U.d. Presidentja e Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu ka kujtuar përvjetorin e masakrës së Polacit dhe betejën në Abri të Epërme në Drenicë.
U.d Presidentja Haxhiu ka thënë se përulemi me nderim të thellë para kujtimit të 78 civilëve të pafajshëm dhe 8 dëshmorëve që ranë në një nga ngjarjet më të dhimbshme të historisë sonë të afërt.
“Kjo plagë mbetet ende e hapur, pasi edhe sot ka të pagjetur, duke mbajtur gjallë dhimbjen dhe ankthin e familjeve të tyre. Kujtesa për ta nuk zbehet, ajo na obligon të mos harrojmë kurrë dhe të kërkojmë pa u ndalur drejtësi për krimet e kryera. Me të njëjtin respekt, kujtojmë edhe betejën në Abri të Epërme në Drenicë, ku ranë heroikisht dëshmorët Xhevat Demaku, Bedri Demaku dhe Imer Shala, duke u bërë simbol i sakrificës dhe i qëndresës për lirinë e vendit”, ka thënë u.d presidentja Haxhiu.
Ajo ka thënë se kujtesa nuk është vetëm nderim por edhe përgjegjësi, duke shtuar më tej se, është zotim se e vërteta nuk do të zbehet dhe se drejtësia do të mbetet kërkesë e përhershme.
