Presidentja Osmani takoi ndihmës-sekretarin e Shtetit, Jim O’Brien

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, e cila po qëndron në Washington D.C., me ftesë të Sekretarit të Shtetit të SHBA-ve, Antony Blinken, për të marrë pjesë në aktivitetin e organizuar nga Departamenti amerikan i Shtetit për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, i cili mbahet në kuadër të Samitit të NATO-s, në 75 vjetorin e themelimit të kësaj organizate ushtarake, është takuar me ndihmës-sekretarin e Shtetit, Jim O’Brien. Postimi i plotë i Presidentes Osmani: Takimet në Washington D.C. i filluam me ndihmës-sekretarin e Shtetit, Jim O’Brien. Diskutim përmbajtësor mbi rëndësinë e bashkëpunimit të ngushtë me aleatët tanë amerikanë për tejkalimin e sfidave të përbashkëta, si dhe për mbrojtjen e lirisë, pavarësisë dhe demokracisë sonë. Bashkë, diskutuam edhe zhvillimet e fundit në dialogun me Serbinë, dhe rëndësinë e rolit të SHBA-ve për suksesin e këtij procesi.

Presidentja Osmani udhëtoi në Washington D.C. me ftesë të Sekretarit të Shtetit të SHBA-ve, Antony Blinken

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka udhëtuar për në Washington D.C., me ftesë të Sekretarit të Shtetit të SHBA-ve, Antony Blinken, për të marrë pjesë në aktivitetin e organizuar nga Departamenti amerikan i Shtetit për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, i cili mbahet në kuadër të Samitit të NATO-s, në 75 vjetorin e themelimit të kësaj organizate ushtarake. Duke vlerësuar ftesën e sekretarit Blinken, Presidentja Osmani ka theksuar se përfshirja e Kosovës në aktivitete të tilla është e një rëndësie të veçantë, meqë është hera e parë që Kosova përfshihet në ngjarje në kuadër të samitit të NATO-s. Kjo mundëson krijimin e partneriteteve të reja në rrugëtimin e Kosovës drejt anëtarësimit në NATO. Përfshirja e Kosovës në aktivitetin e organizuar nga Sekretari Blinken dedikuar Agjendës për Gratë, Paqen dhe Sigurinë është tregues i fuqishëm i rolit në rritje që po luan Kosova në avancimin e kësaj agjende ne nivel global dhe përkushtimit të saj ndaj parimeve dhe vlerave të mbështetura nga NATO-ja. Gjatë qëndrimit në Washington D.C., Presidentja Osmani do të zhvillojë edhe aktivitete e takime të tjera ku do të diskutohet forcimi i bashkëpunimit me qëllim të kontributit për paqe dhe siguri në rajonin tonë e më gjerë. Kujtojmë se Zyra e Presidentes është përzgjedhur në mesin e 3 partnerëve global nga Zyra e Sekretarit Blinken për ta themeluar Qendrën Rajonale të Ekselencës për Gratë, Paqen dhe Sigurinë. Marrëveshja për themelimin e kësaj Qendre është nënshkruar nga Presidentja Osmani dhe Zyra e Sekretarit Blinken në prill 2024, gjatë Forumit për Gratë, Paqen dhe Sigurinë. Samiti i NATO-s në Washington D.C., shërben si një platformë për shtetet anëtare dhe shtetet partnere që të bashkëpunojnë në çështjet urgjente të sigurisë globale dhe të riafirmojnë përkushtimin e tyre për një të ardhme më të sigurt.

Presidentja Osmani priti në takim të dërguarin e posaçëm të Sllovenisë, Anžej Frangeš

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka pritur sot në takim të dërguarin e posaçëm të Sllovenisë për Ballkanin Perëndimor, Anžej Frangeš. Në takim u diskutua për zhvillimet e fundit në vend dhe rajon, dialogun me Serbinë si dhe për raportet bilaterale Kosovë-Slloveni. Presidentja Osmani ritheksoi se Sllovenia është mike dhe aleate e fuqishme e Kosovës, ndaj i shprehu mirënjohje për mbështetjen e vazhdueshme të Sllovenisë në forcimin e pozitës ndërkombëtare të Kosovës. Në këtë frymë, Presidentja Osmani shtroi nevojën e vazhdimit të mbështetjes sllovene për anëtarësim në BE, NATO, sikurse edhe në organizata ndërkombëtare.

Presidentja Osmani ka pritur në takim shefen e re të UNICEF-it për Kosovë, Veronika Vashchenko

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur sot në takim shefen e re të UNICEF-it për Kosovë, Veronika Vashchenko, të cilën e ka përgëzuar për detyrën, duke uruar për vazhdimin e bashkëpunimit konstruktiv. Në takim është diskutuar për vazhdimin e bashkëpunimit dhe rëndësinë e përpjekjeve për ta përmirësuar mirëqenien dhe zhvillimin e fëmijëve në Kosovë. Presidentja Osmani potencoi se partneriteti me UNICEF-in, është i rëndësishëm për zbatimin e programeve dhe politikave që mbështesin zhvillimin dhe mbrojtjen gjithëpërfshirëse të fëmijëve. Në këtë kontekst, Presidentja Osmani vuri në dukje përpjekjet për qasjen e fëmijëve në arsim cilësor dhe fuqizimin e mirëqenies së tyre. Gjatë takimit, në veçanti u diskutua për projekte në përkrahje të edukimit të hershëm të fëmijëve, mbështetjen e fëmijëve me nevoja të veçanta si dhe ndikimin e ndryshimeve klimatike në shëndetin e fëmijëve. Presidentja Osmani, ndër të tjera, në këtë takim shtroi nevojën e zbatimit të programeve të fokusuara tek fëmijët dhe promovimi i barazisë gjinore në të gjithë sektorët.

Presidentja Osmani uron 4 Korrikun: Aleancë që vazhdon t’i mbijetojë kohës dhe sfidave!

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka uruar 4 Korrikun, Ditën e Pavarësisë së SHBA-ve. Postimi i plotë i Presidentes Osmani: Aleancë që vazhdon t’i mbijetojë kohës dhe sfidave! Sot, populli i Kosovës feston krahas popullit amerikan. Sot, kujtojmë vlerat e idealet mbi të cilat janë ndërtuar Shtetet e Bashkuara dhe aleanca jonë e fuqishme! Aleatëve tanë amerikanë: Gëzuar 4 Korriku! Happy Fourth of July!

Presidentja: Liria e Kosovës për Kadarenë ishte triumf i kombit shqiptar

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka bërë homazhe në nderim të shkrimtarit Ismail Kadare. Në vijim gjeni të plotë postimin e Presidentes Osmani: Me zemër të rënduar i thamë lamtumirë penës së shquar dhe kolosit të papërsëritshëm, fjalët e të cilit kapërcyen kufijtë, kulturat dhe kohën. Për dekada të tëra, veprat e Ismail Kadaresë ndriçuan cepat më të errët të historisë dhe shpirtit njerëzor. Aftësia e tij për të gërshetuar historinë, mitet dhe realitetin, e bëri zërin e tij një nga më të veçantët dhe më të fuqishmit në letërsinë bashkëkohore. Prandaj, jemi përgjithmonë mirënjohës për veprat që na la. Liria e Kosovës për të ishte triumfi i kombit shqiptar. Ndërkaq, për kombin shqiptar, vetë ekzistenca dhe vepra e Ismail Kadaresë është triumf i kulturës mbi injorancën dhe i lirisë mbi diktaturën. Lamtumirë, titani i letërsisë, Ismail Kadare!  

Presidentja Osmani takoi shefin e misionit të OSBE-së në Kosovë, ambasadorin Michael Davenport

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur sot në takim shefin e misionit të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) në Kosovë, ambasadorin Michael Davenport. Në takim u diskutua për zhvillimet e fundit në vend si dhe për punën e OSBE-së në Kosovë, e cila sivjet shënon 25 vjetorin. Në këtë drejtim, Presidentja Osmani ka përcjellur urimet e saj për këtë përvjetor të rëndësishëm, duke nënvizuar angazhimin e kësaj organizate në mbështetje të përpjekjeve për forcimin e demokracisë, të drejtave të njeriut dhe sundimin e ligjit, për të cilat Kosova po tregon progres të vazhdueshëm. Gjatë takimit u diskutua edhe për një sërë ligjesh, të cilat janë duke u shqyrtuar nga Kuvendi i Kosovës si dhe rëndësia që ato të jenë në përputhje me standardet ndërkombëtare për të drejtat e njeriut. Në takim, Presidentja Osmani dhe ambasadori Davenport, ndër të tjera diskutuan edhe për rezultatet e raportit të OSBE-së, i cili konfirmon se numri i konflikteve ndëretnike ka rënie të vazhdueshme. Me këtë rast, Presidentja theksoi përkushtimin e plotë për eliminimin e plotë të rasteve të tilla.

Presidentja: Deklarata Kushtetuese e 2 Korrikut të vitit 1990 ishte pikënisje drejt realizimit të idesë së kahmotshme për Kosovën shtet të pavarur

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka takuar delegatë të Deklaratës Kushtetuese  të 2 Korrikut të vitit 1990. Postimi i plotë i Presidentes Osmani: Deklarata Kushtetuese e 2 Korrikut të vitit 1990 ishte pikënisje drejt realizimit të idesë së kahmotshme për Kosovën shtet të pavarur. Sot, në këtë përvjetor, pata nderin t’i takoj një pjesë të delegatëve të asaj kohe, guximi dhe vendosmëria e të cilëve shënuan një akt historik, me të cilin u vendosën themelet për realitetin e sotëm- Republikën e pavarur dhe sovrane të Kosovës.

Presidentja Osmani e shpallë të mërkurën ditë zie shtetërore

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, në mbështetje të Kushtetutës së Kosovës, ka marrë vendim që dita e mërkurë, 3 korrik 2024, të shpallet ditë zie shtetërore, në nderim të kolosit të letrave shqipe, shkrimtarit shqiptar me famë botërore, të ndjerit Ismail Kadare. Zija shtetërore do të jetë gjatë ditës së mërkurë, ditën kur edhe varroset i ndjeri Ismail Kadare, ndërkaq Protokolli i Shtetit ngarkohet që t’i ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për zbatimin e këtij vendimi. Presidentja Osmani, në qershor të vitit të kaluar, e ka dekoruar shkrimtarin Ismail Kadare me Urdhrin “Hasan Prishtina”, ndër Urdhrat më të lartë të cilin e jep Republika e Kosovës për personalitetet më të shquara të kombit. Ndërsa, në gusht, Presidentja shpalli dekretin me të cilin shkrimtarit shqiptar me famë botërore, Ismail Kadare, i është dhënë nënshtetësia e Republikës së Kosovës.

This site is registered on wpml.org as a development site.