Presidentja Osmani: Dita e Veteranëve të UÇK-së është kujtesë dhe lavdi për heroizmin e pashuar

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka thënë se Dita e Veteranëve të UÇK-së është kujtesë dhe lavdi për heroizmin e pashuar. Presidentja Osmani ka shkruar: Dita e Veteranëve të UÇK-së është kujtesë dhe lavdi për heroizmin e pashuar. Sot nderojmë dhe përulemi me respekt të thellë përpara veprës heroike të veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës – burrave dhe grave që flijuan gjithçka për lirinë e atdheut. 30 dhjetori është një datë që mishëron heroizmin e pavdekshëm të komandantit legjendar, Adem Jashari, dhe të familjes së tij, të cilët më 30 dhjetor 1991 zhvilluan betejën e parë kundër regjimit serb. Kjo betejë nuk ishte thjesht një përballje e armatosur, por një akt guximi që shënoi fillimin e një epoke të re në përpjekjet për liri dhe shtet. Atyre ju bashkuan me mijëra burra e gra, të cilët i dolën zot atdheut në kohët më të rënda, duke u shndërruar kështu në emblemë të shtetit tonë. Lavdi e përjetshme dëshmorëve të kombit dhe respekt i përhershëm për çdo veteran të UÇK-së!
Presidentja Osmani: Presidenti Carter ia kushtoi jetën paqes, barazisë dhe përmirësimit të jetës për të gjithë

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani i ka shprehur ngushëllime familjes Carter dhe popullit amerikan pas lajmit për ndarjen nga jeta të ish-presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Jimmy Carter. Presidentja Osmani ka shkruar: Presidenti Carter i tregoi botës se lidershipi është mbi të gjitha përkushtim, dhembshuri dhe besim i palëkundur për njerëzimin. Ai ia kushtoi jetën paqes, barazisë dhe përmirësimit të jetës për të gjithë. Mendimet tona janë me familjen e tij, teksa bashkohemi me miqtë tanë amerikanë për ta nderuar trashëgiminë e tij! Foto: John Bazemore/AP
Fjalimi i Presidentes Vjosa Osmani në pritjen e fundvitit me Këshillin Konsultativ për Komunitete

Të nderuar të pranishëm, anëtarë të Këshillit Konsultativ për Komunitete, Shumë të dashur fëmijë, Të dashur anëtarë të stafit të Presidencës, Përshëndetje të përzemërta dhe mirë se keni ardhur në këtë ditë të veçantë, që shënon jo vetëm fundin e një viti, por edhe fillimin e reflektimeve dhe synimeve tona për të ardhmen. Sonte jemi këtu, të bashkuar, pa dallim etnie, gjuhe apo besimi, për të festuar së bashku dhe për të uruar një vit të ri të mbushur me paqe, harmoni dhe suksese. Kosova është vendi i të gjithë qytetarëve të saj pa dallim, por mbi të gjitha, ajo i takon brezave të ardhshëm – fëmijëve tanë. Prania juaj sot këtu, veçanërisht e fëmijëve nga të gjitha komunitetet, na jep shpresë dhe na kujton që ardhmja e vendit tonë mund të ndërtohet vetëm në frymë bashkëpunimi dhe mirëkuptimi. Sot, dëshiroj t’ju falënderoj me mirënjohje të thellë për punën tuaj dhe angazhimin tuaj gjatë këtij viti. Rëndësia e Këshillit Konsultativ për Komunitete nuk matet vetëm në numrin e aktiviteteve apo nismave, por në ndikimin që ka ky Këshill në forcimin e barazisë dhe drejtësisë për të gjithë qytetarët tanë. Me punën tuaj, keni treguar se barazia dhe respekti ndërmjet komuniteteve është realitet i arritshëm. Puna juaj është ndjekur nga afër dhe me kujdes edhe nga përfaqësuesja ime në Këshill, znj. Donika Kadaj, e cila më ka informuar rregullisht për gjithë angazhimet tuaja. Dua t’ju përshëndes dhe t’ju uroj mandatin tuaj të ri dyvjeçar, që me siguri do të shërbejë si periudhë e mbushur me punë dhe rezultate të vyera për të gjitha komunitetet që jetojnë në Kosovë. Edhe në Këshillin paraprak, ka pasur të arritura të rëndësishme, por kjo mbrëmje krahas festës është edhe një mundësi për të reflektuar mbi bashkëpunimin tonë. Në fillim të vitit të ardhshëm, kemi planifikuar edhe një takim ku secili prej jush do të ketë mundësinë të ndajë mendimet dhe shqetësimet e tyre drejtpërdrejt me mua si Presidente. Sepse, besoj fuqishëm se dialogu i hapur dhe i sinqertë është çelësi i suksesit tonë të përbashkët. Në përmbyllje, më lejoni t’ju falënderoj edhe një herë për praninë tuaj! Ju uroj një vit të përmbushur me shëndet, gëzim dhe suksese! Le të vazhdojmë të punojmë së bashku për një Kosovë më të mirë, ku të gjitha komunitetet ndihen të barabarta, të respektuara dhe të fuqizuara! Gëzuar festat të gjithëve! Le të na bashkojë të gjithëve dashuria, respekti dhe shpresa për një të ardhme të përbashkët e më të mirë!
Presidentja Osmani: Së bashku për një Kosovë të barabartë për të gjithë!

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani në fundvit ka pritur anëtarët e Këshillit Konsultativ për Komunitete dhe një grup fëmijësh nga të gjitha komunitetet. Presidentja Osmani ka shkruar: Në fundvit, kisha kënaqësinë të mirëpres edhe anëtarët e Këshillit Konsultativ për Komunitete dhe një grup fëmijësh nga të gjitha komunitetet. Kosova i përket të gjithë qytetarëve të saj, por mbi të gjitha fëmijëve tanë – gjeneratës së ardhshme të udhëheqësve. Së bashku për një Kosovë të barabartë për të gjithë!
Presidentja: Në përfundim të vitit, e rrethuar nga më të vegjlit, udhëheqësit e së nesërmes!

Preaidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, në përfundim të vitit ka pritur më të vegjlit. “Në përfundim të vitit, e rrethuar nga më të vegjlit, udhëheqësit e së nesërmes! Pasioni dhe vizioni i tyre na frymëzojnë për të vazhduar investimin në të ardhmen e tyre. Ata janë shpresa për një të ardhme edhe më të ndritshme”, ka shkruar Presidentja Osmani.
Presidentja: Një gur nga Trepça si simbol i tokës së lirë, të pavarur e të pandashme të Kosovës, mision për të cilin Ambasadori Hovenier u angazhua për më shumë se dy dekada

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka pritur sot në takim lamtumirës Ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeffrey Hovenier. “Një gur nga Trepça si simbol i tokës së lirë, të pavarur e të pandashme të Kosovës, mision për të cilin Ambasadori Hovenier u angazhua për më shumë se dy dekada. Njëkohësisht si simbol i vazhdimit të traditës dhe trashëgimisë së Presidentit Rugova, i cili vendosi themelet e forta të shtetësisë së Kosovës dhe të miqësisë së përhershme me SHBA-të”, ka shkruar Presidentja Osmani.
Presidentja Vjosa Osmani, me propozim të Këshillit Prokurorial të Kosovës, dekreton njëzet e katër prokurorë të rinj

Presidentja Vjosa Osmani, me propozim të Këshillit Prokurorial të Kosovës ka dekretuar sot njëzet e katër (24) prokurorë, pothuajse gjysma prej tyre gra. Në ceremoninë e betimit para Presidentes së Republikës, prokurorët e rinj janë betuar se: “do t’i qëndrojnë besnik Kushtetutës së Republikës së Kosovës, ligjeve në fuqi dhe do të respektojnë rregullat e etikës profesionale”. Presidentja Osmani ndër të tjera ka theksuar rëndësinë e integritetit, pavarësisë, paanshmërisë dhe profesionalizmit të prokurorëve, si elemente thelbësore për një sistem që garanton drejtësi për të gjithë qytetarët e Kosovës, dhe njëkohësisht u ka bërë thirrje prokurorëve të rinj që të mos kenë kompromis ndaj krimit dhe korrupsionit.
Presidentja Osmani mori pjesë në pritjen zyrtare të Krishtlindjes në Katedralen Nëna Terezë dhe më pas vizitoi familjen Filipaj

Mbrëmë në Katedralen Nënë Tereza në Prishtinë, Presidentja Osmani bashkë me Zotërinë e Parë, Prindon Sadriu, mori pjesë në pritjen zyrtare të Krishtlindjes. Duke uruar ipeshkvin e Kosovës, imzot Dodë Gjergjin dhe komunitetin katolik, Presidentja Osmani theksoi se Krishtlindja është frymëzim që na kujton të gjithëve se përballë sfidave duhet të triumfojë shpresa. “Ajo na kujton se duhet t’i vlerësojmë njerëzit në jetën tonë, t’ia shprehim mirënjohjen tonë familjes që na do pa kursim, miqve që na qëndrojnë pranë dhe bashkëkombësve, me të cilët na lidh gjaku, gjuha e shpresa”, ka theksuar Presidentja Osmani në fjalimin e saj. Ndërkaq pas ceremonisë në Katedrale, Presidentja Osmani me Zotërinë e Parë dhe vajzat, ishin mysafir në darkën e Krishtlindjes në familjen Filipaj në Prishtinë. “Mikpritja dhe ngrohtësia e tyre është një dëshmi e kuptimit të vërtetë të kësaj feste. Le të vazhdojmë të tregojmë mirësi ndaj njëri-tjetrit dhe ta ushqejmë frymën e Krishtlindjes gjatë gjithë vitit”, ka theksuar Presidentja Osmani.
Fjalimi i Presidentes Osmani sonte në festën e Krishtlindjes në Katedralen Shën Nënë Tereza në Prishtinë

Mirëmbrëma të gjithëve! I nderuari ipeshkv i Kosovës, imzot Dodë Gjergji, I nderuar Kryeministër Kurti, Zëvendëskryeministre, ministra, deputetë, kryetarë të partive politike, kryetarë komunash, I nderuar kryemyfti, njerëz të dijeve e të artit, Miq të dashur, Jam shumë e lumtur që sonte, në natën e Krishtlindjes, në këtë festë dashurie, bashkimi e shprese gjendemi këtu së bashku në Katedralen e së shenjtës sonë Nënë Terezës për të festuar. Prandaj, më lejoni që duke kujtuar karakterin e vërtetë të Krishtlindjes, vuajtjet e Krishtit për njerëzimin, flijimin e ringjalljen e tij, të rikujtojmë edhe shembullin tonë të mirësisë, atë të Nënës Terezë. T’i rikujtojmë vlerat tona, të cilat i shëmbëllen aq mirë e aq thellë Gonxhja jonë, Shën Tereza! Ajo u flijua për njerëzimin, për më të varfrit e më të varfërve dhe nga vuajtjet e tyre krijoi shëmbëlltyrën e ringjalljes së shpresës, të dashurisë për njerëzimin e të ndihmës së pakursyer për të. Ne sot, sipas shembullit të saj, jo vetëm urojmë njëri-tjetrin për Krishtlindje, por reflektojmë thellësisht mbi atë që e bën këtë festë kaq të veçantë. Përtej dritave vezulluese që e simbolizojnë shpresën, reflektojmë për bujarinë dhe bashkimin tonë. Të nderuar të pranishëm, Krishtlindja është frymëzim që na kujton të gjithëve se përballë sfidave duhet të triumfojë shpresa. Ajo na kujton se duhet t’i vlerësojmë njerëzit në jetën tonë, t’ua shprehim mirënjohjen tonë familjes që na do pa kursim, miqve që na qëndrojnë pranë dhe bashkëkombësve, me të cilët na lidh gjaku, gjuha e shpresa. Magjia e Krishtlindjes na bën që sonte të kthejmë vëmendjen ndaj atyre që na qëndrojnë afër edhe ndaj atyre që janë larg me shërbim. Mbi të gjitha, ndaj atyre që sot kanë më shumë nevojë për kujdesin tonë. Prandaj, sipas shembullit të Gonxhes sonë, të kujdesemi fort sonte e në gjithë motin që vjen për ata që presin ndihmën tonë e që kanë nevojë për kujdesin tonë! Krishtlindja është moment për të treguar mirësi e kujdes ndaj tyre, duke u dhuruar buzëqeshje të ngrohtë, një gjest dashurie, le ta ndriçojmë botën e tyre. Kështu, botën përreth nesh e bëjmë edhe më të bukur. Le ta kujtojmë thënien: Është më i bekuar ai që jep dhurata sesa ai që i pranon ato. Dhënia, në fund të fundit, e shpërndan gëzimin e Krishtlindjes shumë e gjerë. Krishtlindja na kujton se drita e gjen gjithmonë rrugën karshi errësirës dhe se dashuria ka fuqinë t’i transformojë edhe zemrat më të ngurta. Pra, ndërsa festojmë, le ta përqafojmë kuptimin e vërtetë të Krishtlindjes. Le të qeshim, të festojmë e të krijojmë kujtime që do të zgjasin një jetë të tërë! Le t’i kujtojmë ata që nuk mund të jenë me ne dhe t’i mbajmë afër në zemrat tona! Le t’i kujtojmë po ashtu, siç e thashë, edhe ata që kanë më së shumti nevojë dhe më e rëndësishmja, le ta mbajmë me vete frymën e Krishtlindjes shumë kohë, edhe pasi dekorimet të jenë larguar. Faleminderit të gjithëve që jeni pjesë e këtij çasti të bukur! Qofshin ditët tuaja të mbushura me dashuri, me paqe dhe gëzim të pafund! Uroj të gjithë besimtarët e krishterë për Krishtlindje, me shumë gëzim e paqe në familjet e tyre dhe gjithë Republikën e Kosovës! Gëzuar për shumë mot Krishtlindjen!
Presidentja Osmani: Festa e Krishtlindjes në mesin e ushtarëve të shumtë në Bondsteel, të cilët edhe këtë festë janë larg familjes

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani me rastin e festës së Krishtlindjes ka vizituar ushtarët në kampin Bondsteel. “Festa e Krishtlindjes në mesin e ushtarëve të shumtë në Bondsteel, të cilët edhe këtë festë janë larg familjes, por të bashkuar me qytetarët e Kosovës rreth vlerave të paqes, unitetit e dashurisë”, ka shkruar Presidentja Osmani.