DR. VJOSA OSMANI SADRIU
PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
...

Fjalimi i Presidentes Osmani në seancën e përbashkët të Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe atij të Republikës së Shqipërisë

Të nderuar Kryetarë të Kuvendeve, z. Konjufca dhe znj. Spiropali,

Të nderuar Kryeministra Kurti dhe Rama,

Të nderuar deputetë të të dy Kuvendeve,

Të nderuar qytetarë të Kosovës, Shqipërisë dhe Shqiptarë nga kudo që na ndiqni sot,

Zonja dhe zotërinj, të dashura motra e vëllezër,

 

Është nder t’ju drejtohem në këtë sesion të përbashkët të parlamenteve tona – në një takim që pasqyron jo vetëm trashëgiminë tonë të përbashkët, por edhe vendosmërinë tonë të palëkundur për të krijuar një të ardhme të denjë të mbështetur nga vizioni dhe synimet e popullit tonë, i cili ka treguar përherë një forcë të jashtëzakonshme dhe një angazhim të pa kompromis për liri, drejtësi dhe mirëqenie.

Kjo seancë e përbashkët parlamentare duhet të shërbejë si një thirrje për veprim – një kujtesë se qëllimi ynë i përbashkët kërkon ambicie edhe më të mëdha dhe përpjekje edhe më të palodhshme.

Ne po jetojmë në një kohë të trazuar e cila kërkon bashkëpunim dhe qëllim. Për Kosovën dhe Shqipërinë kjo nuk është thjeshtë një zgjedhje, por një domosdoshmëri. Një Shqipëri më e fortë do të thotë një Kosovë edhe më e fortë. Një Kosovë më e suksesshme e ngrit edhe më lartë Shqipërinë.

Historia nuk do të na gjykojë me dashamirësi nëse nuk arrijmë ta shfrytëzojmë këtë moment për të ndërtuar unitetin dhe harmoninë e domosdoshme.

Prosperiteti i Kosovës dhe Shqipërisë është detyrë që na përket të gjithëve – liderëve, institucioneve dhe gjithsecilit qytetar. Secili prej nesh duhet të luajë rolin e tij në avancimin e vizionit të shteteve dhe të qytetarëve tanë brenda familjes së kombeve evropiane.

Lidhja e thellë ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë është e rrënjosur në histori, në sakrifica të panumërta dhe në një vizion të përbashkët për të ardhmen.

Kjo lidhje nuk është thjesht simbolike; është një themel i pathyeshëm, mbi të cilin duhet të ndërtojmë bashkëpunim më të madh e koordinim më të shpeshtë.

Shqipëria dhe Kosova nuk janë vetëm dy shtete të pavarura, por janë dy pjesë të pandashme të një kombi të madh, të bashkuar nga një histori e lavdishme dhe një e ardhme e ndritur e cila po ndërtohet dita-ditës.

Të dy parlamentet tona, si tempuj të demokracisë, kanë një rol vendimtar në forcimin e lidhjeve tona dypalëshe dhe në avancimin e interesave të qytetarëve tanë. Të njëjtën përgjegjësi e bartim secili e secila nga ne.

Të nderuar deputetë të të dy Kuvendeve,

Derisa na keni mbledhur sot të gjithëve këtu, në një kohë kur Shqipëria po bën hapa vendimtar në rrugën e saj evropiane.

Dua të shpreh urimet e mia të përzemërta për liderët e Shqipërisë, Parlamentin e Shqipërisë dhe të gjithë qytetarët e saj për sukseset e deritashme në negociatat për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Kjo arritje është krenari jo vetëm për Shqipërinë, por për të gjithë shqiptarët kudo që jetojnë. Ajo tregon se përmes vendosmërisë, punës e reformave, shtetet tona dhe rajoni ynë mund të sigurojnë vendin e merituar në familjen evropiane.

Edhe Kosova, si përherë, mbetet me përkushtim të palëkundur për integrimin në Bashkim Evropian dhe angazhimi ynë në këtë drejtim është i çdoditshëm. Aspirata jonë për t’u anëtarësuar në Bashkim Evropian nuk është vetëm një qëllim politik, por pasqyrim i asaj se kush jemi dhe çfarë përfaqësojmë, pra pasqyrim i identitetit tonë dhe i vizionit tonë.

Kombi ynë mbrojti portën e fundit të Evropës, qindra vite para sa të themelohej Bashkimi Evropian, prandaj vlerat mbi të cilat është ndërtuar BE-ja – sot qëndrojnë edhe në vet themelet e kombit tonë.

Fatkeqësisht pengesat me të cilat Kosova përballet në këtë rrugëtim janë tejet të mëdha. Padrejtësitë ndaj popullit të Kosovës sa vijnë e rriten, për t’i tejkaluar këto pengesa suksesshëm na duhet mbështetja e vazhdueshme e Shqipërisë.

Bashkimi Evropian do të jetë më i sigurt, më i qëndrueshëm dhe më i plotë me shtetet tona si pjesë e tij.

Anëtarësimi i Kosovës në NATO, ndërkaq do t’i japë përfundimisht fund apetiteve hegjemoniste e destabilizuese të Serbisë ndaj Kosovës.

Për të arritur këtë të ardhme të përbashkët, është jetike që ne ta forcojmë vazhdimisht koordinimin, komunikimin e bashkërendimin ndërmjet dy shteteve tona.

Në veçanti është me rëndësi unifikimi i politikës sonë të jashtme si dhe bashkëpunimi ynë në mbrojtje të pavarësisë së arritur me aq shumë sakrifica të Republikës së Kosovës si dhe sovranitetit të shtetit tonë e po ashtu bashkëpunimi i vazhdueshëm në mbrojtjen e të drejtave të shqiptarëve pavarësisht se ku jetojnë ata. Shqiptarët në Preshevë, Medvegjë e Bujanoc i kanë sytë kah na.

Atyre vazhdimisht u shkelen të drejtat në mënyrë flagrante përderisa bota demokratike po i mbyll sytë para këtyre shkeljeve. Ne duhet ta ngrisim zërin më shumë sesa kurrë më parë në mënyrë që të ndërpriten këto shkelje ndaj popullit shqiptar të cilët jetojnë në këto treva. Ndërkaq derisa po flasim dhe jemi bashkuar në këtë Kuvend, akoma ekzistojnë tendenca për të shkundur themelet mbi të cilat është ndërtuar Maqedonia e Veriut, pra për të destabilizuar edhe këtë vend duke larguar të drejtat tashmë të fituara të shqiptarëve që jetojnë në këtë shtet, si popull konstituiv i Maqedonisë së Veriut. Ne nuk duhet as të qëndrojmë të heshtur e as t’i mbyllim sytë para këtyre tendencave të qarta.

Të nderuar kryetarë të kuvendeve, kryeministra, deputetë
Të nderuar qytetarë,

Për Kosovën, Shqipëria ka qenë gjithmonë më shumë se një shtet motër. Shqipëria ka qenë një aleate e palëkundur, duke na qëndruar pranë në çdo hap të rrugëtimit tonë – që nga ditët e luftës e të çlirimit dhe në çdo hap të ndërtimit të shtetit tonë të lirë e sovran.

Edhe sot, Shqipëria mbetet një shtyllë e fortë e mbështetjes sonë. Për këtë, populli i Kosovës do të jetë gjithnjë mirënjohës.

Në këtë takim të përbashkët të dy parlamenteve, shpreh vlerësimin tim të thellë për të gjithë deputetët puna e të cilëve është po ashtu jetike për prosperitetin e shteteve tona.

Përkushtimi juaj për demokracinë, përparimin dhe mirëqenien e qytetarëve tanë është një dëshmi e unitetit dhe forcës së popullit tonë.

Zëri i deputetëve të Shqipërisë, qoftë në Këshillin e Evropës – në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës, ashtu edhe në Asamblenë Parlamentare të NATO-s por edhe në çdo vend tjetër është më shumë se sa i vlerësuar nga populli i Kosovës dhe ju jemi përjetë mirënjohës.

Suksesi i Kosovës dhe Shqipërisë është nderim i të kaluarës sonë të dhimbshme, detyrim ndaj vetvetes dhe qytetarëve tanë dhe ndaj të ardhmes sonë të përbashkët evropiane.

Qytetarëve të Kosovës dhe Shqipërisë ju shpreh urimet më të ngrohta në këtë fundvit!  Duke ju uruar që viti i ardhshëm të sjellë edhe më shumë begati, shëndet e suksese.

Le t’i afrojmë dy shtetet tona çdo ditë e më shumë e më afër synimit tonë për një të ardhme edhe më të ndritshme, të bashkuar në strukturat euroatlantike.

Së bashku, si dy shtete të pavarura dhe sovrane, të bashkuar nga gjaku, gjuha, historia dhe vizioni, do të vazhdojmë të ecim përpara, krah për krah, siç kemi bërë gjithmonë!

Zoti e bekoftë Republikën e Kosovës dhe Republikën e Shqipërisë!

Zoti e bekoftë kombin shqiptar!

Ju faleminderit!

 

Ky postim është gjithashtu i disponueshëm në gjuhë: EN SR

This site is registered on wpml.org as a development site.