Presidentja Osmani flet për rrugëtimin e integrimit evropian të Kosovës me bursistë të Fondacionit Gjerman “Konrad Adenauer Stiftung”

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka zhvilluar sot një bashkëbisedim me bursistët nga Fondacioni Gjerman “Konrad Adenauer Stiftung”, rreth sfidave të procesit të integrimit të Kosovës në Bashkimin Evropian. Me këtë rast, ndër të tjera, Presidentja ka theksuar rëndësinë e jashtëzakonshne të integrimit euroatlanik të Kosovës për paqen dhe zhvillimin e qëndrueshëm në vend.
Presidentja: Sa më shumë gra në procese të sigurisë dhe vendimmarrje, aq më të sigurtë dhe më të fortë jemi si shoqëri dhe si shtet

Nën organizimin e Presidencës së Republikës, sot u mbajt konferenca me temën “Avancimi i përfaqësimit dhe rolit të grave në ushtri: Një hap drejt barazisë më të madhe gjinore, paqes dhe sigurisë”, e cila u organizua në kuadër të Qendrës Rajonale të Ekselencës për Gratë, Paqen dhe Sigurinë në Kosovë. Postimi i plotë i Presidentes Osmani: Gratë në uniformë, profesioniste dhe të përkushtuara janë imazhi i Kosovës dhe i Forcës së Sigurisë së Kosovës që duam ta shohim gjithnjë e ta zhvillojmë në vazhdimësi. Kosova është kampione e Agjendës për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, jo vetëm në rajon dhe Evropë, por edhe përtej. Sa më shumë gra në procese të sigurisë dhe vendimmarrje, aq më të sigurtë dhe më të fortë jemi si shoqëri dhe si shtet.
Presidentja Osmani priti në takim ish-presidenten e Estonisë, Kersti Kaljulaid

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur sot në takim ish-presidenten e Estonisë, Kersti Kaljulaid, një mike dhe mbështetëse e Kosovës gjatë presidencës së saj. Në takim, Presidentja Osmani shprehu mirënjohjen e përzemërt ndaj ish-presidentes Kaljulaid për mbështetjen e palëkundur gjatë kohës së saj në detyrë dhe për avokimin e vazhdueshëm të Estonisë për Kosovën në skenën ndërkombëtare. Presidentja Osmani e ka njoftuar ish-presidenten Kaljualid edhe me zhvillimet e fundit në vend pas sulmit terrorist në infrastrukturën vitale duke rikonfirmuar përkushtimin e institucioneve të Kosovës për kryerjen e një hetimi të plotë dhe profesional. Ajo theksoi se sulmi synonte në mënyrë specifike infrastrukturën kritike, duke synuar të shkaktonte dëme të konsiderueshme që do të ndikonin drejtpërdrejt në jetën e qytetarëve. Në këtë kontekst, Presidentja Osmani theksoi rëndësinë thelbësore të bashkëpunimit për t`i luftuar bandat kriminale serbe, të cilat mbështeten, trajnohen dhe financohen nga Serbia, ndaj theksoi nevojën për komunikim dhe koordinim me qëllim të parandalimit të sulmeve të tjera të mundshme. Gjatë takimit, Presidentja Osmani theksoi marrëdhëniet e shkëlqyera ndërmjet Kosovës dhe Estonisë dhe riafirmoi përkushtimin e Kosovës për ndërtimin e një të ardhmeje të bazuar në vlerat demokratike, stabilitetin dhe prosperitetin dhe theksoi përkushtimin e saj për forcimin e mëtejshëm të lidhjeve ndërmjet Kosovës dhe Estonisë.
Presidentja Osmani priti në takim eurodeputetin Riho Terras, raportues për Kosovën

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur në takim deputetin e Parlamentit Evropian dhe raportues i sapoemëruar për Kosovën, Riho Terras, të cilin e ka uruar për emërimin e tij, duke shfaqur gatishmërinë për bashkëpunim të thelluar për avancimin e integrimit evropian të Kosovës. Gjatë takimit, Presidentja Osmani rikonfirmoi përkushtimin e palëkundur të Kosovës për integrim në BE, duke potencuar progresin e dukshëm në përmbushjen e kritereve të anëtarësimit dhe përafrimin me standardet evropiane. Presidentja nënvizoi përpjekjet e Kosovës për anëtarësim në Bashkimin Evropian si synim kyç për të ardhmen e vendit. Presidentja Osmani theksoi edhe përkushtimin e Kosovës për të drejtat e njeriut, sundim të ligjit e demokraci, duke prezantuar arritjet evidente. Në dritë të sulmit të fundit terrorist në vend, Presidentja Osmani bëri thirrje për bashkëpunim dhe mbështetje nga partnerët ndërkombëtar për hetim të sulmit, duke konfirmuar përkushtimin për hetim profesional të rastit nga ana e institucioneve të Kosovës. Ajo theksoi se ky sulm ka targetuar infrastrukturën kritike në vend, duke synuar që të shkaktojë dëme të mëdha, të cilat do të ndikonin drejtpërdrejt në jetën e qytetarëve. Në këtë drejtim, ajo foli për rëndësinë kyçe të bashkëpunimit me qëllim të luftimit të mëtejmë të bandave kriminale serbe të cilat mbështeten, trajnohen e paguhen nga shteti serb, si dhe komunikimit e koordinimit me qëllim të parandalimit të sulmeve të ngjashme në të ardhmen. Ndër të tjera, në takim, Presidentja Osmani theksoi se është e rëndësishme që bashkësia ndërkombëtare të mbajë qëndrim unik ndaj veprimeve destabilizuese të Serbisë, përfshirë aktit të agresionit të shtatorit 2023 dhe sulmit të fundit terrorist në infrastrukturën vitale të Kosovës. Në takim, Presidentja gjithashtu theksoi se është koha që masat e pa drejta të BE-së ndaj Kosovës të largohen përfundimisht, ngase sipas saj, përveç se të pa drejta, këto masa po i dëmtojnë drejtpërdrejtë qytetarët e Kosovës, pa dallim.
Fjalimi i Presidentes Vjosa Osmani në ngjarjen e Qendrës Rajonale të Ekselencës për Gratë, Paqen dhe Sigurinë mbi avancimin e përfaqësimit dhe rolit të grave në struktura ushtarake dhe në fushën e mbrojtjes
Presidentja Osmani takohet me Presidentin Trump dhe Presidentin Macron

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani është takuar me Presidentin Trump dhe Presidentin Macron. “Aleanca euroatlantike!”, ka shkruar Presidentja Osmani.
Presidentja: Notre-Dame, një simbol i qëndrueshmërisë dhe bukurisë

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani së bashku me Zotërinë e Parë, Prindon Sadriu, me ftesë të Presidentit Macron, kanë marrë pjesë në ceremoninë e rihapjes së Katedrales Notre-Dame. Postimi i plotë i Presidentes Osmani: Me ftesë të Presidentit Macron, jemi në Paris së bashku me liderë nga mbarë bota, për ceremoninë e rihapjes së Katedrales Notre-Dame. Notre-Dame, një simbol i qëndrueshmërisë dhe bukurisë, vazhdon të frymëzojë botën me historinë dhe vlerën e saj kulturore e shpirtërore.
Presidentja Osmani takoi Presidentin Trump, në ceremoninë e rihapjes së Katedrales së Parisit “Notre Dame”

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani është takuar me Presidentin Trump, në ceremoninë e rihapjes së Katedrales së Parisit “Notre Dame”. “Me Presidentin Trump, në ceremoninë e rihapjes së Katedrales së Parisit “Notre Dame”, ka shkruar Presidentja Osmani.
Presidentja Osmani e ftuar nga Presidenti francez krahas liderëve botërorë në ceremoninë e Notre Dame në Paris

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, do t’i bashkohet liderëve nga e gjithë bota për të marrë pjesë në ceremoninë e rihapjes së Katedrales Notre Dame. Presidentja Osmani dhe Zotëria i Parë, Prindon Sadriu janë ftuar për këtë ceremoni nga presidenti francez Emmanuel Macron. Përveç ceremonisë në katedrale, ata janë ftuar edhe në Pallatin Élysée , në një darkë të organizuar nga presidenti Macron për krerët e shteteve që do të marrin pjesë në ceremoni. Presidentja do të jetë në Paris krahas presidentit të sapozgjedhur të SHBA-ve, Donald Trump dhe liderëve të tjerë nga vende të ndryshme të botës. Katedralja e Notre Dame, monument 850 vjeçar i trashëgimisë kulturore, është restauruar pas zjarrit shkatërrues të pesë viteve më parë.
Mesazhi i Presidentes Vjosa Osmani me rastin e shënimit të 25 vjetorit të bashkëpunimit zhvillimor në mes të Kosovës dhe Gjermanisë