I nderuar Ambasador i Francës në Kosovë, z. Olivier Guerot,
Të nderuar përfaqësues të institucioneve,
Zoti Kryetar i Kuvendit,
Zoti Kryeministër,
Zonja Zëvendëskryeministre, ministra,
Zoti President Sejdiu,
Komandant i KFOR-it,
Deputet,
Përfaqësues të institucioneve të sigurisë,
Shkëlqesi ambasadorë,
Shumë të dashur miq,
Jam shumë e lumtur që sot në Ditën Kombëtare të Francës t’ua përcjell urimet e popullit dhe të institucioneve të Republikës së Kosovës.
Dita juaj Kombëtare e njohur ndryshe edhe si Dita e Bastijes, është ditë që përfaqëson triumfin e lirisë, të barazisë dhe të vëllazërisë dhe shërben si simbol i unitetit për kombin francez e si model frymëzimi për popujt e lirë gjithandej botës.
Festa juaj kombëtare shërben si kujtesë e vlerave të qëndrueshme të popullit francez. Liria shtylla e parë e Republikës suaj përmbledh shpirtin e paepur të popullit francez, i cili i luftoi fort për t’i fituar të drejtat dhe lirinë e tij.
Veprimet e paraardhësve tuaj ndezën një valë ndryshimesh në mbarë botën duke frymëzuar kombet e shumta që t’i sfidojnë regjimet shtypëse dhe të përpiqen për lirinë e popullit të tyre.
Dita Kombëtare franceze është mundësi e shkëlqyer për t’ia shprehur mirënjohjen dhe vlerësimin tonë të madh këtij kombi, i cili me vlerat e tij e përkushtimin ndaj demokracisë me angazhimin për paqen e sigurinë në botë dhe me promovimin e frymës së lirisë frymëzoi kombet e tjera përfshirë edhe popullin tonë për t’ia rritur synimet e veta kombëtare.
Ju e dëshmuat këtë përkushtim në vitet e 90-ta kur ju u rreshtuat krahas aleatëve tuaj e tanë perëndimorë në mbrojtje të lirisë së popullit tonë, i cili ishte i shtypur egërsisht nga regjimi i atëhershëm i Millosheviqit dhe intervenuat së bashku me aleatët e tjerë për ta çliruar popullin e Kosovës.
Ne do ta kujtojmë përherë me respekt të thellë angazhimin tuaj për lirinë dhe për pavarësinë tonë, prandaj në secilën festë madje çdo ditë ne shprehim mirënjohjen tonë të thellë për burrat dhe gratë e Francës, të cilët shërbyen në Kosovë në detyra të ndryshme përfshi në kuadër të forcave të NATO-s.
Ne nderojmë sakrificën e tyre dhe shprehim respektin tonë të thellë për angazhimin e tyre të palëkundur për të mbrojtur lirinë tonë. Prandaj, të dashur miq francezë, në Kosovë ju do ta gjeni përherë mirënjohjen e një populli të tërë për ndihmën që na dhatë në momente vendimtare të historisë sonë, në momente të vështira kur ekzistenca jonë po rrezikohej dhe kur shtypja ndaj popullit tonë po bëhej përditshmëri, ju u rreshtuat krah nesh dhe ndikuat që fryma e lirisë të triumfojë mbi shtypjen e poshtërimin.
Të nderuar pjesëmarrës,
Zoti ambasador,
Franca ka qenë një përkrahëse e palëkundur e rrugëtimit të Kosovës drejt pavarësisë dhe shtetësisë. Përgjatë viteve Franca ka luajtur një rol kyç në njohjen ndërkombëtare të Kosovës duke qëndruar përkrahë popullit të Kosovës në përpjekjet tona fillimisht për liri e pastaj në procesin e shtetndërtimit e zhvillimit ekonomik.
Kjo mbështetje ka qenë thelbësore edhe për forcimin e lidhjeve midis dy kombeve tona dhe nxitjen e një partneriteti të bazuar në respekt e mirëkuptim reciprok. Në sferën e kulturës dhe arsimit Franca ka shërbyer si frymëzim për popullin e Kosovës. Gjuha dhe kultura franceze kanë rrëmbyer zemrat e mendjet e shumë kosovarëve të cilët e kanë përqafuar trashëgiminë e pasur dhe kontributet letrare të Francës.
Sistemi arsimor francez ka ofruar mundësi për shumë e shumë qytetarë tanë përfshi për Atin Themeltar të Republikës së Kosovës, Presidentin Ibrahim Rugova, për t’i zgjeruar horizontet e tyre për ta zhvilluar potencialin e tyre për të kontribuar në pasurimin e tyre intelektual e kulturor dhe për të dhënë kontribut të drejtpërdrejt pastaj në ndërtimin e shtetit të Kosovës.
Marrëdhëniet mes Francës dhe Kosovës shtrihen përtej sferës zyrtare diplomatike, ato i kanë rrënjët në lidhjet e shkëmbimet që ndodhin mes qytetarëve tanë, shkëmbime kulturore e akademike që kanë promovuar edhe ndjenjën e miqësisë e solidaritetit.
Ndërsa festojmë Ditën Kombëtare e Francës, ne shprehim mirënjohjen tonë për mbështetjen dhe miqësinë e palëkundur që Franca i ka dhënë Kosovës. Ky partneritet është një shembull i shkëlqyer se si kombet mund të bashkohen për të promovuar paqen, drejtësinë dhe bashkëpunimin. Le të vazhdojmë prandaj që t’i ushqejmë këto marrëdhënie duke nxitur mirëkuptim edhe më të madh e duke eksploruar edhe rrugë të reja të bashkëpunimit.
Së bashku ne mund të ndërtojmë një të ardhme ku vlerat e lirisë barazisë e vëllazërisë mbizotërojnë jo vetëm brenda kombeve tona, por edhe në mbarë globin.
Sot dy vendet tona dhe popujt tanë jetojnë në paqe e punojnë me zell për kultivimin e vazhdueshëm të vlerave mbi të cilat qytetërimi ynë i përbashkët është ndërtuar prej shekujsh. Urojmë që në frymën e bashkëpunimit të mirë do të vazhdojmë të kemi mbështetjen tuaj në proceset strategjike në vijim siç është anëtarësimi në NATO aty ku ushtria jonë e shteti ynë e ka vendin e përfundimisht të punojnë bashkë edhe për ta kompletuar projektin unik të Bashkimit Evropian duke jetësuar një Evropë të bashkuar me Kosovën dhe Ballkanin Perëndimor si pjesë përbërëse të saj.
Si përfundim në këtë ditë të mbarë le të festojmë marrëdhënie të thella e të qëndrueshme mes Francës dhe Kosovës. Urojmë që kjo miqësi të vazhdojë të rrugëzojë duke kontribuar në prosperitetin, paqen dhe mirëqenien e shteteve tona ndërsa qëndrojmë së bashku ne riafirmojmë angazhimin tonë për një partneritet gjithnjë e në rritje dhe po ashtu angazhimin për të ndërtuar një botë që është gjithëpërfshirëse e drejtë dhe e respektueshme për të gjithë.
Ju faleminderit!