DR. VJOSA OSMANI SADRIU
PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
...

Fjalimi i Presidentes Osmani në hapjen e Kampionatit të Hapur Evropian të Xhudos “Prishtina 2023”

Të nderuar të pranishëm,

I nderuar kryetar i Federatës së Xhudos,

E nderuar Majlinda,

E dashur Nora dhe Distria,

Të nderuar përfaqësues nga mbarë Evropa,

Të dashur sportistë nga 26 vende të ndryshme të botës,

I nderuar Ministër Çeku,

Të nderuar ambasadorë, pjesëmarrës nga partitë politike!

 

Jam shumë e lumtur që sonte mund t’ju dëshiroj mirëseardhje në Republikën e Kosovës në emër të qytetarëve të vendit tonë, shtetit më të ri në Evropë, por i cili kulturën e mikpritjes dhe trashëgiminë e pasur të raporteve me miqtë e ka kultivuar prej shekujsh, duke qenë se popullsia e saj është ndër më të lashtat në Evropë.

Jam veçanërisht e lumtur që këtë mirëseardhje mund t’ua shpreh në një ngjarje jashtëzakonisht të rëndësishme për sportin e Kosovës, madje një ndër sportet më popullore tek ne, atë të xhudos. Kampionati i Hapur Evropian i Xhudos “Prishtina 2023”, organizimi i së cilës iu është besuar Kosovës, përveçse përbën një ngjarje jashtëzakonisht të rëndësishme sportive, shënon edhe një hap të rëndësishëm për afirmimin e vendit tonë në arenën ndërkombëtare të sportit. Kampionati sjell mundësi të shkëlqyeshme për të treguar se Kosova tashmë jo vetëm që është fituese e medaljeve olimpike por edhe në mënyrë të shkëlqyeshme organizon ngjarje të nivelit të lartë evropian, duke e vendosur Kosovën në radhën e vendeve me kapacitet të lartë organizativ.

Organizimi në vendin tonë është rrjedhojë e mirënjohjes që Federata e Xhudos ka përfituar natyrisht shkaku i sukseseve kulmore të sportistëve tanë dhe të Federatës së udhëhequr nga z. Kuka me trajnerë të jashtëzakonshëm si Driton Kuka e po ashtu dhe me kampionët tanë. Kjo është po ashtu mirënjohje e suksesit historik të kampioneve tona, para së gjithash Majlinda Kelmendit, kampiones së parë olimpike të Kosovës në xhudo, e cila padyshim është kampione e vërtetë dhe frymëzim për brezat e sportistëve tanë e do të mbetet përgjithmonë kampione e zemrave tona. Sukseset e Majlindës në arenën ndërkombëtare, përfshirë medaljen e artë olimpike, janë dëshmi e fuqisë dhe talentit të sportistëve kosovarë. Sukseset e xhudisteve tona tashmë që po vazhdojnë tutje këtë rrugë të trasuar kaq fortë Nora Gjakovës dhe Distria Krasniqit, që tashmë njihet si xhudistja më e mirë në botë kanë arritur pra jo vetëm të fitojnë medalje të arta në Lojërat Olimpike, por po ndihmojnë në krijimin e një imazhi jashtëzakonisht pozitiv për sportin tonë dhe për shtetin tonë. Këto suksese asnjëherë nuk janë vetëm fitore personale, ato janë shembuj frymëzues për brezin e ri dhe dëshmi se sportistët tanë jo vetëm që mund të konkurrojnë, por edhe triumfojnë në skenën ndërkombëtare.

Sporti është pjesë thelbësore e kulturës dhe e suksesit të vendit tonë. Prandaj, organizimi i kampionatit këtu, në kryeqendrën e Kosovës, shërben si platformë për ta ndërthurur krenarinë me sukseset e sportistëve tanë, duke bërë që kampionati të jetë një ngjarje e paharrueshme për sportin kosovar.

Federata e Xhudos së Kosovës meriton vlerësim të veçantë për punën e jashtëzakonshme ndër vite për arritjen e rezultateve dhe për organizimin e këtij kampionati. Faleminderit shumë për mundin tuaj dhe pikërisht niveli  i organizimit tregon se kjo Federatë jo vetëm që është e zonja të organizojë në mënyrë profesionale e suksesshme kampionate të tilla, por edhe të shkëlqejë në organizime të tilla.Ky kampionat ndërkaq mysafirëve nga mbarë Evropa ju ofron mundësi të shkëlqyeshme për ta njohur shtetin më të ri në Evropë. Pjesëmarrësit dhe vizitorët mund ta njohin trashëgiminë, historinë dhe traditat e Kosovës, vend me trashëgimi të pasur kulturore, monumente të shumta historike e ngjarje të shumta që përbëjnë pasurinë dhe diversitetin kulturor të vendit tonë.

Kampionati i sivjetmë po mbahet edhe në prag të festave të fundvitit nën atmosferën e ngrohtë të saj pavarësisht temperaturave të ulëta. Gjatë qëndrimit në Prishtinë krahas pasionit sportiv ju do ta ndjeni atmosferën e veçantë të këtyre festave. Prandaj, është një rast i shkëlqyeshëm për ta përjetuar një kombinim të sportit, kulturës por edhe festave duke e bërë këtë ngjarje të paharrueshme për të gjithë ne.

Ju dëshiroj të gjithë sportistëve suksese në gara dhe po ashtu ju dëshiroj mysafirëve qëndrim të këndshëm në Kosovë po ashtu më lejoni që të ju uroj festat e fundvitit me dëshirat më të mira për të gjithë ju dhe familjet tuaja!

 

Faleminderit shumë!

Ky postim është gjithashtu i disponueshëm në gjuhë: EN SR

This site is registered on wpml.org as a development site.