Presidentja Osmani mori pjesë në ndarjen e “Çmimit për guxim-Vasfije”, në 24 vjetorin e themelimit të Qendrës Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka vizituar Qendrën Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës, në 24 vjetorin e themelimit të saj. Me këtë rast, edhe është ndarë “Çmimi për guxim-Vasfije”, post-mortem për Dr. Shukri Gërxhaliun, për përkushtimin dhe kontributin e tij në rehabilitimin dhe trajtimin e të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë. Në një bashkëbisedim me të pranishmit, Presidentja Osmani ka thënë se ky përvjetor i Qendrës na bëri bashkë, por ne në fakt bashkë jemi gjithmonë. “Jemi bashkë gjithmonë në një luftë e cila po vazhdon. Është luftë për t’u ngritur mbi një dhimbje, e cila është vështirë të përshkruhet me fjalë. Është luftë për me ngadhnjy mbi një ndër plagët më të thella që i ka kjo shoqëri”, ka thënë Presidentja Osmani. Presidentja Osmani ka thënë se kur njeriu flet me të mbijetuarat dhe kur përballet me këto storie dhe kur e shohim se me çfarë guximi të jashtëzakonshëm gra e burra të Kosovës janë shndërruar në heronj e heroina të këtij vendi, nuk ka se si mos të na ngrisë vullnetin edhe neve që t’i rrisim përpjekjet tona të përbashkëta që të sigurohemi që lufta jonë për drejtësi, mbi të gjitha lufta jonë për drejtësi të vazhdojë dhe mbi të gjitha të ngadhënjejë. “Ne tani s’fundi e kishim rastin e parë që u konfirmua në gjykatat tona me shpalljen fajtor të një prej kriminelëve më famëkeq të involvuar edhe në dhunime, përtej krimeve të tjera që ka kryer dhe ka edhe raste të tjera, për të cilat janë ngritur aktakuza. Por, është shumë me rëndësi që përpjekjet e institucioneve të drejtësisë të rriten e të vazhdojnë në mënyrë që ata që kanë kryer këto krime monstruoze të përballen me drejtësinë”, ka theksuar Presidentja. Përderisa puna e këtyre institucioneve vazhdon, Presidentja Osmani ka thënë se secili e secila prej nesh duhet të sigurohemi që ta ngrisim zërin këtu në Kosovë po edhe në çdo cep të botës, që bota të njihet me këtë dhimbje të shndërruar në forcë të grave të burrave të Kosovës, sipas saj, zë të cilin më së shumti e kanë dëgjuar nëpërmjet Vasfijes, e cila është shndërruar në simbol të të mbijetuarave kudo në botë dhe këtë punë po e vazhdon edhe sot e kësaj dite.Presidentja ka thënë se do t’i rrisim përpjekjet e përbashkëta që bota të dëgjojë për të mbijetuarat e Republikës së Kosovës, që bota të mësojë nga guximi i tyre, por edhe të shohim se si mund të vazhdojmë edhe më tej kauzën tonë të përbashkët për drejtësi.“Si Kryetare e Kuvendit fillimisht, pastaj si Presidente, natyrisht që ndër prioritetet kryesore ka qenë që ta rrisim edhe mbështetjen financiare, edhe atë që ndoshta duket si simbolikë, por tregohet mbështetje për të mbijetuarat nëpërmjet Këndit të Kurajos, edhe duke u siguruar që simbolet, puna e dorës së të mbijetuarave janë në çdo cep të botës, në çdo kontinent, në çdo tavolinë, në çdo zyrë botërore, por edhe duke u siguruar që storiet e tyre të dëgjohen deri në Kombet e Bashkuara, në Parlamentin Evropian dhe çdo institucion tjetër”, ka pohuar Presidentja. Presidentja Osmani, gjithashtu ka folur edhe për kontributin e doktor Shukri Gërxhaliut, i cili sipas Presidentes Osmani që nga fillimi i luftës ka bërë punë të jashtëzakonshme, asnjëherë duke mos e përmend punën e tij në mbështetje të grave viktima në një rajon ku ka pas aq shumë viktima. “Unë kam qenë e nderuar që vitin e kaluar, për nder të Ditës së Pavarësisë t’ia ndaj atij Medaljen më të lartë Presidenciale, Medaljen Presidenciale të Meritave, për kontributin e jashtëzakonshëm në mbrojtjen e së vërtetës dhe mbrojtjen e të mbijetuarave në një kohë kur ndoshta shumë prej tyre nuk kanë pas derë tjetër. Dhe në ato momente të rënda që kanë qenë më të rëndat në historinë jetësore të këtyre grave e burrave ta kesh një derë ku mund të mbështetesh, ku mund të kërkosh shërim është e jashtëzakonshme. Sepse, shumëkush ndoshta ka fillu ta luftojë stigmën, të jap mbështetjen më vonë. Por në vitet ’98-99, ka pas shumë pak dyer, shumë pak njerëz, shumë pak zëra që ju kanë dhënë mbështetje. Doktor Shukriu e të tjerë anë e kënd botës që e kanë dhënë këtë mbështetje ka qenë e jashtëzakonshme, është vështirë të përshkruhet me fjalë, prandaj gjithë nderimin, gjithë respektin tonë i cili do të vazhdojë përgjithmonë”, ka thënë Presidentja Osmani.
Presidentja Osmani priti Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani priti Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg. Postimi i plotë i Presidentes: Vizita e Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, vjen në një moment përcaktues për paqen dhe sigurinë, jo vetëm në rajon, por në të gjithë kontinentin tonë. Kosova është e vendosur për të ardhmen e saj, prandaj në takimin e sotëm, ritheksova rëndësinë urgjente të anëtarësimit në NATO, duke filluar me përfshirjen e vendit tonë në Partneritetin për Paqe. Në një rajon të sfiduar nga planet destabilizuese të Serbisë, bashkëpunimi me aleatët tanë në NATO është i domosdoshëm për të siguruar paqe dhe siguri afatgjate në rajon dhe më gjerë.
Presidentja Osmani flet në Samitin më të madh në botë të teknologjisë informative, i cili po mbahet në Lisbonë

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, e cila ka qëndruar për vizitë njëditore zyrtare në Portugali, i është adresuar pjesëmarrësve në Samitin më të madh në botë të teknologjisë informative, i cili po mbahet në Lisbonë. Para përfaqësuesve të më se 160 shteteve, Presidentja Osmani ka folur për rëndësinë e sektorit të ICT-së, barazisë gjinore, etikës dhe gjithpërfshirjes. “Po aq sa është e rëndësishme etika për sektorin e teknologjisë informative, e cila po zhvillohet me ritëm të shpejtë, ne nuk duhet t`i harrojmë paragjykimet në rritje në këtë fushë. Prandaj, diversiteti dhe gjithëpërfshirja në zhvillimin e teknologjisë informative duhet të jenë imperativ i kohës sonë”, ka theksuar Presidentja Osmani. Sipas Presidentes Osmani, sektori i teknologjisë informative është jo vetëm mundësi e fuqizimit ekonomik, por edhe katalizator për transformimin e shoqërisë. Ndryshe, Samiti i Lisbonës është më i madhi në botë në fushën e teknologjisë informative, ndërkohë që në këtë edicion ka mbledhur afro 160 shtete dhe mbi 70-mijë pjesëmarrës.
Presidentja Osmani bashkë me kryetarin e qytetit të Lisbonës, Carlo Moedas, përuruan shtatoren e shenjtores shqiptare Shën Tereza

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani bashkë me kryetarin e qytetit të Lisbonës, Carlo Moedas, përuruan shtatoren e shenjtores shqiptare Shën Tereza, në qendër të qytetit të Lisbonës, Portugali. Postimi i plotë i Presidentes: Tashmë edhe në qendër të qytetit të Lisbonës, Portugali. Bashkë me kryetarin e qytetit të Lisbonës, Carlo Moedas, përuruam shtatoren e shenjtores shqiptare Shën Tereza. Kjo shtatore nuk është thjesht një vepër arti, por mbi të gjitha, një urë që na lidhë me idealin e përjetshëm të shërbimit vetëmohues dhe dashurisë për të tjerët. Le të shërbejë kjo statujë si një kujtesë e vazhdueshme e bamirëses më të madhe që njohu njerëzimi!
Intervista e Presidentes Vjosa Osmani në emisionin Prijmë në Klan Kosova mbi barazinë dhe luftën ndaj dhunës në shoqëri

Presidentja Osmani u prit në takim nga kryeministri i Portugalisë, António Costa

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, gjatë vizitës së punës në Portugali është pritur nga kryeministri António Costa. Marrëdhëniet ndërmjet dy shteteve u vlerësuan si tejet miqësore, ndërkohë që Presidentja Osmani çmoi mbështetjen e këtij shteti për Kosovën, që nga viti 1999 me pjesëmarrjen e ushtarëve në misionin e KFOR-it, por edhe në fazat e mëvonshme të shtetformimit dhe shtetndërtimit. Duke kërkuar përkrahjen e mëtejme të Portugalisë për rrugën euro-atlantike të vendit tonë, Presidentja Osmani ka theksuar se është jo vetëm interes shtetëror i Kosovës, por edhe interes strategjik i BE-së, që Ballkani Perëndimor, bazuar në merita, të bëjë hapa të rëndësishëm drejt anëtarësimit, në mënyrë që të kontribuohet për synimin e përbashkët për një Evropë të tërë, të lirë e në paqe. Ne këtë kontekst, Presidentja ritheksoi se është e domosdoshme të bëhen hapa urgjent për anëtarësim në NATO, duke filluar me Partneritetin për Paqe, si hap që do të kontribuonte jashtëzakonisht shumë për paqe në rajonin dhe kontinentin tonë. Në takim, Presidentja Osmani ndër të tjera e ka informuar kryeministrin Costa për zhvillimet e fundit politike dhe të sigurisë në Kosovë, posaçërisht në lidhje me agresionin e Serbisë ndaj Kosovës dhe nevojën e adresimit të përgjegjësisë së saj për destabilizimin e Kosovës dhe rajonit. Më tej Presidentja Osmani ka theksuar se në dialogun me Serbinë, Kosova vazhdon të jetë palë konstruktive dhe se vetëm njohja reciproke është kusht për paqe e stabilitet në rajon. Të dy bashkëbiseduesit kanë diskutuar edhe mundësitë e thellimit të bashkëpunimit në sferën e politikës së jashtme, sektorin e IT-së, shkëmbimit ekonomik e tregtar, arsim, si dhe fusha të tjera të interesit të dyanshëm
Presidentja Osmani u prit në takim nga presidenti i Portugalisë, Marcelo Rebelo de Sousa

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani gjatë vizitës në Portugali është pritur në takim nga presidenti Marcelo Rebelo de Sousa në Pallatin Presidencial “Belem” në Lisbonë. Sipas Presidentes Osmani, vizita e dytë në këtë shtet është dëshmi e marrëdhënieve të shkëlqyera dypalëshe, të cilat tashmë ndodhen në një fazë dinamike me fokus në intensifikimin e bashkëpunimit në të gjitha fushat. Vizita e Presidentes Osmani përkon me 15 vjetorin e njohjes së Kosovës nga Portugalia dhe lidhjes së marrëdhënieve diplomatike ndërmjet dy shteteve. “Ky është një moment i rëndësishëm dhe historik për ta shprehur mirënjohjen për shtetin dhe popullin e Portugalisë për kontributin e dhënë përgjatë viteve. Kjo mbështetje ka ndikuar shumë në avancimin e qëllimeve tona parësore në rrugën e integrimeve euro-atlantike, forcimin e paqes dhe stabilitetit rajonal”, ka theksuar Presidentja Osmani. Më tej, Presidentja Osmani ka theksuar se e sheh Portugalinë si një shtet mik brenda Bashkimit Evropian dhe më gjerë, ndaj tha se shpreson në mbështetje të mëtejme për anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare. Në këtë kontekst Presidentja ka falënderuar Portugalinë për mbështetje në procesin e liberalizimit të vizave dhe për anëtarësimin në Këshillin e Evropës, si dhe ka shfaqur shpresën se Portugalia do të përkrahë edhe dhënien e statusit kandidat në BE per Republikën tonë. Një pjesë e takimit iu kushtua zhvillimeve të fundit politike dhe të sigurisë në Kosovë. Presidentja Osmani e informoi homologun De Sousa dhe për zhvillimet e fundit në vend, si dhe mbi aktin e agresionit të Serbisë kundër Republikës së Kosovës më 24 shtator, me ç’rast, potencoi rëndësinë e sjelljes para drejtësisë në Kosovë të grupit paramilitar serb dhe adresimin e përgjegjësisë së Serbisë në destabilizimin e Kosovës dhe rajonit. Presidentja poashtu potencoi se në procesin e dialogut me Serbinë, Kosova është palë konstruktive dhe se përmbyllja e këtij procesi përmes njohjes së ndërsjellë është e vetmja rrugë që do të sjellë paqe afatgjate në rajon. Në këtë takim, Presidentja Osmani dhe presidenti De Sousa kanë diskutuar edhe mundësitë për thellimin e bashkëpunimit të sfera të interesit të dyanshëm.
Presidentja Osmani udhëtoi për vizitë pune në Portugali

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, sot ka udhëtuar në vizitë pune në Portugali. Gjatë qëndrimit në këtë shtet, Presidentja Osmani do të takohet me presidentin e Potugalisë, Marcelo Rebelo de Sousa dhe me kryeministrin, António Costa. Me ftesë të Web Summit, Presidentja Osmani e shoqëruar nga delegacioni i bizneseve kosovare në fushën e ICT-së, do të jetë folëse në këtë samit, i cili konsiderohet ngjarje kryesore e teknologjisë në botë. Në kuadër të vizitës në Portugali, Presidentja Osmani dhe kryetari i Lisbonës, Carlo Moedas do ta përurojnë shtatoren e Nënë Terezës, e vendosur në qendër të kryeqytetit të Portugalisë.
Fjalimi i Presidentes Vjosa Osmani në ceremoninë e nënshkrimit të granteve për 53 biznese në pronësi të grave dhe komuniteteve joshumicë, të organizuar nga USAID

E nderuara znj. Alyson Grunder, e ngarkuar me punë në Ambasadën e SHBA-ve, E nderuara znj. Devitt, drejtore e Misionit të USAID-it në Kosovë, E nderuar znj. Mahmuti, drejtore e CDF, Të nderuara sipërmarrëse dhe sipërmarrës, Është gjithnjë nder i veçantë kur mblidhemi bashkë në ngjarje të cilat kanë në qendër gratë dhe sukseset e tyre të vazhdueshme. Kjo ngjarje me të vërtetë është reflektim i angazhimit tonë të përbashkët për gjithëpërfshirje ekonomike, për fuqizim të sipërmarrësve si nga ana e grave ashtu edhe nga komunitetet joshumicë. Në fushën e rritjes dhe zhvillimit ekonomik, fuqizimi i grave qëndron si një gurthemel i përparimit tonë të përgjithshëm. Arritjet e sipërmarrëseve gra në Kosovë nuk janë vetëm suksese individuale; ato janë arritje kolektive që ngrisin dhe fuqizojnë të gjithë shoqërinë tonë. Këto gra të jashtëzakonshme po thyejnë barrierat në sektorë tradicionalisht të dominuar nga burrat, duke prirë me praktika inovative dhe duke vendosur standarde të reja të cilësisë. Arritjet e tyre po e riformësojnë sektorin e biznesit, duke kontribuar drejt një kulture të barazisë dhe gjithëpërfshirjes. Është konfirmuar tashmë gjerësishtë se gratë jo vetëm që fuqizojnë bizneset dhe familjet e tyre, por edhe kontribuojnë në mënyrë të konsiderueshme në përmirësimin e strukturës ekonomike dhe sociale të shtetit tonë. Prandaj, angazhimi ynë për t’i mbështetur gratë në biznes dhe për t’i mbështetur të gjitha komunitetet në po të njejtin synim, mbetet i palëkundur. Ne synojmë të ofrojmë më shumë mundësi, burime dhe platforma për të gjithë, për ta kapitalizuar plotësisht potencialin e tyre ekonomik, sepse ky nuk është vetëm investim në individë, por është investimi më i mençur për të ardhmen e Republikës sonë. Gjersa shumë nga bizneset në pronësi të grave u detyruan të mbyllen si pasojë e pandemisë që lamë pas, është shpresëdhënës fakti që sot jemi dëshmitarë të një vale të re të bizneseve të reja në pronësi dhe menaxhim të grave. Ky ngadhënjim flet shumë për forcën dhe vendosmërinë tuaj në tregun tonë të punës, por edhe në çdo sferë të jetës në përgjithsësi. Sot, gjersa qëndroj para jush, dua të flas edhe për angazhimin e vazhdueshëm e të çmueshëm të USAID-it. Projektet e USAID kanë prekur çdo aspekt të jetës në Kosovë, duke vendosur themelet për një të ardhme më të qëndrueshme dhe me mirëqenie më të lartë për të gjithë qytetarët tanë, pa dallim. Partneriteti ynë me USAID është më shumë sesa thjeshtë një bashkëpunim; është një udhëtim i përbashkët drejt ndërtimit të një Kosove më të fortë, më gjithëpërfshirëse dhe më prosperuese. Është një dëshmi e lidhjes së palëkundur ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, dhe njëkohësishtë është dëshmi e përkushtimit tonë të përbashkët për ta forcuar edhe më tej këtë partneritet. Prandaj, për këtë mbështetje të vazhdueshme, ne u jemi përgjithmonë mirënjohës. Ndarja e granteve nga USAID për 53 biznese në pronësi të grave dhe biznese të udhëhequra nga gra e burra nga komunitetet joshumicë, është më shumë sesa thjeshtë një investim financiar. Është një shenjë besimi në aftësitë e jashtëzakonshme të sipërmarrësve tanë. Këto fonde do të shërbejnë si katalizator për rritje, inovacion dhe qëndrueshmëri të mëtutjeshme në secilin nga këta sektorë jetik të ekonomisë tonë. Zonja dhe zotërinj, Vizioni ynë është i tillë ku çdo sipërmarrës, pavarësisht dallimeve, ka mundësi të kontribuojë drejt prosperitetit të shtuar të vendit tonë. Ne po punojmë drejt një të ardhme ku këto biznese jo vetëm mbijetojnë, por janë lidere në fushat e tyre, si në Kosovë, ashtu edhe përtej kufijve tanë. Në vitet e fundit, kemi qenë dëshmitarë të një rritjeje të rëndësishme të bizneseve të Kosovës, shumë nga to në pronësi të grave të cilat po korrin suksese të vazhdueshme në tregjet ndërkombëtare. Këto suksese përfshijnë një gamë të gjerë të sektorëve, nga verërat tona të shkëlqyeshme që tani shijohen në kryeqendrat botërore e deri tek produktet tona bujqësore që po shquhen në tregjet e huaja për cilësitë e tyre. Secila nga këto suksese është dëshmi e frymës sipërmarrëse, inovative dhe shpresëdhënëse të Kosovës dhe potencialit të jashtëzakonshëm të bizneseve tona. Në këtë drejtim, mbështetja e USAID-it, ka qenë dhe vazhdon të mbetet esenciale. Për të gjithë fitueset dhe fituesit e granteve të pranishëm sot këtu, shpreh urimet më të përzemërta. Është puna juaj e palodhshme, përkushtimi dhe fryma sipërmarrëse që ju kanë sjellur deri këtu. Jam e bindur që përmes këtyre granteve, ju do të keni mundësi të vazhdoni punën tuaj me përkushtim, i cili shërben si katalizator i ndryshimit transformues ekonomik në të gjithë vendin tonë. Të nderuar të pranishëm, Derisa shikojmë drejt së ardhmes, le të mos harrojmë se udhëtimi ynë drejt gjithëpërfshirjes ekonomike dhe barazisë është proces i vazhdueshëm. Çdo hap që hedhim, pavarësisht madhësisë së tij, është një hap drejt një të ardhmeje më të ndritshme, më të barabartë dhe më të begatë për Republikën tonë. Prandaj, le të vazhdojmë të punojmë krah për krah, duke mbështetur dhe ngritur njëri-tjetrin e sidomos ata më në nevojë, ndërsa synojmë të përmbushim këtë vizion të përbashkët. Ju faleminderit.
Presidentja Osmani mori pjesë në varrimin e ish-Presidentit të Finlandës, Martti Ahtisaari

Me ftesë të Qeverisë finlandeze, Presidentja Vjosa Osmani së bashku me ish-Presidentin Fatmir Sejdiu, morën pjesë sot në varrimin e ish-Presidentit të Finlandës, Martti Ahstisaari. Në funeralin shtetëror të mbajtur në Helsinki ishin prezent më shumë se 800 të ftuar, krerë e përfaqësues të shteteve, si dhe bashkëpunëtorë nga etapa të ndryshme të karrierës së ish-Presidentit Ahtisaari. Duke nderuar kujtimin për ish-Presidentin Ahtisaari, Presidentja Osmani tha se: “Sot i dhamë lamtumirën e fundit burrështetasit dhe paqebërësit Martti Ahtisaari. Përkushtimi i palodhshëm i Presidentit Martti Ahtisaari ndaj diplomacisë, zgjidhjes së konflikteve dhe të drejtave të njeriut ka lënë gjurmë të pashlyeshme në botën tonë”. Tutje, ajo ka shprehur mirënjohjen e thellë për kontributin e tij për pavarësinë e Kosovës si dhe për shërbimin e tij shembullor. Mysafirët në varrimin e Presidentit Ahtisaari janë ftuar nga Qeveria finlandeze në përputhje me dëshirat e familjes së Presidentit Ahtisaari. Kontributi i Presidentit Ahtisaari për paqe dhe zgjidhje të konflikteve në vende të ndryshme të botës u vlerësua edhe në vitin 2008 kur atij iu dha Çmimi Nobel për Paqe.