Të nderuar të pranishëm, anëtarë të Këshillit Konsultativ për Komunitete,
Shumë të dashur fëmijë,
Të dashur anëtarë të stafit të Presidencës,
Përshëndetje të përzemërta dhe mirë se keni ardhur në këtë ditë të veçantë, që shënon jo vetëm fundin e një viti, por edhe fillimin e reflektimeve dhe synimeve tona për të ardhmen.
Sonte jemi këtu, të bashkuar, pa dallim etnie, gjuhe apo besimi, për të festuar së bashku dhe për të uruar një vit të ri të mbushur me paqe, harmoni dhe suksese.
Kosova është vendi i të gjithë qytetarëve të saj pa dallim, por mbi të gjitha, ajo i takon brezave të ardhshëm – fëmijëve tanë.
Prania juaj sot këtu, veçanërisht e fëmijëve nga të gjitha komunitetet, na jep shpresë dhe na kujton që ardhmja e vendit tonë mund të ndërtohet vetëm në frymë bashkëpunimi dhe mirëkuptimi.
Sot, dëshiroj t’ju falënderoj me mirënjohje të thellë për punën tuaj dhe angazhimin tuaj gjatë këtij viti. Rëndësia e Këshillit Konsultativ për Komunitete nuk matet vetëm në numrin e aktiviteteve apo nismave, por në ndikimin që ka ky Këshill në forcimin e barazisë dhe drejtësisë për të gjithë qytetarët tanë. Me punën tuaj, keni treguar se barazia dhe respekti ndërmjet komuniteteve është realitet i arritshëm.
Puna juaj është ndjekur nga afër dhe me kujdes edhe nga përfaqësuesja ime në Këshill, znj. Donika Kadaj, e cila më ka informuar rregullisht për gjithë angazhimet tuaja. Dua t’ju përshëndes dhe t’ju uroj mandatin tuaj të ri dyvjeçar, që me siguri do të shërbejë si periudhë e mbushur me punë dhe rezultate të vyera për të gjitha komunitetet që jetojnë në Kosovë.
Edhe në Këshillin paraprak, ka pasur të arritura të rëndësishme, por kjo mbrëmje krahas festës është edhe një mundësi për të reflektuar mbi bashkëpunimin tonë.
Në fillim të vitit të ardhshëm, kemi planifikuar edhe një takim ku secili prej jush do të ketë mundësinë të ndajë mendimet dhe shqetësimet e tyre drejtpërdrejt me mua si Presidente. Sepse, besoj fuqishëm se dialogu i hapur dhe i sinqertë është çelësi i suksesit tonë të përbashkët.
Në përmbyllje, më lejoni t’ju falënderoj edhe një herë për praninë tuaj! Ju uroj një vit të përmbushur me shëndet, gëzim dhe suksese! Le të vazhdojmë të punojmë së bashku për një Kosovë më të mirë, ku të gjitha komunitetet ndihen të barabarta, të respektuara dhe të fuqizuara!
Gëzuar festat të gjithëve!
Le të na bashkojë të gjithëve dashuria, respekti dhe shpresa për një të ardhme të përbashkët e më të mirë!