Deklaratë e Presidentes së Republikës së Kosovës

Liria e mediave nuk është privilegj, por një e drejtë themelore që mbështet funksionimin e një shoqërie demokratike. Është detyrë e secilit në shoqërinë tonë që ta vlerësojmë lirinë e mediave, ta mbrojmë atë dhe të krijojmë kushte për të, në përputhje me kornizat e përcaktuara me Kushtetutën dhe ligjet e Republikës sonë. Respektimi i Kushtetutës dhe i ligjeve janë thelbësore për ruajtjen e rendit, drejtësisë dhe kohezionit social. Promovimi i lirisë së medias brenda kufijve të ligjit, sikurse edhe mbështetja ligjore e fjalës së lirë dhe të drejtës për informim janë parime bazike të shoqërisë sonë, të cilat burojnë edhe nga akti më i lartë juridik i shtetit tonë. Çdo dilemë ligjore rreth rastit të licensës së mediumit Klan Kosova, duhet të sqarohet deri në fund nga instancat përkatëse të sistemit të drejtësisë të Republikës së Kosovës. Presidentja e Republikës pret që kjo të bëhet duke zbatuar ligjin, pa ndërhyrje, bazuar në parimet e paanshmërisë dhe integritetit.
Presidentja Osmani: Kërcënimet ndaj policëve vijnë nga Serbia dhe strukturat e saj kriminale

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani i ka dënuar sot kërcënimet e policëve të Kosovës nga Serbia dhe grupet e saj kriminale. “Dënoj kërcënimet ndaj policëve të Kosovës nga Serbia dhe grupet e saj kriminale. Policia jonë është profesionale dhe multietnike. Kjo fushatë duhet të ndalet dhe autorët duhet të dalin para drejtësisë. Ne qëndrojmë me policët tanë ndërsa ata shërbejnë me guxim për një Kosovë më të sigurt për të gjithë”, ka thënë Presidentja Osmani.
Presidentja Osmani përkujton policin Enver Zymberi: Policia e Kosovës janë mbrojtësit e palëkundur të kufijve të shtetit tonë nga agresioni i vazhdueshëm i Serbisë

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka përkujtuar heroin Enver Zymberi në dymbëdhjetë vjetorin e rënies. Në vijim gjeni të plotë përkujtimin e Presidentes: Dymbëdhjetë vjet më parë polici Enver Zymberi ra në mbrojtje të integritetit territorial të Kosovës. Sot e nderojmë guximin dhe sakrificën e heroit. Ai ishte mishërim i përkushtimit, guximit dhe vetëmohimit. Atij, sikurse edhe të gjithë policëve të rënë në detyrë u përkulemi për kontributin e çmuar për sigurinë tonë në çdo cep të vendit. Sikurse atëherë, ashtu edhe sot, Policia e Kosovës janë mbrojtësit e palëkundur të kufijve të shtetit tonë nga agresioni i vazhdueshëm i Serbisë, prandaj ata duhet jo vetëm të respektohen por edhe të vlerësohen e mbështeten maksimalisht për punën dhe sakrificën e tyre.
Presidentja: Vetëmohimi i Demaçit është dëshmi e rrugës së zorshme deri te liria dhe bërja e shtetit

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka përkujtuar veprimtarin Adem Demaçi, në pesë vjetorin e shkuarjes në amshim. Në vijim gjeni të plotë përkujtimin e Presidentes Osmani: Lufta për drejtësi, mbrojtja e të drejtave të njeriut dhe kauza për Kosovën Republikë portretizohen më së miri në jetën dhe veprën e simbolit të rezistencës kombëtare- Adem Demaçi. Liria e popullit ishte më e rëndësishme se sa ajo individuale. Historia e Demaçit është histori e vendosmërisë së palëkundur, guximit dhe vullnetit të paepur për të mbijetuar pavarësisht rrethanave. Përgjatë gati tri dekadave të burgut, ai mbajti peshën e padrejtësisë, duke kultivuar humanizmin dhe ruajtur shpresën për një të nesërme më të mirë. Vetëmohimi i tij është dëshmi e rrugës së zorshme deri te liria dhe bërja e shtetit, ndaj e kujtojmë me respekt në këtë përvjetor e përherë!
Presidentja Osmani shpreh ngushëllime për ndarjen nga jeta të gazetarit, profesorit e dramaturgut, Haqif Mulliqi

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani i ka shprehur ngushëllime familjes, komunitetit të gazetarëve dhe komunitetit kulturor për ndarjen nga jeta të gazetarit, profesorit e dramaturgut, Haqif Mulliqi. Me dhimbje të thellë e pranuam lajmin për ndarjen e nga jeta të gazetarit, profesorit e dramaturgut, Haqif Mulliqi. Ai la gjurmë jo vetëm në fushën e gazetarisë, sferës akademike, por edhe në atë të dramaturgjisë, ndaj veprat e tij janë testament për brezat e ardhshëm. Ju shpreh ngushëllime të sinqerta familjes, komunitetit kulturor dhe atij të gazetarëve! Në këto çaste të rënda për familjen, bashkëndjej me ju dhe ju inkurajoj që të gjeni forcë në përballimin e dhimbjes. I përhershëm qoftë kujtimi për Haqif Mulliqin!
Presidentja Osmani priti në takim lamtumirës ambasadorin e Austrisë, Christoph Weidinger

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka pritur sot në takim lamtumirës ambasadorin e Republikës së Austrisë në Kosovë, Christoph Weidinger. Në takim, Presidentja Osmani falënderoi ambasadorin Weidinger për përpjekjet e tij të vazhduara për forcimin e partneritetit në mes të Kosovës dhe Austrisë, mbështetjes për të thelluar bashkëpunimin në fusha të ndryshme përmes projekteve dhe iniciativave të ndryshme, të cilat kanë afruar edhe më shumë qytetarët e vendeve tona. Presidentja ka ritheksuar se Austria mbetet aleat i rëndësishëm i popullit dhe institucioneve të Republikës së Kosovës, mbështetja e të cilës ka qenë e rëndësishme në hapa të ndryshëm të historisë sonë, si dhe për të ardhmen euroatlantike të vendit tonë. Presidentja ka folur edhe për vizitën e parë zyrtare bilaterale në mandatin e saj si Presidente e Republikës në Republikën e Austrisë, me ç’rast theksoi se kjo vizitë ka qenë rikonfirmim i vullnetit të përbashkët për ta thelluar tutje partneritetin në mes të dy vendeve tona. Presidentja Osmani dhe ambasadori Weidinger biseduan edhe për zhvillimet politike dhe të sigurisë në vend dhe rajon, me ç’rast Presidentja Osmani potencoi vullnetin e institucioneve për tejkalimin e situatës aktuale në koordinim me aleatët e Republikës.
Presidentja Osmani kujtoi veprimtarin e shquar Shaban Manaj, në 23-vjetorin e rrëmbimit dhe vrasjes

Në 23-vjetorin e rrëmbimit dhe vrasjes, kujtimi për Shaban Manajn, veprimtarin e shquar për liri e pavarësi, mbetet i freskët. Ai ishte njeriu që nuk u dorëzua asnjëherë, duke i qëndruar afër presidentit historik dr.Ibrahim Rugova, bashkë me të cilin i dhanë shumë kauzës për liri, pavarësi e shtet. Avokati Manaj do të mbetet përherë model i njeriut të angazhuar për të drejta të njeriut dhe për çështje kombëtare. Shëmbëlltyra e Shabanit do të kujtohet përherë, ndërkaq përpjekjet tona për drejtësi nuk do të ndalen asnjëherë!
Presidentja Osmani për opinionin e GJND-së: Ky opinion historik mbetet një thirrje për vendet që nuk e kanë bërë ende një gjë të tillë të njohin realitetin e pakthyeshëm të Republikës sonë sovrane

Në 13 vjetorin kur Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në Hagë ka shpallur vendimin këshillëdhënës, Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka thënë se 13 vjet më parë u konfirmua se Kosova nuk e ka shkelur të drejtën ndërkombëtare. “13 vjet më vonë, ky opinion historik mbetet një thirrje për vendet që nuk e kanë bërë ende një gjë të tillë, të bashkohen me demokracitë në mbarë botën dhe të njohin realitetin e pakthyeshëm të Republikës sonë sovrane”, ka shkruar Presidentja në Twitter.
Presidentja Osmani takoi ambasadorin e Francës, Olivier Guérot

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani zhvilloi një takim pune me Ambasadorin e Francës në Kosovë, Olivier Guérot, ku u diskutua për zhvillimet e fundit në vend dhe dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Presidentja Osmani nënvizoi nevojën e zbatimit të plotë të marrëveshjes së Brukselit dhe Ohrit. Në takim u diskutua edhe për vazhdimin e bashkërendimit me partnerët rreth qëllimit të përbashkët për shtensionimin e situatës në veri të vendit. Presidentja Osmani theksoi gatishmërinë për bashkëpunim të ngushte mes Kosovës dhe aleatëve të saj për ta arritur fuqizimin ndërkombëtar të Kosovës. Ajo vlerësoi raportet me Francën dhe konfirmoi partneritetin dhe bashkëpunimin në të ardhmen, i cili i shërben ruajtjes së paqes, sigurisë dhe stabilitetit afatgjatë në vend e rajon.
Presidentja priti togerin Ylli Dalladaku: Rezultatet arrihen kur ka punë e përkushtim si dhe aleatë të fuqishëm

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka pritur sot në takim togerin Ylli Dalladaku. “Toger Ylli Dalladaku është shembull i rezultateve që arrihen kur ka punë e përkushtim si dhe aleatë të fuqishëm”, ka shkruar Presidentja. Në vijim gjeni të plotë postimin e Presidentes Osmani: Toger Ylli Dalladaku është shembull i rezultateve që arrihen kur ka punë e përkushtim si dhe aleatë të fuqishëm. Në njërën anë, përgatitja e tij shembullore, e në anën tjetër përsosmëria e kurseve ushtarake amerikane, rezultuan me suksesin e jashtëzakonshëm të Yllit, e nëpërmjet tij edhe të Kosovës. I suksesshëm në West Point, i suksesshëm në kursin bazik të oficerit të këmbësorisë në SHBA dhe i suksesshëm në përfundimin e shkollës ‘Ranger’ që është kursi më sfidues në ushtrinë amerikane. Suksese Ylli! E gjithë Kosova është krenare me ty!