Presidentja Osmani takoi ambasadorin e Shteteve të Bashkuara, Jeffrey Hovenier

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka pritur sot në takim të rregullt ambasadorin e Shteteve të Bashkuara, Jeffrey Hovenier më të cilin bisedoi për zhvillimet në vend, me fokus të veçantë në veprimet e institucioneve të Kosovës për shtensionimin e situatës në veri të vendit. Në takim u diskutua edhe për vazhdimin e bashkërendimit me partnerët, duke e ditur që si institucionet tona ashtu edhe SHBA ndajnë të njëjtin qëllim për një Kosovë demokratike dhe multietnike që është e integruar në strukturat euroatlantike, si dhe me sovranitet e integritet territorial të pacenueshëm.

Presidentja Osmani: Dhuna nuk mund të shndërrohet në mjet politik

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani e ka dënuar dhunën fizike mes deputetëve të Kuvendit të Kosovës që ndodhi sot gjatë mbajtjes së seancës plenare. Në vijim, reagimi i plotë: Përdorimi i dhunës fizike si mjet për t’i adresuar pakënaqësitë, dallimet apo mosmarrëveshjet politike është dëmi më i madh që mund t’i bëhet institucioneve që janë ndërtuar me aq shumë mund e sakrificë. Kuvendi është gurthemeli i shoqërisë sonë demokratike, ku zëra të ndryshëm bashkohen për t’i përfaqësuar interesat e qytetarëve, ndaj dhuna nuk ka vend në tempullin e demokracisë dhe nuk mund të shndërrohet në mjet politik. Duhet ta riafirmojmë përkushtimin tonë ndaj demokracisë, mendimit ndryshe, sikurse edhe respektit të ndërsjellë, duke u mbështetur në sundimin dhe respektimin e ligjit.

Presidentja Osmani priti në takim lamtumirës ambasadorin e Norvegjisë, Jens Erik Grondahl

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani priti sot në takim lamtumirës ambasadorin e Norvegjisë, Jens Erik Grondahl. Presidentja Osmani shprehu vlerësimin e saj për marrëdhëniet e afërta dhe partneritetin me Norvegjinë. Në këtë kontekst, falënderoi ambasadorin Grondahl për angazhimin e tij në thellimin e raporteve bilaterale midis Kosovës dhe Norvegjisë si dhe për mbështetjen dhënë institucioneve të Republikës së Kosovës. Presidentja Osmani theksoi rëndësinë e vazhdimit të përkrahjes së Norvegjisë për anëtarësimin e Kosovës në NATO dhe organizata të tjera ndërkombëtare, si dhe për finalizimin e marrëveshjes së tregtisë së lirë me vendet e EFTA-s. Në një pjesë të takimit, u diskutua edhe për zhvillimet politike dhe të sigurisë në veri të vendit, mr ç’rast Presidentja Osmani potencoi vullnetin e institucioneve të Kosovës për tejkalimin e situatës aktuale krahas me aleatët.

Presidentja Osmani, në Ditën e Përkujtimit të Gjenocidit në Srebrenicë, priti në takim deputetin Šemsudin Mehmedović dhe një delegacion të përfaqësuesve të komunitetit boshnjak në Kosovë

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, në Ditën e Përkujtimit për Gjenocidin e Srebrenicës, ka pritur në takim deputetin e Dhomës së Përfaqësuesve të Bosnje dhe Hercegovinës, Šemsudin Mehmedović, si dhe një delegacion të përfaqësuesve të komunitetit boshnjak në Kosovë, përfshirë zëvendëskryeministren Emilija Redžepi dhe deputetë të Kuvendit të Republikës. Në takim, Presidentja Osmani ka potencuar se vuajtjet e popullit boshnjak në këtë ditë të trishtë ndahen edhe nga populli i Kosovës, duke theksuar se gjenocidi në Srebrenicë është simbol i tmerrit të krimeve gjenocidale serbe. Presidentja ka thënë se kujtimi për ta është i çdoditshëm, ndërsa ka folur edhe për krimet makabre dhe masakrat e regjimit gjenocidal serb kundër popullit të Kosovës. Presidentja ka përsëritur dënimin e fuqishëm kundër çdo përpjekjeje për të mohuar gjenocidin e Srebrenicës, sepse ky mohim ka për qëllim denigrimin e viktimave dhe fshehjen e motiveve të krimeve të kryera. Në diskutim me deputetin Mehmedović, Presidentja Osmani ka thënë se koordinimi i përbashkët është tejet i rëndësishëm në këtë periudhë kur tendencat për destabilizim dhe minim të paqes janë në rritje, prandaj në këtë drejtim, ka vlerësuar edhe kontributin e jashtëzakonshëm të komunitetit boshnjak në Kosovë si urë ndërlidhëse e këtij koordinimi. Gjatë takimit, deputeti Mehmedović falënderoi Presidenten Osmani për përkrahjen e vazhdueshme, si dhe për rolin e saj në miratimin e Rezolutës së Kuvendit të Republikës për Gjenocidin në Srebrenicë.

Presidentja: Mohuesit e gjenocidit nuk mund të shndërrohen asnjëherë në faktorë të paqes

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka përkujtuar viktimat e gjenocidit në Srebrenicë. Në vijim gjeni të plotë postimin e Presidentes: 8372 jetë të pafajshme! 8372 nëna të Srebrenicës që edhe sot kërkojnë drejtësi për bijtë e tyre! Një gjenocid që nuk do të harrohet kurrë. Një regjim, që edhe sot e mohon gjenocidin në Srebrenicë e kudo në Bosnjë e Hercegovinë, sikurse e mohon edhe gjenocidin në Kosovë. Po i njëjti regjim që avokonte për gjenocidin atëherë e që i sulmon Kosovën e Bosnje-Hercegovinën edhe sot. Mohuesit e gjenocidit nuk mund të shndërrohen asnjëherë në faktorë të paqes. Kujtim i përhershëm për të gjitha viktimat e regjimit gjenocidal të Millosheviqit! #Srebrenica

Presidentja Vjosa Osmani priti në takim ambasadorin e Gjermanisë në Kosovë, Jörn Rohde

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur sot në takim ambasadorin e Gjermanisë, Jörn Rohde, me të cilin biseduan lidhur me situatën e sigurisë në vend, me theks të veçantë në veri të vendit dhe angazhimin e institucioneve të Kosovës për deeskalimin e situatës. Sipas Presidentes Osmani, Kosova ka demonstruar vullnet për deeskalim, duke ofruar mbajtjen e zgjedhjeve në veri dhe se sfidat aktuale do t’i tejkalojë me partnerët. Gjithashtu, Presidentja Osmani diskutoi me ambasadorin Rohde lidhur me përgatitjet që po bëhen për samitin e radhës të Procesit të Berlinit, si dhe për Samitin e NATO-s në Lituani.

Presidentja Osmani priti në takim përfaqësuesin e UNDP-së në Kosovë, Nuno Querios

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani priti në takim përfaqësuesin e UNDP-së në Kosovë, Nuno Querios, të cilit i uroi mirëseardhje dhe shprehu gatishmërinë për vazhdimin e bashkëpunimit në projektet, të cilat do të zbatohen në Kosovë nga UNDP-ja. Gjatë takimit Osmani vlerësoi lartë kontributin e UNDP-së në mbështetjen e shumë programeve dhe projekteve në Kosovë, me theks të veçantë tek ato për gratë, rininë, mjedisin dhe personat me nevoja të veçanta. Presidentja Osmani kërkoi mbështetje për projektet, të cilat janë ndër prioritetet e mandatit të saj, të cilat përfshinë fuqizimin ekonomik të grave, përkrahjen e fëmijëve me nevoja të veçanta, si dhe agjendën e gjelbër. Ndërsa, përfaqësuesi i UNDP, u shpreh i hapur për të bashkëpunuar për t`i përkrahur këto prioritete duke marrë parasysh edhe projektet e ngjashme që po zhvillohen në rajon. Ndër të tjera, u diskutua edhe për Forumin për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, i cili organizohet nga Presidentja Osmani. Presidentja falënderoi UNDP-në për partneritetin dhe bashkëpunimin e deritanishëm, si dhe nga ky takim u riikonfirmua mbështetja edhe për këtë vit.

Fjalimi i Presidentes Vjosa Osmani në pritjen e organizuar nga Ambasada Amerikane për nder të Ditës së Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara

Zoti ambasador, Zoti Kryetar, Zoti kryeministër, Miq të Kosovës dhe miq të Shteteve të Bashkuara, Gëzuar 4 Korrikun! Me vërtetë ka shumë pak vende në botë ku dashuria për vendin tuaj është e lidhur kaq thellë me dashurinë për Amerikën. Në vendin tonë, kjo ndjenjë është kulmore. Nëse ju rastisë të flisni me një gjyshe në Dragash, një djalë të ri në Prizren, një fermer në Shalën e Bajgorës, apo një grua police në Mitrovicë, nëse flisni me të rinjtë derisa ata janë duke shijuar jetën e tyre të natës në Prishtinë, apo janë duke shëtitur në malet e mahnitshme të vendit tonë…dashuria për Kosovën dhe dashuria për Amerikën janë një. Ndërsa 4 korriku është me të vërtetë një ditë krenarie për të gjithë amerikanët, është një ditë e mirënjohjes së madhe për popullin e Kosovës. Uniteti që kjo ditë nxitë nuk kufizohet vetëm brenda Shteteve të Bashkuara … ai shkon shumë më larg, përtej kufijve të saj. Amerikanët brenda dhe jashtë vendit janë të bashkuar përmes një fryme festive duke kremtuar vlerat dhe idealet mbi të cilat është ndërtuar ky komb i madh, ndërsa rikonfirmojnë angazhimin e tyre ndaj njëri-tjetrit dhe ndaj aleatëve në mbarë botën për të vazhduar ruajtjen, promovimin dhe avancimin e mëtejmë të tyre. Po kështu, në çdo cep të Kosovës, ne i bashkohemi amerikanëve anembanë botës, jo vetëm për të festuar këtë ditë të rëndësishme por edhe për të shprehur vlerësimin tonë maksimal për partneritetin tonë të gjatë dhe për kontributin që Shtetet e Bashkuara kanë dhënë për lirinë tonë, pavarësinë dhe procesin tonë të shtetndërtimit. Po ashtu, edhe për mbështetjen që vazhdojmë ta marrim, ndërsa ndjekim rrugën tonë euroatlantike Të dashur miq, Ndërkohë që sukseset kanë formësuar historikisht aleancat tona, nuk munguan as sfidat. Megjithatë, ne i kemi tejkaluar ato gjithmonë dhe kemi lulëzuar, sepse një partneritet që është ndërtuar mbi baza të forta dhe i krijuar nga aspiratat e përbashkëta për të ardhmen, është një partneritet që është i paracaktuar të zgjasë përgjithmonë. Kur u takuam vitin e kaluar, shpresuam se ky do të ishte një vit ku do të ribashkoheshim nën qiejt e lirë të Evropës. Ne shpresonim se kontinenti ynë më në fund do të ishte në paqe. Fatkeqësisht, ende nuk është kështu. Ndaj, edhe pse sot është ditë feste, është edhe rikujtim i faktit se vlerat që na bashkojnë, janë vlerat që duhet të udhëheqin veprimet tona në tejkalimin e sfidave të ndërsjella. Këto janë vlera që ne duhet të vazhdojmë t’i ruajmë dhe mbrojmë kolektivisht. Për shkak se lufta për liri dhe të drejta të njeriut është larg përfundimit dhe kur vlerat demokratike janë në rrezik kritik, nevoja për unitet, partneritet dhe aleanca bëhet edhe më e madhe. I nderuar ambasador, diplomatë amerikanë, miq amerikanë, Shtetet e Bashkuara kanë qenë prej kohësh një fener frymëzimi për Republikën e Kosovës. Ne do të vazhdojmë gjithmonë të shikojmë drejtë Shteteve të Bashkuara. Unë them gjithmonë se ne në fakt jemi një zgjatim i vlerave amerikane. Pra, kur themi, Kosova është edhe shtëpia juaj, me të vërtetë shpresoj që ju ta ndjeni këtë fort çdo ditë që kalon. Për ne, Shtetet e Bashkuara nuk janë thjesht një aleat – por, përkundrazi – një udhërrëfyes… një udhërrëfyes dhe një udhëheqëse në përpjekjet tona globale për ta mbrojtur lirinë, demokracinë dhe drejtësinë për të gjithë. Mbështetja që SHBA-ja ka dhënë historikisht për ne, jo vetëm ka qenë e një rëndësie vendimtare, por ka qenë një dimension ekzistencial. Kam besim se shumë kapituj bashkëpunimi mbeten për t’u shpalosur mes dy vendeve tona, por është shtylla kurrizore e kësaj aleance ajo që na bën të jemi të sigurt se rruga përpara është mu ajo e duhura. SHBA-të janë sinonim i çlirimit dhe i lirisë sonë. Për shkak të vendosmërisë suaj, lufta jonë çlirimtare arriti kulmin me të drejtën për të zgjedhur vetë rrugën tonë. Me dashamirësi na ofruat ndihmë në rindërtimin e shtëpive tona, shtëpive tona të shkatërruara dhe të përdhosura nga zjarret e luftës. Ju dhatë mbështetje të palëkundur në ngritjen e themeleve të institucioneve tona, që nga forcat tona policore deri te gjykata jonë kushtetuese dhe në formulimin e ligjeve që mbështesin qetësinë e kombit tonë. Themelet e Republikës sonë të re qëndrojnë si një dëshmi e përkushtimit tuaj të pakushtëzuar për të ruajtur paqen e shtetit tonë sovran. Parimet që mishërojnë SHBA-në përshkojnë çdo aspekt të Deklaratës sonë të Pavarësisë. Ato krijuan gurthemelin e argumenteve tona përpara Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë. Ishin SHBA-të ato që avokuan vazhdimisht për ne në forume dhe takime të ndryshme, qoftë për të forcuar shtetësinë tonë, për të siguruar njohje ose për të mbrojtur të drejtën tonë të pamohueshme për sovranitet. Ju keni qëndruar përkrah nesh në ndërtimin e ushtrisë sonë, duke siguruar që rritja e saj t’i përmbahet standardeve më të larta të NATO-s dhe gatishmërinë e saj për të kontribuar në paqen dhe stabilitetin global, një rol që tashmë e përmbush. Asgjë nuk e tregon më mirë se simbolika e uniformave të para që i kishin veshur pjesëtarët tanë të ushtrisë, menjëherë pas krijimit të FSK-së: ato ishin uniforma të Shteteve të Bashkuara, uniforma që më parë i mbanin ushtarët amerikanë. Një ushtri që na erdhi në ndihmë dhe u shndërrua në një shpëtimtar. Shpëtimtare e jetës sonë dhe mbrojtëse e vlerave të lirisë dhe demokracisë. Pra, të dashur miq, le t’i kujtojmë të gjitha këto, dhe shumë më tepër, sa herë që dikush mendon se ka sfida për këtë partneritet. Le ta përkujtojmë se është detyrë e të gjithë ne të sigurohemi që ta mbrojmë dhe ushqejmë këtë aleancë, pasi është kjo aleancë që mban kaq të forta themelet e shtetësisë, sovranitetit dhe integritetit tonë territorial. Le të kujtojmë se fuqia jonë më e madhe qëndron pikërisht në partneritetet që ndërtohen në vlera të përbashkëta, por edhe në vizionin tonë të përbashkët për të ardhmen. Nuk është koha për dyshime apo pyetje, e lëre më për mosmarrëveshje. Në vend të kësaj, është koha për vlerësim, mirënjohje dhe përkushtim për të qenë aty për njëri-tjetrin

Presidentja Osmani priti në takim kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani priti sot në takim kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama. Në takim u diskutua për samitin e NATO-s, i cili do të mbahet gjatë korrikut në Vilnius të Lituanisë, për samitin e Procesit të Berlinit, i cili do të mbahet në Tiranë në tetor të këtij viti si dhe për situatën aktuale në Kosovë e rajon, në raport me zhvillimet e fundit të sigurisë në veri të vendit. Presidentja Osmani rikonfirmoi përkushtimin e Kosovës për t`i adresuar sfidat e përbashkëta me të cilat përballet rajoni së bashku me partnerët euroatlantikë. Në raport me situatën e sigurisë në veri, Presidentja Osmani theksoi se Kosova ka demonstruar vullnet për deeskalim, duke ofruar organizimin e zgjedhjeve të reja në veri të vendit, në përputhje me kornizën ligjore të Kosovës. Për më tepër, theksoi se është e domosdoshme që ata që kanë sulmuar NATO-n, gazetarët, policinë e Kosovës dhe qytetarët në veri, të jenë përgjegjës para ligjit, sepse pandëshkueshmëria mund të nxisë edhe më shumë dhunë. Sa i përket Samitit të Procesit të Berlinit, u bisedua për domosdoshmërinë e hyrjes në fuqi të të gjitha marrëveshjeve të arritura deri më tani në këtë proces, e sidomos asaj që ka të bëjë me lirinë e lëvizjes, si dhe për mundësinë e rritjes së projekteve dhe fondeve përfituese për vendet e Ballkanit Perëndimor në kuadër të Procesit të Berlinit. Nga ana tjetër, sa i përket Samitit të NATO-s, Presidentja falënderoi Shqipërinë për përkrahjen e vazhdueshme sa i përket anëtarësimit të Kosovës në këtë aleancë, ndërkaq ritheksoi rëndësinë e ecjes përpara me anëtarësim në Partneritet për Paqe, si hap drejt anëtarësimit të plotë në NATO, i cili njëkohësisht do t’i kontribuonte stabilitetit afatgjatë në rajon. Presidentja Osmani dhe kryeministri Rama u dakorduan që të vazhdojnë koordinimin në të mirë të qytetarëve të dy shteteve tona si dhe në të mirë të paqes dhe sigurisë rajonale.

Presidentja Osmani takoi Ndihmës Sekretarin e Përgjithshëm në NATO-s për operacione, Thomas Goffus

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani takoi sot Ndihmës e Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s për operacione, Thomas Goffus dhe delegacionin përcjellës nga NATO dhe KFOR-i. Në takim u diskutua për situatën e sigurisë në veri të vendit dhe hapat për deeskalimin e saj. Presidentja Osmani falënderoi Ndihmës Sekretarin Goffus për vizitën e tij dhe theksoi rëndësinë e pranisë së NATO-s në sigurimin e paqes dhe stabilitetit në Kosovë. Ajo theksoi përkushtimin e thellë të Kosovës për partneritet NATO-n dhe për të kontribuar në sigurinë rajonale dhe globale. Presidentja Osmani nënvizoi angazhimin e Kosovës për forcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit me NATO-n. “Ne mbetemi të përkushtuar ndaj përgjegjësive tona si një partner i besueshëm i NATO-s, duke kontribuar aktivisht në sigurinë rajonale. Kosova do të vazhdojë të punojë ngushtë me NATO-n për t`i adresuar sfidat e sigurisë dhe promovimin e paqes dhe stabilitetin në Ballkanin Perëndimor”, ka theksuar ndër të tjera Presidentja Osmani. Në raport me situatën e sigurisë në veri, Presidentja Osmani theksoi se institucionet e Kosovës janë të përkushtuara që së bashku me partnerët ndërkombëtarë t`i tejkalojnë sfidat aktuale dhe fuqizimin e sundimit te ligjit. Po ashtu ajo theksoi se Kosova ka demonstruar vullnet për deeskalim, duke ofruar organizimin e zgjedhjeve të reja në veri të vendit, në përputhje me kornizën ligjore të Kosovës.

This site is registered on wpml.org as a development site.