DR. VJOSA OSMANI SADRIU
PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
...

Presidentja Osmani u prit në takim nga kryeministri i Portugalisë, António Costa

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, gjatë vizitës së punës në Portugali është pritur nga kryeministri António Costa.

Marrëdhëniet ndërmjet dy shteteve u vlerësuan si tejet miqësore, ndërkohë që Presidentja Osmani çmoi mbështetjen e këtij shteti për Kosovën, që nga viti 1999 me pjesëmarrjen e ushtarëve në misionin e KFOR-it, por edhe në fazat e mëvonshme të shtetformimit dhe shtetndërtimit.

Duke kërkuar përkrahjen e mëtejme të Portugalisë për rrugën euro-atlantike të vendit tonë, Presidentja Osmani ka theksuar se është jo vetëm interes shtetëror i Kosovës, por edhe interes strategjik i BE-së, që Ballkani Perëndimor, bazuar në merita, të bëjë hapa të rëndësishëm drejt anëtarësimit, në mënyrë që të kontribuohet për synimin e përbashkët për një Evropë të tërë, të lirë e në paqe. Ne këtë kontekst, Presidentja ritheksoi se është e domosdoshme të bëhen hapa urgjent për anëtarësim në NATO, duke filluar me Partneritetin për Paqe, si hap që do të kontribuonte jashtëzakonisht shumë për paqe në rajonin dhe kontinentin tonë.

Në takim, Presidentja Osmani ndër të tjera e ka informuar kryeministrin Costa për zhvillimet e fundit politike dhe të sigurisë në Kosovë, posaçërisht në lidhje me agresionin e Serbisë ndaj Kosovës dhe nevojën e adresimit të përgjegjësisë së saj për destabilizimin e Kosovës dhe rajonit.

Më tej Presidentja Osmani ka theksuar se në dialogun me Serbinë, Kosova vazhdon të jetë palë konstruktive dhe se vetëm njohja reciproke është kusht për paqe e stabilitet në rajon.

Të dy bashkëbiseduesit kanë diskutuar edhe mundësitë e thellimit të bashkëpunimit në sferën e politikës së jashtme, sektorin e IT-së, shkëmbimit ekonomik e tregtar, arsim, si dhe fusha të tjera të interesit të dyanshëm

Ky postim është gjithashtu i disponueshëm në gjuhë: EN SR

This site is registered on wpml.org as a development site.