Faleminderit shumë,
I nderuar Kryeministër Kurti,
Zëvendëskryeministre Rexhepi,
Të nderuar ministra, Sveçla, Mehaj,
I nderuar drejtor Hoxha,
Staf drejtues i Policisë dhe staf akademik i Akademisë së Sigurisë Publike,
I nderuar komandant i KFOR-it,
Zëvendës komandant i Forcës së Sigurisë së Kosovës,
Të dashur zyrtarë e zyrtare policore të Policisë së Kosovës,
Zyrtarë të vendeve partnere,
Të dashur kadetë të Gjeneratës së 58-të,
E mbi të gjitha, të dashura familje krenare,
Sot është një ditë e rëndësishme për të gjithë ne, pasi jemi mbledhur për ta kremtuar diplomimin e pjesëtarëve më të rinj të Policisë së Republikës së Kosovës.
Qëndroj para jush me krenari dhe me nder të madh, teksa ju dëshmoni kulmin e punës suaj të palodhur, përkushtimin dhe angazhimin për t’i shërbyer shtetit dhe për t`i mbrojtur të gjithë qytetarët tanë.
Më lejoni t’ju shpreh urimet e mia më të përzemërta për secilin prej jush!
Të diplomosh në akademinë e policisë nuk është një arritje e vogël. Ajo kërkon disiplinë, këmbëngulje dhe një dëshirë të vendosur për t`i mbështetur parimet e drejtësisë, të sigurisë dhe të shtetit të së drejtës.
Sot ju keni dëshmuar se zotëroni cilësitë e nevojshme për të shërbyer si gardianë të shtetit dhe të qytetarëve tanë!
Mos harroni se distinktivi që mbani, përfaqëson jo vetëm autoritetin që ju është dhënë, por mbi të gjitha shpresat dhe aspiratat e qytetarëve tanë.
Veprimet tuaja do ta krijojnë perceptimin publik, teksa angazhimi juaj për rend dhe ligj do të përcaktojë legjitimitetin e institucioneve tona të zbatimit të ligjit.
Sot qëndroj para jush plot krenari dhe respekt të madh për secilin prej jush, në këto momente kur ju do të bëni betimin e shenjtë për të realizuar detyrat e përcaktuara me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, dhe do t’u bashkoheni kolegëve e kolegeve tuaja për të realizuar me vendosmëri përgjegjësinë për ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike në tërë territorin e Republikës së Kosovës si dhe përgjegjësinë për kontrollin e mbrojtjen e kufirit në bashkëpunim të drejtpërdrejtë me autoritetet vendore, si dhe me partnerët tanë ndërkombëtar.
Sfidat, kërcënimet dhe rreziqet e tanishme ndaj sigurisë shtetërore ndërlidhin kërcënimet tradicionale konvencionale dhe ato jokonvencionale të Serbisë ndaj vendit tonë, krahas ndërlikimit që shkaktojnë krimi i organizuar, korrupsioni, terrorizmi dhe krimi transnacional.
Si rrjedhojë e zhvillimeve dinamike globale, kufiri ndarës ndërmjet kërcënimeve dhe rreziqeve të jashtme dhe të brendshme, rajonale, kontinentale e globale është bërë pothuajse i padukshëm, prandaj është domosdoshmëri që Republika e Kosovës me institucionet e saj të bëhet anëtare fuqiplotë në Interpol dhe Europol.
Republika e Kosovës si anëtare e Europolit dhe Interpolit do ta përmirësojë efektivitetin dhe bashkëpunimin ndërmjet shteteve anëtare në parandalimin dhe luftimin e krimit të organizuar në dimension ndërkombëtar, duke ditur se Policia e Kosovës është ndërtuar dhe zhvilluar sipas modeleve, vlerave dhe standardeve më të avancuara të vendeve të demokracive perëndimore.
Të nderuar të pranishëm,
Jam e lumtur që në mesin e 419 policëve të rinj, kemi 85 policë e police nga radhët e komuniteteve jo shumicë dhe 47 vajza e gra që rikonfirmon tashmë besimin e madh të qytetarëve tanë edhe nga radhët e komuniteteve në Policinë tonë, si dhe vendosmërinë e vajzave e grave tona të të gjitha komuniteteve për të shërbyer dhe kontribuar në misionin e sigurisë, të lirisë dhe të drejtave për të gjithë pa dallim. Sa më shumë gra në institucionet e sigurisë, aq më shumë siguri për të gjithë qytetarët tanë, pa dallim!
Natyrisht që përderisa numri i sotëm është për t’u admiruar, ne duhet të punojmë të gjithë bashkë që të rrisim edhe më shumë numrin e vajzave e të grave, por edhe të komuniteteve jo shumicë në policinë tonë.
Police dhe policë të nderuar, përbrendësoni në mendjet dhe zemrat tuaja betimin e shenjtë që do ta bëni sot dhe përgjegjësinë për të mbrojtur dhe shërbyer përgjithmonë me nder dhe krenari.
Prandaj sot, të gjithë së bashku të shprehim edhe njëherë falënderimin dhe krenarin tonë të pashoq, me policët dhe policet tona që po shërbejnë në veriun e vendit tonë për ta mbrojtur çdo pëllëmbë të Republikës së Kosovës.
Të gjithë ju keni zgjedhur një profesion fisnik ndaj kam besimin e plotë në aftësitë tuaja për t`i kryer detyrat me nder, përkushtim dhe respekt!
Qofshi mishërim i drejtësisë, i sigurisë, i mbrojtjes së të drejtave të qytetarëve tanë dhe i lartësimit të vlerave të shtetit tonë!
Të dashura familje ndihuni krenar me bijtë e me bijat tona sepse ata janë mburoja e shtetit tonë.
Zoti ju bekoftë!
Ju faleminderit!