Presidentja: Tetori Rozë i shpresës, solidaritetit dhe ndërgjegjësimit!

Nën patronatin e Presidentes së Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, në kuadër të Muajit Ndërkombëtar të Luftës Kundër Kancerit të Gjirit, së bashku me Qendrën Kosovare për Luftimin e Kancerit të Gjirit “JETA/VITA”, gjatë ditës së sotme u mbajt ecja tradicionale. Postimi i plotë i Presidentes Osmani: #TetoriRozë i shpresës, solidaritetit dhe ndërgjegjësimit! 🎀 Sot, marshuam bashkë për ta ngritur vetëdijen për rëndësinë e zbulimit të hershëm të kancerit të gjirit. Asnjë grua nuk duhet të jetë e vetme në këtë përballje. Ato që e kanë kaluar këtë rrugëtim jo të lehtë janë dëshmitare të fuqisë dhe guximit në përballje me kancerin. Zbulimi i hershëm shpëton jetë!

Fjalimi i Presidentes Vjosa Osmani në Konferencën Vjetore të Forumit të Gjykatave Kushtetuese të Ballkanit

Faleminderit shumë! E nderuar Kryetare e Gjykatës Kushtetuese, znj.Caka-Nimani, Të nderuar kryetarë të gjykatave kushtetuese nga vende të ndryshme të Ballkanit, Përfaqësues të Gjykatës Evropiane të të drejtave të Njeriut, Profesorë të së Drejtës kushtetuese e të Drejtës ndërkombëtare, Ish-gjyqtarë, Të nderuar ambasadorë përfaqësues në Republikën e Kosovës, Të nderuar të pranishëm, Kam nderin që sot t`ju drejtohem në konferencën e dytë vjetore të Forumit të Gjykatave Kushtetuese të Ballkanit dhe t’i bashkohem kryetares së Gjykatës që t’ju uroj mirëseardhje në Republikën e Kosovës. Dua po ashtu të shfrytëzoj këtë mundësi për të uruar themelimin e Forumit të gjykatave si dhe organizimin e konferencave vjetore, sikur kjo sot. Jam e bindur se themelimi i këtij forumi do të rrisë edhe më tutje bashkëpunimin mes Gjykatave Kushtetuese drejt standardeve më të larta të interpretimit të Kushtetutës e në funksion të mbrojtjes dhe garantimit të lirive të të drejtave të njeriut. Sot më gëzon po ashtu fakti që konferenca e dytë e këtij forumi i gjen gjykatat pjesëmarrëse të mbledhura në kryeqytetin e Republikës sonë, e që përkon po ashtu edhe me 15-vjetorin e themelimit të Gjykatës. Republika e Kosovës mbetet e angazhuar ndaj parimeve themelore të demokracisë, sundimit të ligjit dhe respektimit të të drejtave dhe lirive të njeriut, të cilat janë mishëruar si vlerat themelore të rendit tonë kushtetues dhe janë vendosur në vetë themelet e shtetit tonë. Kushtetuta jonë është tejet unike, ndër të tjera, edhe për faktin se i mvesh Presidentit të vendit një detyrë tejet të rëndësishme e substanciale: detyrën për të garantuar funksionimin kushtetues të të gjitha institucioneve  të Republikës së Kosovës. Kjo është ndër detyrat kryesore të këtij institucioni dhe gjatë këtyre viteve të mandatit tim jam udhëhequr çdo ditë nga kjo detyrë e shenjtë gjatë ushtrimit të të gjitha kompetencave. Në interpretimin e Kushtetutës, shkronjës dhe frymës së saj, gjykatat kushtetuese sot paraqesin institucionin kulmor. Ato bartin një mision dhe përgjegjësi jashtëzakonisht të madhe, sidomos në demokraci të reja siç është Republika jonë, në garantimin, por edhe afirmimin e parimeve kushtetuese, të kushtetutave nga të cilat edhe u buron legjitimiteti. Siç thoshte me plot të drejtë gjyqtari  Traja, një Kushtetutë ka kuptim vetëm atëherë kur ajo është baza dhe maja e një sistemi juridik, kur mbrohet nga normat dhe aktet që e cenojnë unitetin e saj, pra kur ekziston një funksion garantues dhe kontrollues dhe një institucion i posaçëm që e realizon këtë kontroll, siç është Gjykata Kushtetuese. Zhvillimi i drejtësisë kushtetuese është i pashmangshëm edhe i lidhur me zhvillimin e shkencave të drejtësisë, prandaj, kur gjendemi në konferenca dhe forume të tilla, obligohemi të reflektojmë edhe mbi idenë e juristit të shquar gjerman, Kotz, i cili vlerësonte se: “asnjë studim nuk e meriton emrin e një shkence, nëse kufizohet vetëm me dukuritë që dalin brenda kufijve të tij kombëtarë”. Kësisoj, bashkëpunime të tilla si kjo konferencë sot, rrisin mundësinë që interpretimi i Kushtetutës, që është epiqendra e veprimtarisë së një gjykate kushtetuese, të jetë ndër të tjera edhe një interpretim krahasues. A mund ta imagjinojmë sot një vendim gjykate të izoluar?! Si mundet një vendim i tillë të avancohet me standardet bashkëkohore të garantimit të lirive dhe të drejtave të njeriut, nëse si i tillë nuk i nënshtrohet një vlerësimi krahasues me praktikat e vendeve të tjera? Për më tepër, sot të gjithë jemi dëshmitarë të vendimeve të gjykatave kushtetuese të cilat në esencë të interpretimit të tyre, kanë edhe krahasimin dhe ndërlidhjen e fakteve dhe argumenteve kushtetuese me praktikën e një apo disa prej gjykatave të tjera. Prandaj, tryeza si kjo sot, ku nga sa pashë nga agjenda trajtohen problematika kushtetuese nga perspektiva e praktika të ndryshme, janë po ashtu një mundësi e mirë e përfitimit nga përvojat e gjykatave mes vete, përvoja këto që janë padyshim ndihmesë e madhe për secilin gjyqtar në një rast të caktuar. Më lejoni të ritheksoj se Republika e Kosovës, përgjatë 16 viteve të ekzistimit të saj dhe 15 viteve të ekzistimit të Gjykatës Kushtetuese, ka dhënë një shembull jashtëzakonisht të mirë të sundimit të ligjit, dhe në veçanti, institucionet e Republikës së Kosovës kanë treguar një kulturë dhe përgjegjësi të lartë institucionale në respektimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese, edhe pse ka plot raste kur nuk iu kanë pëlqyer. Në anën tjetër, praktika e kësaj gjykate është pasuruar me parimet dhe standardet e vendosura nga Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut, e cila vazhdon të shërbejë si udhërrëfyes në ndërtimin e vlerave dhe rritjen e sigurisë juridike për qytetarët e Republikës sonë. Siç e dini, ky standard është i mishëruar edhe në vetë Kushtetutën tonë, e cila kërkon që vendimet e institucioneve publike të vendit tonë që kanë të bëjnë me të drejtat e njeriut, duhet të jenë në përputhje me standardet e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, gjë e cila është respektuar dhe vazhdon të respektohet, por po ashtu një argument shtesë pse Kosova e ka merituar dhe vazhdon ta meritojë të jetë anëtare me të drejta të plota në Këshillin e Evropës. Për fund, derisa po shënojmë këtë 15-vjetor, dëshiroj që të shpreh gatishmërinë time si Presidente e Republikës për të vazhduar bashkëpunimin me të gjithë ju në shërbim të Kushtetutës dhe të interesit të vendit dhe të qytetarëve tanë pa dallim. Një demokraci dhe një Kushtetutë mund të themi që ka pasur sukses të plotë vetëm atëherë kur të gjithë ne që jemi, qoftë në institucionet politike, qoftë në gjykata, përfshirë në Gjykatën Kushtetuese, e kuptojmë se asnjëri, askush nuk jemi mbi Kushtetutën. Ju faleminderit!   

Fjalimi i Presidentes Vjosa Osmani me rastin e 25 vjetorit të misionit të USAID-it në Kosovë

Miq të USAID-it, partnerë Të nderuar të ftuar, Më lejoni të filloj duke ju uruar dhe shprehur një falënderim të përzemërt. Faleminderit USAID-it dhe qeverisë së SHBA-ve për mbështetjen e palëkundur historike për Republikën e Kosovës. Unë me të vërtetë do të doja të isha personalisht me ju sonte dhe më besoni, ne u përpoqëm të gjenim zgjidhje. Megjithatë, edhe pse nuk jam fizikisht e pranishme, jam mirënjohëse për këtë mundësi që t’ju bashkohem virtualisht dhe të ndaj këtë moment të rëndësishëm me të gjithë ju. Sonte, ne mblidhemi jo vetëm për të festuar një arritje të rëndësishme, por edhe për të nderuar një histori. Një histori shprese, qëndrueshmërie dhe një popull të vendosur për t`u ngritur mbi kapitujt më të errët të historisë së tyre. Një histori që nuk është vetëm e Kosovës, por edhe e Amerikës. Njëzet e pesë vjet më parë, pas luftës gjenocidale të Millosheviqit, kur plagët ishin ende të freskëta dhe ëndrrat u shkatërruan, një dorë na u zgjat. Ishte dora e miqësisë, dora e partneritetit – dora e popullit amerikan. Nëpërmjet asaj dore, përmes USAID-it, erdhi një premtim: një premtim se populli i Kosovës nuk do të ecë vetëm në këtë rrugëtim. Ne i kujtojmë ato ditë të hershme – kur shtëpitë ishin ende të rrënuara, kur institucionet tona ishin të reja dhe kur demokracia jonë sapo kishte filluar të lëshonte rrënjë. Pikërisht atëherë USAID-i, krah për krah me popullin e Kosovës, filloi punën e rindërtimit. Tullë pas tulle, shkollë pas shkolle, projekt pas projekti – ju na ndihmuat ta ngrehim kokën, t`i forcojmë komunitetet tona dhe t`i mbjellim farat e një të nesërme më të mirë. Por misioni i USAID-it, këtu nuk ishte vetëm ndërtimi. Bëhej fjalë për diçka më të thellë—diçka më të qëndrueshme. Bëhej fjalë për investimin në ëndrrat e popullit tonë, fuqizimin e rinisë sonë dhe ndërtimin e institucioneve, të cilat qëndrojnë si shtylla të drejtësisë, barazisë dhe mundësive. Kosova sot qëndron si një testament për atë që është e mundur kur vendet bashkojnë duart dhe qëndrojnë së bashku në ndjekje të vlerave të përbashkëta – lirisë, dinjitetit dhe besimit se çdo qenie njerëzore meriton mundësinë për ta formësuar fatin e vet. Ne e shohim trashëgiminë e këtij partneriteti në çdo cep të vendit tonë: në frymën sipërmarrëse të të rejave dhe të rinjve tanë që formësojnë të ardhmen e Kosovës, në një gjyqësor të forcuar dhe transparent, në mbrojtjen e sundimit të ligjit, në ekonominë tonë dhe forcën e saj gjithnjë e më të madhe. Por, rrugëtimi ynë nuk ka mbaruar. Kemi arritur shumë, por ka ende punë për t`u bërë. Kosova vazhdon të përpiqet për realizimin e plotë të potencialit të saj si një anëtare krenare dhe e barabartë e bashkësisë ndërkombëtare. Ndaj në këtë mision të vazhdueshëm, ne e dimë se qëndrueshmëria e partneritetit tonë me Shtetet e Bashkuara dhe USAID-in do të mbetet jetike si kurrë më parë. Sonte, teksa festojmë këtë rrugëtim 25-vjeçar, na kujtohet një e vërtetë e thjeshtë: historia nuk bëhet vetëm nga veprimet e institucioneve shtetërore, por edhe nga guximi dhe vendosmëria e njerëzve të thjeshtë. Është bërë nga ata që zgjedhin të besojnë, edhe përballë vështirësive, ngase e nesërmja mund të jetë më e mirë se e sotmja. Prandaj sigurisht, ne nuk mund ta bëjmë atë kurrë vetëm. Ne kemi nevojë për miq, partnerë dhe mbështetës dhe USAID-i ka qenë gjithnjë që nga dita e parë. Pra, sonte, partnerëve tanë në USAID, ju themi: faleminderit nga thellësia e zemrës! Ne ju falënderojmë jo vetëm për atë që keni bërë, por për atë për të cilën keni qëndruar – për përkushtimin tuaj ndaj vlerave tona të përbashkëta, besimin tuaj në njerëzit tanë dhe që keni qëndruar me ne në kohët më të vështira ashtu edhe në momentet më të ndritura. Le të ecim përpara nga kjo ditë me një qëllim të ri. Le të rizotohemi për kauzën e paqes, drejtësisë dhe përparimit. Së bashku, Kosova dhe Shtetet e Bashkuara kanë shkruar një kapitull të fuqishëm në librin e historisë. Së bashku, kam besim, do të shkruajmë edhe shumë të tjerë. Ju faleminderit! Zoti e bekoftë Kosovën, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe miqësinë e qëndrueshme mes dy vendeve tona! 

Presidentja Osmani përmbyllë vizitën në SHBA me një ngjarje të veçantë të organizuar në bashkëpunim me Zyrën e Sekretarit Blinken, dedikuar rolit qenësor të Agjendës për Gratë, Paqen dhe Sigurinë

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka përmbyllur vizitën në SHBA me një ngjarje të veçantë të organizuar në bashkëpunim me Zyrën e Sekretarit Blinken, dedikuar rolit qenësor të Agjendës për Gratë, Paqen dhe Sigurinë. Postimi i plotë i Presidentes Osmani: Mbrëmë, përmbyllëm vizitën në SHBA me një ngjarje të veçantë të organizuar në bashkëpunim me Zyrën e Sekretarit Blinken, dedikuar rolit qenësor të Agjendës për Gratë, Paqen dhe Sigurinë. Kjo ngjarje ishte edhe organizimi i parë ndërkombëtar në kuadër të Qendrës Rajonale të Ekselencës për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, që shërbeu edhe si paralajmërim për udhëtimin e instalacionit “Mendoj për ty” drejt New York-ut, ku do të bashkojmë forcat për të fuqizuar zërin e të mbijetuarave të dhunës seksuale pikërisht aty ku kjo kauzë mori hov dhe përmasa globale.

Presidentja Osmani takoi Ambasadorin Robert Wood

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka takuar Ambasadorin Robert Wood. Postimi i plotë i Presidentes Osmani: Në Selinë e Misionit të Përhershëm të SHBA-së në Kombe të Bashkuara, në takim me Ambasadorin Robert Wood kishim sot një diskutim përmbajtësor dhe produktiv për sukseset e Kosovës si dhe për rëndësinë e bashkërendimit të vazhdueshëm në dobi të paqes dhe sigurisë në rajon.

Zotëria i Parë i Republikës së Kosovës, Prindon Sadriu, mori pjesë në Ceremoninë e ndërrimit të Komandës Rajonale – Lindje të KFOR-it

Zotëria i Parë i Republikës së Kosovës, Prindon Sadriu, me ftesë të Komandantit të kampit ushtarak Bondsteel, respektivisht Komandantit të Komandës Rajonale – Lindje mori pjesë në Ceremoninë e ndërrimit të Komandës Rajonale – Lindje të misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR, e cila u mbajt në Kampin ushtarak amerikan Bondsteel. Me këtë rast, Zotëria i Parë i shprehu mirënjohje dhe falënderime Komandantit në largim të forcave të armatosura amerikane, Kolonelit Baker, ndërsa Komandantit të ri, Kolonelit Helzer, i uroi mirëseardhje dhe shumë suksese në përmbushjen e detyrës së tij të rëndësishme.

Presidentja Osmani në Hopkins Bloomberg Center në Washington foli për rrugëtimin e Kosovës: Një histori qëndrese, uniteti dhe përparimi

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani në Hopkins Bloomberg Center në Washington, D.C., ka folur për rrugëtimin e Kosovës – një histori qëndrese, uniteti dhe përparimi. Postimi i plotë i Presidentes Osmani: Në Hopkins Bloomberg Center në Washington, D.C., ndava rrugëtimin e Kosovës – një histori qëndrese, uniteti dhe përparimi, si dhe theksova rëndësinë e mosdorëzimit kurrë në rrugën drejt lirisë. Më poshtë një përmbledhje e fjalimit tim në Samitin e Lidershipit Ndërkombëtar të Grave në John Hopkins School of Advanced International Studies. 

Presidentja Osmani takoi në New York Kongresistin Mike Lawler

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka takuar sot në New York, Kongresistin Mike Lawler. Postimi i plotë i Presidentes Osmani: Sot në New York takova edhe Kongresistin Mike Lawler me të cilin diskutuam për përpjekjet tona të përbashkëta për të promovuar paqen dhe sigurinë e qëndrueshme në Kosovë dhe në Ballkanin Perëndimor. Një partneritet i fortë 🇺🇸🇽🇰 jo vetëm që siguron stabilitet rajonal, por edhe më shumë prosperitet të përbashkët. Një falënderim i veçantë për mërgatën tonë që na ndihmon vazhdimisht të forcojmë marrëdhëniet Kosovë-SHBA.

Presidentja Osmani takoi Kongresistin Ritchie Torres

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani është takuar me Kongresistin Ritchie Torres. Postimi i plotë i Presidentes Osmani: Në New York kishim një diskutim përmbajtësor me Kongresistin Ritchie Torres për zhvillimet e fundit në Kosovë dhe rajon. Mirënjohës për mbështetjen e tij të palëkundur për Kosovën dhe për forcimin e vazhdueshëm të marrëdhënieve tona me Shtetet e Bashkuara. Faleminderit mërgatës sonë për organizimin dhe që vazhdon të luajë rol kyç në kultivimin dhe fuqizimin e vazhdueshëm të kësaj aleance.

Presidentja Osmani takoi lidershipin e American Chamber of Commerce, si dhe përfaqësuesit nga Google dhe Amazon

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani është takuar me lidershipin e American Chamber of Commerce, si dhe me përfaqësuesit nga Google dhe Amazon. Postimi i plotë i Presidentes Osmani: Bashkëpunimi ekonomik, investimet strategjike dhe zhvillimi digjital ishin në qendër të diskutimeve në takime me lidershipin e American Chamber of Commerce, si dhe me përfaqësuesit nga Google dhe Amazon. Diskutuam për perspektivën ekonomike të vendit tonë dhe rëndësinë strategjike të bashkëpunimit të vazhdueshëm. Synimi ynë është përfshirja e plotë dhe e saktë Kosovës në platformat më të mëdha digjitale globale, për të fuqizuar sektorin privat në vend, për të përmirësuar cilësinë e shërbimeve digjitale për qytetarët dhe për të avancuar më tej marrëdhëniet tona bilaterale.

This site is registered on wpml.org as a development site.