Presidentja Osmani takoi ambasadorin e Shteteve të Bashkuara, Jeffrey Hovenier

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka pritur sot në takim të rregullt ambasadorin e Shteteve të Bashkuara, Jeffrey Hovenier, me të cilin bisedoi për zhvillimet në vend, me fokus të veçantë në procesin e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Në takim u diskutua edhe për vazhdimin e bashkërendimit me partnerët, duke e ditur që si institucionet tona ashtu edhe SHBA-të, kanë të njëjtin qëllim për shtensionimin e situatës në veri të vendit.
Presidentja Osmani priti në takim përfaqësues të komunitetit shqiptar në Australi

Presidentja Vjosa Osmani priti sot në takim përfaqësues të komunitetit shqiptar në Australi, z. Sezar Jakupi dhe z. Jim Mehmeti. Në takim, Presidentja Osmani vlerësoi angazhimin e tyre për fuqizimin e komunitetit shqiptar në Australi, si dhe mbrojtjen e promovimin e gjuhës, kulturës e traditave. Ajo po ashtu, shprehu mirënjohje të thellë për punën e vazhdueshme të tyre në mbështetje të Kosovës dhe përafrimit të dy vendeve dhe shoqërive tona. Presidentja Osmani theksoi se Australia është një vend mik që vazhdimisht ka mbështetur Kosovën në rrugëtimin e shtetndërtimit dhe se ka hapësirë të jashtëzakonshme të thellimit të këtij bashkëpunimi në fusha të ndryshme të interesit të përbashkët. Ndërlidhur me këtë, u pajtuan për bashkëpunim dhe komunikim të rregullt me qëllim të konkretizimit sa më të shpejtë të nismave të caktuara.
Presidentja Osmani përkujtoi përvjetorin e Masakrës së Rahovecit

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka përkujtuar përvjetorin e Masakrës së Rahovecit. Në vijim gjeni të plotë përkujtimin e Presidentes Osmani: Më 19 korrik të vitit 1998, forcat e regjimit gjenocidal të Serbisë vranë mizorisht afro 150 gra, fëmijë e pleq, të strehuar në Teqen e Sheh Myhedinit në Rahovec, sikurse edhe në vendin e quajtur “Tuma”. Përkujtimi i sotëm nuk është vetëm një mundësi për ta kujtuar këtë ditë të trishtë, për ta kujtuar të kaluarën dhe për t`i nderuar viktimat, por mbi të gjitha është thirrje për drejtësi. Kujtimi për jetët e humbura e të pafajshme do të jetë i përhershëm, teksa zëri ynë për drejtësi do të kumbojë, deri në triumfin e saj!
Presidentja Osmani priti në takim lamtumirës ambasadorin e Kanadasë, Alan Bowman

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka pritur sot në takim lamtumirës ambasadorin jorezident të Kanadasë në Kosovë, Alan Bowman. Në takim, Presidentja Osmani falënderoi ambasadorin Bowman për angazhimin e tij në thellim të raporteve të shkëlqyera bilaterale në mes të Kosovës dhe Kandasë, si dhe për mbështetjen e vazhduar përmes projekteve të ndryshme, në veçanti, mbështetjen për fuqizimin e grave dhe vajzave si dhe avancimin e Agjendës për Gratë, Paqen dhe Sigurinë. Presidentja Osmani ka vlerësuar lartë partneritetin dhe bashkëpunimin në rritje me Kanadanë, duke vënë theksin në vlerat e përbashkëta demokratike, për të cilat të dy shtetet janë të përkushtuara që t’i promovojnë anekënd botës. Presidentja Osmani dhe ambasadori Bowman biseduan edhe për zhvillimet politike dhe të sigurisë në vend dhe rajon, me ç’rast Presidentja Osmani potencoi vullnetin e institucioneve për tejkalimin e situatës aktuale në koordinim me aleatët e Republikës.
Presidentja Osmani priti në takim një delegacion nga organizatat e dala nga lufta e UÇK-së

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani priti sot në takim përfaqësuesit e organizatave të dala nga lufta e UÇK-së: Organizatën e Veteranëve, Shoqatën e Invalidëve dhe Shoqatën e Familjeve të Dëshmorëve, të cilët i adresuan shqetësimet e tyre në raport me përmbajtjen e Ligjit nr. 08/L-142 për ndryshimin dhe plotësimin e ligjeve që përcaktojnë shumën e beneficionit në lartësi të pagës minimale, procedurat e caktimit të pagës minimale dhe shkallët tatimore në të ardhurat personale vjetore, që u miratua javën e kaluar në Kuvendin e Kosovës. Në takim me përfaqësuesit e organizatave të dala nga lufta e UÇK-së, Presidentja Osmani i ka njoftuar ata se Ligji për Pagën Minimale ende ndodhet në Kuvend dhe sapo të vjen në Presidencë do të trajtohet nga ana e ekspertëve ligjorë në Presidencë dhe në përputhje me kompetencat kushtetuese të institucionit të Presidencës. Sipas Presidentes Osmani, ky Ligj do të analizohet nga Zyra e Presidentes dhe më pas do të veprohet në përputhje me përgjegjësitë kushtetuese e ligjore të Presidentes dhe duke pasur parasysh rëndësinë e trajtimit të dinjitetshëm të këtyre kategorive. Në këtë takim, organizatat e dala nga lufta e UÇK-së, prezantuan edhe disa nga sfidat me të cilat përballen këto kategori dhe u dakorduan ta vazhdojnë komunikimin për trajtimin e tyre.
Biblioteka Presidenciale “Dr. Ibrahim Rugova” pasurohet me botimet e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë

Biblioteka Presidenciale “Dr. Ibrahim Rugova”, është pasuruar me rreth 600 tituj të rinj, botime të Akademisë së Shkencave të Republikës së Shqipërisë. Dorëzim-pranimi u bë në një ceremoni të organizuar në Akademinë e Shkencave të Republikës së Shqipërisë, në të cilën këshilltari i Presidentes Osmani, z. Vehbi Miftari dhe përgjegjësi i Bibliotekës Presidenciale, Florent Rrahmani u pritën nga sekretari shkencor i Akademisë, akademik Shaban Sinani dhe akademik Vasil Tole, zëvendëskryetar i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë. Përgjegjësi i Bibliotekës Presidenciale, z. Rrahmani tha se ky koleksion e pasuron fondin bibliotekar dhe thellon më tej bashkëpunimin ndërinstitucional, por njëkohësisht ofron edhe mundësi të reja për studiues dhe hulumtues. “Fondi i dhuruar nga Akademia e Shkencave, që po i dhurohet Bibliotekës Presidenciale, përveç pasurimit, ka peshë të veçantë jo vetëm për bashkëpunimin ndërinstitucional, por edhe për hapjen e mundësive të reja për studiues”, ka thënë Rrahmani. Ai tutje, në emër të Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, ka falënderuar Akademinë për gatishmërinë dhe kontributin e tyre Ndërkaq, Shaban Sinani, sekretar shkencor në Akademi, theksoi se është nder që botimet tona të jenë pjesë e Bibliotekës Presidenciale. “Për ne është nder i veçantë që një pjesë e botimeve të Akademisë, sidomos nga fusha albanologjike, të jenë pjesë e Bibliotekës Presidenciale. Shprehim gatishmërinë tonë që kjo formë e bashkëpunimit të vazhdojë edhe në të ardhmen”, ka thënë Sinani.
Presidentja Osmani inkurajon viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës të aplikojnë për njohje të statusit në Komisionin shtetëror

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, priti në takim anëtarët e Komisionit Qeveritar për Njohjen dhe Verifikimin e Statusit të Personave të Dhunuar gjatë Luftës, të kryesuar nga kryetarja Leonora Selmani. Në takim u diskutua për punën e Komisionit, bashkëpunimin e vazhdueshëm me Presidencën e Republikës, si dhe rëndësinë e koordinimit të rregullt ndërinstitucional në vazhdën e ndryshimeve të aprovuara në Kuvendin e Republikës në Ligjin, i cili ndër të tjera, trajton statusin dhe të drejtat e personave të dhunuar gjatë luftës, viktimave civile dhe familjarëve të tyre, i ndryshuar dhe plotësuar me ligjin nr. 04/L-172. Në këtë frymë, Presidentja Osmani vlerësoi zgjatjen e afatit për aplikim për dy vite shtesë, por potencoi se është më rëndësi që kurdo që miratohen ndryshimet e ardhshme, afati i aplikimit të jetë i pakufizuar. Ajo shtoi se krimet e luftës, krimet kundër njerëzimit, e gjenocidi nuk janë krime që mund të parashkruhen, prandaj edhe viktimat e këtyre krimeve të kryera nga regjimi i Millosheviqit duhet të kenë afat të pakufizuar për të parashtruar kërkesat për njohjen e statusit dhe të drejtave të tyre. Tutje, Presidentja Osmani, duke u bazuar në Ligjin e sapo miratuar, përsëriti thirrjen e saj që të shfrytëzohet e drejta e garantuar me ligj për njohje të statusit të viktimës së dhunës seksuale gjatë luftës. Presidentja Osmani ka ritheksuar rëndësinë e ngritjes së vetëdijes për të drejtat e viktimave të luftës, të cilat ende ballafaqohen me stigmatizim dhe mungesë të drejtësisë, sikurse edhe rikonfirmoi rëndësinë e vazhdimit të trajtimit të kërkesave dhe ankesave nga Komisioni me profesionalizëm të lartë. Në takim u diskutua edhe për bashkëpunimin me këtë Komision, në kuadër të edicionit të dytë të Forumit ndërkombëtar për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, i cili do të mbahet në tetor, si dhe për bashkëpunime në projekte e nisma të tjera të interesit të përbashkët.
Presidentja Osmani priti në takim një delegacion nga Parlamenti Federal i Belgjikës në Asamblenë Parlamentare të NATO-s

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani priti sot në takim një delegacion nga Parlamenti Federal i Mbretërisë së Belgjikës në Asamblenë Parlamentare të NATO-s, të kryesuar nga Theo Francken. Presidentja Osmani falënderoi për mbështetjen dhe përkushtimin e Belgjikës në misionin e NATO-s dhe partneritetin e saj me Kosovën. Në këtë kontekst, Presidentja Osmani ka potencuar se synimi i Kosovës është që anëtarësimi në Partneritetin për Paqe t`i paraprijë atij në NATO dhe se këta hapa kontribuojnë në stabilitetin jo vetëm të Kosovës, por edhe rajonit. Sipas Presidentes Osmani, Kosova është e përkushtuar në përmbushjen e obligimeve të saj si partnere në promovimin e sigurisë dhe stabilitetit rajonal. Një pjesë e takimit iu kushtuar edhe mundësive të bashkëpunimit ndërparlamentar dhe fusha të ndryshme me interes të përbashkët.
Fjalimi i Presidentes Vjosa Osmani me rastin e Ditës Kombëtare të Francës

I nderuar Ambasador i Francës në Kosovë, z. Olivier Guerot, Të nderuar përfaqësues të institucioneve, Zoti Kryetar i Kuvendit, Zoti Kryeministër, Zonja Zëvendëskryeministre, ministra, Zoti President Sejdiu, Komandant i KFOR-it, Deputet, Përfaqësues të institucioneve të sigurisë, Shkëlqesi ambasadorë, Shumë të dashur miq, Jam shumë e lumtur që sot në Ditën Kombëtare të Francës t’ua përcjell urimet e popullit dhe të institucioneve të Republikës së Kosovës. Dita juaj Kombëtare e njohur ndryshe edhe si Dita e Bastijes, është ditë që përfaqëson triumfin e lirisë, të barazisë dhe të vëllazërisë dhe shërben si simbol i unitetit për kombin francez e si model frymëzimi për popujt e lirë gjithandej botës. Festa juaj kombëtare shërben si kujtesë e vlerave të qëndrueshme të popullit francez. Liria shtylla e parë e Republikës suaj përmbledh shpirtin e paepur të popullit francez, i cili i luftoi fort për t’i fituar të drejtat dhe lirinë e tij. Veprimet e paraardhësve tuaj ndezën një valë ndryshimesh në mbarë botën duke frymëzuar kombet e shumta që t’i sfidojnë regjimet shtypëse dhe të përpiqen për lirinë e popullit të tyre. Dita Kombëtare franceze është mundësi e shkëlqyer për t’ia shprehur mirënjohjen dhe vlerësimin tonë të madh këtij kombi, i cili me vlerat e tij e përkushtimin ndaj demokracisë me angazhimin për paqen e sigurinë në botë dhe me promovimin e frymës së lirisë frymëzoi kombet e tjera përfshirë edhe popullin tonë për t’ia rritur synimet e veta kombëtare. Ju e dëshmuat këtë përkushtim në vitet e 90-ta kur ju u rreshtuat krahas aleatëve tuaj e tanë perëndimorë në mbrojtje të lirisë së popullit tonë, i cili ishte i shtypur egërsisht nga regjimi i atëhershëm i Millosheviqit dhe intervenuat së bashku me aleatët e tjerë për ta çliruar popullin e Kosovës. Ne do ta kujtojmë përherë me respekt të thellë angazhimin tuaj për lirinë dhe për pavarësinë tonë, prandaj në secilën festë madje çdo ditë ne shprehim mirënjohjen tonë të thellë për burrat dhe gratë e Francës, të cilët shërbyen në Kosovë në detyra të ndryshme përfshi në kuadër të forcave të NATO-s. Ne nderojmë sakrificën e tyre dhe shprehim respektin tonë të thellë për angazhimin e tyre të palëkundur për të mbrojtur lirinë tonë. Prandaj, të dashur miq francezë, në Kosovë ju do ta gjeni përherë mirënjohjen e një populli të tërë për ndihmën që na dhatë në momente vendimtare të historisë sonë, në momente të vështira kur ekzistenca jonë po rrezikohej dhe kur shtypja ndaj popullit tonë po bëhej përditshmëri, ju u rreshtuat krah nesh dhe ndikuat që fryma e lirisë të triumfojë mbi shtypjen e poshtërimin. Të nderuar pjesëmarrës, Zoti ambasador, Franca ka qenë një përkrahëse e palëkundur e rrugëtimit të Kosovës drejt pavarësisë dhe shtetësisë. Përgjatë viteve Franca ka luajtur një rol kyç në njohjen ndërkombëtare të Kosovës duke qëndruar përkrahë popullit të Kosovës në përpjekjet tona fillimisht për liri e pastaj në procesin e shtetndërtimit e zhvillimit ekonomik. Kjo mbështetje ka qenë thelbësore edhe për forcimin e lidhjeve midis dy kombeve tona dhe nxitjen e një partneriteti të bazuar në respekt e mirëkuptim reciprok. Në sferën e kulturës dhe arsimit Franca ka shërbyer si frymëzim për popullin e Kosovës. Gjuha dhe kultura franceze kanë rrëmbyer zemrat e mendjet e shumë kosovarëve të cilët e kanë përqafuar trashëgiminë e pasur dhe kontributet letrare të Francës. Sistemi arsimor francez ka ofruar mundësi për shumë e shumë qytetarë tanë përfshi për Atin Themeltar të Republikës së Kosovës, Presidentin Ibrahim Rugova, për t’i zgjeruar horizontet e tyre për ta zhvilluar potencialin e tyre për të kontribuar në pasurimin e tyre intelektual e kulturor dhe për të dhënë kontribut të drejtpërdrejt pastaj në ndërtimin e shtetit të Kosovës. Marrëdhëniet mes Francës dhe Kosovës shtrihen përtej sferës zyrtare diplomatike, ato i kanë rrënjët në lidhjet e shkëmbimet që ndodhin mes qytetarëve tanë, shkëmbime kulturore e akademike që kanë promovuar edhe ndjenjën e miqësisë e solidaritetit. Ndërsa festojmë Ditën Kombëtare e Francës, ne shprehim mirënjohjen tonë për mbështetjen dhe miqësinë e palëkundur që Franca i ka dhënë Kosovës. Ky partneritet është një shembull i shkëlqyer se si kombet mund të bashkohen për të promovuar paqen, drejtësinë dhe bashkëpunimin. Le të vazhdojmë prandaj që t’i ushqejmë këto marrëdhënie duke nxitur mirëkuptim edhe më të madh e duke eksploruar edhe rrugë të reja të bashkëpunimit. Së bashku ne mund të ndërtojmë një të ardhme ku vlerat e lirisë barazisë e vëllazërisë mbizotërojnë jo vetëm brenda kombeve tona, por edhe në mbarë globin. Sot dy vendet tona dhe popujt tanë jetojnë në paqe e punojnë me zell për kultivimin e vazhdueshëm të vlerave mbi të cilat qytetërimi ynë i përbashkët është ndërtuar prej shekujsh. Urojmë që në frymën e bashkëpunimit të mirë do të vazhdojmë të kemi mbështetjen tuaj në proceset strategjike në vijim siç është anëtarësimi në NATO aty ku ushtria jonë e shteti ynë e ka vendin e përfundimisht të punojnë bashkë edhe për ta kompletuar projektin unik të Bashkimit Evropian duke jetësuar një Evropë të bashkuar me Kosovën dhe Ballkanin Perëndimor si pjesë përbërëse të saj. Si përfundim në këtë ditë të mbarë le të festojmë marrëdhënie të thella e të qëndrueshme mes Francës dhe Kosovës. Urojmë që kjo miqësi të vazhdojë të rrugëzojë duke kontribuar në prosperitetin, paqen dhe mirëqenien e shteteve tona ndërsa qëndrojmë së bashku ne riafirmojmë angazhimin tonë për një partneritet gjithnjë e në rritje dhe po ashtu angazhimin për të ndërtuar një botë që është gjithëpërfshirëse e drejtë dhe e respektueshme për të gjithë. Ju faleminderit!
Fjalimi i Presidentes Osmani në ceremoninë e diplomimit të policëve të rinj të Gjeneratës së 58-të të Policisë së Kosovës

Faleminderit shumë, I nderuar Kryeministër Kurti, Zëvendëskryeministre Rexhepi, Të nderuar ministra, Sveçla, Mehaj, I nderuar drejtor Hoxha, Staf drejtues i Policisë dhe staf akademik i Akademisë së Sigurisë Publike, I nderuar komandant i KFOR-it, Zëvendës komandant i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Të dashur zyrtarë e zyrtare policore të Policisë së Kosovës, Zyrtarë të vendeve partnere, Të dashur kadetë të Gjeneratës së 58-të, E mbi të gjitha, të dashura familje krenare, Sot është një ditë e rëndësishme për të gjithë ne, pasi jemi mbledhur për ta kremtuar diplomimin e pjesëtarëve më të rinj të Policisë së Republikës së Kosovës. Qëndroj para jush me krenari dhe me nder të madh, teksa ju dëshmoni kulmin e punës suaj të palodhur, përkushtimin dhe angazhimin për t’i shërbyer shtetit dhe për t`i mbrojtur të gjithë qytetarët tanë. Më lejoni t’ju shpreh urimet e mia më të përzemërta për secilin prej jush! Të diplomosh në akademinë e policisë nuk është një arritje e vogël. Ajo kërkon disiplinë, këmbëngulje dhe një dëshirë të vendosur për t`i mbështetur parimet e drejtësisë, të sigurisë dhe të shtetit të së drejtës. Sot ju keni dëshmuar se zotëroni cilësitë e nevojshme për të shërbyer si gardianë të shtetit dhe të qytetarëve tanë! Mos harroni se distinktivi që mbani, përfaqëson jo vetëm autoritetin që ju është dhënë, por mbi të gjitha shpresat dhe aspiratat e qytetarëve tanë. Veprimet tuaja do ta krijojnë perceptimin publik, teksa angazhimi juaj për rend dhe ligj do të përcaktojë legjitimitetin e institucioneve tona të zbatimit të ligjit. Sot qëndroj para jush plot krenari dhe respekt të madh për secilin prej jush, në këto momente kur ju do të bëni betimin e shenjtë për të realizuar detyrat e përcaktuara me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, dhe do t’u bashkoheni kolegëve e kolegeve tuaja për të realizuar me vendosmëri përgjegjësinë për ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike në tërë territorin e Republikës së Kosovës si dhe përgjegjësinë për kontrollin e mbrojtjen e kufirit në bashkëpunim të drejtpërdrejtë me autoritetet vendore, si dhe me partnerët tanë ndërkombëtar. Sfidat, kërcënimet dhe rreziqet e tanishme ndaj sigurisë shtetërore ndërlidhin kërcënimet tradicionale konvencionale dhe ato jokonvencionale të Serbisë ndaj vendit tonë, krahas ndërlikimit që shkaktojnë krimi i organizuar, korrupsioni, terrorizmi dhe krimi transnacional. Si rrjedhojë e zhvillimeve dinamike globale, kufiri ndarës ndërmjet kërcënimeve dhe rreziqeve të jashtme dhe të brendshme, rajonale, kontinentale e globale është bërë pothuajse i padukshëm, prandaj është domosdoshmëri që Republika e Kosovës me institucionet e saj të bëhet anëtare fuqiplotë në Interpol dhe Europol. Republika e Kosovës si anëtare e Europolit dhe Interpolit do ta përmirësojë efektivitetin dhe bashkëpunimin ndërmjet shteteve anëtare në parandalimin dhe luftimin e krimit të organizuar në dimension ndërkombëtar, duke ditur se Policia e Kosovës është ndërtuar dhe zhvilluar sipas modeleve, vlerave dhe standardeve më të avancuara të vendeve të demokracive perëndimore. Të nderuar të pranishëm, Jam e lumtur që në mesin e 419 policëve të rinj, kemi 85 policë e police nga radhët e komuniteteve jo shumicë dhe 47 vajza e gra që rikonfirmon tashmë besimin e madh të qytetarëve tanë edhe nga radhët e komuniteteve në Policinë tonë, si dhe vendosmërinë e vajzave e grave tona të të gjitha komuniteteve për të shërbyer dhe kontribuar në misionin e sigurisë, të lirisë dhe të drejtave për të gjithë pa dallim. Sa më shumë gra në institucionet e sigurisë, aq më shumë siguri për të gjithë qytetarët tanë, pa dallim! Natyrisht që përderisa numri i sotëm është për t’u admiruar, ne duhet të punojmë të gjithë bashkë që të rrisim edhe më shumë numrin e vajzave e të grave, por edhe të komuniteteve jo shumicë në policinë tonë. Police dhe policë të nderuar, përbrendësoni në mendjet dhe zemrat tuaja betimin e shenjtë që do ta bëni sot dhe përgjegjësinë për të mbrojtur dhe shërbyer përgjithmonë me nder dhe krenari. Prandaj sot, të gjithë së bashku të shprehim edhe njëherë falënderimin dhe krenarin tonë të pashoq, me policët dhe policet tona që po shërbejnë në veriun e vendit tonë për ta mbrojtur çdo pëllëmbë të Republikës së Kosovës. Të gjithë ju keni zgjedhur një profesion fisnik ndaj kam besimin e plotë në aftësitë tuaja për t`i kryer detyrat me nder, përkushtim dhe respekt! Qofshi mishërim i drejtësisë, i sigurisë, i mbrojtjes së të drejtave të qytetarëve tanë dhe i lartësimit të vlerave të shtetit tonë! Të dashura familje ndihuni krenar me bijtë e me bijat tona sepse ata janë mburoja e shtetit tonë. Zoti ju bekoftë! Ju faleminderit!