Zoti ambasador,
Zoti Kryetar,
Zoti kryeministër,
Miq të Kosovës dhe miq të Shteteve të Bashkuara,
Gëzuar 4 Korrikun!
Me vërtetë ka shumë pak vende në botë ku dashuria për vendin tuaj është e lidhur kaq thellë me dashurinë për Amerikën. Në vendin tonë, kjo ndjenjë është kulmore. Nëse ju rastisë të flisni me një gjyshe në Dragash, një djalë të ri në Prizren, një fermer në Shalën e Bajgorës, apo një grua police në Mitrovicë, nëse flisni me të rinjtë derisa ata janë duke shijuar jetën e tyre të natës në Prishtinë, apo janë duke shëtitur në malet e mahnitshme të vendit tonë…dashuria për Kosovën dhe dashuria për Amerikën janë një.
Ndërsa 4 korriku është me të vërtetë një ditë krenarie për të gjithë amerikanët, është një ditë e mirënjohjes së madhe për popullin e Kosovës. Uniteti që kjo ditë nxitë nuk kufizohet vetëm brenda Shteteve të Bashkuara … ai shkon shumë më larg, përtej kufijve të saj.
Amerikanët brenda dhe jashtë vendit janë të bashkuar përmes një fryme festive duke kremtuar vlerat dhe idealet mbi të cilat është ndërtuar ky komb i madh, ndërsa rikonfirmojnë angazhimin e tyre ndaj njëri-tjetrit dhe ndaj aleatëve në mbarë botën për të vazhduar ruajtjen, promovimin dhe avancimin e mëtejmë të tyre.
Po kështu, në çdo cep të Kosovës, ne i bashkohemi amerikanëve anembanë botës, jo vetëm për të festuar këtë ditë të rëndësishme por edhe për të shprehur vlerësimin tonë maksimal për partneritetin tonë të gjatë dhe për kontributin që Shtetet e Bashkuara kanë dhënë për lirinë tonë, pavarësinë dhe procesin tonë të shtetndërtimit. Po ashtu, edhe për mbështetjen që vazhdojmë ta marrim, ndërsa ndjekim rrugën tonë euroatlantike
Të dashur miq,
Ndërkohë që sukseset kanë formësuar historikisht aleancat tona, nuk munguan as sfidat. Megjithatë, ne i kemi tejkaluar ato gjithmonë dhe kemi lulëzuar, sepse një partneritet që është ndërtuar mbi baza të forta dhe i krijuar nga aspiratat e përbashkëta për të ardhmen, është një partneritet që është i paracaktuar të zgjasë përgjithmonë.
Kur u takuam vitin e kaluar, shpresuam se ky do të ishte një vit ku do të ribashkoheshim nën qiejt e lirë të Evropës. Ne shpresonim se kontinenti ynë më në fund do të ishte në paqe. Fatkeqësisht, ende nuk është kështu. Ndaj, edhe pse sot është ditë feste, është edhe rikujtim i faktit se vlerat që na bashkojnë, janë vlerat që duhet të udhëheqin veprimet tona në tejkalimin e sfidave të ndërsjella. Këto janë vlera që ne duhet të vazhdojmë t’i ruajmë dhe mbrojmë kolektivisht. Për shkak se lufta për liri dhe të drejta të njeriut është larg përfundimit dhe kur vlerat demokratike janë në rrezik kritik, nevoja për unitet, partneritet dhe aleanca bëhet edhe më e madhe.
I nderuar ambasador, diplomatë amerikanë, miq amerikanë,
Shtetet e Bashkuara kanë qenë prej kohësh një fener frymëzimi për Republikën e Kosovës. Ne do të vazhdojmë gjithmonë të shikojmë drejtë Shteteve të Bashkuara. Unë them gjithmonë se ne në fakt jemi një zgjatim i vlerave amerikane. Pra, kur themi, Kosova është edhe shtëpia juaj, me të vërtetë shpresoj që ju ta ndjeni këtë fort çdo ditë që kalon. Për ne, Shtetet e Bashkuara nuk janë thjesht një aleat – por, përkundrazi – një udhërrëfyes… një udhërrëfyes dhe një udhëheqëse në përpjekjet tona globale për ta mbrojtur lirinë, demokracinë dhe drejtësinë për të gjithë.
Mbështetja që SHBA-ja ka dhënë historikisht për ne, jo vetëm ka qenë e një rëndësie vendimtare, por ka qenë një dimension ekzistencial. Kam besim se shumë kapituj bashkëpunimi mbeten për t’u shpalosur mes dy vendeve tona, por është shtylla kurrizore e kësaj aleance ajo që na bën të jemi të sigurt se rruga përpara është mu ajo e duhura.
SHBA-të janë sinonim i çlirimit dhe i lirisë sonë. Për shkak të vendosmërisë suaj, lufta jonë çlirimtare arriti kulmin me të drejtën për të zgjedhur vetë rrugën tonë. Me dashamirësi na ofruat ndihmë në rindërtimin e shtëpive tona, shtëpive tona të shkatërruara dhe të përdhosura nga zjarret e luftës. Ju dhatë mbështetje të palëkundur në ngritjen e themeleve të institucioneve tona, që nga forcat tona policore deri te gjykata jonë kushtetuese dhe në formulimin e ligjeve që mbështesin qetësinë e kombit tonë. Themelet e Republikës sonë të re qëndrojnë si një dëshmi e përkushtimit tuaj të pakushtëzuar për të ruajtur paqen e shtetit tonë sovran.
Parimet që mishërojnë SHBA-në përshkojnë çdo aspekt të Deklaratës sonë të Pavarësisë. Ato krijuan gurthemelin e argumenteve tona përpara Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë. Ishin SHBA-të ato që avokuan vazhdimisht për ne në forume dhe takime të ndryshme, qoftë për të forcuar shtetësinë tonë, për të siguruar njohje ose për të mbrojtur të drejtën tonë të pamohueshme për sovranitet. Ju keni qëndruar përkrah nesh në ndërtimin e ushtrisë sonë, duke siguruar që rritja e saj t’i përmbahet standardeve më të larta të NATO-s dhe gatishmërinë e saj për të kontribuar në paqen dhe stabilitetin global, një rol që tashmë e përmbush. Asgjë nuk e tregon më mirë se simbolika e uniformave të para që i kishin veshur pjesëtarët tanë të ushtrisë, menjëherë pas krijimit të FSK-së: ato ishin uniforma të Shteteve të Bashkuara, uniforma që më parë i mbanin ushtarët amerikanë. Një ushtri që na erdhi në ndihmë dhe u shndërrua në një shpëtimtar. Shpëtimtare e jetës sonë dhe mbrojtëse e vlerave të lirisë dhe demokracisë.
Pra, të dashur miq, le t’i kujtojmë të gjitha këto, dhe shumë më tepër, sa herë që dikush mendon se ka sfida për këtë partneritet. Le ta përkujtojmë se është detyrë e të gjithë ne të sigurohemi që ta mbrojmë dhe ushqejmë këtë aleancë, pasi është kjo aleancë që mban kaq të forta themelet e shtetësisë, sovranitetit dhe integritetit tonë territorial. Le të kujtojmë se fuqia jonë më e madhe qëndron pikërisht në partneritetet që ndërtohen në vlera të përbashkëta, por edhe në vizionin tonë të përbashkët për të ardhmen. Nuk është koha për dyshime apo pyetje, e lëre më për mosmarrëveshje. Në vend të kësaj, është koha për vlerësim, mirënjohje dhe përkushtim për të qenë aty për njëri-tjetrin dhe për ta mbështetur njëri-tjetrin.
Pra, në këtë festë të pavarësisë së SHBA-së, le të rizotohemi të gjithë ndaj idealeve dhe vlerave për të cilat rreh zemra e çdo amerikani dhe e çdo kosovari. Sot, ndërsa nderojmë sakrificat e atyre që erdhën para nesh, të mos e harrojmë kurrë faktin se vetëm nëpërmjet veprimeve dhe përpjekjeve të përbashkëta mund të krijojmë një të ardhme më të mirë për të dy vendet dhe popujt tanë.
Në emër të popullit të Republikës së Kosovës, edhe një herë ju falënderoj dhe gëzuar 4 Korrikun! Rroftë aleanca SHBA-Kosovë!
Ju faleminderit!