Lartmadhëria e Tij, Mbreti i Tajlandës, uron Presidenten Osmani për Ditën e Pavarësisë së Kosovës

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka pranuar një letër urimi nga Mbreti i Tajlandës, Lartmadhëria e Tij Maha Vajiralongkorn Phra Vajiraklaochaoyuhua, me rastin e Ditës së Pavarësisë së Kosovës. Në mesazhin e tij, Mbreti i Tajlandës ka vlerësuar marrëdhëniet e ngrohta dhe të qëndrueshme ndërmjet dy vendeve që nga themelimi i marrëdhënieve diplomatike dhe ka theksuar rëndësinë e mirëkuptimit, respektit dhe bashkëpunimit të ndërsjellë. Lartmadhëria e Tij ka shprehur besimin se bashkëpunimi do të vazhdojë të zhvillohet dhe të zgjerohet në fusha me potencial të veçantë, duke përfshirë tregtinë, investimet, turizmin, arsimin dhe projekte të tjera teknike, në dobi të qytetarëve të të dy vendeve dhe për forcimin e partneritetit ndërmjet shteteve. ขอขอบคุณอย่างจริงใจ 🇹🇭 🇽🇰
Presidenti i Finlandës, Alexander Stubb, uron Presidenten Osmani për Ditën e Pavarësisë së Kosovës

Presidenti i Republikës së Finlandës, Alexander Stubb, i ka përcjellë urime Presidentes së Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, dhe qytetarëve të saj me rastin e Ditës së Pavarësisë, duke shprehur urimet për prosperitet dhe mirëqenie të vazhdueshme për Republikën e Kosovës. Në mesazhin e tij, Presidenti Stubb ka shprehur vlerësimin për vizitën e Presidentes Osmani në Helsinki gjatë vitit të kaluar, si dhe ka rikonfirmuar përkushtimin për forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve dypalëshe ndërmjet Finlandës dhe Kosovës. Kiitos, herra presidentti!
Presidentja Osmani pranon letër urimi nga Lartmadhëria e Tij, Presidenti i Emirateve të Bashkuara Arabe, Mohamed bin Zayed Al Nahyan, si dhe letra urimi nga udhëheqës të tjerë të lartë shtetërorë të Emirateve

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka pranuar mesazhe urimi nga Lartmadhëria e Tij, Presidenti i Emirateve të Bashkuara Arabe, Mohamed bin Zayed Al Nahyan, nga Zëvendëspresidenti dhe Kryeministri i Emirateve të Bashkuara Arabe dhe njëherësh Sundimtari i Dubait, Mohammed bin Rashid Al Maktoum, si dhe nga Zëvendëspresidenti, Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Oborrit Mbretëror të Emirateve të Bashkuara Arabe, Mansour bin Zayed Al Nahyan, me rastin e Ditës së Pavarësisë së Republikës së Kosovës. Në mesazhet e tyre, udhëheqësit e Emirateve të Bashkuara Arabe kanë përcjellë urimet më të përzemërta për Presidenten Osmani dhe qytetarët e Republikës së Kosovës, me rastin e këtij përvjetori të rëndësishëm për shtetin tonë.
Presidentja e Islandës, Halla Tómasdóttir, ka uruar Presidenten Osmani për 18-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës.

Presidentja e Islandës, Halla Tómasdóttir, i përcolli urimet e saj Presidentes së Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, si dhe qytetarëve të Kosovës, me rastin e 18-vjetorit të Pavarësisë. Në mesazhin e saj, Presidentja Tómasdóttir vlerësoi kontributin e Presidentes Osmani në përvjetorin e “Women’s Day Off” në Islandë, duke e cilësuar atë si shprehje të solidaritetit dhe mbështetjes së ndërsjellë. Ajo shprehu gatishmërinë për thellimin e miqësisë dhe bashkëpunimit të ndërsjellë, si dhe për të kontribuar në mirëqenien dhe prosperitetin e dy vendeve. Kærar þakkir, frú forseti!🇽🇰🇮🇸
Presidentja e Republikës së Maqedonisë së Veriut, Gordana Siljanovska-Davkova, uron Presidenten Osmani për 18-vjetorin e Pavarësisë

Presidentja e Republikës së Maqedonisë së Veriut, Gordana Siljanovska-Davkova, i ka përcjellë urime Presidentes së Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, si dhe qytetarëve të vendit, me rastin e Ditës së Pavarësisë, duke uruar lumturi, prosperitet dhe mirëqenie për Republikën e Kosovës. Në letrën e saj, Presidentja Siljanovska-Davkova ka vlerësuar marrëdhëniet miqësore dhe partneritetin ndërmjet dy vendeve, duke theksuar progresin e arritur në bashkëpunimin dypalësh në të gjitha fushat me interes të përbashkët. Ajo ka nënvizuar rëndësinë e fqinjësisë së mirë si bazë për ndërtimin e një rajoni të sigurt, veçanërisht në kushtet e sfidave të vazhdueshme globale të sigurisë. Faleminderit! Ви благодарам! 🇽🇰🇲🇰
Presidenti i Izraelit uron Presidenten Osmani për Ditën e Pavarësisë së Kosovës

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka pranuar letër urimi nga Presidenti i Shtetit të Izraelit, Isaac Herzog, me rastin e 18-vjetorit të Pavarësisë së Republikës së Kosovës. Në letrën e tij, Presidenti izraelit ka vënë në pah zhvillimin pozitiv të marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve gjatë viteve të fundit, duke vlerësuar hapat e ndërmarrë në funksion të thellimit të bashkëpunimit dhe konsolidimit të lidhjeve ndërmjet dy shteteve. Tutje, ai ka shprehur besimin se marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Izraelit do të vijojnë të avancojnë edhe më tej në të ardhmen.
Presidenti i Timorit Lindor, Ramos-Horta, uron Presidenten Osmani për 18-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka pranuar një letër urimi nga Presidenti i Republikës Demokratike të Timorit Lindor, José Ramos-Horta, me rastin e 18-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës. Në letrën e tij, Presidenti Ramos-Horta ka vlerësuar rëndësinë historike të shpalljes së pavarësisë si një moment përcaktues në rrugëtimin e shtetndërtimit, konsolidimit të sovranitetit dhe zhvillimit të vendit. Duke theksuar partneritetin e konsoliduar ndërmjet dy shteteve, ai ka shprehur vlerësimin për përpjekjet e vazhdueshme për zgjerimin e bashkëpunimit në fusha të ndryshme me interes të përbashkët. Në këtë frymë, Presidenti Ramos-Horta ka nënvizuar edhe përvojën e Timorit Lindor në rrugëtimin shtetformues, si pikë takimi që forcon mirëkuptimin dhe afërsinë ndërmjet dy shteteve. Muito obrigado, Senhor Presidente!
Presidentja e Bullgarisë, Iliyana Yotova, uron Presidenten Osmani për 18-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka pranuar një mesazh urimi nga Presidentja e Republikës së Bullgarisë, Iliyana Yotova, me rastin e Ditës së Pavarësisë së Kosovës. Presidentja Yotova ka theksuar marrëdhëniet e ngrohta dhe partneritetin e fortë ndërmjet dy vendeve, duke vlerësuar përkushtimin e përbashkët ndaj vlerave evropiane dhe stabilitetit rajonal. Po ashtu, është rikonfirmuar mbështetja e vazhdueshme bullgare për konsolidimin e Kosovës si një shtet i pavarur, demokratik dhe i integruar në institucionet ndërkombëtare dhe rajonale, me perspektivë të qartë për integrim evropian. Благодаря Ви, госпожо Президент.🇽🇰🇧🇬
Presidenti Karis uron Presidenten Osmani për Ditën e Pavarësisë së Kosovës

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka pranuar një mesazh urimi nga Presidenti i Estonisë, Alar Karis, me rastin e Ditës së Pavarësisë së Kosovës. Në mesazhin e tij, Presidenti Karis ka vlerësuar marrëdhëniet e ngrohta dhe të qëndrueshme ndërmjet dy vendeve dhe ka theksuar përkushtimin e tij për të vazhduar forcimin e bashkëpunimit dhe partneritetit në të ardhmen. Tutje, Presidenti estonez ka theksuar se, përballë sfidave globale, është më e rëndësishme se kurrë të thellohet bashkëpunimi për të promovuar paqen dhe sigurinë, jo vetëm në Evropë, por edhe më gjerë. Aitäh, härra president! 🇪🇪
Guvernatorja e Përgjithshme e Australisë, Sam Mostyn, uron Presidenten Osmani për 18-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka pranuar letër urimi nga Guvernatorja e Përgjithshme e Komonuelthit të Australisë, me rastin e Ditës së Pavarësisë së Kosovës. Në letrën e saj, Guvernatorja e Përgjithshme ka përgëzuar Presidenten Osmani për lidershipin e saj në avancimin e Agjendës për Gratë, paqen dhe Sigurinë (WPS) në Kosovë, duke theksuar se përfshirja e plotë e grave në proceset e ndërtimit të paqes dhe vendimmarrjes është thelbësore për paqe dhe siguri të qëndrueshme. Guvernatorja Mostyn ka shprehur gjithashtu besimin se marrëdhëniet miqësore ndërmjet dy vendeve do të vazhdojnë të forcohen dhe të zgjerohen në vitin në vijim, duke ofruar mundësi të reja për bashkëpunim dhe partneritet në fusha me interes të përbashkët. Thank you, Governor General! 🇽🇰🇦🇺