Presidentja Osmani takoi Kongresistin Gary Palmer

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, e cila po qëndron në Washington D.C, është takuar me Kongresistin Gary Palmer. Presidentja Osmani ka shkruar: Zhvillimi ekonomik, stabiliteti dhe siguria e qëndrueshme, janë jo vetëm në dobi të Kosovës, por edhe të vet SHBA-ve, si aleati ynë kryesor që na ka përkrahur në ndërtimin e themeleve të forta të shtetit tonë . Me Kongresistin Gary Palmer diskutuam për sfidat e sigurisë në vendin tonë dhe përtej. Bashkëpunimi dhe komunikimi i rregullt janë kyç për veprim të duhur në kohë të duhur. Kosova dhe SHBA-të kanë hapësirë e mundësi të shumta për hapjen e kapitujve të rinj të bashkëpunimit, andaj kjo edhe është një nga objektivat kryesor në rrugëtimin përpara.

Presidentja Osmani takoi kongresistin republikan Pete Sessions

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, e cila po qëndron në Washington D.C, është takuar me kongresistin republikan Pete Sessions. Presidentja Osmani ka shkruar: Pas takimit të para disa muajve më parë në Teksas me kongresistin republikan Pete Sessions, vijuam me një takim e diskutim shumë të mirë edhe në Washington D.C. Kongresisti Sessions, një mik i shqiptarëve në Teksas e jo vetëm, konfirmoi përkushtimin e plotë për bashkëpunim të rregullt në dobi të paqes e sigurisë së shtuar, gjithnjë duke luftuar e parandaluar përpjekjet e akterëve malinj për më shumë kaos dhe jostabilitet.

Presidentja Osmani në Washington D.C takoi senatorin republikan Thom Tillis

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani po qëndron në Washington D.C për takime në Senat e në Dhomën e Përfaqësuesve, ndërkaq më pas në Rhode Island do të mbajë fjalimin kryesor në Simpoziumin e 11-të Vjetor të ‘United States Naval War College’. Presidentja Osmani ka shkruar: Jemi në Washington D.C për takime në Senat e në Dhomën e Përfaqësuesve, para se të vazhdojmë për Rhode Island ku do të mbajë fjalimin kryesor në Simpoziumin e 11-të Vjetor të ‘United States Naval War College’. Kënaqësi të takohem sot me senatorin republikan Thom Tillis me të cilin diskutuam për zhvillimet e fundit të sigurisë në Kosovë e Ballkanin Perendimor, si dhe për rëndësinë e bashkëpunimit drejt ruajtjes së paqes dhe sigurisë në rajonin tonë. Paqja dhe siguria e qëndrueshme janë parakusht për prosperitet e zhvillim. SHBA-të kanë qenë dhe mbeten të përkushtuara për të ndihmuar për t’i ruajtur dhe avancuar ato në Kosovë.

Presidentja Osmani: Urdhri “Dr. Ibrahim Rugova”, për Jeff Hovenier – i cili për Kosovën ishte më shumë se një Ambasador

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani në një ceremoni të veçantë ka dekoruar Ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeffrey Hovenier me Urdhrin “Dr. Ibrahim Rugova”. Postimi i plotë i Presidentes Osmani: Urdhri “Dr. Ibrahim Rugova”, për Jeff Hovenier – i cili për Kosovën ishte më shumë se një Ambasador. Ishte me ne kur populli i Kosovës ishte viktimë e krimeve të llahtarshme, ishte me ne kur raportonte për masakrën e Reçakut, ishte me ne kur vendosnim themelet e shtetit tonë të pavarur, e ishte me ne edhe përgjatë viteve të fundit në mbrojtje të pavarësisë, sovranitetit dhe aleancës së pathyeshme me SHBA-të. Faleminderit Ambasador Hovenier!

Presidentja Osmani në Këshillin Konsultativ për Komunitete: Mbrojtja, siguria dhe dinjiteti i çdo individi, janë prioritet

Këshilli Konsultativ për Komunitete, nën udhëheqjen e Presidentes së Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka mbajtur mbledhjen konstituive me përbërjen e re. Sipas Presidentes Osmani, Këshilli Konsultativ për Komunitete është dëshmi e përkushtimit të Kosovës për ndërtimin e një shoqërie të drejtë, të barabartë dhe gjithëpërfshirëse për të gjithë qytetarët. Në fjalimin e saj, Presidentja Osmani, theksoi përkushtimin e saj të palëkundur për të siguruar që çdo qytetar – pa dallim etnie, feje apo gjuhe – të ndihet pjesë e vlerësuar dhe aktive e shoqërisë së Kosovës. Presidentja Osmani vuri në dukje arritjet kryesore të këtij Këshilli përgjatë këtij viti, duke ofruar mbështetjen e plotë në përmbushje të objektivave. Në fjalimin e saj ndër të tjera, Presidentja Osmani ripohoi prioritetin e Presidencës për ta mbrojtur sigurinë dhe dinjitetin e çdo individi, duke siguruar që asnjë qytetar të mos margjinalizohet apo diskriminohet. “Një Kosovë e sigurt për fëmijët tanë në një botë ku siguria çdo ditë e më shumë rrezikohet nga forca të errëta dhe destabilizuese është një synim që na bashkon të gjithëve. Për Presidencën, ky është një prioritet dhe një angazhim i përditshëm. Ne duhet të ecim besimplotë drejt integrimit, qoftë brenda vendit, qoftë në proceset euroatlantike”, ka theksuar Presidentja Osmani. Në përfundim të fjalës së saj, Presidentja nënvizoi se fuqizimi i komuniteteve është një përgjegjësi institucionale dhe një angazhim i drejtë që fuqizon shtetin tonë.

Qendra Rajonale e Ekselencës për Gratë, Paqen dhe Sigurinë në Kosovë mbajti punëtori njëditore me fokus avancimin e pjesëmarrjes dhe rolit të grave në struktura ushtarake dhe sektorin e mbrojtjes

Qendra Rajonale e Ekselencës për Gratë, Paqen dhe Sigurinë në Kosovë, e themeluar nga Zyra e Presidentes së Republikës së Kosovës, ka organizuar punëtori njëditore me temën: “Avancimi i përfaqësimit dhe rolit të grave në ushtri: Një hap drejt barazisë më të madhe gjinore, paqes dhe sigurisë”. Kjo punëtori është organizuar në bashkëpunim me Ministrinë e Mbrojtjes së Republikës së Kosovës, si dhe në koordinim me Ekipin Këshillues dhe Ndërlidhës të NATO-s. Në pjesën e parë të saj, pjesëmarrësit u mirëpriten nga Presidentja Osmani, Ministri Maqedonci dhe Gjeneral Brigade Nawrat, të cilët theksuan rëndësinë e përfshirjes së grave në proceset e paqes dhe sigurisë, ashtu si edhe në strukturat ushtarake e sektorin e mbrojtjes. Në kuadër të kësaj ngjarje është organizuar edhe paneli diskutues “Thyerja e barrierave: Rritja e pjesëmarrjes dhe rolit të grave në ushtri”, ku theks të veçantë mori rrugëtimi personal i çdo panelisteje, por edhe prezantimi i strukturave dhe politikave brenda institucioneve që ato përfaqësojnë në mënyrë për të avancuar barazinë gjinore. Pas këtij diskutimi, u prezantua një rast studimit, ai i Shqipërisë si anëtare e NATO-s, dhe rrugëtimi i tyre drejt rritjes së pjesëmarrjes dhe rolit të grave në ushtri. Pjesa e dytë e ditës u fokusua në punën në grupe, në kuadër të së cilave pjesëmarrësit identifikuan rekomandime dhe veprime të nevojshme mbi strategjitë e reja të rekrutimit, mbajtjes e ruajtjes së personelit dhe eliminimit të paragjykimeve dhe stereotipeve kundrejt grave. Në bazë të këtyre diskutimeve, Qendra Rajonale e Ekselencës për Gratë, Paqen dhe Sigurinë në Kosovë do të përpiloj raportin e qasshëm për të gjithë publikun.

Këshilli për Demokraci nën drejtim e Presidentes Osmani, diskutoi për shëndetin mendor

Nën drejtimin e Presidentes së Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, Këshilli për Demokraci ka mbajtur një takim në të cilin është trajtuar çështja e shëndetit mendor. Takimi mblodhi së bashku përfaqësues nga institucionet, organizatat e shoqërisë civile që merren me shëndetin mendor dhe akterë të tjerë, të ndërlidhur me këtë temë. Presidenca ripohoi mbështetjen e saj të vazhdueshme për shoqatat dhe organizatat që fokusohen në çështjet e shëndetit mendor, duke pranuar rolin e tyre të domosdoshëm në ofrimin e kujdesit, avokimit dhe ndërgjegjësimit. Bashkëngjitur është një pjesë e fjalimit të mbajtur gjatë takimit, i cili thekson rëndësinë e prioritizimit të shëndetit mendor.

Presidentja Osmani priti në takim ministrin hungarez për Çështjet e Bashkimit Evropian, János Bóka

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani priti në takim ministrin hungarez për Çështjet e Bashkimit Evropian, János Bóka. Në takim u diskutua për situatën aktuale politike dhe të sigurisë, forcimin e marrëdhënieve dypalëshe, procesin e integrimit evropian, si dhe stabilitetin rajonal. Presidentja Osmani theksoi se Kosova është shembull pozitiv në rajon, pasi ka bërë hapa të rëndësishëm në forcimin e sundimit të ligjit, luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar, përmirësimin e transparencës dhe promovimin e qeverisjes së mirë. Sipas Presidentes Osmani, përkushtimi i Kosovës për integrimin evropian mbetet i fuqishëm, teksa po vazhdohet të punohet në drejtim të përmbushjes së kritereve të anëtarësimit në BE, ndaj kërkoi mbështetje për avancimin e aplikimit të Kosovës për statusin e vendit kandidat për BE. Në këtë kontekst, Presidentja Osmani ritheksoi nevojën e heqjes së masave të BE-së ndaj Kosovës, të cilat përveç se janë të pa drejta, prekin direkt interesin e qytetarëve të Kosovës, pa dallim. Ndërkaq në raport me zhvillimet e fundit në fushën e sigurisë, në veriun e vendit, Presidentja Osmani ritheksoi përkushtimin e Kosovës për një hetim të plotë dhe profesional të sulmit terrorist ndaj infrastrukturës vitale, i cili kishte për qëllim dëmin direkt në jetën e qytetarëve. Presidentja Osmani theksoi nevojën e qëndrimit unik të bashkësisë ndërkombëtare në mënyrë që të shmanget përsëritja e sulmeve të tilla terroriste nga bandat kriminale, të cilat mbështeten, trajnohen dhe financohen nga Serbia.

This site is registered on wpml.org as a development site.