Presidentja Osmani mori pjesë në pritjen e organizuar me rastin e Krishtlindjes në Katedralen “Shën Nënë Tereza”

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani mori pjesë në pritjen e organizuar me rastin e Krishtlindjes në Katedralen “Shën Nënë Tereza”, në Prishtinë. Presidentja Osmani uroi Ipeshkvin imzot Dodë Gjergji si dhe të gjithë besimtarët e krishterë. Presidentja Osmani ka thënë se dashuria, mirëkuptimi e përkrahja ndaj njëri-tjetrit qofshin parime udhërrëfyese në këtë kohë festash e çdo ditë tjetër.    

Urimi i Presidentes Osmani për Krishtlindje

Krishtlindja është një kohë reflektimi e solidariteti, teksa zemrat dhe shtëpitë janë të mbushura me shpresë e optimizëm. Në këtë ditë kremte, le t`i kujtojmë ata që mund të përballen me sfida dhe t’ua shtrijmë dorën e mirësisë e dhembshurisë. Qoftë kjo festë e mbushur me dashuri, paqe dhe gëzim për secilën familje! Gëzuar për shumë mot!

Presidentja: Bullgaria mbështetë fuqishëm integrimin e Kosovës në NATO dhe në BE

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka pritur në takim Presidentin e Bullgarisë, Rumen Radev. Presidentja Osmani priti Presidentin Radev me ceremoni shtetërore, e cila u mbajt në sheshin “Ibrahim Rugova”. Pas kësaj ceremonie, Presidentja Osmani dhe Presidenti Radev zhvilluan një takim tête-à-tête dhe më pas edhe takimin bilateral. Pas takimeve, Presidentja Osmani dhe Presidenti Radev mbajtën konferencë për media. Në vijim gjeni të postimin e Presidentes Osmani: Bullgaria mbështetë fuqishëm integrimin e Kosovës në NATO dhe në BE. Falënderimi i popullit të Kosovës është i përhershëm! Mirënjohëse ndaj Presidentit Radev për angazhimin dhe përkushtimin e tij.

Presidentja Vjosa Osmani priti në takim Sekretaren Parlamentare të Shtetit në Ministrinë Federale të Mbrojtjes të Gjermanisë, Siemtje Möller

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur sot në takim Sekretaren Parlamentare të Shtetit në Ministrinë Federale të Mbrojtjes të Gjermanisë, Siemtje Möller, me të cilën ka diskutuar për zhvillimet e fundit në vend dhe rajon, sfidat e sigurisë në rajon si dhe për procesin e dialogut. Në takim u diskutua edhe për integrimin e Kosovës në institucione ndërkombëtare, përfshirë Këshillin e Evropës, si dhe anëtarësimin në NATO, prandaj u theksua ndikimi dhe roli shumë i rëndësishëm i Republikës Federale të Gjermanisë në këto institucione. Në këtë takim, Presidentja Osmani shprehu falënderimin dhe mirënjohjen e lartë për përkrahjen e Gjermanisë, ministrisë së Mbrojtjes dhe forcave gjermane ndaj Kosovës në rindërtimin, pavarësinë, shtetndërtimin, zhvillimin dhe forcimin e Republikës së Kosovës dhe institucioneve të saj të mbrojtjes dhe sigurisë.

Presidentja Osmani pranoi letrat kredenciale nga ambasadorja e re e Letonisë, Elita Kuzma

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, pranoi sot letrat kredenciale nga ambasadorja e re e Letonisë në Republikën e Kosovës, Elita Kuzma, të cilën e ka uruar për detyrën. Në takim me ambasadoren Kuzma, Presidentja Osmani shfaqi besimin për thellimin e mëtejmë  të raporteve ndërmjet të dy shteteve gjatë mandatit të ambasadores. Në këtë kontekst, Presidentja Osmani theksoi se shtetet baltike i konsiderojmë partnerë strategjik, sidomos në fusha si mbrojtja e siguria, poashtu edhe teknologji informative e digjitalizim. Ajo falënderoi për mbështetjen e vazhdueshme që Letonia i ka ofruar Kosovës në BE dhe në NATO.

Presidentja Osmani priti në takim liderin e LDK-së, Lumir Abdixhiku

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka mbajtur takim me kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhiku me qëllim të diskutimit për zhvillimet e fundit në vend. Në takim me kreun e LDK-së, Presidentja Osmani e ka njoftuar z.Abdixhiku për zhvillimet në fushën e sigurisë dhe të politikës së jashtme. Në këtë kontekst, Presidentja Osmani ka falënderuar të gjitha subjektet opozitare, për mbështetjen ndaj institucioneve të sigurisë në përballje me agresionin e Serbisë. Më tej, Presidentja Osmani me z.Abdixhiku ka diskutuar për Drafstatutin e Asociacionit dhe në këtë kontekst, ka ritheksuar se Gjykata Kushtetuese është institucioni që duhet ta bëjë vlerësimin e kushtetutshmërisë, duke u udhëhequr nga parimi i pavarësisë dhe profesionalizmit. Z.Abdixhiku e ka njoftuar Presidenten lidhur me shqetësimet e LDK-së sa i përket përmbajtjes së Draftstatutit dhe janë diskutuar mundësitë për trajtimin e këtyre shqetësimeve në mënyrë që mos të lejohen dykuptimësi që mund ta dëmtojnë funksionimin e brendshëm të Republikës së Kosovës. Ftesa për takim u janë dërguar edhe subjekteve të tjera opozitare. Institucioni i Presidencës është vazhdimisht i hapur për koordinim me parti dhe institucione për çështje të rëndësisë nacionale. Në kuadër të konsultimeve të fundvitit, krahas takimeve me krerë të institucioneve dhe të partive politike, Presidentja Osmani do të mbajë takime edhe me përfaqësues të komuniteteve joshumicë në Kuvend, me shoqërinë civile dhe me mediat.

Fjalimi i Presidentes Osmani në hapjen e Kampionatit të Hapur Evropian të Xhudos “Prishtina 2023”

Të nderuar të pranishëm, I nderuar kryetar i Federatës së Xhudos, E nderuar Majlinda, E dashur Nora dhe Distria, Të nderuar përfaqësues nga mbarë Evropa, Të dashur sportistë nga 26 vende të ndryshme të botës, I nderuar Ministër Çeku, Të nderuar ambasadorë, pjesëmarrës nga partitë politike!   Jam shumë e lumtur që sonte mund t’ju dëshiroj mirëseardhje në Republikën e Kosovës në emër të qytetarëve të vendit tonë, shtetit më të ri në Evropë, por i cili kulturën e mikpritjes dhe trashëgiminë e pasur të raporteve me miqtë e ka kultivuar prej shekujsh, duke qenë se popullsia e saj është ndër më të lashtat në Evropë. Jam veçanërisht e lumtur që këtë mirëseardhje mund t’ua shpreh në një ngjarje jashtëzakonisht të rëndësishme për sportin e Kosovës, madje një ndër sportet më popullore tek ne, atë të xhudos. Kampionati i Hapur Evropian i Xhudos “Prishtina 2023”, organizimi i së cilës iu është besuar Kosovës, përveçse përbën një ngjarje jashtëzakonisht të rëndësishme sportive, shënon edhe një hap të rëndësishëm për afirmimin e vendit tonë në arenën ndërkombëtare të sportit. Kampionati sjell mundësi të shkëlqyeshme për të treguar se Kosova tashmë jo vetëm që është fituese e medaljeve olimpike por edhe në mënyrë të shkëlqyeshme organizon ngjarje të nivelit të lartë evropian, duke e vendosur Kosovën në radhën e vendeve me kapacitet të lartë organizativ. Organizimi në vendin tonë është rrjedhojë e mirënjohjes që Federata e Xhudos ka përfituar natyrisht shkaku i sukseseve kulmore të sportistëve tanë dhe të Federatës së udhëhequr nga z. Kuka me trajnerë të jashtëzakonshëm si Driton Kuka e po ashtu dhe me kampionët tanë. Kjo është po ashtu mirënjohje e suksesit historik të kampioneve tona, para së gjithash Majlinda Kelmendit, kampiones së parë olimpike të Kosovës në xhudo, e cila padyshim është kampione e vërtetë dhe frymëzim për brezat e sportistëve tanë e do të mbetet përgjithmonë kampione e zemrave tona. Sukseset e Majlindës në arenën ndërkombëtare, përfshirë medaljen e artë olimpike, janë dëshmi e fuqisë dhe talentit të sportistëve kosovarë. Sukseset e xhudisteve tona tashmë që po vazhdojnë tutje këtë rrugë të trasuar kaq fortë Nora Gjakovës dhe Distria Krasniqit, që tashmë njihet si xhudistja më e mirë në botë kanë arritur pra jo vetëm të fitojnë medalje të arta në Lojërat Olimpike, por po ndihmojnë në krijimin e një imazhi jashtëzakonisht pozitiv për sportin tonë dhe për shtetin tonë. Këto suksese asnjëherë nuk janë vetëm fitore personale, ato janë shembuj frymëzues për brezin e ri dhe dëshmi se sportistët tanë jo vetëm që mund të konkurrojnë, por edhe triumfojnë në skenën ndërkombëtare. Sporti është pjesë thelbësore e kulturës dhe e suksesit të vendit tonë. Prandaj, organizimi i kampionatit këtu, në kryeqendrën e Kosovës, shërben si platformë për ta ndërthurur krenarinë me sukseset e sportistëve tanë, duke bërë që kampionati të jetë një ngjarje e paharrueshme për sportin kosovar. Federata e Xhudos së Kosovës meriton vlerësim të veçantë për punën e jashtëzakonshme ndër vite për arritjen e rezultateve dhe për organizimin e këtij kampionati. Faleminderit shumë për mundin tuaj dhe pikërisht niveli  i organizimit tregon se kjo Federatë jo vetëm që është e zonja të organizojë në mënyrë profesionale e suksesshme kampionate të tilla, por edhe të shkëlqejë në organizime të tilla.Ky kampionat ndërkaq mysafirëve nga mbarë Evropa ju ofron mundësi të shkëlqyeshme për ta njohur shtetin më të ri në Evropë. Pjesëmarrësit dhe vizitorët mund ta njohin trashëgiminë, historinë dhe traditat e Kosovës, vend me trashëgimi të pasur kulturore, monumente të shumta historike e ngjarje të shumta që përbëjnë pasurinë dhe diversitetin kulturor të vendit tonë. Kampionati i sivjetmë po mbahet edhe në prag të festave të fundvitit nën atmosferën e ngrohtë të saj pavarësisht temperaturave të ulëta. Gjatë qëndrimit në Prishtinë krahas pasionit sportiv ju do ta ndjeni atmosferën e veçantë të këtyre festave. Prandaj, është një rast i shkëlqyeshëm për ta përjetuar një kombinim të sportit, kulturës por edhe festave duke e bërë këtë ngjarje të paharrueshme për të gjithë ne. Ju dëshiroj të gjithë sportistëve suksese në gara dhe po ashtu ju dëshiroj mysafirëve qëndrim të këndshëm në Kosovë po ashtu më lejoni që të ju uroj festat e fundvitit me dëshirat më të mira për të gjithë ju dhe familjet tuaja!   Faleminderit shumë! 

Presidentja Osmani priti në takim ambasadorin e Gjermanisë, Jörn Rohde

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur sot në takim ambasadorin e Republikës Federale të Gjermanisë në Kosovë, Jörn Rohde. Në takim u diskutua për pjesëmarrjen e Kosovës në COP28, konferencën kryesore globale për ndryshimet klimatike, si dhe hapat tutje pas kësaj pjesëmarrjeje historike të Republikës së Kosovës në nivel të kreut të shtetit. Në këtë frymë, ambasadori Rohde shprehu gatishmërinë e Gjermanisë për të vazhduar mbështetjen për Kosovën në arritjen e objektivave që kontribuojnë në adresimin e sfidave klimatike në vend. Ndër të tjera, në takim u fol edhe për zhvillimet e fundit në vend dhe u diskutuan mundësitë e thellimit tutje të bashkëpunimit Kosovë-Gjermani.

This site is registered on wpml.org as a development site.