Presidentja Osmani priti në takim policët e Kosovës Beqir Sefa, Rifat Zeka e Shemë Mustafa

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka pritur sot në një takim policët e Kosovës Beqir Sefa, Rifat Zeka e Shemë Mustafa, të kidnapuar nga Serbia dhe të liruar ditë më parë. Në takim me policët, Presidentja Osmani ju ka uruar mirëseardhje policëve dhe në të njëjtën kohë ka falënderuar gjithë Policinë e Kosovës për angazhimin e vazhdueshëm për një mjedis të sigurt dhe të qetë. “Policia e Kosovës është institucioni kyç për integritetin territorial dhe sovranitetin e vendit. Institucionet dhe qytetarët e Kosovës e  njohim përkushtimin dhe sakrificën tuaj, por edhe të të gjitha grave dhe burrave në uniformë policore, të cilët e mbrojnë Republikën në çdo cep”, ka theksuar Presidentja Osmani. Të tre policët kanë falënderuar Presidenten Osmani për pritjen dhe shprehën përkushtimin për vazhdimin e angazhimit të tyre në funksion të sigurimit të një mjedisi paqësor dhe tërësisë territoriale të Kosovës.

Presidentja Osmani priti në takim shefin e ri të EULEX-it, Giovanni Pietro Barbano

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur sot në takim shefin e ri EULEX-it, z. Giovanni Pietro Barbano, të cilin e përgëzoi për fillimin e mandatit të tij. Në takim me z. Pietro Barbano, Presidentja Osmani theksoi se bashkëpunimi me EULEX-in në suaza të mandatit aktual të këtij misioni dhe me institucionet tjera ligjzbatuese në vend është jashtëzakonisht i rëndësishëm, e në veçanti në këtë periudhë. Tutje, Presidentja Osmani theksoi se Kosova, si vend që aspiron integrimin në institucionet euroatlantike, është e përkushtuar për koordinim dhe bashkëpunim të vazhdueshëm për të garantuar integritetin profesional dhe zbatimin e praktikave më të mira ndërkombëtare. Në takim, Presidentja foli po ashtu mbi rëndësinë e bashkëpunimit në fushën e sundimit të ligjit dhe luftimit të krimit të organizuar për tejkalimin e sfidave të sigurisë, si dhe në mbrojtjen e të drejtave të grave, fëmijëve dhe komuniteteve joshumicë.

Presidentja Osmani priti në takim lamtumirës ambasadorin e Çekisë në Kosovës, Pavel Bílek

Presidentja e Republikës së Kosovës Vjosa Osmani, priti sot në takim lamtumirës ambasadorin e Çekisë në Kosovës, Pavel Bílek, të cilin e falënderoi për kontributin në forcimin e marrëdhënieve dypalëshe. Sipas Presidentes Osmani, Çekia ka mbështetur vazhdimisht përpjekjet shtetndërtuese të Kosovës dhe perspektivën evropiane. Në këtë frymë, Presidentja Osmani shtroi nevojën e vazhdimit të mbështetjes nga ana e Çekisë në procesin e anëtarësimit të Kosovës në organizata ndërkombëtare për të cilën gjë mori konfirmimin e ambasadorit Bílek. Me ambasadorin Bílek, Presidentja Osmani ka këmbyer pikëpamjet në raport me zhvillimet e fundit politike dhe të sigurisë në vend dhe ka potencuar se Kosova është e përkushtuar për zbatimin e ligjshmërisë në gjithë territorin e vendit, sikurse edhe për paqe e stabilitet. Sipas Presidentes Osmani, sfidat aktuale, Kosova do t`i tejkalojë me partnerë dhe aleatë. Presidentja Osmani dhe ambasadori Bílek shprehën optimizmin e përbashkët për të ardhmen e marrëdhënieve kosovare-çeke, teksa vunë në pah potencialin për thellimin e bashkëpunimit në fusha të interesit të ndërsjellë.

Presidentja: 17 Shkurti dhe 4 Korriku simbolizojnë të njëjtën gjë: LIRINË

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka uruar 4 korrikun, Ditën e Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Presidentja Osmani ka thënë se më 4 korrik, festojmë lirinë e Amerikës, po aq sa festojmë lirinë tonë. Në vijim gjeni të plotë postimin e Presidentes Osmani: Më 17 Shkurt, në ditën e pavarësisë së Kosovës, valojnë po aq flamuj të Amerikës sa edhe të Kosovës. Më 4 korrik, festojmë lirinë e Amerikës, po aq sa festojmë lirinë tonë. Sepse liria jonë ka gjurmë amerikane kudo. Në jetët e shpëtuara, në institucionet e ndërtuara, në çdo rresht të deklaratës së pavarësisë, në çdo njohje të kësaj pavarësie, në çdo sukses e në çdo të arritur. Sepse 17 Shkurti dhe 4 Korriku simbolizojnë të njëjtën gjë: LIRINË. Një liri e ndërtuar mbi aleanca. Një aleancë që do të rrojë po aq sa shteti i Kosovës, përgjithmonë!

Presidentja Osmani priti në takim përfaqësuesin Special të BE-së për Dialog, z.Miroslav Lajčák

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, priti sot në takim përfaqësuesin special të BE-së për Dialog, Miroslav Lajčák. Gjatë takimit u diskutua mbi sfidat aktuale politike dhe të sigurisë me theks të veçantë në veriun e vendit, përpjekjet për deeskalimin e situatës, sikurse edhe nevojën për zbatimin e marrëveshjes së Brukselit dhe aneksit të Ohrit. Presidentja Osmani ka theksuar se institucionet e Kosovës janë të përkushtuara që së bashku me partnerët ndërkombëtarë t`i tejkalojnë sfidat aktuale dhe se Kosova ka demonstruar vullnet për deeskalim, duke ofruar organizimin e zgjedhjeve të reja në veri të vendit, në përputhje me kornizën ligjore të Kosovës. Në kontekst të zhvillimeve të fundit në veriun e vendit, Presidentja Osmani ka theksuar se grupet kriminale dhe individët që përdorën dhunë ndaj policisë, gazetarëve, pjesëtarëve të KFOR-it, EULEX-it dhe qytetarëve, duhet të përballen me drejtësinë. Presidentja Osmani ka theksuar se Kosova mbetet e palëkundur në synimin e saj për paqe dhe stabilitet në vend dhe rajon.

Presidentja Osmani priti në takim kryeministrin e Holandës, Mark Rutte dhe atë të Luksemburgut, Xavier Bettel

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani zhvilloi sot një takim me kryeministrin e Holandës, Mark Rutte dhe atë të Luksemburgut, Xavier Bettel. Takimi trepalësh u fokusua në situatën aktuale politike dhe të sigurisë në vend, forcimin e marrëdhënieve trepalëshe, nxitjen e bashkëpunimit dhe diskutimin në fushat kryesore me interes të përbashkët. Presidentja Osmani falënderoi Holandën dhe Luksemburgun për mbështetjen në procesin e liberalizimit të vizave për Kosovën dhe nënvizoi vlerat dhe qëllimet e përbashkëta që lidhin të tri vendet evropiane së bashku. Më tej, Presidentja Osmani theksoi se aplikimi i Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës dhe në BE, janë orientim strategjik, ndaj shtroi nevojën e mbështetjes dhe përshpejtimit të anëtarësimit të Kosovës në këto dy organizata. Një pjesë e diskutimit me dy kryeministrat u fokusua në situatën aktuale politike dhe të sigurisë në veriun e vendit. Presidentja Osmani tha se Kosova ka demonstruar vullnet për deeskalim, duke ofruar organizimin e zgjedhjeve të reja në veri të vendit dhe se vendosja e rendit dhe e ligjit është në përputhje me investimin ndër vite të shteteve të BE-së me qëllim të promovimit, mbrojtjes dhe sundimit të ligjit në gjithë territorin e Republikës së Kosovës. Në takim, Presidentja Osmani ka shprehur përkushtimin e institucioneve të Kosovës që sfidat t`i tejkalojnë me partnerë dhe aleatë. Në këtë kontekst, Presidentja Osmani potencoi se sulmet ndaj Policisë së Kosovës, EULEX-it, KFOR-it, qytetarëve dhe gazetarëve nga strukturat ilegale dhe kriminale në veri të vendit, nuk duhet të mbeten pa u ndëshkuar. Kurse në raport me procesin e dialogut me Serbinë, Presidentja Osmani tha se Kosova vazhdon të jetë palë konstruktive, derisa Serbia refuzon zbatimin e marrëveshjeve të arritura, sikurse edhe shkelë marrëveshjen e fundit të Brukselit të arritur në Ohër. Presidentja Osmani dhe kryeministrat Rutte e Bettel, diskutuan edhe për mundësitë për rritjen e bashkëpunimit bilateral në fusha të ndryshme të interesit të përbashkët. Takimi i Presidentes Osmani me kryeministrat Rutte dhe Bettel u përmbyll me rikonfirmimin e përkushtimit të përbashkët për avancimin e bashkëpunimit, nxitjen e paqes dhe promovimin e stabilitetit në rajon e më gjerë.

Presidentja Osmani priti sot në takim lamtumirës ambasadorin jorezident të Irlandës në Kosovë, Ronan Gargan

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, priti sot në takim lamtumirës ambasadorin jorezident të Irlandës në Kosovë, Ronan Gargan të cilin e falënderoi për punën e deritanishme si ambasador jorezident në Kosovë dhe në të njëjtën kohë i ka uruar sukses në angazhimet e mëtejme. Në takim me ambasadorin Gargan, Presidentja Osmani e falënderoi shtetin e Irlandës për mbështetjen e vazhdueshme që i ka dhënë Kosovës që nga paslufta e deri më tani. Presidentja Osmani theksoi nevojën e mbështetjes nga Irlanda në procesin e anëtarësimit në Këshillin e Evropës, procesin e anëtarësimit në BE dhe organizata të tjera ndërkombëtare. Sipas Presidentes Osmani, anëtarësimi në Këshill të Evropës është në dobi të garantimit dhe respektimit të të drejtave të gjithë qytetarëve, pa dallim. Me ambasadorin Gargan, Presidentja Osmani ka këmbyer pikëpamjet në raport me zhvillimet e fundit politike dhe të sigurisë në vend. Presidentja Osmani tha se Kosova është e përkushtuar për zbatimin e ligjshmërisë në gjithë territorin e vendit, sikurse edhe për paqe e stabilitet dhe se sfidat do t`i tejkalojë me partnerë dhe aleatë. Ambasadori Gargan shprehi falënderimin e sinqertë për bashkëpunimin me Kosovën dhe në të njëjtën kohë shprehi gatishmërinë e shtetit irlandez për vazhdim të bashkëpunimit në projektet e reja përmes të cilave do të ofronin ekspertizën e tyre në fushën e integrimeve evropiane.

Presidentja Osmani dekoroi me Medaljen Presidenciale Ushtarake udhëheqësit ushtarakë amerikanë në KFOR

Me rastin e përfundimit të mandatit të tyre, Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka dekoruar me Medaljen Presidenciale Ushtarake: kolonelin Chris M Mabis dhe nënkolonelin Jared B. Sheets, për udhëheqjen dhe përpjekjet e jashtëzakonshme për garantimin e sigurisë, paqes dhe lirisë së lëvizjes për të gjithë qytetarët e Kosovës, gjatë shërbimit të tyre në kuadër të forcave paqeruajtëse të KFOR-it në Kosovë. Ajo poashtu i ka ndarë Mirënjohje Presidenciale togeres Ryann Laky nga Shtabi i Gardës Kombëtare të Indianës, për kontributin e saj në ndërlidhjen dhe bashkëpunimin me policinë e Kosovës si dhe fuqizimin e grave në sektorin e sigurisë. Pasi që ka falënderuar të tre ushtarakët amerikanë dhe gjithë ushtarë e KFOR-it për angazhimin e tyre për garantimin e sigurisë dhe lirisë së lëvizjes për të gjithë qytetarët e Kosovës, duke rrezikuar edhe jetën e tyre, Presidentja Osmani theksoi se lidershipi i tyre ka luajtur rol thelbësor në ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në Kosovë dhe rajon në një kohë të ndjeshme. “Populli i Kosovës është përherë falënderues ndaj kontributit të pazëvendësueshëm dhe të çmuar të Ushtrisë amerikane dhe ushtrive të tjera aleate për paqen dhe stabilitetin. Marrëdhëniet tona me SHBA-të janë ekzistenciale dhe nuk do të ndalemi në angazhimin për forcimin e mëtejmë të marrëdhënieve strategjike në mes të Republikës se Kosovës me Shtetet e Bashkuara te Amerikës”, ka theksuar Presidentja Osmani në këtë ceremoni. Ndërkaq ushtarakët amerikanë falënderuan Presidenten Osmani për nderimin, duke shfaqur shpresën që paqja dhe stabilitetit të jenë afatgjate në Kosovë, njësoj sikurse edhe raportet me SHBA-të.

Presidentja: Deklarata Kushtetuese e 2 Korrikut – ngjarje emblematike, e cila shënoi kthesën tonë historike për liri dhe pavarësi

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka uruar 2 korrikun, me ç’rast ka thënë se Deklarata Kushtetuese e 2 korrikut të vitit 1990, e shpallur nga 114 delegatët e Kuvendit të Kosovës hapi rrugën për përmbushjen e ëndrrës shekullore për Kosovën Republikë. Në vijim gjeni të plotë urimin e Presidentes Osmani: Deklarata Kushtetuese e 2 korrikut të vitit 1990, e shpallur nga 114 delegatët e Kuvendit të Kosovës hapi rrugën për përmbushjen e ëndrrës shekullore për Kosovën Republikë. Akti i tyre dëshmoi se rruga e bërjes së shtetit kërkon përkushtim, sakrificë dhe guxim. Delegatët e asaj kohe i gërshetuan këto të tria, duke vërë gurin themeltar të shtetit të Kosovës, i cili u vulos më 17 shkurt 2008. Deklarata Kushtetuese e 2 Korrikut është ngjarje emblematike, e cila shënoi kthesën tonë historike për liri dhe pavarësi. 2 Korriku mbetet një nga datat më të rëndësishme për shtetin tonë, ngase  themelet e tij qëndrojnë mbi vendimin e delegatëve të asaj kohe. Urime 2 Korriku, qoftë e përjetshme Republika e Kosovës!

Presidentja: Presim me padurim të vazhdojmë përpjekjet tona për ta sjellë Kosovën më afër BE-së

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka uruar Spanjën për marrjen e udhëheqësisë së presidencës së Bashkimit Evropian. “Ndërsa Suedia përfundon Presidencën e Këshillit të BE-së, falënderoj kryeministrin suedez Ulf Kristersson për lidershipin dhe përkushtimin e tij për sigurinë dhe stabilitetin në Evropë. Presim me padurim të vazhdojmë përpjekjet tona për ta sjellë Kosovën më afër BE-së gjatë @eu2023es dhe i urojmë Spanjës një kryesim të suksesshme”, ka shkruar Presidentja Osmani në Twitter.

This site is registered on wpml.org as a development site.