Presidentja Vjosa Osmani priti sot në takim ambasadorin e Turqisë në Kosovë, Sabri Tunç Angılı

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur sot në takim ambasadorin e Republikës së Turqisë në Kosovë, Sabri Tunç Angılı. Në takim u diskutua për zhvillimet e fundit në vend, si dhe për raportet bilaterale Kosovë-Turqi. Presidentja Osmani ka theksuar përkushtimin e Republikës së Kosovës për intensifikim të bashkëpunimit me Turqinë, në fusha të ndryshme, përfshirë ekonominë, mbrojtjen dhe politikën e jashtme. Presidentja Osmani, po ashtu, potencoi rolin e rëndësishëm të komunitetit turk në Kosovë. Presidentja Osmani dhe ambasadori Tunç Angılı diskutuan edhe për anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare, me ç’rast Presidentja e falënderoi Turqinë për mbështetjen e vazhdueshme.
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, priti sot në takim të rregullt ambasadorin e SHBA-ve, Jeffrey Hovenier

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur sot në takim të rregullt ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Jeffrey Hovenier. Në takim është diskutuar për zhvillimet e fundit në vend, përfshirë zhvillimet në dialogun me Serbinë. Në këtë drejtim, Presidentja Osmani ritheksoi rëndësinë e largimit të masave për të krijuar një situatë e barabartë në tryezën e dialogut. Tutje, Presidentja Osmani dhe ambasadori Hovenier diskutuan edhe për koordinimin e agjendës ndërkombëtare të Presidentes Osmani. Në prag të 4 Korrikut, Ditës së Pavarësisë së SHBA-ve, Presidentja përcolli urimet më të mira për popullin amerikan, duke rikonfirmuar përkushtimin e Kosovës për forcimin e vazhdueshëm të aleancës me Shtetet e Bashkuara.
Presidentja Osmani: Sllovenia është aleate dhe mbështetëse e palëkundur e së ardhmes sonë euroatlantike

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka pritur në takim Kryetaren e Kuvendit Kombëtar të Sllovenisë, Urška Klakočar Zupančič. Në takim u diskutua për rëndësinë e marrëdhënieve të shkëlqyeshme ndërmjet të dy vendeve, duke konfirmuar gatishmërinë për avancimin e mëtejshëm të tyre. Gjatë takimit, Presidentja Osmani shprehu vlerësimin e thellë për mbështetjen e palëkundur të Sllovenisë në rrugën e Kosovës për liri, pavarësi dhe shtetndërtim. Sipas Presidentes Osmani, Sllovenia është mike dhe aleate e fuqishme e Kosovës, ndaj i shprehu mirënjohje për mbështetjen e vazhdueshme të Sllovenisë në forcimin e pozitës ndërkombëtare të Kosovës. “Sllovenia dhe Kosova kanë një lidhje të fortë dhe ne jemi të përkushtuar të punojmë së bashku për t’i adresuar sfidat e përbashkëta dhe për të shfrytëzuar mundësitë e shumta për bashkëpunim. Përmes bashkëpunimit, ne mund t`i arrijmë qëllimet tona të përbashkëta dhe të kontribuojmë në ruajten e stabilitetit dhe prosperitetit në rajonin tonë dhe përtej”, ka theksuar Presidentja Osmani. Sipas Presidentes Osmani, Kosova është shembull pozitiv në rajon me progresin në fushën e sundimit të ligjit, luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, transparencën, qeverisjen e mirë dhe respektimin e të drejtave të njeriut. Presidentja Osmani theksoi se synimi i politikës së jashtme të Kosovës mbetet i fokusuar në forcimin e pozitës ndërkombëtare dhe anëtarësimit në organizatat ndërkombëtare, me ç’rast potencoi edhe rolin e rëndësishëm të diplomacisë parlamentare. Në këtë linjë, Presidentja Osmani shtroi nevojën e vazhdimit të mbështetjes sllovene për anëtarësim në BE, NATO, sikurse edhe në organizata ndërkombëtare. U diskutua edhe për rëndësinë e bashkëpunimit ndërparlamentar të grupeve të miqësisë ndërmjet dy parlamenteve dhe shkëmbimit reciprok të përvojave. Diskutimet u fokusuan edhe në një gamë të gjerë temash, duke përfshirë rritjen e bashkëpunimit në fushën e ekonomisë, teknologjisë informative, fuqizimin e grave dhe të rinjve, etj.
Ngushëllimi i Presidentes për shuarjen e Kadaresë

Në historinë njerëzore, shkrimtarët shpesh i kanë dhënë kahun kombeve në çastet më të vështira të historisë, duke artikuluar idenë e lirisë. Ismail Kadare ishte gjeniu shqiptar, njeriu e shkrimtari i cili tërë jetën dhe veprën e vet ia kushtoi dashurisë ndaj tokës, gjakut e vendit të shqiptarëve, duke krijuar një trashëgimi të pakundshoqe adhurimi e lavdie ndaj vendit e kombit të vet. Me këtë dashuri, të cilën ai e ka shprehur gjithandej veprave të tij, ai i ka paraqitur vlerat e popullit të tij nëpër botë, duke e lartuar gjithandej gjuhën, kulturën e letërsinë shqipe dhe vetë popullin shqiptar, ndërsa të drejtën e popullit shqiptar të Kosovës për të jetuar i lirë e i mosvarmë e mbrojti gjithandej botës, në qarqe intelektuale e kulturore, në ambiente politike e në letërkëmbimin e tij me personalitete të shquara botërore. Populli i Kosovës, sikur i gjithë populli shqiptar, sot është në zi. Ai humbi kolosin e dijetarin më të njohur shqiptar, humbi mbështetësin e pandalshëm të së drejtës së popullit shqiptar në Kosovë për të jetuar i lirë e i mosvarmë e promovuesin e pandalshëm të kësaj të drejte gjithandej botës. Humbi shkrimtarin e papërsëritshëm, të cilit si Presidente kisha nderin t’ia dorëzoja shtetësinë e Kosovës kohë më parë, sikurse edhe Urdhrin “Hasan Prishtina”. Për dhjetëvjetësha të tërë, ai e kultivoi artistikisht e intelektualisht ndjenjën e lirisë, duke na bërë edhe ne, shqiptarëve të Kosovës, ta kuptonim më mirë përmasën e lirisë e ta gjakonim atë përjetësisht. Kapërcimi i tij në jetën e përtejme shënjon ndarjen fizike nga ne, por ai do të mbetet përjetësisht në zemrat e në shpirtrat e miliona lexuesve e adhuruesve të veprës së tij, në zemrat e shpirtin e çdo shqiptari, kombit të cilit i shërbeu deri në frymën e fundit. Lavdi veprës e jetës së kolosit Ismail Kadare!
Presidentja Osmani ka takuar dje, ambasadorin francez Olivier Guérot

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur dje në takim ambasadorin e Republikës franceze, Olivier Guérot. Në takim është biseduar për zhvillimet e fundit në vend, Samitin e ardhshëm të Frankofonisë, si dhe procesin e anëtarësimit të Kosovës në organizatat ndërkombëtare. Në këtë takim, Presidentja ritheksoi përkushtimin e Kosovës për bashkëpunim të vazhdueshëm në mes të institucioneve të Republikës së Kosovës dhe Francës, në të mirë të qytetarëve të të dyja vendeve.
Presidentja Osmani në “Global Women Leaders Summit”, bashkë me ish-sekretaren Clinton

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka marrë pjesë në “Global Women Leaders Summit”, në Itali, bashkë me ish-sekretaren e Shtetit të SHBA-ve, Hillary Clinton, ambasadoren Melanne Verveer. Postimi i plotë i Presidentes Osmani: Dy ditë të mbushura me diskutime përmbajtësore në Itali në “Global Women Leaders Summit”, bashkë me ish-sekretaren e Shtetit të SHBA-ve, Hillary Clinton, ambasadoren Melanne Verveer, si dhe gra të tjera të jashtëzakonshme nga mbarë bota të cilat janë shembulli më i mirë i lidershipit transformues. Republika e Kosovës do të qëndrojë gjithnjë në krah të aleatëve të saj për të siguruar një të ardhme më të qëndrueshme e më të sigurt për të gjithë!
Presidentja Vjosa Osmani ka pritur sot në takim lamtumirës ambasadoren e Mbretërisë së Holandës në Kosovë, Carin Lobbezoo

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur sot në takim lamtumirës ambasadoren e Mbretërisë së Holandës në Kosovë, Carin Lobbezoo. Në takim, Presidentja Osmani falënderoi ambasadoren Lobbezoo për angazhimin e saj të vazhdueshëm për forcimin e bashkëpunimit në mes të Kosovës dhe Holandës përmes projekteve dhe iniciativave të ndryshme. Presidentja theksoi se Holanda mbetet aleate e rëndësishme e Republikës së Kosovës. Presidentja Osmani theksoi rëndësinë e përkrahjes së Holandës për të ardhmen euroatlantike të vendit tonë, duke u fokusuar në nevojën anëtarësimit të Republikës së Kosovës në organizatat ndërkombëtare, gjë që është në dobi të garantimit dhe respektimit të të drejtave të gjithë qytetarëve.
Presidentja Osmani uron sekretarin e ri të NATO-s: Shpresoj të punojmë së bashku për ta avancuar anëtarësimin e Kosovës në NATO

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani e ka uruar sekretarin e ri të NATO-s, Mark Rutte. Urimi i plotë I Presidentes Osmani: Urime mikut tonë Mark Rutte për zgjedhjen si Sekretar i Përgjithshëm i NATO-s. Përvoja, lidershipi dhe dija e tij do të jenë të paçmueshme për Aleancën! Ndër vite kemi punuar së bashku në shumë çështje të rëndësishme dhe nuk kam dyshim që bashkëpunimi ynë i fuqishëm do të vazhdojë tani që ai e merr këtë përgjegjësi të re. Shpresoj të punojmë së bashku për ta avancuar anëtarësimin e Kosovës në NATO dhe të punojmë drejt paqes së qëndrueshme dhe sigurisë në tërë kontinentin tonë dhe më gjerë.
Presidentja Osmani e ka uruar për zgjedhjen Sekretarin e ri të Përgjithshëm të Këshillit të Evropës, Alain Berset

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani e ka uruar për zgjedhjen Sekretarin e ri të Përgjithshëm të Këshillit të Evropës, Alain Berset. Urimi i plotë i Presidentes Osmani: Urime Alain Berset për zgjedhjen Sekretar i ri i Përgjithshëm i Këshillit të Evropës. Kosova është e përkushtuar fuqishëm për anëtarësimin në CoE – një anëtarësim që jo vetëm do të ishte një fitore për të drejtat e njeriut në Kosovë, por edhe një fitore për kontinentin tonë dhe vlerat mbi të cilat ai qëndron fuqishëm. Kosova anëtarja e 47 e CoE është një synim që do të vazhdojmë ta ndjekim pa pushim. Pres të punojmë së bashku për ta bërë këtë realitet!
Presidentja Osmani uron ditën e komunitetit egjiptian të Kosovës

Komuniteti egjiptian i Kosovës reflekton jo vetëm diversitetin e shoqërisë së Kosovës, por edhe rëndësinë e unitetit dhe solidaritetit. Shteti ynë është shtëpi e përbashkët e të gjitha komuniteteve, pavarësisht dallimeve. Komunitetit egjiptian është pjesë e historisë së suksesit të shtetndërimit tonë, sikurse edhe e jetës institucionale. Gëzuar ditën e komunitetit egjiptian të Kosovës!