DR. VJOSA OSMANI SADRIU
PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
...

Fjalimi i Presidentes Vjosa Osmani në ceremoninë e nënshkrimit të granteve për 53 biznese në pronësi të grave dhe komuniteteve joshumicë, të organizuar nga USAID

E nderuara znj. Alyson Grunder, e ngarkuar me punë në Ambasadën e SHBA-ve,
E nderuara znj. Devitt, drejtore e Misionit të USAID-it në Kosovë,
E nderuar znj. Mahmuti, drejtore e CDF,
Të nderuara sipërmarrëse dhe sipërmarrës,

Është gjithnjë nder i veçantë kur mblidhemi bashkë në ngjarje të cilat kanë në qendër gratë dhe sukseset e tyre të vazhdueshme. Kjo ngjarje me të vërtetë është reflektim i angazhimit tonë të përbashkët për gjithëpërfshirje ekonomike, për fuqizim të sipërmarrësve si nga ana e  grave ashtu edhe nga komunitetet joshumicë.

Në fushën e rritjes dhe zhvillimit ekonomik, fuqizimi i grave qëndron si një gurthemel i përparimit tonë të përgjithshëm. Arritjet e sipërmarrëseve gra në Kosovë nuk janë vetëm suksese individuale; ato janë arritje kolektive që ngrisin dhe fuqizojnë të gjithë shoqërinë tonë. Këto gra të jashtëzakonshme po thyejnë barrierat në sektorë tradicionalisht të dominuar nga burrat, duke prirë me praktika inovative dhe duke vendosur standarde të reja të cilësisë. Arritjet e tyre po e riformësojnë sektorin e biznesit, duke kontribuar drejt një kulture të barazisë dhe gjithëpërfshirjes.

Është konfirmuar tashmë gjerësishtë se gratë jo vetëm që fuqizojnë bizneset dhe familjet e tyre, por edhe kontribuojnë në mënyrë të konsiderueshme në përmirësimin e strukturës ekonomike dhe sociale të shtetit tonë. Prandaj, angazhimi ynë për t’i mbështetur gratë në biznes dhe për t’i mbështetur të gjitha komunitetet në po të njejtin synim, mbetet i palëkundur. Ne synojmë të ofrojmë më shumë mundësi, burime dhe platforma për të gjithë, për ta kapitalizuar plotësisht potencialin e tyre ekonomik, sepse ky nuk është vetëm investim në individë, por është investimi më i mençur për të ardhmen e Republikës sonë.

Gjersa shumë nga bizneset në pronësi të grave u detyruan të mbyllen si pasojë e pandemisë që lamë pas, është shpresëdhënës fakti që sot jemi dëshmitarë të një vale të re të bizneseve të reja në pronësi dhe menaxhim të grave. Ky ngadhënjim flet shumë për forcën dhe vendosmërinë tuaj në tregun tonë të punës, por edhe në çdo sferë të jetës në përgjithsësi.

Sot, gjersa qëndroj para jush, dua të flas edhe për angazhimin e vazhdueshëm e të çmueshëm të USAID-it. Projektet e USAID kanë prekur çdo aspekt të jetës në Kosovë, duke vendosur themelet për një të ardhme më të qëndrueshme dhe me mirëqenie më të lartë për të gjithë qytetarët tanë, pa dallim. Partneriteti ynë me USAID është më shumë sesa thjeshtë një bashkëpunim; është një udhëtim i përbashkët drejt ndërtimit të një Kosove më të fortë, më gjithëpërfshirëse dhe më prosperuese. Është një dëshmi e lidhjes së palëkundur ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, dhe njëkohësishtë është dëshmi e përkushtimit tonë të përbashkët për ta forcuar edhe më tej këtë partneritet. Prandaj, për këtë mbështetje të vazhdueshme, ne u jemi përgjithmonë mirënjohës.

Ndarja e granteve nga USAID për 53 biznese në pronësi të grave dhe biznese të udhëhequra nga gra  e burra nga komunitetet joshumicë, është më shumë sesa thjeshtë një investim financiar. Është një shenjë besimi në aftësitë e jashtëzakonshme të sipërmarrësve tanë. Këto fonde do të shërbejnë si katalizator për rritje, inovacion dhe qëndrueshmëri të mëtutjeshme në secilin nga këta sektorë jetik të ekonomisë tonë.

Zonja dhe zotërinj,

Vizioni ynë është i tillë ku çdo sipërmarrës, pavarësisht dallimeve, ka mundësi të kontribuojë drejt prosperitetit të shtuar të vendit tonë. Ne po punojmë drejt një të ardhme ku këto biznese jo vetëm mbijetojnë, por janë lidere në fushat e tyre, si në Kosovë, ashtu edhe përtej kufijve tanë.

Në vitet e fundit, kemi qenë dëshmitarë të një rritjeje të rëndësishme të bizneseve të Kosovës, shumë nga to në pronësi të grave të cilat po korrin suksese të vazhdueshme në tregjet ndërkombëtare. Këto suksese përfshijnë një gamë të gjerë të sektorëve, nga verërat tona të shkëlqyeshme që tani shijohen në kryeqendrat botërore e deri tek produktet tona bujqësore që po shquhen në tregjet e huaja për cilësitë e tyre. Secila nga këto suksese është dëshmi e frymës sipërmarrëse, inovative dhe shpresëdhënëse të Kosovës dhe potencialit të jashtëzakonshëm të bizneseve tona. Në këtë drejtim, mbështetja e USAID-it, ka qenë dhe vazhdon të mbetet esenciale.

Për të gjithë fitueset dhe fituesit e granteve të pranishëm sot këtu, shpreh urimet më të përzemërta. Është puna juaj e palodhshme, përkushtimi dhe fryma sipërmarrëse që ju kanë sjellur deri këtu. Jam e bindur që përmes këtyre granteve, ju do të keni mundësi të vazhdoni punën tuaj me përkushtim, i cili shërben si katalizator i ndryshimit transformues ekonomik në të gjithë vendin tonë.

Të nderuar të pranishëm,

Derisa shikojmë drejt së ardhmes, le të mos harrojmë se udhëtimi ynë drejt gjithëpërfshirjes ekonomike dhe barazisë është proces i vazhdueshëm. Çdo hap që hedhim, pavarësisht madhësisë së tij, është një hap drejt një të ardhmeje më të ndritshme, më të barabartë dhe më të begatë për Republikën tonë. Prandaj, le të vazhdojmë të punojmë krah për krah, duke mbështetur dhe ngritur njëri-tjetrin e sidomos ata më në nevojë, ndërsa synojmë të përmbushim këtë vizion të përbashkët.

Ju faleminderit.

 

 

Ky postim është gjithashtu i disponueshëm në gjuhë: EN SR

This site is registered on wpml.org as a development site.