Fjalimi i Presidentes Osmani në përurimin e pllakës së Familjes Dumoshi

Të nderuar të pranishëm, Shumë e dashur familje Dumoshi, Të nderuar deputetë, kryetarë të partive politike, Bashkëpunëtorë të familjes Dumoshi, Të nderuar anëtarë të Lëvizjes “Shoqëria”, Të nderuar anëtarët e Shoqatës së Burgosurve Politik, Shumë të nderuar të pranishëm, Vërtetë është nder i madh që sot të jem në mesin tuaj, në një ceremoni dedikuar një gruaje dhe tre burrave, të cilët në kohë të vështira e bën të pamundshmen për ta zgjuar vetëdijen kombëtare, për ta zhvilluar arsimin në gjuhën shqipe dhe për ta dhënë kontributin e jashtëzakonshëm në përmbushjen e ambicies së kamotshme për Kosovën e lirë. Pllaka të cilën po e përurojmë sot mbanë emrat e Sadije, Xhemajl, Osman dhe Ismail Dumoshit, e vendosur pikërisht në shtëpinë, e cila atëkohë ishte vatër e aktivitetit kombëtar. Sot po e vulosim një kujtesë, por poashtu po nderojmë kontributin e tyre, i cili duhet të shërbejë si frymëzim e motiv për secilin prej nesh se si duhet të mbrohet gjuha, kombi dhe atdheu. Kjo pllakë dhe ky nderim na tregon se historia e lëvizjes sonë për liri e pavarësi është e hershme. Sadia në mbrojtje të së drejtës së bijve të saj për mësim në gjuhën shqipe, Xhemajli, Osmani e Ismaili në angazhimin e tyre për emancipim, arsimim, për liri e për Republikë përbëjnë pjesën domethënëse të kontribuuesve për lirinë dhe pavarësinë tonë. Në nëntorin e festave kombëtare, në nëntorin e lavdishëm, nderimi ndaj tyre është rikthim në kujtesë i ngjarjeve historike, të cilat i paraprinë realizimit të ëndrrës sonë për shtet. Demonstratat e vitit 1968 ishin vetëm fillimi i rrugës sonë të gjatë e të zorshme për artikulimin e kërkesës sonë për Kosovën Republikë. Në këtë shtëpi, Ismail Dumoshi me shumë e shumë aktivistë të tjerë, nisën betejën për Kosovën Republikë, ëndrrën e atëhershme, realitetin e sotëm. Angazhimi i tyre, por edhe i shumë veprimtarëve të tjerë, bëri që më 6 tetor 1968, regjimi i atëhershëm jugosllav ta lejojë përdorimin e flamurit kombëtar, me të cilin populli ynë e zhvilloi  gjithë përpjekjen dhe luftën për pavarësinë dhe shtetin e Kosovës. Në analet e historisë sonë, familja Dumoshi konsiderohet ndër kontribuuesit kryesorë, ideatorët dhe udhëheqësit e demonstratave të vitit ’68 në Prishtinë e më gjerë. Përpjekja e tyre për zhvillimin e arsimit shqip dhe për vetëdijen kombëtare ka lënë gjurmë të dukshme. Ismaili dhe gjithë familja e tij e konsideronin arsimimin shtyllë kryesore të vetëdijesimit tonë kombëtar. Në saj të kësaj qasje dhe këtij angazhimi, ideja e Kosovës Republikë u bart brez pas brezi,  nga viti ’68 në ’81 e ’97, me daljen publike të UÇK-së përgjatë rezistencës së prirë nga Presidenti historik, Ibrahim Rugova e ndërtimit të aleancave nga ana e tij përgjatë luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës gjatë viteve të ’90-ta në krye me komandantin Adem Jashari e përfundimisht mori vulën në vitin 2008 me shpalljen e Kosovës, shtet të pavarur e sovran. Prandaj, në këtë nëntor i përkulemi veprimtarisë së familjes Dumoshi, sikurse edhe veprimtarisë së shumë patriotëve të tjerë, me sakrificën e të cilëve sot jemi popull i lirë në mesin e popujve tjerë të lirë. Kosova sot më në fund është Republikë, është vend i lirë,  ndërsa kujtimi për familjen Dumoshi dhe patriotët e tjerë të lëvizjes kombëtare do të jetë i përhershëm! Ju faleminderit!

Presidentja Osmani vizitoi kazermën “Adem Jashari” me rastin e Ditës së Forcës

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka vizituar  sot kazermën “Adem Jashari”, me rastin e Ditës së Forcës. Së bashku me kryeministrin Albin Kurti, me ministrin e Mbrojtjes Ejup Maqedonci dhe komandantin e Forcës së Sigurisë së Kosovës, Gjenerallejtënant Bashkim Jashari, kanë parë nga afër makineritë ushtarake prezantuar me rastin e kësaj dite. Presidentja Osmani ka thënë se Dita e FSK-së, është ditë krenarie jo vetëm për ushtarët, por për secilin qytetarë të Republikës së Kosovës. “Është ditë kur ne me shumë krenari kujtojmë sakrificën jashtëzakonisht të madhe të popullit tonë, të Ushtrisë sonë Çlirimtare për të ardhur deri në këtë ditë, është derdhur shumë gjak në mënyrë që Kosova ta ketë ushtrinë e saj. Prandaj, jam e bindur që secili ushtar e secila ushtare e mban këtë uniformë me shumë krenari dhe është i gatshëm që të jap edhe jetën për atdheun në qoftë së është nevoja”, ka thënë Presidentja Osmani. Sipas Presidentes, Forca e Sigurisë është Forcë e cila është e trajnuar në bazë të standardeve më të larta të NATO-s. “Forcë e cila jep kontribut jo vetëm për paqe e siguri në rajon, por edhe përtej duke shërbyer së bashku me forcat amerikane, forcat e Mbretërisë së Bashkuar dhe ushtritë tjera aleate nëpër vendeve të ndryshme të botës në misione paqeruajtëse dhe kështu duke dëshmuar se tashmë ajo është e gatshme t’i bashkohet ushtrive tjera aleate në aleancën më të fuqishme në historinë e njerëzimit, në aleancën e NATO-s”, ka theksuar Presidentja Osmani. Presidentja Osmani ka thënë se si Komandante supreme e kësaj ushtrie çdokund, në çdo cep të botës shihet se me sa admirim vlerësohen sukseset e kësaj ushtrie. “Prandaj, jam jashtëzakonisht krenare për të, por njëkohësisht së bashku me institucionet e tjera do të punojmë në mënyrë që të krijohen kushte edhe shumë më të volitshme, qofshin ato të mirëqenies, qofshin ato të trajnimeve dhe shkollimit shtesë, qofshin ato shëndetësore, në mënyrë që çdo ushtar dhe çdo ushtare e ushtrisë sonë të ketë më shumë prosperitet dhe më shumë vullnet e motiv që të kontribuojë për ushtrinë tonë dhe për vendin tonë”, ka pohuar Presidentja. Tutje, Presidentja Osmani ka thënë se së bashku me Kryeministrin, me ministrin e Mbrojtjes, me Komandantin e FSK-së janë vazhdimisht në koordinim në mënyrë që ushtria jonë çdo ditë e më shumë të arrijë edhe maja më të larta. Në fund, Presidentja Osmani ka uruar të gjithë për Ditën e Forcës dhe festat e Nëntorit.

Presidentja Osmani priti në takim ministren e Punëve të Jashtme të Mbretërisë së Belgjikës, Hadja Lahbib

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka pritur në takim ministren e Punëve të Jashtme të Mbretërisë së Belgjikës, Hadja Lahbib.   Në këtë takim, Presidentja Osmani falënderoi  Belgjikën për mbështetjen për integrimin e Kosovës në Bashkimin Evropian, si dhe mbështetjen e ofruar për anëtarësim në Këshillin e Evropës e në procesin e liberalizimit të vizave.   Gjithashtu, Presidentja Osmani përgëzoi shtetin e Belgjikës për ngritjen e nivelit diplomatik të marrëdhënieve ndërshtetërore me hapjen e Ambasadës në Prishtinë.   Sipas Presidentes Osmani, Kosova është e interesuar për rritjen e bashkëpunimit dypalësh, veçanërisht në fushën e ekonomisë, tregtisë dhe investimeve, si dhe marrëveshjen për bashkëpunim në fushat e sigurisë dhe mbrojtjes.   Presidentja Osmani ka theksuar se mërgata e Kosovës në Belgjikë luan një rol të rëndësishëm në nxitjen e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve.   Në takim, Presidentja Osmani e ka informuar ministren Lahbib edhe për zhvillimet e fundit politike dhe të sigurisë në Kosovë, posaçërisht në lidhje me agresionin e 24 shtatorit të Serbisë ndaj Kosovës dhe nevojën e adresimit të përgjegjësisë së saj për destabilizimin e Kosovës dhe rajonit.   Sipas Presidentes Osmani, Kosova është një vend modern evropian, demokratik dhe shumetnik që aspiron të bëhet anëtare e plotë e Bashkimit Evropian dhe NATO-s, si dhe e organizatave të tjera ndërkombëtare.   Në këtë kontekst, Presidentja Osmani tha se meqë Belgjika e merr presidencën e BE-së më 1 janar 2024, ndaj Kosova është e interesuar të punojë sa më afër me Presidencën belge për të siguruar progres konkret në procesin e integrimit të Kosovës në BE.

Presidentja Osmani kujton Xhemajl Mustafën në 23-vjetorin e vrasjes

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka kujtuar politikanin dhe intelektualin Xhemajl Mustafa në 23-vjetorin e vrasjes. Në vijim gjeni të plotë përkujtimin e Presidentes Osmani: Ai ishte më shumë se një politikan, një bartës i së vërtetës dhe njeri me virtyte, duke e vënë gjithë potencialin e tij intelektual në shërbim të luftës për liri e pavarësi. Vrasja e tij na i kujton sfidat e ashpra me të cilat u përball shoqëria jonë atëkohë. Trashëgimia e tij do të jetojë përherë në zemrat tona, teksa vizioni i tij për Kosovën e pavarur është testamenti i përmbushur. Autorët duhet të vihen para drejtësisë, ndërkaq kujtimi për Xhemën do të jetë i përhershëm!

Fjalimi i Presidentes Osmani në Samitin e III-të të Diasporës të mbajtur në Tiranë

I nderuar president Begaj, I nderuar kryeministër Rama, E nderuar kryetare e Kuvendit znj. Nikolla, I nderuar kryetari i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, z.Talat Xhaferi, Zëvendëskryeministra, ministra e përfaqësues nga Shqipëria, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Presheva, Medvegja, Bujanoci e treva të tjera shqiptare, Të dashur vëllezër e motra, Mërgata jonë është sublimim i përpjekjeve të gjata e të kahershme për liri, për pavarësi dhe për shtetndërtim. Prandaj, jam jashtëzakonisht e nderuar që jam sot këtu në Tiranë, në qytetin, i cili na mbledhë zakonisht ne shqiptarëve kudo që jemi, aq më tepër në Samitin që I dedikohet mërgatës sonë, e cila vazhdon të jetë një katalizator i ndryshimit pozitiv kudo që jetojnë shqiptarët. Mërgata shqiptare është simbol i qëndrueshmërisë, i forcës dhe shpirtit të palëkundur të popullit e të kombit tonë. Gjatë historisë, shqiptarët, pa dëshirën e tyre, janë shpërndarë në mbarë globin, por gjithnjë duke mbajtur trashëgiminë tonë të pasur kulturore, traditat dhe identitetin e paepur shqiptar. Nga ky cep i Evropës e deri në kontinentet më të largëta, shqiptarët kanë lënë gjurmë, duke u integruar e arritur suksese në shtetet në të cilat emigruan, por gjithnjë duke ruajtur themelet dhe rrënjët e tyre. Mërgata jonë ka luajtur një rol të rëndësishëm në secilin shtet ku jeton dhe vepron, duke kontribuar me aftësitë, njohuritë dhe përkushtimin e palëkundur të punës në fushat e ndryshme. Pavarësisht sfidave me të cilat është përballur, mërgata shqiptare ka mbetur thellësisht e lidhur me atdheun, duke i mbetur besnike rrënjëve. Fati historik e treti nëpër botë një pjesë të njerëzve tanë, por lidhja e fuqishme me vendin e origjinës, respekti ndaj traditës, bëri që ata asnjëherë mos t’ia kthejnë shpinën atdheut, duke u bërë ura më e fuqishme lidhëse e shteteve tona me botën. Nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi, Presheva, Medvegja e Bujanoci, mërgata jonë është një! Përderisa jemi mbledhur sot të gjithë këtu mos të harrojmë se vëllezërit dhe motrat tona në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc akoma përballen me diskriminim sistematik që rezulton edhe me spastrim etnik nëpërmjet mjeteve administrative. Si gjithnjë, u themi edhe sot ju nuk jeni vetëm! Të gjithë jemi bashkë me ju, të gjithë jemi bashkë me ju në mbrojtjen e të drejtave të shqiptarëve në Preshevë, Medvegjë e Bujanoc. Prandaj, edhe në këtë kauzë, në këtë kauzë për mbrojtjen e tyre duhet dhe do të jemi një. Roli historik i mërgatës shqiptare është i jashtëzakonshëm. Përgjatë kohërave sfiduese, ata ishin dhe janë ambasadorë të kulturës sonë, avokatë dhe avokues të kauzave tona dhe përkrahës të vendosur të aspiratave tona kombëtare. Mërgata shqiptare, padyshim është shtylla e lëvizjes kombëtare për liri, e për pavarësi të shqiptarëve. Solidariteti dhe mbështetja e tyre e palëkundur kanë qenë burim force për ne në rrugëtimin tonë drejt lirisë, pavarësisë e demokracisë por edhe drejt fuqizimit të shtetndërtimit e prosperitetit të popullit tonë. Në vitet e tetëdhjeta e nëntëdhjeta mërgata jonë ishte zëri ynë në të gjitha qendrat e vendimmarrjes, nga Uashingtoni në Bruksel, nga Berlini në Paris, e në Romë e në shumë vende të tjera. Ishte zëri i fuqishëm i një populli të shtypur që synonte dhe luftonte për lirinë. Ishte mërgata jonë ajo që qëndroi në ballë të qëndresës sonë, luftës për mbijetesë dhe luftës për shtet të pavarur e sovran. Por mbështetja e mërgatës nuk u ndal me kaq. Kontributi i saj prej dekadash e ka shndërruar atë edhe në një krah të fortë ekonomik të familjeve dhe shtetit të Kosovës. Ky angazhim nuk u ndërpre asnjëherë. Falë kontributit të mërgatës sonë u arrit të mbahej gjallë edhe sistemi paralel i arsimit, shëndetësisë dhe kulturës në vitet e nëntëdhjeta, në një kohë kur populli shqiptar në Kosovë po rrezikohej nga shfarosja. Kjo mërgatë, mbi të gjitha bëri të mundur mbajtjen gjallë të idesë politike për lirinë dhe pavarësinë e vendit tonë, ngase secili mërgimtar, në fakt ishte një ambasador i Kosovës në përhapjen e të vërtetës dhe mbrojtjen e të drejtës sonë për liri e pavarësi. Rrugëtimi i tyre është një me fatin e vendit, ndaj më 1997, kur lufta për lirinë e Kosovës mori hov, shumë të rinj e të reja nga mërgata iu bashkuan varganit të lirisë, duke u mobilizuar në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, si mbrojtës të vendit tonë. Në këtë mënyrë, mërgata jonë nuk e luajti vetëm rolin mbështetës për Kosovën, por u bë hisedare kryesore në procesin e lirisë dhe pavarësisë së vendit tonë. Jusuf e Bardhosh Gërvalla, Kadri Zeka, Agim Ramadani, Sali Çekaj, ushtarët e batalionit Atlantiku, e shumë e shumë të tjerë, janë vetëm disa, vetëm disa nga heronjtë tanë, të cilët ranë në altarin e lirisë, duke qenë së pari aktivistë të çështjes kombëtare, si mërgatë në vendet ku jetuan dhe vepruan. Por, nuk janë vetëm individët, ka edhe shumë shoqata, të cilat grumbullojnë shqiptarët në mërgatë e që kanë bërë punë të jashtëzakonshme, qoftë ne mesin e shqiptarëve të Amerikës, pastaj në Zvicër, Gjermani, Mbretëri të Bashkuar, e në shumë e shumë shtete të tjera të Evropës e të botës. Por, asgjë ndoshta nuk dëshmon më shumë lidhjen e fortë me rrënjët se sa arbëreshët tanë, të cilët ruajtën gjuhën e traditën për shekuj të tërë. Pra, kontributi i mërgatës shqiptare në zhvillimin e atdheut është i pamatshëm. Sot, nëpërmjet remitancave, investimeve, filantropisë dhe shkëmbimit të njohurive, mërgata jonë vazhdon të marrë pjesë aktive në përparimin ekonomik, social e kulturor të vendeve tona. Ata nuk janë vetëm qytetarë që jetojnë në dhe të huaj, por përbëjnë potencial të rëndësishëm për transformimin e shteteve tona nëpërmjet përvojës dhe ekspertizës së tyre. Mërgata luan rol të rëndësishëm si agjente e ndryshimit dhe avokuese për zhvillim. Përvojat e tyre krijojnë një perspektivë unike për qeverisjen, çështjet sociale dhe politikat tona. Në fakt, imazhi më i mirë i Kosovës janë pikërisht mërgata jonë. Njerëz punëtorë, atdhetarë që busullë orientimi e kanë vendin e tyre të prejardhjes, atdheun e tyre. Sot, kemi shumë arsye të krenohemi si shqiptarë, sepse shumë figura nga mërgata jonë janë shndërruar në

Presidentja Osmani merr pjesë në Samitin III për Diasporën në Tiranë

Presidentja e Republikës së Kosovës, me ftesë të Kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, ka udhëtuar për në Tiranë ku do të marrë pjesë në Samitin III për Diasporë. Në këtë Samit, pritet të marrin pjesë liderë institucionesh, partish politike, studiues dhe historian nga gjithë hapësira shqiptare, duke përfshirë edhe përfaqësues dhe figura të njohura të komunitetit arbëresh. Presidentja Osmani në Samitin III për Diasporën, do t`i adresohet të pranishmëve me një fjalim. Samiti III për Diasporën do t`i zhvillojë punimet më 22-23 nëntor.

Presidentja Osmani takoi ambasadorin e SHBA-së në Kosovë, Jeffrey Hovenier

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani priti në takim të rregullt ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Jeffrey Hovenier me të cilin bisedoi për zhvillimet e fundit në vend e rajon, procesin e dialogut dhe situatën e sigurisë në vend. Presidentja Osmani nënvizoi edhe njëherë rëndësinë e bashkëpunimit të ngushtë me SHBA-të për të fuqizuar prezencën e Republikës së Kosovës në arenën ndërkombëtare.

Presidentja Osmani ia dorëzoi Alketa Xhafa Mripes fustanin e parë që do të jetë pjesë e instalacionit “Mendoj për ty”

Në 27 vende të 🌎, 4 kontinente, tashmë në një dimenzion global, rikthehet vepra artistike e Alketa Xhafa Mripes “Mendoj për ty”. Sot, Presidentja Osmani, ia dorëzoi Alketës fustanin e parë që do të jetë pjesë e këtij instalacioni. Një fustan me ngjyrat e Kosovës e me lulen anemone e cila tashmë është shndërruar në simbol të forcës, guximit e shpresës. Të gjitha fustanet e të mbijetuarave të dhunës seksuale nga anë e kënd botës do të bëhen pjesë e këtij instalacioni, i cili do të ekspozohet në Hagë. Le të shndërrohen këto fustane në simbol të triumfit e të forcës shtesë në angazhimin tonë për drejtësi, shtoi Presidentja Osmani.

Presidentja Vjosa Osmani priti në takim Grupin Avokues për Mbrojtjen e Grave

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, priti sot në takim Grupin Avokues për Mbrojtjen e Grave, grup jo-formal i përbërë nga 12 organizata jo-qeveritare, ku përfshihen organizata nga grupe të cenueshme, strehimoret në Kosovë si dhe organizata të cilat kanë për qëllim angazhimin në promovimin e të drejtave të njeriut dhe parandalimin e dhunës në familje. Presidentja Osmani është njoftuar nga afër lidhur me sfidat të cilat po përballen gratë në Kosovë, dhe nevojën e vazhdueshme për plotësimin e vazhdueshëm të kornizës ligjore e cila garanton mbrojtje për viktimat e dhunës në familje dhe dhunës mbi baza gjinore. Në këtë kontekst, Presidentja Osmani është shprehur e hapur për bashkëpunim të mëtejmë dhe koordinim të ngushtë me organizatat në këtë drejtim dhe në fusha të tjera të cilat garantojnë mbrojtjen dhe avancimin e të drejtave të grave në vend.

Fjalimi i Presidentes Osmani në pritjen e organizuar nga ambasada e Shqipërisë, me rastin e 111 vjetorit të shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë

Faleminderit shumë i nderuar ambasador Malaj, është kënaqësi e veçantë që sot jemi të gjithë të bashkuar për të shënuar këtë festë të madhe. I nderuar kryeministër, z. Kurti! Të nderuar ministra, deputetë, E nderuar ministre Spiropali, Të nderuar mysafirë, Të nderuar kryetarë të partive politike, President Sejdiu, dhe të gjithë ju të pranishëm, të dashur miq, Ju falënderoj shumë edhe një herë për ftesën që sot të festojmë së bashku dhe ndihem shumë e nderuar dhe e lumtur që në emër të popullit dhe të institucioneve të Republikës të Kosovës, tu përcjell urimet më të ngrohta me rastin 28-Nëntorit, Ditës së Pavarësisë së Republikës së Shqipërisë. Po kështu, dua të shpreh dëshirat më të mira tonat për mirëqenien e popullit shqiptar dhe zhvillimin e prosperimin e mëtejmë të Shqipërisë sonë të shtrenjtë. 28 nëntori shënon ditën e pavarësisë së Shqipërisë dhe njohjen e saj si shtet i cili përmbylli aspiratat e rilindësve për shtet të mosvarmë. Por, kjo datë e rikthen në kujtesën historike të shqiptarëve edhe një 28 nëntor tjetër, atë të vitit 1443, kur Gjergj Kastrioti ngriti flamurin në Krujë dhe i dha udhë jo vetëm bashkimit të shqiptarëve rreth idesë së lirisë e të jetës së pavarur, por edhe shpalli të parin projekt integrues europian, në të cilin shqiptarët dhe jo vetëm u bënë pjesë, por edhe e bartën vulën e tij. Sot, shteti shqiptar e mishëron këtë traditë historike, bashkë me shqiptarët kudo që jetojnë, sikurse e mishëron edhe projektin integrues europian, jetën në paqe me veten e me fqinjët, dashurinë për tokën dhe vullnetin për integrim. Në historinë e re të Kosovës, ndërkaq, kjo datë shënon daljen e parë të UÇK-së dhe hapjen e një kaptine të re në betejën për liri të Kosovës, e cila ndoqi edhe traditën shumë të fuqishme të ndërkombëtarizimit të çështjes së Kosovës dhe rezistencën aktive përballë hegjemonisë shtypëse të Serbisë, por shënon edhe ditëlindjen e heroit tonë kombëtarë Adem Jasharit, heroit tonë legjendar. Sikurse në çdo 28 nëntor tjetër, ne sot i sjellim në kujtesë këto sakrifica dhe u gëzohemi fort të arriturave të shtetit demokratik shqiptar dhe të shoqërisë shqiptare në përgjithësi. Gjatë 111 vjetëve të ekzistimit të saj si shtet i pavarur, Republika e Shqipërisë është zhvilluar në shtet modern, i cili promovon të drejtat e liritë themelore të shtetasve të saj dhe mirëqenien e tyre ekonomike e kulturore, duke e transformuar shoqërinë shqiptare drejt një shoqërie që nxit e kultivon përparimin njerëzor dhe stimulon dashurinë ndaj vlerave të përbashkëta. Ajo ka kaluar nëpër periudha të vështira, por është ringritur përsëri, ngase themelet e qytetërimit të saj të hershëm kanë mbetur të pathyera; ka kaluar sisteme e regjime politike, përfshirë ferrin komunist, që i solli vendit izolimin afër 50-vjecar, por ka mbijetuar si vend i lirë ngase qytetarët e Shqipërisë kanë ëndërruar lirinë dhe i janë përkushtuar fort asaj. Shpirti i saj i lirë ka frymuar mbi vlerat qytetëruese universale dhe mbi pasurinë shpirtërore kombëtare, që ia dhanë frymën e shpirtin përkushtimit ndaj lirisë. Sot, Shqipëria është vend demokratik, që promovon vlerat e lirisë e të qytetërimit tonë të lashtë, parimet e lirive dhe të drejtave njerëzore e qytetare, promovon kulturën dhe diversitetin dhe është e vendosur fuqishëm në rrugën e integrimit europian, duke u përafruar çdo ditë e më shumë drejt BE-së. Kurse si anëtare prej vitesh e aleancës më të fortë ushtarake në historinë e njerëzimit, NATO-s, ajo jo vetëm që është përkushtuar fuqishëm për ta garantuar sigurinë e vendit, por po kontribuon fuqishëm edhe në paqen dhe stabilitetin në gjithë rajonin tonë. Të nderuar pjesëmarrës! Dy vendet tona, Republika e Kosovës dhe ajo e Shqipërisë sot zhvillohen krahas njëra-tjetrës, duke shkëmbyer përvoja, dije, njohuri e duke mbështetur njëra- tjetrën. Kemi synime të njëjta: integrimin në Bashkimin Evropian, e konsolidimin e mëtejmë të shteteve tona. Kosova dhe Shqipëria janë pjesë e një rrugëtimi të përbashkët drejt integrimit euro-atlantik. Ne ndajmë një dëshirë të fortë dhe të përbashkët për ta ndihmuar njëra-tjetrën për të arritur synimet tona dhe për ta bërë këtë rajon një vend më të mirë për të gjithë. Sot ne ndihemi krenar për arritjet tona të përbashkëta. Si Kosova ashtu edhe Shqipëria, kanë kaluar sfida të mëdha, por kemi bërë edhe progres të rëndësishëm. Bashkëpunimi ynë në drejtim të mbrojtjes së integritetit territorial, zhvillimit ekonomik dhe forcimit të institucioneve është thelbësor për një rajon më të stabilizuar dhe më të zhvilluar. Politikat tona të përbashkëta dhe ndërtimi i një kulture të përbashkët bashkëpunimi janë themele që mbështesin rrugën tonë përpara me sukses. Le të vazhdojmë këtë trashëgimi me kujdes dhe përgjegjësi, duke ndërtuar një të ardhme më të ndritur për brezat e ardhshëm. Pavarësia nuk është vetëm privilegj, por përgjegjësi për ta ruajtur dhe për ta zhvilluar më tej atë që kemi trashëguar. Sot, ne kemi detyrimin të punojmë së bashku për të siguruar një të ardhme më të mirë për brezat që vijnë pas nesh. Le ta nderojmë këtë ditë duke u përkushtuar për një të ardhme më të ndritur e duke ruajtur me kujdes atë çfarë kemi ndërtuar me mund e me sakrifica. Jam e sigurt se fryma e bashkëpunimit mes dy vendeve tona do të thellohet edhe më tej dhe do të përafrohemi gjithnjë e më afër njëra-tjetrës e së bashku do të japim kontribut të çmuar, promovimin e jetës demokratike në rajonin tonë dhe do të ecim përkrah njëra-tjetrës në promovimin e lirisë dhe parimeve të saj, mbi të cilat kemi mbështetur tradicionalisht politikën tonë. Gëzuar 28-Nëntorin! Zoti e bekoftë Republikën e Shqipërisë dhe Republikën e Kosovës!  

This site is registered on wpml.org as a development site.