U.D. Presidentja e Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Romëve, ka vizituar sot familjen Gashi nga Fushë Kosova.
“Në këtë ditë, që është njëkohësisht ditë reflektimi dhe përgjegjësie, riafirmojmë se komuniteti rom është pjesë e pandashme e shoqërisë sonë, me një trashëgimi të pasur dhe kontribut të vyer për Republikën e Kosovës”, ka theksuar u.d Presidentja Haxhiu.
Ajo ka thënë se angazhimi ynë institucional mbetet i qartë, “Mbrojtja e të drejtave, luftimi i çdo forme të diskriminimit dhe avancimi i politikave që garantojnë qasje të barabartë në arsim, punësim, shëndetësi dhe shërbime publike është prioritet”.
Sipas U.D Presidentes Haxhiu, kontributi i komunitetit rom në Republikën e Kosovës është i pamohueshëm, ndaj detyrimi ynë është që barazia, dinjiteti dhe përfshirja si të drejta të garantuara të zbatohen edhe në jetën e përditshme.







