Faleminderit shumë i nderuar ambasador Malaj, është kënaqësi e veçantë që sot jemi të gjithë të bashkuar për të shënuar këtë festë të madhe.
I nderuar kryeministër, z. Kurti!
Të nderuar ministra, deputetë,
E nderuar ministre Spiropali,
Të nderuar mysafirë,
Të nderuar kryetarë të partive politike,
President Sejdiu, dhe të gjithë ju të pranishëm, të dashur miq,
Ju falënderoj shumë edhe një herë për ftesën që sot të festojmë së bashku dhe ndihem shumë e nderuar dhe e lumtur që në emër të popullit dhe të institucioneve të Republikës të Kosovës, tu përcjell urimet më të ngrohta me rastin 28-Nëntorit, Ditës së Pavarësisë së Republikës së Shqipërisë. Po kështu, dua të shpreh dëshirat më të mira tonat për mirëqenien e popullit shqiptar dhe zhvillimin e prosperimin e mëtejmë të Shqipërisë sonë të shtrenjtë.
28 nëntori shënon ditën e pavarësisë së Shqipërisë dhe njohjen e saj si shtet i cili përmbylli aspiratat e rilindësve për shtet të mosvarmë. Por, kjo datë e rikthen në kujtesën historike të shqiptarëve edhe një 28 nëntor tjetër, atë të vitit 1443, kur Gjergj Kastrioti ngriti flamurin në Krujë dhe i dha udhë jo vetëm bashkimit të shqiptarëve rreth idesë së lirisë e të jetës së pavarur, por edhe shpalli të parin projekt integrues europian, në të cilin shqiptarët dhe jo vetëm u bënë pjesë, por edhe e bartën vulën e tij.
Sot, shteti shqiptar e mishëron këtë traditë historike, bashkë me shqiptarët kudo që jetojnë, sikurse e mishëron edhe projektin integrues europian, jetën në paqe me veten e me fqinjët, dashurinë për tokën dhe vullnetin për integrim.
Në historinë e re të Kosovës, ndërkaq, kjo datë shënon daljen e parë të UÇK-së dhe hapjen e një kaptine të re në betejën për liri të Kosovës, e cila ndoqi edhe traditën shumë të fuqishme të ndërkombëtarizimit të çështjes së Kosovës dhe rezistencën aktive përballë hegjemonisë shtypëse të Serbisë, por shënon edhe ditëlindjen e heroit tonë kombëtarë Adem Jasharit, heroit tonë legjendar.
Sikurse në çdo 28 nëntor tjetër, ne sot i sjellim në kujtesë këto sakrifica dhe u gëzohemi fort të arriturave të shtetit demokratik shqiptar dhe të shoqërisë shqiptare në përgjithësi.
Gjatë 111 vjetëve të ekzistimit të saj si shtet i pavarur, Republika e Shqipërisë është zhvilluar në shtet modern, i cili promovon të drejtat e liritë themelore të shtetasve të saj dhe mirëqenien e tyre ekonomike e kulturore, duke e transformuar shoqërinë shqiptare drejt një shoqërie që nxit e kultivon përparimin njerëzor dhe stimulon dashurinë ndaj vlerave të përbashkëta.
Ajo ka kaluar nëpër periudha të vështira, por është ringritur përsëri, ngase themelet e qytetërimit të saj të hershëm kanë mbetur të pathyera; ka kaluar sisteme e regjime politike, përfshirë ferrin komunist, që i solli vendit izolimin afër 50-vjecar, por ka mbijetuar si vend i lirë ngase qytetarët e Shqipërisë kanë ëndërruar lirinë dhe i janë përkushtuar fort asaj.
Shpirti i saj i lirë ka frymuar mbi vlerat qytetëruese universale dhe mbi pasurinë shpirtërore kombëtare, që ia dhanë frymën e shpirtin përkushtimit ndaj lirisë.
Sot, Shqipëria është vend demokratik, që promovon vlerat e lirisë e të qytetërimit tonë të lashtë, parimet e lirive dhe të drejtave njerëzore e qytetare, promovon kulturën dhe diversitetin dhe është e vendosur fuqishëm në rrugën e integrimit europian, duke u përafruar çdo ditë e më shumë drejt BE-së. Kurse si anëtare prej vitesh e aleancës më të fortë ushtarake në historinë e njerëzimit, NATO-s, ajo jo vetëm që është përkushtuar fuqishëm për ta garantuar sigurinë e vendit, por po kontribuon fuqishëm edhe në paqen dhe stabilitetin në gjithë rajonin tonë.
Të nderuar pjesëmarrës!
Dy vendet tona, Republika e Kosovës dhe ajo e Shqipërisë sot zhvillohen krahas njëra-tjetrës, duke shkëmbyer përvoja, dije, njohuri e duke mbështetur njëra- tjetrën. Kemi synime të njëjta: integrimin në Bashkimin Evropian, e konsolidimin e mëtejmë të shteteve tona. Kosova dhe Shqipëria janë pjesë e një rrugëtimi të përbashkët drejt integrimit euro-atlantik. Ne ndajmë një dëshirë të fortë dhe të përbashkët për ta ndihmuar njëra-tjetrën për të arritur synimet tona dhe për ta bërë këtë rajon një vend më të mirë për të gjithë.
Sot ne ndihemi krenar për arritjet tona të përbashkëta. Si Kosova ashtu edhe Shqipëria, kanë kaluar sfida të mëdha, por kemi bërë edhe progres të rëndësishëm.
Bashkëpunimi ynë në drejtim të mbrojtjes së integritetit territorial, zhvillimit ekonomik dhe forcimit të institucioneve është thelbësor për një rajon më të stabilizuar dhe më të zhvilluar. Politikat tona të përbashkëta dhe ndërtimi i një kulture të përbashkët bashkëpunimi janë themele që mbështesin rrugën tonë përpara me sukses. Le të vazhdojmë këtë trashëgimi me kujdes dhe përgjegjësi, duke ndërtuar një të ardhme më të ndritur për brezat e ardhshëm.
Pavarësia nuk është vetëm privilegj, por përgjegjësi për ta ruajtur dhe për ta zhvilluar më tej atë që kemi trashëguar. Sot, ne kemi detyrimin të punojmë së bashku për të siguruar një të ardhme më të mirë për brezat që vijnë pas nesh. Le ta nderojmë këtë ditë duke u përkushtuar për një të ardhme më të ndritur e duke ruajtur me kujdes atë çfarë kemi ndërtuar me mund e me sakrifica.
Jam e sigurt se fryma e bashkëpunimit mes dy vendeve tona do të thellohet edhe më tej dhe do të përafrohemi gjithnjë e më afër njëra-tjetrës e së bashku do të japim kontribut të çmuar, promovimin e jetës demokratike në rajonin tonë dhe do të ecim përkrah njëra-tjetrës në promovimin e lirisë dhe parimeve të saj, mbi të cilat kemi mbështetur tradicionalisht politikën tonë.
Gëzuar 28-Nëntorin!
Zoti e bekoftë Republikën e Shqipërisë dhe Republikën e Kosovës!