Urimi i Presidentes Osmani për Krishtlindje

Festa e Krishtlindjes është një mundësi reflektimi për shpresën, bujarinë dhe bashkimin – një periudhë kur na kujtohet fuqia e dashurisë dhe shpresës. Në këtë ditë ne çmojmë posaçërisht lidhjet dhe traditat që na bashkojnë. Krishtlindja është frymëzim që na kujton të gjithëve se përballë sfidave, duhet të triumfojë shpresa. Uroj të gjithë besimtarët e krishterë për Krishtlindje me shumë dashuri, gëzim dhe paqe! Le të na frymëzojë kjo festë për një të ardhme me shpresë të pakufishme!   Gëzuar për shumë mot Krishtlindjen!

Presidentja Osmani nderohet me Çmimin “Grand Excellence 2024” nga Qendra Albanian Excellence

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, është nderuar me Çmimin “Grand Excellence 2024” nga Qendra Albanian Excellence, për angazhimin e saj të palëkundur në ruajtjen dhe forcimin e shtyllave themelore të shtetësisë së Kosovës. Gjatë ceremonisë solemne të mbajtur në Tiranë, çmimi u pranua në emër të Presidentes Osmani nga këshilltarja e saj, znj. Donika Kadaj. Ky vlerësim prestigjioz u dha në shenjë mirënjohjeje për rolin e rëndësishëm të Presidentes Osmani në mbrojtjen e sovranitetit dhe integritetit të Kosovës, si dhe për përpjekjet e saj të vazhdueshme në fuqizimin e aleancave strategjike me aleatët ndërkombëtarë. Po ashtu, çmimi vlerëson udhëheqjen e saj vizionare në promovimin e drejtësisë për viktimat e dhunës gjatë luftës dhe për ngritjen e imazhit ndërkombëtar të Kosovës. “Kosova është një shtet i ndërtuar mbi sakrifica të mëdha dhe mbi një histori krenarie, rezistence dhe lufte për liri e drejtësi. Këto sakrifica na kujtojnë përherë përgjegjësinë tonë për të mbrojtur dhe avancuar sovranitetin, shtetësinë dhe integritetin tonë territorial. Presidentja Osmani ka qenë një zë i fuqishëm për mbrojtjen e këtyre vlerave, duke i vendosur ato në qendër të agjendës së saj kombëtare dhe ndërkombëtare”, theksoi znj. Kadaj gjatë fjalës së saj në ceremoni. “Përmes angazhimeve të saj institucionale, Presidentja Osmani ka forcuar partneritetet strategjike me aleatët tanë ndërkombëtarë, duke siguruar që Kosova të njihet si një shtet demokratik dhe i përkushtuar ndaj paqes dhe stabilitetit global,” shtoi znj. Kadaj. Ky çmim i veçantë thekson rolin qendror të Presidentes Osmani si një mbrojtëse e vlerave demokratike dhe të drejtës ndërkombëtare, duke e afirmuar Kosovën si një partner të besueshëm dhe të përkushtuar ndaj paqes e stabilitetit global dhe duke fuqizuar aleancat si një ndër shtyllat kryesore të shtetësisë së Kosovës.

Fjalimi i Presidentes Osmani në seancën e përbashkët të Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe atij të Republikës së Shqipërisë

Të nderuar Kryetarë të Kuvendeve, z. Konjufca dhe znj. Spiropali, Të nderuar Kryeministra Kurti dhe Rama, Të nderuar deputetë të të dy Kuvendeve, Të nderuar qytetarë të Kosovës, Shqipërisë dhe Shqiptarë nga kudo që na ndiqni sot, Zonja dhe zotërinj, të dashura motra e vëllezër,   Është nder t’ju drejtohem në këtë sesion të përbashkët të parlamenteve tona – në një takim që pasqyron jo vetëm trashëgiminë tonë të përbashkët, por edhe vendosmërinë tonë të palëkundur për të krijuar një të ardhme të denjë të mbështetur nga vizioni dhe synimet e popullit tonë, i cili ka treguar përherë një forcë të jashtëzakonshme dhe një angazhim të pa kompromis për liri, drejtësi dhe mirëqenie. Kjo seancë e përbashkët parlamentare duhet të shërbejë si një thirrje për veprim – një kujtesë se qëllimi ynë i përbashkët kërkon ambicie edhe më të mëdha dhe përpjekje edhe më të palodhshme. Ne po jetojmë në një kohë të trazuar e cila kërkon bashkëpunim dhe qëllim. Për Kosovën dhe Shqipërinë kjo nuk është thjeshtë një zgjedhje, por një domosdoshmëri. Një Shqipëri më e fortë do të thotë një Kosovë edhe më e fortë. Një Kosovë më e suksesshme e ngrit edhe më lartë Shqipërinë. Historia nuk do të na gjykojë me dashamirësi nëse nuk arrijmë ta shfrytëzojmë këtë moment për të ndërtuar unitetin dhe harmoninë e domosdoshme. Prosperiteti i Kosovës dhe Shqipërisë është detyrë që na përket të gjithëve – liderëve, institucioneve dhe gjithsecilit qytetar. Secili prej nesh duhet të luajë rolin e tij në avancimin e vizionit të shteteve dhe të qytetarëve tanë brenda familjes së kombeve evropiane. Lidhja e thellë ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë është e rrënjosur në histori, në sakrifica të panumërta dhe në një vizion të përbashkët për të ardhmen. Kjo lidhje nuk është thjesht simbolike; është një themel i pathyeshëm, mbi të cilin duhet të ndërtojmë bashkëpunim më të madh e koordinim më të shpeshtë. Shqipëria dhe Kosova nuk janë vetëm dy shtete të pavarura, por janë dy pjesë të pandashme të një kombi të madh, të bashkuar nga një histori e lavdishme dhe një e ardhme e ndritur e cila po ndërtohet dita-ditës. Të dy parlamentet tona, si tempuj të demokracisë, kanë një rol vendimtar në forcimin e lidhjeve tona dypalëshe dhe në avancimin e interesave të qytetarëve tanë. Të njëjtën përgjegjësi e bartim secili e secila nga ne. Të nderuar deputetë të të dy Kuvendeve, Derisa na keni mbledhur sot të gjithëve këtu, në një kohë kur Shqipëria po bën hapa vendimtar në rrugën e saj evropiane. Dua të shpreh urimet e mia të përzemërta për liderët e Shqipërisë, Parlamentin e Shqipërisë dhe të gjithë qytetarët e saj për sukseset e deritashme në negociatat për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Kjo arritje është krenari jo vetëm për Shqipërinë, por për të gjithë shqiptarët kudo që jetojnë. Ajo tregon se përmes vendosmërisë, punës e reformave, shtetet tona dhe rajoni ynë mund të sigurojnë vendin e merituar në familjen evropiane. Edhe Kosova, si përherë, mbetet me përkushtim të palëkundur për integrimin në Bashkim Evropian dhe angazhimi ynë në këtë drejtim është i çdoditshëm. Aspirata jonë për t’u anëtarësuar në Bashkim Evropian nuk është vetëm një qëllim politik, por pasqyrim i asaj se kush jemi dhe çfarë përfaqësojmë, pra pasqyrim i identitetit tonë dhe i vizionit tonë. Kombi ynë mbrojti portën e fundit të Evropës, qindra vite para sa të themelohej Bashkimi Evropian, prandaj vlerat mbi të cilat është ndërtuar BE-ja – sot qëndrojnë edhe në vet themelet e kombit tonë. Fatkeqësisht pengesat me të cilat Kosova përballet në këtë rrugëtim janë tejet të mëdha. Padrejtësitë ndaj popullit të Kosovës sa vijnë e rriten, për t’i tejkaluar këto pengesa suksesshëm na duhet mbështetja e vazhdueshme e Shqipërisë. Bashkimi Evropian do të jetë më i sigurt, më i qëndrueshëm dhe më i plotë me shtetet tona si pjesë e tij. Anëtarësimi i Kosovës në NATO, ndërkaq do t’i japë përfundimisht fund apetiteve hegjemoniste e destabilizuese të Serbisë ndaj Kosovës. Për të arritur këtë të ardhme të përbashkët, është jetike që ne ta forcojmë vazhdimisht koordinimin, komunikimin e bashkërendimin ndërmjet dy shteteve tona. Në veçanti është me rëndësi unifikimi i politikës sonë të jashtme si dhe bashkëpunimi ynë në mbrojtje të pavarësisë së arritur me aq shumë sakrifica të Republikës së Kosovës si dhe sovranitetit të shtetit tonë e po ashtu bashkëpunimi i vazhdueshëm në mbrojtjen e të drejtave të shqiptarëve pavarësisht se ku jetojnë ata. Shqiptarët në Preshevë, Medvegjë e Bujanoc i kanë sytë kah na. Atyre vazhdimisht u shkelen të drejtat në mënyrë flagrante përderisa bota demokratike po i mbyll sytë para këtyre shkeljeve. Ne duhet ta ngrisim zërin më shumë sesa kurrë më parë në mënyrë që të ndërpriten këto shkelje ndaj popullit shqiptar të cilët jetojnë në këto treva. Ndërkaq derisa po flasim dhe jemi bashkuar në këtë Kuvend, akoma ekzistojnë tendenca për të shkundur themelet mbi të cilat është ndërtuar Maqedonia e Veriut, pra për të destabilizuar edhe këtë vend duke larguar të drejtat tashmë të fituara të shqiptarëve që jetojnë në këtë shtet, si popull konstituiv i Maqedonisë së Veriut. Ne nuk duhet as të qëndrojmë të heshtur e as t’i mbyllim sytë para këtyre tendencave të qarta. Të nderuar kryetarë të kuvendeve, kryeministra, deputetë Të nderuar qytetarë, Për Kosovën, Shqipëria ka qenë gjithmonë më shumë se një shtet motër. Shqipëria ka qenë një aleate e palëkundur, duke na qëndruar pranë në çdo hap të rrugëtimit tonë – që nga ditët e luftës e të çlirimit dhe në çdo hap të ndërtimit të shtetit tonë të lirë e sovran. Edhe sot, Shqipëria mbetet një shtyllë e fortë e mbështetjes sonë. Për këtë, populli i Kosovës do të jetë gjithnjë mirënjohës. Në këtë takim të përbashkët të dy parlamenteve, shpreh vlerësimin tim të thellë për të gjithë deputetët puna e të cilëve është po ashtu jetike për prosperitetin e shteteve tona. Përkushtimi juaj për demokracinë, përparimin dhe mirëqenien e qytetarëve tanë është një dëshmi e unitetit dhe forcës së popullit tonë. Zëri i deputetëve të Shqipërisë, qoftë në Këshillin

Qendra Rajonale e Ekselencës për Gratë, Paqen dhe Sigurinë në Kosovë, së bashku me Institutin për Gratë, Paqen dhe Sigurinë në Universitetin e Georgetown (GIWPS), filloi serinë e takimeve virtuale në nivel rajonal

Qendra Rajonale e Ekselencës për Gratë, Paqen dhe Sigurinë në Kosovë, së bashku me GIWPS, dhe në mbështetje nga Zyra e Sekretarit të SHBA-ve për Çështjet Globale të Grave, mbajti takimin e parë rajonal në nivel të Ballkanit Perëndimor në lidhje me Indeksin për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, i cili përpilohet nga GIWPS dhe PRIO Qendra për Gjini, Paqe dhe Siguri. Takimi mblodhi përfaqësues nga 6 vendet e Ballkanit Perëndimor dhe kishte për qëllim kryesor prezantimin e metodologjisë, strukturës dhe renditjeve aktuale të Indeksit për Gratë, Paqen dhe Sigurinë. Takimi gjithashtu shërbeu si një platformë për pjesëmarrësit për të diskutuar sfidat e lidhura me realizimin e vlerësimeve të tilla dhe për të eksploruar strategji të mundshme për të përmirësuar renditjet e vendeve që aktualisht janë në fund të indeksit. Si pjesë të partneritetit mes Qendrës Rajonale të Ekselencës në Kosovë dhe GIWPS, takime të tilla do të mbahen në vazhdimësi edhe gjatë vitit 2025.

Presidentja Osmani në Bruksel, dje takoi Komisioneren e BE-së për Zgjerim, Marta Kos

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, gjatë vizitës në Bruksel, ka takuar dje Komisioneren e re të BE-së për Zgjerim, Marta Kos. Në takim u diskutua për reformat dhe progresin e Kosovës në fushën e demokracisë, sundimit të ligjit dhe sigurisë. Presidentja Osmani theksoi rëndësinë e avancimit të aplikimit të Kosovës në BE, heqjen e menjëhershme të masave të BE-së ndaj Kosovës të cilat po i dëmtojnë qytetarët, si dhe potencoi rëndësinë e llogaridhënies për sulmet terroriste dhe aktin e agresionit të vitit të kaluar.

Presidentja Osmani priti sot në takim Presidenten e Sllovenisë, Nataša Pirc Musar

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, priti sot në një drekë pune, Presidenten e Sllovenisë, Nataša Pirc Musar. Duke folur për marrëdhëniet bilaterale me Slloveninë, Presidentja Osmani ka potencuar se Sllovenia është një nga aleatët dhe miqtë më të ngushtë të Kosovës, mbështetja e vazhdueshme e së cilës ka luajtur një rol të rëndësishëm në forcimin e pozitës ndërkombëtare të Kosovës. Presidentja Osmani e njoftoi Presidenten Musar për zhvillimet e fundit në fushën e sigurisë, përkushtimin e palëkundur të Kosovës për integrimin euroatlantik, si dhe për thellim të vazhdueshëm të raporteve me Slloveninë. Me këtë rast, Presidentja Osmani ka shprehur po ashtu mirënjohjen e thellë në emër të qytetarëve të Kosovës për trupat sllovene që shërbejnë në kuadër të KFOR-it, e të cilët Presidentja Musar i ka vizituar mbrëmë me rastin e festave të fundvitit.

Presidentja Osmani dekoroi me Urdhrin e Pavarësisë (post mortem), Kryetaren e ndjerë të Senatit Belg, Anne Marie Lizin

Gjatë vizitës së punës në Belgjikë të Presidentes së Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, në ambientet e Ambasadës së Republikës së Kosovës është organizuar një ceremoni për dorëzimin e Urdhrit Presidencial për Kryetaren e ndjerë të Senatit Belg, Anne Marie Lizin. Me këtë rast, Presidentja Osmani ia ka dorëzuar Urdhrin e Pavarësisë (post mortem) bashkëshortit të zonjës Lizin. Në prani të familjarëve dhe miqve të ngushtë, Presidentja Osmani ka theksuar se kjo është vetëm një dëshmi e angazhimit të saj të palëkundur ndaj vlerave të lirisë, demokracisë dhe pavarësisë së Kosovës. “Kontributet e jashtëzakonshme të Anne Marine Lizin kanë lënë një gjurmë të pashlyeshme në kombin tonë dhe përkushtimi i saj ndaj popullit tonë nuk do të harrohet kurrë”, ka theksuar Presidentja Osmani. “Ndonëse ajo nuk është më me ne, shpirti dhe puna e saj vazhdojnë të na frymëzojnë ndërsa ndërtojmë një Kosovë më të fortë”, potencoi Presidentja Osmani.

Presidentja Osmani përfaqësoi Kosovën në Samitin BE-Ballkani Perëndimor

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka përfaqësuar Republikën e Kosovës në Samitin BE-Ballkani Perëndimor. Presidentja Osmani ka shkruar: Samiti BE-Ballkani Perëndimor mbetet një platformë e rëndësishme për rajonin tonë. Andaj, në biseda me liderë të institucioneve dhe shteteve anëtare të BE-së, theksova se: * E ardhmja e Kosovës në BE është e pashmangshme e për ne mbetet një angazhim i çdoditshëm; * Nëse respektohet parimi i meritokracisë, ashtu siç proklamohet, atëherë duhet të ecet përpara me hapa konkret në këtë rrugëtim, duke filluar me trajtimin e menjëhershëm të aplikacionit tonë për anëtarësim dhe heqjen e masave ndaj Kosovës të cilat janë të padrejta dhe joevropiane; * Nuk mund të ketë integrim të suksesshëm të vendeve të Ballkanit Perëndimor nëse vazhdimisht rrezikohet paqja dhe siguria. Prandaj, llogaridhënia e Serbisë për aktet e vazhdueshme të agresionit ndaj Kosovës është kyçe; * Pavarësisht sfidave, Kosova nuk heq dorë nga integrimi në institucione euro-atlantike, sepse mbi të gjitha ky është vullnet i popullit tonë.

Presidentja Osmani udhëton në Bruksel, përfaqëson Kosovën në Samitin BE-Ballkani Perëndimor

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka udhëtuar për Bruksel, ku do të marrë pjesë në Samitin BE-Ballkani Perëndimor përkrah liderëve të vendeve anëtare të BE-së, si dhe atyre nga Ballkani Perëndimor. Temë kryesore e Samitit pritet të jetë zgjerimi i BE-së me përfshirjen e Ballkanit Perëndimor, si dhe do të trajtohen në veçanti: Plani i Rritjes për Ballkanin Perëndimor, Plani Ekonomik dhe i Investimeve, Agjenda e Gjelbër dhe Digjitale për Ballkanin Perëndimor, si dhe fusha të tjera si Politika e Përbashkët e Jashtme dhe e Sigurisë, luftimi i kërcënimeve hibride dhe kibernetike, dhe migracioni.

This site is registered on wpml.org as a development site.