U.D. Presidentja Haxhiu uron Pashkët Ortodokse

U.d Presidentja e Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu në festën e Pashkëve Ortodokse, ka shprehur urimet më të përzemërta për të gjithë besimtarët ortodoksë. “Kremta e Pashkëve na rikujton rëndësinë e solidaritetit, mirëkuptimit dhe respektit të ndërsjellë, vlera mbi të cilat ndërtohet një shoqëri demokratike dhe e bashkuar”, ka thënë u.d Presidentja Haxhiu. Ajo ka uruar që kjo festë të sjellë paqe, shëndet dhe begati. “Uroj që kjo festë të sjellë paqe, shëndet dhe begati për ju dhe të dashurit tuaj. Gëzuar Pashkët Ortodokse!”, thuhet në urimin e u.d Presidentes Haxhiu.
Nën patronatin e u.d Presidentes Haxhiu u mbajt Akademi Përkujtimore, me rastin e Ditës së Dëshmorëve të Betejës së Koshares dhe ditës së rënies së heroit të Kosovës, Agim Ramadani

Nën patronatin e u.d Presidentes së Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, sot u mbajt Akademi Përkujtimore, me rastin e Ditës së Dëshmorëve të Betejës së Koshares dhe ditës së rënies së heroit të Kosovës, Agim Ramadani. Në emër të u.d Presidentes Haxhiu, foli nënkryetari i parë i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Ardian Gola. Ai tha se në sallën e kuqe sot, ku jemi mbledhur në kujtim të ditës së dëshmorëve dhe rënies së heroit tonë kombëtar Agim Ramadani, nuk vjen erë baroti e as nuk dëgjohen krismat e pushkëve të trimave tanë, sikurse 27 vjet më parë në Koshare. Sepse nuk jemi në Koshare, por, atë që na e solli Kosharja, është e pranishme këtu mes nesh. Është e pranishme në mënyrën si jetojmë sot dhe si lëvizim lirshëm. “Heqja e kufirit shqiptaro-shqiptar ishte arritja më e madhe e Betejës së Koshares. Një kufi që na kishte ndarë për pothuajse një shekull. Një kufi që të mësonte të ndaleshe, të përmbaheshe, të prisje. Dhe me kohë, u bë pjesë e mënyrës si mendonim dhe si e shihnim botën. Kjo ishte e vërteta jonë deri në prill të vitit 1999”, ka theksuar nënkryetari Gola. Sipas tij, Beteja e Koshares, si beteja më e lavdishme e historisë sonë moderne, përtej të qenit operacion ushtarak, ishte edhe ndërhyrje në vetë kuptimin e kufirit. Kur u thye ai kufi, u çmontua edhe një kufi tjetër. Ai që kishim brenda vetes. Ai që na kufizonte edhe ëndërrat. Nënkryetari Gola më tej tha se “Ëndrra jonë për liri nuk mori formë në libra, por në jetët e njerëzve siç ishte jeta e komandant Katanës. Agim Ramadani, kishte shpirt të madh krijuesi. Pikturonte, shkruante, mendonte ndryshe. Ishte i shkolluar në Akademinë Ushtarake të Zagrebit, i rritur në Kosovë dhe më vonë, si i përndjekur, u detyrua të migronte në Zvicër. Atje bashkë me dashurinë e jetës së tij, rivalen e bankave shkollore, dhe bashke aktivisten në ilegale, zonjën e nderuar Shukrije Ramadanin, dhe me fëmijët Jetonin, Edonin dhe Lorinën ndërtoi jetën e tij”. Ai tha se kjo e pasqyron faktin se Agim Ramadani nuk hyri në luftë sepse nuk kishte rrugë tjetër. I kishte të gjitha arsyet për të qëndruar në Zvicër dhe nuk qëndroi. E braktisi komoditetin evropian dhe iu bashkua shokëve e shoqeve sepse nuk mund ta ndante jetën e tij nga ajo që po i ndodhte vendit. “Ai e kuptoi herët që pritja nuk mjafton. Prandaj, nuk e la këtë pyetje të mbetej në varg. Nuk e mbajti si dilemë poetike, por e ktheu në vendim. Dhe u kthye në vendlindje drejt një rreziku konkret. Drejt një lufte të pabarabartë, ku, siç tregojnë bashkëluftëtarët e tij, nuk mjaftonte të ishe trim, duhej të ishe edhe strateg dhe vizionar. Dhe këtë ai e bëri pa bujë, pa deklarime të mëdha, por me një kthjelltësi që e dallon një njeri që e ka ndarë mendjen. Në Koshare, ai ishte komandant, por mbi të gjitha, ishte njeri që mbante përgjegjësi për të tjerët. Ata që luftuan përkrah tij e kujtojnë për qetësinë në vendimmarrje, për disiplinën dhe për bindjen se ajo që po bënin kishte kuptim edhe përtej ditës së betejës. Flasin për qëndrimin dinjitoz në situata të vështira dhe për përgjegjësinë në vendime”, ka theksuar nënkryetari Gola, duke shtuar tutje se “Kur ra më 11 prill 1999, ai la pas një boshllëk të madh, por ai gjithashtu la pas edhe një standard. Standardin e një njeriu që, kur e thërret atdheu, nuk rri duarkryq. Gatishmëria e komandant Katanës me bashkëluftëtarë i bindi edhe të tjerët se ajo që dukej e pamundur mund të bëhej dhe po bëhej. Frymëzoi një brez të tërë ta sheh lirinë si ideal që kërkon veprim konkret, rrezik dhe sakrificë. Nga ky brez përbëhej Ushtria Çlirimtare e Kosovës, ushtri që u ndërtua në kushte të pamundura, por me një qartësi të plotë për atë që duhej arritur”. Sipas tij, përkujtimi për Agim Ramadanin sot na vë përballë vetes. Përballë standardit që ai dhe bashkëluftëtarët e tij vendosën dhe përballë mënyrës si ne sot e mbajmë përgjegjësinë tonë. Na detyron ta mbajmë shtetin e Kosovës në lartësinë e atij standardi dhe ta mbrojmë drejtësinë nga çdo devijim. Ai në fund tha se sot përkulemi para të gjithë dëshmorëve të Betejës së Koshares, para atyre që lanë jetën në atë vijë kufitare dhe i dhanë drejtim lirisë sonë.
U.D. Presidentja Haxhiu: Kosova sot humbi mikun e dëshmuar, kongresistin amerikan, Eliot Engel, i cili ishte përkrahës i palëkundur i lirisë dhe shtetësisë sonë

Ushtruesja e Detyrës së Presidentes, Albulena Haxhiu ka thënë se Kosova sot humbi mikun e dëshmuar, kongresistin amerikan, Eliot Engel, i cili ishte përkrahës i palëkundur i lirisë dhe shtetësisë sonë. “Për më shumë se tri dekada në Kongresin amerikan, ai qëndroi në anën e drejtë të historisë. Nga thirrjet për ndërhyrjen e NATO-s në vitin 1999 kundër regjimit të Sllobodan Millosheviq, te mbështetja për pavarësinë në vitin 2008 dhe konsolidimin e shtetit tonë, Engel ishte një aleat i vendosur i Kosovës në çdo etapë”, ka theksuar u.d presidentja Haxhiu. U.d Presidentja Haxhiu në emër të institucioneve dhe qytetarëve të Republikës së Kosovës, ka shprehur ngushëllimet më të sinqerta për familjen Engel dhe për popullin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Ajo më tej ka thënë se kujtimi dhe kontributi i tij do të mbeten pjesë e përhershme e historisë sonë.
U.D Presidentja Haxhiu emëron znj. Vasfije Krasniqi Goodman dhe znj. Shyrete Tahiri të deleguara të posaçme për çështjen e të mbijetuarave të dhunës seksuale gjatë luftës

Ushtruesja e Detyrës së Presidentes, Albulena Haxhiu, priti në takim znj. Vasfije Krasniqi Goodman dhe znj. Shyrete Tahiri, të cilat, janë emëruar të deleguara të posaçme për çështjen e të mbijetuarave të dhunës seksuale gjatë luftës. Gjatë takimit u vlerësua guximi dhe qëndrueshmëria e tyre, si dhe roli i rëndësishëm që kanë luajtur në thyerjen e heshtjes dhe në kërkimin e drejtësisë për viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë. U theksua se zëri i tyre ka ndihmuar që kjo çështje të trajtohet me dinjitet dhe seriozitet, si në vend ashtu edhe në arenën ndërkombëtare dhe se angazhimi i tyre tashmë ka edhe dimension institucional. Në këtë drejtim, u diskutua për vazhdimin e bashkëpunimit me institucionet, për forcimin e mbështetjes për të mbijetuarat dhe për avancimin e të drejtave të tyre, duke e mbajtur kërkesën për drejtësi aktive dhe të pranishme. Institucionet do të vazhdojnë angazhimin për dinjitet, drejtësi dhe trajtim të barabartë.
Intervistë e u.d Presidentes Albulena Haxhiu për “Konfront”, KTV
Fjalimi i u.d. Presidentes Albulena Haxhiu në 27-vjetorin e Betejës së Koshares

E nderuar Zëvendëskryeministre dhe Ministre e Drejtësisë, znj. Gërvalla-Schwarz, I nderuari z. Rrustem Berisha, ish-komandant i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Koshare, Të nderuar ministra e zëvendësministra të Qeverisë së Republikës së Kosovës, Të nderuar deputetë të Kuvendit të Republikës së Kosovës, Të nderuar liderë dhe përfaqësues të partive politike, z. Ramush Haradinaj, z. Ali Ahmeti, që jeni këtu sot me ne, Të nderuar përfaqësues të institucioneve të Republikës së Kosovës, Të nderuara familje të dëshmorëve, veteranëve dhe invalidëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Të nderuar pjesëtarë të ish-Brigadës 138 “Agim Ramadani”, Të dashur qytetarë të Kosovës, Zonja dhe zotërinj, Të nderuara media, Mëngjesi i 9 prillit, 27 vjet më parë, nisi herët në Koshare. Njësitë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës u nisën drejt vijës kufitare. Terreni ishte i vështirë dhe përballja filloi që në orët e para. Sypatrembur dhe plot guxim, ushtarët tanë avancuan hap pas hapi, derisa e thyen kufirin Shqipëri-Kosovë të vendosur padrejtësisht, pothuajse një shekull më parë, kufirin që i kishte ndarë shqiptarët që nga viti 1913. Në ditën e parë të kësaj epopeje ranë dëshmorë Abush Loku, Bashkim Jasiqi, Ramiz Krasniqi dhe Rifat Çelaj. Luftimet vazhduan pandërprerë. Të nesërmen, Ushtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës arritën ta marrin nën kontroll pikën kufitare në Koshare. Njësiti “Kobra”, bashkë me batalionin e parë dhe policinë ushtarake ishin të parët që hynë në atë hapësirë, që deri atëherë mbahej nga ushtria e Serbisë. Më 11 prill, gjatë përpjekjes për ta marrë Opllazin, pas dy ditë luftimesh të ashpra, në fushëbetejë ra strategu, piktori, poeti e artisti shumëdimensional, Agim Ramadani, me emrin e të cilit më pas u pagëzua Brigada 138. Ai kishte udhëhequr sulmin që nga dita e parë. Ishte në vijën e parë të frontit kur kufiri u thye. Rënia e tij ishte humbje e madhe për Kosovën, por në të njëjtën kohë u bë forcë për ushtarët e tij, të cilët e çuan deri në fund amanetin e tij për ta hequr kufirin, që ndante atë kohë shqiptarët andej-këndej Drinit. Ditëve në vijim përballja u bë edhe më e ashpër. Më 19 prill, në një ditë të vetme, ranë 13 ushtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. U përjetësua edhe njëri nga udhëheqësit kryesorë të betejës dhe brigadës, Sali Çekaj. Në atë brez malor luftimet nuk pushuan. Përkundër ashpërsisë së sulmeve, ushtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nuk u dorëzuan, e mbajtën kufirin të hapur dhe nuk u tërhoqën me asnjë çmim. Luftimet vazhduan deri në qershor, atëherë u përfshinë brigada të tëra, njësite speciale, grupe operative, luftëtarë nga të gjitha anët e Kosovës, nga të gjitha trojet shqiptare dhe nga mërgata jonë. Betejës së Koshares iu bashkuan edhe vullnetarë të huaj, që zgjodhën të luftojnë këtu, disa prej tyre ranë në Koshare krah për krah me luftëtarët tanë. Prandaj, sot nderojmë dhe përulemi edhe para dëshmorëve të Kosovës, italianit Francesco Bider, francezit Paillard Arnaud Pierre dhe algjerianit Murad Muhamet Ali. Kjo e dëshmon se lufta jonë për liri ishte e drejtë, ndaj pati jehonë aq të madhe e të gjerë, saqë mori përkrahje nga e gjithë bota demokratike. Në Betejën e Koshares, 114 luftëtarë të UÇK-së u vranë dhe mbi 380 u plagosën. Këta luftëtarë, që ia mësynë Koshares atë pranverë, e dinin mirë se ku po hynin, e dinin që kthimi nuk ishte i sigurt, por për liri hynë, për liri ranë dhe lirinë e sollën. Ndaj, Beteja e Koshares është ndër betejat më të lavdishme të historisë sonë moderne. Shteti i Kosovës është ndërtuar mbi këtë guxim, mbi vendime të marra në kushte thellësisht të rrezikshme dhe mbi sakrificë brezash të tërë. Nderimi i heronjve dhe luftëtarëve të Brigadës 138 “Agim Ramadani”, në kuadër të manifestimit “Ditët e shqipes”, dëshmon vendosmërinë tonë për të punuar me përkushtim, që Kosova të bëhet ashtu siç e ëndërruan ata, që ranë për lirinë tonë. Në emër të institucioneve të Republikës së Kosovës, shpreh nderimin tim të thellë për të gjithë luftëtarët e Koshares! Lavdi dëshmorëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës! Qoftë i përjetshëm kujtimi për ta! Faleminderit!
U.D. Presidentja Haxhiu: Kushtetuta ka qenë themeli mbi të cilin mbështetet dhe funksionon Republika e Kosovës

U.D. Presidentja e Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu ka thënë se sot shënojmë Ditën e Kushtetutës, duke rikujtuar 9 prillin e vitit 2008, ditën kur shteti ynë mori formën e tij të plotë juridike dhe politike. “Që nga ajo ditë, Kushtetuta ka qenë themeli mbi të cilin mbështetet dhe funksionon Republika e Kosovës. Ajo përcakton rendin kushtetues, garanton të drejtat dhe liritë themelore dhe vendos parimet që udhëheqin institucionet tona”, ka thënë u.d Presidentja Haxhiu. Ajo më tej ka thënë se përkushtimi ndaj Kushtetutës mbetet parakusht për stabilitet, zhvillim dhe konsolidim demokratik.
U.D. Presidentja Haxhiu: Më 9 prill 1999, në “Lagje të Re” dhe në Rakoc, u shënua një nga ditët më të rënda të luftës sonë

U.D Presidentja e Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka thënë se më 9 prill 1999, në “Lagje të Re” dhe në Rakoc, u shënua një nga ditët më të rënda të luftës sonë, ku ranë 28 dëshmorë dhe 32 martirë. “Në mesin e tyre kishte burra dhe gra, por edhe djem dhe vajza të reja, që nuk zgjodhën të tërhiqen përballë dhunës, por të qëndrojnë. Emra si Lumnije Raka, Jehona Raka, Emsale Frangu dhe Mukadeze Lika Muhaxheri mbeten dëshmi se sakrifica për liri nuk ka qenë kurrë e njëanshme, por e përbashkët, e barabartë dhe e pakushtëzuar”, ka theksuar u.d presidentja Haxhiu. U.D Presidentja Haxhiu ka thënë se sot, 27 vjet më pas, i kujtojmë me nderim të gjithë të rënët e 9 prillit, me përgjegjësinë që kjo sakrificë të ruhet e plotë, ashtu siç ishte edhe qëndresa e tyre.
U.D Presidentja Haxhiu: Kujtimi për Selver Haradinajn mbetet i përhershëm, ndërsa angazhimi ynë për siguri, drejtësi dhe institucione të forta do të vazhdojë

U.D. Presidentja e Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu ka thënë se janë bërë 14 vite nga sulmi terrorist me eksploziv i strukturave kriminale të Serbisë në lagjen “Tre Rrokaqiejt” në pjesën veriore të Mitrovicës, që i mori jetën qytetarit tonë Selver Haradinaj. “Imazhi i banesës së shkatërruar është i ngulitur në kujtesën qytetare nga ajo ngjarje tragjike. Gjithë ai eksploziv i përdorur kishte për qëllim ta shfaroste tërë familjen dhe të frikësonte, tmerronte e të zhvendoste familjet tjera shqiptare nga ajo pjesë”, ka thënë u.d Presidentja Haxhiu, duke shtuar më tej se “Por siç e dimë, shumë prej këtyre familjeve vazhduan që për vite me radhë të jetojnë nën kërcënim dhe pasiguri të vazhdueshme nga ato struktura kriminale, duke mos lëshuar pronat e tyre”. U.D. Presidentja Haxhiu ka thënë se sot realiteti ka ndryshuar. “Falë përkushtimit institucional dhe punës së vazhdueshme për shtrirjen e rendit dhe ligjit, situata po normalizohet dhe qytetarët ndihen më të sigurt”, ka theksuar u.d Presidentja Haxhiu. Ajo ka thënë se kujtimi për Selver Haradinajn mbetet i përhershëm, ndërsa angazhimi ynë për siguri, drejtësi dhe institucione të forta do të vazhdojë.
U.D. Presidentja Haxhiu me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Romëve vizitoi familjen Gashi nga Fushë Kosova: kontributi i komunitetit rom në Republikën e Kosovës është i pamohueshëm

U.D. Presidentja e Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Romëve, ka vizituar sot familjen Gashi nga Fushë Kosova. “Në këtë ditë, që është njëkohësisht ditë reflektimi dhe përgjegjësie, riafirmojmë se komuniteti rom është pjesë e pandashme e shoqërisë sonë, me një trashëgimi të pasur dhe kontribut të vyer për Republikën e Kosovës”, ka theksuar u.d Presidentja Haxhiu. Ajo ka thënë se angazhimi ynë institucional mbetet i qartë, “Mbrojtja e të drejtave, luftimi i çdo forme të diskriminimit dhe avancimi i politikave që garantojnë qasje të barabartë në arsim, punësim, shëndetësi dhe shërbime publike është prioritet”. Sipas U.D Presidentes Haxhiu, kontributi i komunitetit rom në Republikën e Kosovës është i pamohueshëm, ndaj detyrimi ynë është që barazia, dinjiteti dhe përfshirja si të drejta të garantuara të zbatohen edhe në jetën e përditshme.