilat janë shndërruar në simbole ikonike të luftës sonë të pandalur për drejtësi e bashkë edhe me aleatët, të cilët na qëndruan pranë në ditët më të rënda për popullin tonë.

Jemi këtu që të shënojmë Ditën Ndërkombëtare të të Drejtave të Njeriut, një datë që simbolizon dinjitetin, lirinë dhe barazinë universale. Sepse, kur në 1948, u miratua pikërisht më 10 dhjetor Deklarata Universale për të Drejtat e Njeriut dhe kur i dha formë juridike dhe morale parimit se çdo jetë njerëzore ka vlerë dhe meritojnë mbrojtje, në atë kohë, po ashtu çdo ditë dëgjohej edhe slogani “Kurrë më”. Për fat të keq, mbeti vetëm se slogan, për shkak se vuajtjet të cilat njerëzimi i pa gjatë Luftës së Dytë Botërore, në një masë u përsëritën fatkeqësisht në rajonin tonë në vitet e ’90-ta.

Edhe sot pas 75 vitesh, bota ende përballet me padrejtësi, me dhunë, me shkelje të të drejtave themelore. E si gjithmonë, si në çdo luftë më së shumti preken ata që janë më të pambrojturit: civilët e pafajshëm, gratë, të moshuarit dhe në veçanti fëmijët.

Populli i Kosovës e di shumë mirë se çfarë do të thotë kjo. Krimet e luftës, krimet kundër njerëzimit e gjenocidi i ushtruar nga regjimi i Millosheviqit shkaktoi dhimbje, e cila nuk do të shuhet asnjëherë: mijëra të vrarë, përfshirë shumë fëmijë, mijëra gra e burra të dhunuar, mijëra persona të zhdukur me dhunë, të cilët ende mungojnë në familjet e tyre dhe i mungojnë gjithë Kosovës. Dhimbja e tyre nuk njeh kohë. Ajo është një plagë e hapur, plagë e gjallë, plagë e cila kullon çdo ditë dhe e cila akoma kërkon drejtësi.

Le të ndalemi për një moment tek historitë që tregojnë dhimbjen e papërshkrueshme dhe guximin e nënave tona. Në mesin tonë është nëna Ferdonije dhe shumë nëna nga Gjakova, të cilat mbajtën gjithmonë brenda shpirtit dhimbjen e humbjes së fëmijëve të tyre, bashkëshortëve, njerëzve të dashur të familjeve të tyre. Nëna Ferdonije humbi djemtë dhe burrin duke ruajtur pastaj dhomën e tyre të zbrazët, tryezën, por po ashtu rrobat e lëna aty si kujtim të jetëve që nuk u kthyen më.

Rrëfimet e tyre nuk janë vetëm histori dhimbjeje; janë dëshmi e qëndresës, e dashurisë së pathyeshme dhe të pafund të nënave dhe e kujtesës që nuk shuhet kurrë.

Le të ndalemi po ashtu tek historia e grave të Krushës.

Në Krushën e Vogël, nëna Hyrisha Shehu kujton ende ditën kur jeta iu kthye përmbys. Mes tymit, zhurmës dhe krismave që përpin fshatin, ajo kishte mbështetur në prehër djalin e saj më të vogël, vetëm 13 vjeç, duke e shtrënguar sikur ta mbronte me shpirt. Ai i ishte kapur pas qafës së saj, duke i pëshpëritur: “Nënë, mos më lësho…” — fjalë që edhe sot i ushtojnë nënës në mendje. Kur forcat serbe rrethuan në një oborr gjithë popullatën e fshatit, ajo u përpoq ta mbulonte djalin e vogël me trupin e saj, por duart e ashpra ia shqitën nga prehri, duke e lënë të rrëzuar në baltë, me duart e zgjatura drejt tij. Ajo ditë ia mori dy djemtë dhe burrin, duke e lënë nënë Hyrishën me zemër të plagosur përgjithmonë, por me forcë që nuk u thye kurrë. Sot, rrëfimi i saj nuk është vetëm dhimbje. Rrëfimi i nënave, i baballarëve, i fëmijëve, i gjithë qytetarëve të Kosovës është edhe qëndresë, është kujtesë dhe është zë që i kujton gjithë botës se krimet e asaj kohe nuk do të harrohen kurrë, dhe po ashtu na kujton dashurinë e pashuar të një nëne shqiptare.

Siç e dimë në shumë vende të tjera në Kosovë, akoma priten më të dashurit rreth 1600 të zhdukur me dhunë.

Nëpërmjet kujtesës, të vërtetës dhe drejtësisë, krimet jo vetëm që duhet të dënohen, jo vetëm që çdo ditë duhet të nderojmë ata që kemi humbur dhe dhimbjen e familjeve të tyre, por mbi të gjitha edhe vetë e ardhmja duhet të ndërtohet mbi respektin për ta.

26 vite pas luftës, drejtësia ende mungon. Kryesit e krimeve nuk janë gjykuar, dhe familjet e viktimave ende vazhdojnë të presin. Familjet e të zhdukurve jetojnë çdo ditë me pasiguri dhe me dhimbjen dhe ankthin e pritjes. Disa nga dëshmitarët e të mbijetuarit po vdesin, duke marrë me vete pjesë të rëndësishme të së vërtetës. Prandaj, detyrimi ynë institucional është më i madh se kurrë: dokumentimi, ruajtja e kujtesës dhe kërkimi i vazhdueshëm i drejtësisë janë urgjencë kombëtare.

Puna e Institutit për Krimet e Kryera gjatë Luftës në Kosovë është jetike. Çdo dokument, çdo dëshmi, çdo fotografi, çdo rrëfim është pjesë e mozaikut të së vërtetës. Pa të vërtetën nuk mund të ketë drejtësi, e pa drejtësi asnjëherë nuk mund të ketë paqe të qëndrueshme për brezat e ardhshëm.

Ekspozita e sotme “E vërteta, kujtesa, drejtësia” nuk është thjesht një shfaqje fotografish. Këto janë vetëm disa dhjetëra nga mijëra e mijëra fotografi, të cilat i ka mbledhur Instituti për Krimet e Kryera gjatë Luftës. Këto fotografi, pra janë përtej pamjes, ato janë një deklaratë e fuqishme se: nuk do të lejojmë që e vërteta të shtrembërohet, se nuk do të lejojmë që kujtesa të shuhet. Këtu përkujtojmë fëmijët e vrarë, nënat dhe baballarët që nuk u kthyen kurrë, familjet që humbën gjithçka, ata që u zhdukën me dhunë. Për secilin prej tyre, për gratë që përjetuan tmerrin e dhunimit në kohë lufte dhe çdo viktimë të luftës, secilën pa dallim, për secilën prej tyre kërkojmë drejtësi.

Të mbijetuarit që jetojnë sot me plagë fizike, por mbi të gjitha plagë shpirtërore janë personifikimi i rezistencës dhe i dinjitetit njerëzor, janë zëri i së vërtetës që asnjëherë nuk do të mund të heshtet.

Kosova nuk do të heqë dorë. Nuk do të lejojmë që krimet të harrohen. Nuk do të lejojmë që gjenocidi të mohohet. Për secilin person të zhdukur, për secilin fëmijë të vrarë, për secilën viktimë të dhunës seksuale — ne do të flasim me zë të lartë këtu dhe në çdo vend të botës. Drejtësia do të kërkohet pa u ndalur. E vërteta duhet të dëgjohet dhe kujtesa nuk guxon të shuhet. Sot, ne kemi ndërtuar një shtet ku mbrojtja e të drejtave të të gjithëve, pa dallim, qëndron në vetë themelet e sistemit tonë Kushtetues dhe ndër shtyllat më të fuqishme të shtetit tonë.

Si popull që për shekuj ka përjetuar diskriminimin, sistemin e aparteidit, krimet e luftës, krimet e njerëzimit e gjenocidin, duhet të sigurohemi që e kaluara e dhimbshme mos të përsëritet më asnjëherë dhe që paqen e ndërtuar me aq shumë mund e sakrificë ta mbrojmë me çdo kusht.

Lavdi të gjithë atyre që u flijuan për lirinë tonë!

Nderim dhe mirënjohje të përjetshme për të mbijetuarit dhe familjet e viktimave që mbajnë gjallë shtyllën morale të shtetit tonë.

Derisa çdo familje të marrë përgjigjen që i takon, pra drejtësinë, ne nuk do të ndalemi së kërkuari llogaridhënie.

Drejtësia do të vendoset për gjithë ata që vuajtën padrejtësisht dhe kujtesa, e vërteta dhe drejtësia do të jenë gjithnjë udhërrëfyesi ynë më i fuqishëm për një të ardhme më të ndritur.

Ju faleminderit!

Ky postim është gjithashtu i disponueshëm në gjuhë: EN SR

This site is registered on wpml.org as a development site.