DR. VJOSA OSMANI SADRIU
PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
...

Presidentja Osmani mori pjesë në ndarjen e “Çmimit për guxim-Vasfije”, në 24 vjetorin e themelimit të Qendrës Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka vizituar Qendrën Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës, në 24 vjetorin e themelimit të saj.

Me këtë rast, edhe është ndarë  “Çmimi për guxim-Vasfije”, post-mortem për Dr. Shukri Gërxhaliun, për përkushtimin dhe kontributin e tij në rehabilitimin dhe trajtimin e të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë.

Në një bashkëbisedim me të pranishmit, Presidentja Osmani ka thënë se ky përvjetor i Qendrës na bëri bashkë, por ne në fakt bashkë jemi gjithmonë.

“Jemi bashkë gjithmonë në një luftë e cila po vazhdon. Është luftë për t’u ngritur mbi një dhimbje, e cila është vështirë të përshkruhet me fjalë. Është luftë për me ngadhnjy mbi një ndër plagët më të thella që i ka kjo shoqëri”, ka thënë Presidentja Osmani.

Presidentja Osmani ka thënë se kur njeriu flet me të mbijetuarat dhe kur përballet me këto storie dhe kur e shohim se me çfarë guximi të jashtëzakonshëm gra e burra të Kosovës janë shndërruar në heronj e heroina të këtij vendi, nuk ka se si mos të na ngrisë vullnetin edhe neve që t’i rrisim përpjekjet tona të përbashkëta që të sigurohemi që lufta jonë për drejtësi, mbi të gjitha lufta jonë për drejtësi të vazhdojë dhe mbi të gjitha të ngadhënjejë.

“Ne tani s’fundi e kishim rastin e parë që u konfirmua në gjykatat tona me shpalljen fajtor të një prej kriminelëve më famëkeq të involvuar edhe në dhunime, përtej krimeve të tjera që ka kryer dhe ka edhe raste të tjera, për të cilat janë ngritur aktakuza. Por, është shumë me rëndësi që përpjekjet e institucioneve të drejtësisë të rriten e të vazhdojnë në mënyrë që ata që kanë kryer këto krime monstruoze të përballen me drejtësinë”, ka theksuar Presidentja.

Përderisa puna e këtyre institucioneve vazhdon, Presidentja Osmani ka thënë se secili e secila prej nesh duhet të sigurohemi që ta ngrisim zërin këtu në Kosovë po edhe në çdo cep të botës, që bota të njihet me këtë dhimbje të shndërruar në forcë të grave të burrave të Kosovës, sipas saj, zë të cilin më së shumti e kanë dëgjuar nëpërmjet Vasfijes, e cila është shndërruar në simbol të të mbijetuarave kudo në botë dhe këtë punë po e vazhdon edhe sot e kësaj dite.Presidentja ka thënë se do t’i rrisim përpjekjet e përbashkëta që bota të dëgjojë për të mbijetuarat e Republikës së Kosovës, që bota të mësojë nga guximi i tyre, por edhe të shohim se si mund të vazhdojmë edhe më tej kauzën tonë të përbashkët për drejtësi.“Si Kryetare e Kuvendit fillimisht, pastaj si Presidente, natyrisht që ndër prioritetet kryesore ka qenë që ta rrisim edhe mbështetjen financiare, edhe atë që ndoshta duket si simbolikë, por tregohet mbështetje për të mbijetuarat nëpërmjet Këndit të Kurajos, edhe duke u siguruar që simbolet, puna e dorës së të mbijetuarave janë në çdo cep të botës, në çdo kontinent, në çdo tavolinë, në çdo zyrë botërore, por edhe duke u siguruar që storiet e tyre të dëgjohen deri në Kombet e Bashkuara, në Parlamentin Evropian dhe çdo institucion tjetër”, ka pohuar Presidentja.

Presidentja Osmani, gjithashtu ka folur edhe për kontributin e doktor Shukri Gërxhaliut, i cili sipas Presidentes Osmani që nga fillimi i luftës ka bërë punë të jashtëzakonshme, asnjëherë duke mos e përmend punën e tij në mbështetje të grave viktima në një rajon ku ka pas aq shumë viktima.

“Unë kam qenë e nderuar që vitin e kaluar, për nder të Ditës së Pavarësisë t’ia ndaj atij Medaljen më të lartë Presidenciale, Medaljen Presidenciale të Meritave, për kontributin e jashtëzakonshëm në mbrojtjen e së vërtetës dhe mbrojtjen e të mbijetuarave në një kohë kur ndoshta shumë prej tyre nuk kanë pas derë tjetër. Dhe në ato momente të rënda që kanë qenë më të rëndat në historinë jetësore të këtyre grave e burrave ta kesh një derë ku mund të mbështetesh, ku mund të kërkosh shërim është e jashtëzakonshme. Sepse, shumëkush ndoshta ka fillu ta luftojë stigmën, të jap mbështetjen më vonë. Por në vitet ’98-99, ka pas shumë pak dyer, shumë pak njerëz, shumë pak zëra që ju kanë dhënë mbështetje. Doktor Shukriu e të tjerë anë e kënd botës që e kanë dhënë këtë mbështetje ka qenë e jashtëzakonshme, është vështirë të përshkruhet me fjalë, prandaj gjithë nderimin, gjithë respektin tonë i cili do të vazhdojë përgjithmonë”, ka thënë Presidentja Osmani.

Ky postim është gjithashtu i disponueshëm në gjuhë: EN SR

This site is registered on wpml.org as a development site.