Presidentja Osmani takoi ambasadorin e ShBA-ve në Kosovë, Jeffrey Hovenier dhe drejtoreshën për Evropën jugore dhe qendrore në Departamentin Amerikan të Shtetit, Colleen Hyland

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani priti në takim në rregullt ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Jeffrey Hovenier, ku ishte prezente dhe drejtoresha për Evropën jugore dhe qendrore në Departamentin Amerikan të Shtetit, Colleen Hyland. Në takim, Presidentja Osmani bisedoi për zhvillimet e fundit në vend, si dhe u fol për format konkrete të avancimit të partneritetit e bashkëpunimit me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Adresimi vjetor i Presidentes Osmani në Kuvendin e Republikës së Kosovës

I nderuar kryetar i Kuvendit, z. Konjufca, I nderuar kryeministër Kurti dhe kabinet qeveritar, Të nderuar deputetë të Kuvendit të Republikës, Të nderuar ambasadorë, Mysafirë të nderuar,   Të dashur qytetarë të Republikës së Kosovës, Ju flas në fund të një viti jo të lehtë për shtetin tonë. Ishte një vit i ballafaqimit me vështirësi, në veçanti në fushën e sigurisë, meqë më 24 shtator, Kosova u përball me situatën më të rrezikshme që nga pavarësia e saj. Një grup terrorist e paramilitar, i financuar, trajnuar dhe i mbështetur nga Serbia, e mbi të gjitha, i urdhëruar nga lidershipi i këtij shteti, kreu akt agresioni me planin e qartë që të aneksohet veriu i Kosovës dhe të shkaktohet destabilizim jo vetëm i vendit tonë, por edhe i të gjithë rajonit. Në këtë ditë, Kosova u përball me një agresor, tinëzar në veprim, por të dukshëm në ambicie, me synimin e qartë të cenimit të themelit të shtetit tonë, Republikës për të cilën ranë shumë dëshmorë ndër breza. Ky sulm, i cili në vazhdën e ideve e planeve shoviniste e hegjemoniste të Serbisë, ekspozoi sërish fytyrën e vërtetë të fqinjit tonë verior, ëndërr e përhershme e të cilit mbetet realizimi i konceptit fashist të “Botës serbe”. Në këtë kohë kur është sfiduar drastikisht siguria në gjithë kontinentin tonë, plani famëkeq për destabilizimin e Kosovës dhe rajonit mori përgjigjen e merituar. Në këtë ballafaqim, terroristët vranë policin Afrim Bunjaku, ndaj ai u bë dëshmori dhe heroi më i ri në historinë e Kosovë dhe njëri nga të shumtët që ra fli në mbrojtje të integritetit dhe sovranitetit të shtetit tonë. Ata vranë një, por mobilizuan mijëra djem e vajza nga radhët e Policisë sonë, të cilët po atë ditë dhanë mesazh të qartë: Kosova nuk zmbrapset, Kosova nuk thyhet dhe Kosova do t`i mbrojë kufijtë e saj në çdo cep dhe me çdo kusht. Askush dhe asgjë nuk do ta largojë Republikën tonë nga aspiratat e saj legjitime për ta shtrirë sundimin e ligjit në gjithë territorin tonë. Askush dhe asgjë nuk do ta largojë Republikën tonë nga përpjekja e çdoditshme që këtë vend ta bëjmë të sigurt dhe të dinjitetshëm për të gjithë qytetarët e saj, pa dallim. Të nderuar deputetë, Të nderuar të pranishëm, Sulmi i 24 shtatorit dëshmoi sërish profesionalizmin e jashtëzakonshëm dhe trimërinë e guximin e institucioneve të sigurisë së Kosovës. Dua sërish të shprehë mirënjohjen e thellë për policinë e Kosovës, Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë dhe të gjitha institucionet e angazhuara në ndaljen e këtij agresioni të Serbisë. Por, të nderuar deputetë, sulmi i 24 shtatorit është po ashtu tregues i qartë se Serbia dhe nomenklatura aktuale politike e saj nuk është e interesuar as për paqe të qëndrueshme, as për fqinjësi të mirë, e as për përmbyllje të procesit të dialogut me Kosovën. Fatkeqësisht, politika e sotme e Vuçiqit është politika e djeshme e Millosheviqit. Prandaj, ambiciet hegjemoniste nuk kanë marrë fund. Banjska ishte vetëm një paralajmërim, ndaj Serbia nuk do të heqë dorë nga planet e saj të errëta. Në esencë, Serbia me veprime të tilla po e godet gjithë Evropën, sepse po punon për interesa të faktorëve malinj që kanë për qëllim ta godasin BE-në e NATO-n, nëpërmjet destabilizimit të Ballkanit Perëndimor. Por, pavarësisht nga këto synime të Serbisë, ne jemi këtu, siç kemi qenë në periudha të hershme të historisë, siç kemi qenë këtu më 24 shtator dhe siç do të jemi çdo ditë e përgjithmonë për t`u bërë gardianë të Republikës sonë. Të nderuar deputetë, Pikërisht në kohë të vështira, populli i Kosovës dhe përfaqësuesit e saj kanë ditur të bashkohen rreth kauzës në mbrojtje të shtetit tonë të ndërtuar me aq shumë sakrifica. Kjo u dëshmua edhe pas 24 shtatorit, kur i gjithë faktori politik në vend u bashkua në mbrojtje të Republikës sonë, duke dëshmuar se në përballje me politikat hegjemoniste të Serbisë, ne jemi një. Ne, bashkërisht duhet të vazhdojmë të qëndrojmë të vendosur e të palëkundur kundër përpjekjeve për ta goditur Republikën tonë. Në situata të tilla nuk duhet të ketë ndarje partiake apo ideologjike, duhet të ketë unitet, pa dallim. Rreshtimi i vetëm që na duhet sot është rreshtimi në anën e shtetit tonë të pavarur e sovran. Mbrojtja dhe ekzistimi i këtij shteti është testament i trashëguar nga brezat para nesh, prandaj e kemi për detyrë ta lëmë më të fortë e më të përparuar për brezat që vijnë pas nesh. Ne jemi pak për të qenë të ndarë dhe me qëndrime të dallueshme për situata si kjo, kur vetëm uniteti është përgjigja e duhur për ta mbrojtur sovranitetin e shtetit tonë. Këtë rrezik nuk e kemi kaluar, ndaj nuk duhet t`i nënshtrohemi ndarjes e dallimeve, por të jemi të bashkuar në vendosmërinë tonë në përballje me Serbinë e të qëndrojmë këmbëngulës dhe të palëkundur kundrejt sfidave të sigurisë. Policia e Kosovës punon pa lodhur, duke u përballur me rrezik të vazhdueshëm, por, siguria nuk është vetëm përgjegjësi e tyre. Është një përgjegjësi e përbashkët që bie mbi secilin prej nesh. Prandaj, duhet të qëndrojmë vigjilentë e të bashkuar kundrejt situatave të tilla. Të nderuar deputetë, Procesi i dialogut me Serbinë sa vjen e po bëhet më i vështirë, kjo nga jokonstruktiviteti, obstruksionet dhe përpjekjet e Serbisë që të shkaktojnë destabilitet jo vetëm në Kosovë, por edhe më gjerë. Mungesa e balancit dhe e qasjes së trajtimit të barabartë në dialog i ka bërë dëm jashtëzakonisht të madh këtij procesi. Kosova akoma përballet me masa të padrejta e joproporcionale të cilat prekin drejtpërdrejt interesin e qytetarëve të saj. Në anën tjetër, duke mos vendosur masa ndaj Serbisë për aktin e agresionit të 24 shtatorit dhe për sulmin ndaj ushtarëve të KFOR-it e gazetarëve përgjatë majit, për fat të keq ky shtet vetëm po inkurajohet që të vazhdojë të përdorë dhunë. Një trajtim i tillë i pabarabartë i palëve do të jetë një goditje për vet kredibilitetin e procesit të dialogut dhe pengesa kryesore për suksesin e këtij procesi. Siç e dini, të nderuar deputetë, së fundi

Presidentja Osmani u takua me Kryeministren e Italisë, Giorgia Meloni

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani u takua me Kryeministren e Italisë, Giorgia Meloni, në Bruksel, ku po mbahet samiti i liderëve të Bashkimit Evropian dhe Ballkanit Perëndimor. Postimi i plotë i Presidentes Osmani: Në takim me Kryeministren e Italisë, Giorgia Meloni, potencova rolin e rëndësishëm të Italisë në përkrahjen e vendit tonë në të gjitha etapat. Llogarisim në lidershipin e Kryeministres Meloni në avancimin e rrugës së shtetit tonë drejt integrimit evropian.

Presidentja: Kosova i ka plotësuar kërkesat e Bashkimit Evropian, të hiqen masat dhe t’i jepet statusi i vendit kandidat

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, e cila ka marrë pjesë në samitin e liderëve të Bashkimit Evropian dhe Ballkanit Perëndimor, ka thënë se Kosova i ka plotësuar kërkesat e Bashkimit Evropian. “Kosova i ka plotësuar kërkesat e Bashkimit Evropian.Është koha të shohim hapa konkret nga BE: të hiqen masat dhe të jepet statusi i vendit kandidat për Kosovën. Jemi më të vendosur se kurrë drejt të ardhmes sonë evropiane”, ka shkruar Presidentja Osmani.

Presidentja Osmani u takua me Presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen në Bruksel

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani u takua me Presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen në Bruksel, ku po mbahet samiti i liderëve të Bashkimit Evropian dhe Ballkanit Perëndimor. Postimi i plotë i Presidentes Osmani: Në takim me Presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen në Bruksel, ritheksova nevojën e heqjes së masave të BE-së ndaj Kosovës, derisa potencova rëndësinë e dhënies së statusit të vendit kandidat për anëtarësim në BE, si sinjal i qartë që vendet demokratike, liridashëse dhe të përkushtuara ndaj vlerave evropiane e kanë vendin në BE. Mirëpresim ‘Planin e Rritjes’, të prezentuar nga Presidentja Von der Leyen, për të cilin Kosova tashmë ka prezentuar planin konkret për reforma.

Presidentja Osmani ka udhëtuar për Bruksel për samitin e liderëve të Bashkimit Evropian dhe Ballkanit Perëndimor

Me ftesë të Presidentit të Këshillit Evropian, Charles Michel, Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka udhëtuar për në Bruksel, ku do ta përfaqësojë Republikën e Kosovës në samitin e liderëve të Bashkimit Evropian dhe Ballkanit Perëndimor. Në takimin e liderëve të BE-së dhe Ballkanit Perëndimor, Presidentja Osmani do të diskutojë nevojën e përshpejtimit të procesit të integrimit në dritë të sfidave të vazhdueshme të sigurisë në rajon dhe më gjerë, duke filluar me mbështetjen për statusin e vendit kandidat për Republikën e Kosovës. Liderë të BE-së dhe Ballkanit Perëndimor në Bruksel ndër të tjera do të diskutojnë për procesin e zgjerimit dhe perspektivën evropiane të vendeve të Ballkanit Perëndimor, bashkërendimin me politikën e përbashkët të jashtme dhe të sigurisë të BE-së, si dhe tejkalimin e sfidave të përbashkëta. Në kuadër të samitit, Presidentja Osmani poashtu do t’i informojë krerët e shteteve dhe të BE-së lidhur me situatën e sigurisë në vend, pas sulmit të agresionit të Serbisë më 24 shtator.

Presidentja Osmani takoi deputeten e Parlamentit të Mbretërisë së Bashkuar, Alicia Kearns në Doha Forum

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani është takuar me deputeten e Parlamentit të Mbretërisë së Bashkuar, Alicia Kearns, në Doha Forum. Postimi i plotë i Presidentes: Diskutime në kohë të duhur me një mike të dashur të Kosovës, Alicia Kearns. Në Doha Forum, diskutuam zhvillimet e sigurisë në rajon, si dhe mënyrat për të forcuar më tej bashkëpunimin Kosovë- Britani e Madhe. E falënderova për mbështetjen e vazhdueshme  ndaj vendit tonë.

Presidentja në Forumin e Dohas: Kjo vizitë shërbeu për të rikonfirmuar përkushtimin e të dyja palëve për të intensifikuar bashkëpunimin në mes të vendeve tona

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani me ftesë të Emirit të Katarit, shkëlqesisë së tij Sheik Tamim Bin Hamad Al Thani, po merr pjesë në Forumin e Dohas. Postimi i plotë: Në Doha të Katarit u riktheva me ftesë të Emirit të Katarit, shkëlqesisë së tij Sheik Tamim Bin Hamad Al Thani, për të marrë pjesë në Forumin e Dohas. Kjo vizitë shërbeu për të rikonfirmuar përkushtimin e të dyja palëve për të intensifikuar bashkëpunimin në mes të vendeve tona në fusha e sektorë strategjik. Ishte po ashtu një mundësi ideale për të takuar përfaqësues të vendeve aleate, si dhe partnerë potencial me të cilët na bashkojnë objektivat e përbashkëta.

This site is registered on wpml.org as a development site.